Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Valdezët: Nga herezia në protestantizëm

Valdezët: Nga herezia në protestantizëm

Valdezët: Nga herezia në protestantizëm

Ishte viti 1545 në krahinën e bukur Lybëro të Provansës, në jug të Francës. Një ushtri ishte ngritur për të kryer një mision të tmerrshëm, të frymëzuar nga intoleranca fetare. Vijoi një javë e përgjakshme.

FSHATRA të tërë u rrafshuan dhe banorët u burgosën ose u vranë. Ushtarët gjakatarë kryen mizori të tmerrshme në këtë masakër që e bëri Evropën të dridhej. Rreth 2.700 burra u vranë dhe 600 të tjerë u dërguan nëpër galera, për të mos folur për vuajtjet që hoqën gratë dhe fëmijët. Komandanti ushtarak që kreu këtë fushatë gjakatare mori lavdërime nga mbreti francez dhe nga papa.

Reforma tashmë e kishte përçarë Gjermaninë, kur mbreti katolik Fransis I i Francës, i shqetësuar për përhapjen e protestantizmit, ndërmori hetime për të ashtuquajturit heretikë në mbretërinë e tij. Në vend që të gjenin vetëm disa raste të veçuara herezie, autoritetet në Provansë zbuluan fshatra të tëra me disidentë fetarë. Dekreti për ta zhdukur këtë herezi u miratua dhe, më pas, u vu në zbatim me masakrën e vitit 1545.

Cilët ishin këta heretikë? E përse ishin objekte të intolerancës së dhunshme fetare?

Nga pasuria në varfëri

Viktimat e kësaj masakre i përkitnin një lëvizjeje fetare që e pati fillesën në shekullin e 12-të dhe ishte shtrirë në një zonë të gjerë të Evropës. Mënyra se si u përhap dhe se si mbijetoi kjo lëvizje për shekuj të tërë e bën unike në kronikat e disidencës fetare. Shumica e historianëve janë të mendimit se lëvizja e pati fillesën rreth vitit 1170. Në qytetin francez të Lionit, një tregtar i pasur me emrin Vode zhvilloi një interes të thellë për të mësuar se si t’i pëlqente Perëndisë. Me sa duket i shtyrë nga këshilla e Jezu Krishtit, që një njeri i pasur të shiste zotërimet e tij dhe t’ua jepte të varfërve, Vodeja, pasi e siguroi financiarisht familjen e tij, hoqi dorë nga pasuria që kishte, me qëllim që të predikonte Ungjillin. (Mateu 19:16-22) Shumë shpejt, pati ithtarë që më vonë u bënë të njohur si valdezët. *

Varfëria, predikimi dhe Bibla ishin gjërat kryesore në jetën e Vodesë. Protesta kundër pasurisë së klerikëve nuk ishte një gjë e re. Nga disa kohë, një numër klerikësh jokonformistë i kishin demaskuar praktikat e korruptuara dhe abuzimet e kishës. Por, Vodeja ishte besimtar i thjeshtë, siç ishin edhe shumica e ithtarëve të tij. Kjo, pa dyshim, shpjegon përse e pa të nevojshme ta kishte Biblën në gjuhën e tij, në gjuhën e popullit. Meqenëse versioni latin i Biblës që kishte kisha lejohej të përdorej vetëm nga kleri, Vodeja porositi një përkthim të Ungjijve dhe të librave të tjerë të Biblës në gjuhën franko-provençale, në gjuhën që kuptonin njerëzit e thjeshtë në lindje të Francës Qendrore. * Duke vepruar sipas urdhrit të Jezuit për të predikuar, Të varfrit e Lionit dolën në rrugë që të predikonin mesazhin e tyre. (Mateu 28:19, 20) Historiani Gabriel Odizjo shpjegon se këmbëngulja e valdezëve për predikimin publik u bë çështja vendimtare që ndikoi në qëndrimin e kishës ndaj tyre.

Nga katolikë në heretikë

Në ato ditë, predikimi u lejohej vetëm klerikëve dhe kisha e mbante vetë të drejtën që të jepte autoritetin për të predikuar. Klerikët i shihnin valdezët si injorantë dhe të pashkolluar, por në vitin 1179, Vodeja i kërkoi papa Aleksandrit III autorizim zyrtar për predikimin e tij. Leja iu dha, por me kusht që ky predikim të miratohej nga priftërinjtë vendës. Historiani Malkolm Lambert komenton se kjo «ishte pothuajse e barabartë me mohimin e plotë të lejes». Në të vërtetë, kryepeshkopi Zhan Belmë i Lionit e ndaloi formalisht predikimin nga ana e besimtarëve të thjeshtë. Vodeja u përgjigj duke cituar Veprat 5:29, ku thuhet: «Duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.» Pasi nuk iu nënshtrua ndalimit, Vodenë e shkishëruan në vitin 1184.

Ndonëse valdezët u ndaluan në dioqezën e Lionit dhe u dëbuan nga qyteti, duket se dënimi fillestar ishte pak a shumë teorik. Shumë njerëz të thjeshtë i admironin valdezët për çiltërsinë dhe për mënyrën e tyre të jetesës, e madje, edhe peshkopët vazhduan t’u flitnin atyre.

Sipas historianit Ejo Kamro, duket se predikuesit valdezë nuk «e kundërshtonin kishën e Romës në vetvete». Ata thjesht «dëshironin të predikonin e të mësonin». Historianët thonë se lëvizjen e çuan në herezi, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, me anë të një serie dekretesh që i kufizonin gjithnjë e më shumë e në mënyrë të përhershme. Dënimet e kishës e patën kulmin në urdhrin e shkishërimit që nxori Këshilli i Katërt Lateran kundër valdezëve në vitin 1215. Si ndikoi kjo në predikimin e tyre?

Vazhdojnë ilegalisht

Vodeja vdiq në vitin 1217 dhe përndjekja bëri që ithtarët e tij të shpërndaheshin në luginat alpine franceze, në Gjermani, në Italinë Veriore dhe në Evropën Qendrore e Lindore. Po ashtu, përndjekja i bëri valdezët që të vendoseshin në zona fshatare, dhe kjo e kufizoi veprën e tyre të predikimit në shumë zona.

Në vitin 1229, Kisha Katolike përfundoi kryqëzatën e saj kundër katarëve ose albigezëve, në jug të Francës. * Pas kësaj, objekt i këtyre sulmeve u bënë valdezët. Shumë shpejt, Inkuizicioni do të kthehej pa mëshirë kundër gjithë kundërshtarëve të kishës. Nga frika, valdezët hynë në ilegalitet. Në vitin 1230, nuk predikonin më haptazi. Historiani Odizjo shpjegon: «Në vend që të shkonin e të kërkonin dele të tjera . . . , ata iu përkushtuan punës për t’u kujdesur për ata që ishin kthyer në besim, duke i mbajtur të fortë në besim përballë presioneve dhe përndjekjeve të jashtme.» Ai shtoi se «predikimi vazhdonte të ishte thelbësor, por kishte ndryshuar krejtësisht mënyrën se si kryhej».

Bindjet dhe praktikat e tyre

Në vend që në veprën e predikimit të merrnin pjesë edhe burrat, edhe gratë, në shekullin e 14-të valdezët kishin zhvilluar një dallim ndërmjet predikuesve dhe besimtarëve. Në atë kohë, vetëm burrat e stërvitur mirë merrnin pjesë në veprën baritore. Këta shërbëtorë udhëtues më vonë u njohën si barbes (xhaxhallarë).

Këta barbes, të cilët vizitonin familjet valdeze në shtëpitë e tyre, punonin për ta mbajtur gjallë lëvizjen, jo për ta përhapur atë. Të gjithë këta barbes dinin të shkruanin e të lexonin dhe, stërvitja e tyre, e cila zgjaste deri në gjashtë vjet, e drejtonte vëmendjen te Bibla. Përdorimi i Biblës në gjuhën vendëse i ndihmonte ata që t’ua shpjegonin kopeve të tyre. Edhe kundërshtarët e pranonin se valdezët, duke përfshirë edhe fëmijët e tyre, kishin një kulturë të fortë për Biblën dhe mund të citonin përmendësh pjesë të mëdha të Shkrimeve.

Ndër të tjerat, valdezët e hershëm hidhnin poshtë gënjeshtrat, purgatorin, meshën për të vdekurit, faljet nga papa dhe indulgjencat, si edhe adhurimin e Marisë e të «shenjtorëve». Gjithashtu, mbanin kremtime vjetore të Darkës së Zotërisë ose Darkës së Fundit. Sipas Lambertit, forma e tyre e adhurimit «ishte, në të vërtetë, feja e besimtarëve të thjeshtë».

«Një jetë e dyfishtë»

Komunitetet e valdezëve ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Personat martoheshin brenda lëvizjes dhe, me kalimin e shekujve, kjo krijoi mbiemra valdezë. Megjithatë, në luftën për të mbijetuar, valdezët u përpoqën t’i fshihnin bindjet e tyre. Fshehtësia që mbështillte bindjet dhe praktikat fetare të valdezëve ua bënte të lehtë kundërshtarëve që t’i akuzonin haptazi, duke thënë, për shembull, se adhuronin Djallin. *

Një mënyrë se si iu kundërpërgjigjën valdezët këtyre akuzave ishte duke bërë kompromis dhe duke praktikuar atë që historiani Kamro e quan «përputhje minimale» me adhurimin e krishterë. Shumë valdezë rrëfeheshin te priftërinjtë katolikë, ndiqnin meshën, përdornin ujin e bekuar e, madje, shkonin edhe nëpër pelegrinazhe. Lamberti komenton: «Në shumë gjëra, vepronin si fqinjët e tyre katolikë.» Odizjoja e thotë hapur se, s’kaloi shumë dhe valdezët «bënin një jetë të dyfishtë». Ai shton: «Në njërën anë, nga jashtë silleshin tamam si katolikë, për të ruajtur qetësinë relative që kishin; nga ana tjetër, mes tyre kryenin disa rite dhe zakone që siguronin vazhdimësinë e komunitetit.»

Nga herezia në protestantizëm

Në shekullin e 16-të, Reforma e ndryshoi rrënjësisht skenën fetare të Evropës. Viktimat e intolerancës ose mund të kërkonin njohje ligjore në vendin e tyre, ose mund të emigronin në kërkim të kushteve më të favorshme për të jetuar. Edhe ideja e herezisë u bë më pak e rëndësishme, meqë tashmë shumë njerëz kishin filluar të vinin në dyshim traditën fetare.

Duke filluar në vitin 1523, reformuesi i mirënjohur Martin Luteri i përmendi valdezët. Në vitin 1526, një barbes valdez solli me vete në Alpe lajme për zhvillimet fetare në Evropë. Kjo u ndoq nga një periudhë shkëmbimesh, në të cilën komunitetet protestante ndanin idetë e tyre me valdezët. Protestantët i inkurajuan valdezët që të sponsorizonin përkthimin e parë të Biblës nga gjuhët origjinale në frëngjisht. E botuar në vitin 1535, ajo u njoh më vonë si Bibla Olivetiane. Mirëpo gjëja ironike ishte se shumica e valdezëve nuk e kuptonin frëngjishten.

Duke qenë se përndjekja nga Kisha Katolike vazhdonte, shumë valdezë u vendosën në krahinën më të sigurt të Provansës, në Francën Jugore. Po kështu bënë edhe shumë imigrantë protestantë. Shpejt autoritetet ranë në dijeni të këtij imigrimi. Me gjithë raportet e shumta pozitive për mënyrën e jetesës dhe për moralin e valdezëve, disa njerëz e vinin në dyshim besnikërinë e tyre dhe i akuzonin se ishin një kërcënim për rendin publik. U nxor dekreti i Merindolit, i cili solli si pasojë gjakderdhjen e tmerrshme të përmendur në fillim të këtij artikulli.

Marrëdhëniet midis katolikëve dhe valdezëve vazhduan të keqësoheshin. Në përgjigje të sulmeve që u bënë kundër tyre, valdezët përdorën edhe forcat e armatosura për t’u mbrojtur. Ky konflikt i shtyu në kopenë protestante. Kështu, valdezët u bënë aleatë me rrymën kryesore të protestantizmit.

Gjatë shekujve, janë themeluar kisha valdeze në vende që janë shumë larg Francës, deri në Uruguaj dhe në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë shumica e historianëve janë të një mendimi me Odizjon, i cili thotë se «valdezianizmi mori fund në kohën e Reformës», kur u «asimilua» nga protestantizmi. Në të vërtetë, lëvizja valdeze ka humbur shumë nga zelli fillestar që kishte shekuj më parë. Kjo ndodhi kur, nga frika, anëtarët e saj e braktisën predikimin dhe mësimin që e drejtonte vëmendjen te Bibla.

[Shënimet]

^ par. 7 Vodeja përmendet ndryshe edhe si Valdès, Valdizius ose Valdo. Emri i fundit shpjegon origjinën e termit «valdezë». Valdezët ose valdezianët, njiheshin ndryshe edhe si Të varfërit e Lionit.

^ par. 8 Që në vitin 1199, peshkopi i qytetit të Mecit, në Francën Verilindore, iu ankua papa Inocentit III se disa njerëz po e lexonin dhe po e shqyrtonin Biblën në gjuhën vendëse. Ka shumë të ngjarë që peshkopi ta ketë pasur fjalën për valdezët.

^ par. 15 Shih «Katarët: A ishin martirë të krishterë?», në Kullën e Rojës të 1 dhjetorit 1995, faqet 27-30.

^ par. 21 Shpifjet e vazhdueshme kundër valdezëve çuan në krijimin e termit vauderie (nga fjala franceze vaudois). Kjo fjalë përdoret për të përshkruar ata që dyshohen si heretikë ose si adhurues të Djallit.

[Harta dhe figura në faqen 23]

(Për tekstin e formatuar, shih botimin)

Zona nën ndikimin e valdezëve

FRANCË

Lion

PROVANSË

Lybëro

Strasburg

Milano

Romë

Berlin

Pragë

Vjenë

[Figura]

Valdezët sponsorizuan përkthimin e Biblës Olivetiane në vitin 1535

[Burimi]

Bibla: © Cliché Bibliothèque nationale de France, Paris

[Figurat në faqet 20, 21]

VODEJA

Djegia e dy grave të moshuara valdeze

[Burimi]

Faqet 20 dhe 21: © Landesbildstelle Baden, Karlsruhe