Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Shpëtimi i përket Jehovait»

«Shpëtimi i përket Jehovait»

«Shpëtimi i përket Jehovait»

NË KOHË krizash kombëtare e tensionesh ndërkombëtare, njerëzit i kthejnë sytë nga qeveritë e tyre për shpëtim dhe siguri. Nga ana e tyre, qeveritë shtojnë programet që hartohen për të siguruar mbështetjen e masave. Sa më shumë të ushqehet ndjenja e patriotizmit nga këto programe, aq më me gjallëri dhe më shpesh mbahen ceremonitë patriotike.

Në kohë urgjence kombëtare, zjarri i patriotizmit shpesh përçon te njerëzit ndjenjën e unitetit e të forcës, si dhe mund të përkrahë frymën e bashkëpunimit dhe ndjenjën e qytetarisë. Sidoqoftë, «patriotizmi është po aq i paparashikueshëm sa dhe çdo emocion tjetër»,​—pohohet në një artikull në The New York Times Magazine,​—duke qenë se «sapo lejohet të shprehet lirisht mund të marrë forma të shëmtuara». Shprehjet e zakonshme të patriotizmit mund të shndërrohen në veprime që mund të cenojnë liritë qytetare dhe lirinë fetare të disa shtetasve të një vendi. Të krishterët e vërtetë në mënyrë në veçantë vihen nën presion që të bëjnë kompromis për bindjet e tyre. Si duhet të sillen ata, kur një atmosferë e tillë përfshin botën përreth tyre? Cilat parime biblike i ndihmojnë të veprojnë me mendjehollësi dhe të ruajnë besnikërinë ndaj Perëndisë?

«Nuk duhet të përkulesh para tyre»

Disa herë, përshëndetja e flamurit kombëtar bëhet një shprehje e zakonshme e ndjenjave patriotike. Por, flamujt shpesh kanë simbole të gjërave në qiej, si për shembull yjet, po ashtu edhe të gjërave në tokë. Perëndia shprehu pikëpamjen e tij për sa i përket përkuljes para këtyre objekteve, kur e urdhëroi popullin e tij: «Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur, asnjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiej ose poshtë në tokë, ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe as mos u shërbe atyre, sepse unë Jehovai, Perëndia yt, jam një Perëndi që kërkon përkushtim të veçantë.»​—Eksodi 20:4, 5, BR.

Përshëndetja ose gjunjëzimi para një flamuri që përfaqëson shtetin, a bie me të vërtetë ndesh me përkushtimin e veçantë që i japim Perëndisë? Izraelitët e lashtë kishin «shenja» ose flamuj, rreth e përqark të cilave ndarjet e tyre trifisëshe mblidheshin së bashku në shkretëtirë. (Numrat 2:1, 2) Duke folur për fjalët hebraike që tregojnë këta lloj flamujsh, një enciklopedi (Cyclopedia) e autorëve MekKlintok dhe Strong thotë: «Gjithsesi, asnjëra prej këtyre fjalëve nuk shpreh idenë që përçon në mendjen tonë fjala flamur.» Për më tepër, flamujt e Izraelit nuk shiheshin si të shenjtë e përdorimi i tyre nuk shoqërohej me asnjë ceremoni. Ata shërbenin vetëm për një qëllim praktik, pra, si shenja për t’u treguar njerëzve se ku të mblidheshin.

Paraqitja e kerubinëve në tabernakull dhe në tempullin e Solomonit shërbente kryesisht si përshkrim i kerubinëve qiellorë. (Eksodi 25:18; 26:1, 31, 33; 1 Mbretërve 6:23, 28, 29; Hebrenjve 9:23, 24) Fakti që, në përgjithësi, njerëzit kurrë nuk i panë ata dhe që vetë engjëjt nuk duhen adhuruar tregon qartë se këto paraqitje artistike të kerubinëve nuk duhej të adhuroheshin​—Kolosianëve 2:18; Zbulesa 19:10; 22:8, 9.

Shqyrtoni edhe figurën e gjarprit prej bakri që profeti Moisi bëri gjatë qëndrimit të përkohshëm të Izraelitëve në shkretëtirë. Ajo figurë ose shëmbëlltyrë shërbeu si simbol dhe kishte domethënie profetike. (Numrat 21:4-9; Gjoni 3:14, 15) Nuk u përdor si objekt adhurimi. Sidoqoftë, shekuj pas ditëve të Moisiut, izraelitët në mënyrë të papërshtatshme filluan të adhuronin po atë shëmbëlltyrë, madje duke djegur temjan në të. Prandaj mbreti i Judës, Hezekia, e bëri copë-copë.​—2 Mbretërve 18:1-4.

A janë flamujt kombëtarë vetëm shenja që shërbejnë për ndonjë funksion të dobishëm? Çfarë simbolizojnë ata? «Simboli kryesor i besimit dhe objekti qendror i adhurimit të nacionalizmit është flamuri»,​—u shpreh autori Xh. Pol Uilliams. Një enciklopedi (The Encyclopedia Americana) thotë: «Flamuri, ashtu si kryqi, është i shenjtë.» Flamuri është simboli i shtetit. Prandaj përkulja para tij ose përshëndetja e tij janë rite fetare që shfaqin nderim të thellë për shtetin. Ky veprim ia jep shtetit meritën për shpëtim dhe nuk do të ishte i pranueshëm, duke parë atë që thotë Bibla për idhujtarinë.

Shkrimet pohojnë qartë: «Shpëtimi i përket Jehovait.» (Psalmi 3:8, BR) Merita për shpëtim nuk u duhet dhënë institucioneve njerëzore ose simboleve të tyre. Apostulli Pavël i këshilloi të bashkëkrishterët: «Prandaj, të dashurit e mi, ikni prej idhujtarisë.» (1 Korintasve 10:14) Të krishterët e hershëm nuk merrnin pjesë në vepra në të cilat adhurohej shteti. Në librin Those About to Die (Ata në prag të vdekjes) Daniel P. Maniksi vëren: «Të krishterët nuk pranuan të . . . bënin flijime për frymën mbrojtëse të perandorit [romak], e kjo në kohën tonë është pothuajse njëlloj sikur të mos pranosh të përshëndetësh flamurin.» Kështu është edhe me të krishterët e vërtetë sot. Që t’i japin Jehovait përkushtim të veçantë, ata përmbahen nga përshëndetja e flamurit të çdo kombi. Duke bërë kështu, vënë Perëndinë në vend të parë, ndërkohë që ruajnë respektin për qeveritë dhe sundimtarët e tyre. Në të vërtetë, ata pranojnë përgjegjësinë e tyre për të qenë të nënshtruar ndaj «autoriteteve më të larta» qeveritare. (Romakëve 13:1-7) Megjithatë, cila është pikëpamja e Shkrimeve për sa i përket këndimit të këngëve patriotike, si për shembull të himneve kombëtare?

Çfarë janë himnet kombëtare?

«Himnet kombëtare janë shprehje të ndjenjës patriotike dhe shpesh përfshijnë thirrjen për udhëheqjen hyjnore dhe për mbrojtjen e popujve ose të sundimtarëve të tyre»,​—thotë Encyclopedia Americana. Në thelb, himni kombëtar është një këngë solemne ose një lutje në favor të një kombi. Ai zakonisht kërkon që kombi të gëzojë begati materiale dhe jetë të gjatë. A duhet të marrin pjesë të krishterët e vërtetë në shfaqjen e ndjenjave të tilla të përkushtimit?

Profeti Jeremia jetoi në mes njerëzve që pohonin se i shërbenin Perëndisë. Megjithatë, Jehovai e urdhëroi: «Prandaj mos ndërhy për këtë popull, mos lësho për ata asnjë britmë ose lutje dhe mos ngul këmbë pranë meje se nuk do të kënaq.» (Jeremia 7:16; 11:14; 14:11) Pse iu dha ky urdhër Jeremisë? Sepse shoqëria në të cilën jetonte ishte e mbushur plot me vjedhje, vrasje, kurorëshkelje, betime të rreme dhe idhujtari.​—Jeremia 7:9.

Jezu Krishti la një shembull kur tha: «Unë lutem për ta; nuk lutem për botën, por për ata që ti më ke dhënë.» (Gjoni 17:9) Shkrimet thonë se «e gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut» dhe se «bota po kalon». (1 Gjonit 2:17; 5:19) Atëherë, si mund të luten me vetëdije të krishterët e vërtetë për begatinë dhe jetëgjatësinë e këtij sistemi?

Sigurisht, jo të gjitha himnet kombëtare përfshijnë kërkesa drejtuar Perëndisë. «Ndjenjat e shfaqura në himnet kombëtare ndryshojnë nga lutje për monarkun në aluzione për beteja të rëndësishme kombëtare ose për kryengritje . . . deri në shprehjet e ndjenjës patriotike»,​—thotë një enciklopedi (Encyclopædia Britannica). Por, a mund të ngazëllejnë me të vërtetë për luftërat dhe revolucionet e ndonjë kombi ata që përpiqen t’i pëlqejnë Perëndinë? Në lidhje me adhuruesit e vërtetë, Isaia paratha: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj.» (Isaia 2:4) «Ndonëse ecim në mish,​—shkroi apostulli Pavël,​—ne nuk luftojmë sipas asaj që jemi në mish. Sepse armët e luftës sonë nuk janë sipas mishit.»​—2 Korintasve 10:3, 4.

Himnet kombëtare shpesh shprehin ndjenja të krenarisë ose të epërsisë kombëtare. Kjo pikëpamje nuk ka bazë biblike. Në fjalimin e tij në Areopag, apostulli Pavël tha: «Nga një njeri i vetëm [Perëndia Jehova] bëri çdo komb njerëzish, që të banojnë mbi tërë faqen e dheut.» (Veprat 17:26) Apostulli Pjetër pohoi: «Perëndia nuk është i anshëm, por në çdo komb njeriu që i frikësohet atij dhe praktikon drejtësinë është për të i pranueshëm.»​—Veprat 10:34, 35.

Për shkak të kuptueshmërisë biblike që kanë, shumë veta marrin një vendim personal për të mos marrë pjesë në përshëndetjen e flamurit ose në këndimin e këngëve patriotike. Por, si sillen kur hasin rrethana që i vënë ballë për ballë me këto çështje?

S’marrin pjesë, duke e bërë këtë me respekt

Në përpjekje për të forcuar unitetin e perandorisë së tij, Mbreti Nabukodonosor i Babilonisë së lashtë ngriti një shëmbëlltyrë ari të stërmadhe në rrafshinën e Durës. Atëherë ai organizoi një ceremoni përurimi në të cilën ftoi satrapët, prefektët, guvernatorët, këshilltarët e tij dhe të tjerë zyrtarë të lartë. Sapo të dëgjonin muzikën, të gjithë së bashku duhej të përkuleshin dhe të adhuronin shëmbëlltyrën. Midis atyre që duhej të ishin të pranishëm ishin tre të rinj hebrenj: Shadraku, Meshaku dhe Abednego. Si treguan ata se nuk po merrnin pjesë në atë ceremoni fetare? Kur filloi muzika dhe ata që ishin mbledhur ranë përmbys përpara shëmbëlltyrës, tre hebrenjtë qëndruan në këmbë.​—Danieli 3:1-12.

Sot flamujt zakonisht përshëndeten duke shtrirë krahun ose duke vënë dorën me gishtat e drejtuar anash ballit ose duke vënë dorën në zemër. Disa herë mund të merren qëndrime të veçanta të trupit. Në disa vende nga fëmijët në shkollë pritet që të gjunjëzohen dhe të puthin flamurin. Duke qëndruar pa lëvizur, teksa të tjerët përshëndetin flamurin, të krishterët e vërtetë e bëjnë të qartë se janë vëzhgues që tregojnë respekt.

Por, ç’të themi nëse një ceremoni mbahet në mënyrë të tillë që thjesht qëndrimi në këmbë dëshmon se po merr pjesë? Për shembull, ta zëmë se një nxënës në një shkollë është zgjedhur për të përfaqësuar tërë shkollën dhe del jashtë e përshëndet flamurin e vënë në shtizë, ndërkohë që nga të tjerët pritet të rrinë gatitu brenda në klasë. Në këtë rast, thjesht qëndrimi në këmbë nënkupton se personi është dakord që nxënësi te shtiza e flamurit është përfaqësues i të gjithë të pranishmëve në përshëndetjen e flamurit. Vetë qëndrimi në këmbë do të tregonte se po merr pjesë në ceremoni. Nëse paraqitet një rast i tillë, ata që dëshirojnë të jenë vetëm vëzhgues që tregojnë respekt qëndrojnë ulur, në heshtje. Po sikur klasa të jetë tashmë në këmbë teksa nis kjo ceremoni? Në këtë rast, po të qëndronim në këmbë nuk do të tregonim se marrim pjesë në të.

Ta zëmë sikur dikujt nuk i kërkohet të përshëndetë flamurin, por vetëm ta mbajë atë, në një paradë, në klasë ose diku tjetër, që ta përshëndetin të tjerët. Kjo, në të vërtetë, do të thotë të jemi pikërisht në qendër të ceremonisë, në vend që të ‘ikim nga idhujtaria’, siç urdhërojnë Shkrimet. E njëjta gjë vlen për parakalimet në paradat patriotike. Të krishterët e vërtetë i shmangin me vetëdije, meqë bërja e kësaj do të thotë të mbështetësh atë që nderohet nga parada.

Kur luhen himnet kombëtare, zakonisht gjithçka që një individ duhet të bëjë për të treguar se bashkohet me ndjenjat e shfaqura në këngë është të ngrihet në këmbë. Në raste të tilla, të krishterët rrinë ulur. Sidoqoftë, nëse ata tashmë janë në këmbë kur fillon të luhet himni kombëtar, nuk ka nevojë që të bëjnë një veprim të veçantë, pra të ulen. Nuk është njësoj sikur të kishin vendosur të ngriheshin posaçërisht për himnin. Nga ana tjetër, nëse nga një grup pritet që të ngrihen në këmbë e të këndojnë, atëherë vetëm të ngrihesh në këmbë nga respekti, por të mos këndosh, nuk do të tregonte se bashkohesh me ndjenjat e këngës.

«Mbani një ndërgjegje të mirë»

Pasi përshkroi kotësinë e objekteve të adhurimit të bëra nga njeriu, psalmisti tha: «Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.» (Psalmi 115:4-8) Atëherë është e qartë se çdo punë që përfshin drejtpërdrejt prodhimin e objekteve për adhurim, ku futen edhe flamujt kombëtarë, do të ishte e papranueshme për adhuruesit e Jehovait. (1 Gjonit 5:21) Disa rrethana të tjera në punë mund të lindin gjithashtu kur të krishterët me respekt tregojnë se ata nuk adhurojnë as flamurin dhe as atë që ai përfaqëson, por vetëm Jehovain.

Për shembull, një punëdhënës mund t’i kërkojë një të punësuari të ngrejë ose të ulë një flamur që është vënë në një ndërtesë. Në qoftë se dikush do ta bënte këtë apo jo, varet nga pikëpamja e tij personale për rrethanat. Kur ngritja ose ulja e flamurit është pjesë e një ceremonie të veçantë, gjatë së cilës njerëzit qëndrojnë gatitu ose përshëndetin flamurin, atëherë ta kryesh këtë veprim është njësoj si të marrësh pjesë në ceremoni.

Nga ana tjetër, nëse ngritja ose ulja e flamurit nuk shoqërohet me kurrfarë ceremonie, atëherë këto veprime nuk janë gjë tjetër veçse njësoj si kryerja e detyrave të tilla, si: përgatitja e ndërtesës për përdorim, hapja e mbyllja e dyerve dhe e dritareve. Në këto raste, flamuri është vetëm një simbol i shtetit dhe ngritja ose ulja e tij, midis punëve të tjera të zakonshme, është një vendim personal që individi do të marrë, duke u mbështetur në atë që i dikton ndërgjegjja e tij e stërvitur nga Bibla. (Galatasve 6:5) Dikë ndërgjegjja mund ta shtyjë t’i kërkojë mbikëqyrësit që ndonjë punëtor tjetër ta ngrejë ose ta ulë flamurin. Një i krishterë tjetër mund të ndiejë se ndërgjegjja ia lejon të bëjë veprime që lidhen me flamurin, për aq kohë sa kjo nuk përfshin asnjë ceremoni. Çfarëdo vendimi të marrin, adhuruesit e vërtetë duhet ‘të mbajnë një ndërgjegje të mirë’ para Perëndisë.​—1 Pjetrit 3:16.

Nuk ka asgjë që bie ndesh me Shkrimet kur punojmë ose jemi në ndërtesa publike të tilla, si: pikat e zjarrfikësve, zyrat e bashkisë ose shkollat, ku mbahet flamuri kombëtar. Flamuri mund të paraqitet edhe në pullat e postës, targat e automjeteve ose në sende të tjera të prodhuara nga qeveria. Përdorimi i objekteve të tilla, në vetvete, nuk e bën dikë pjesëmarrës në vepra përkushtimi. Ajo që ka rëndësi këtu nuk është prania e një flamuri ose e një riprodhimi të tij, por si vepron dikush kundrejt tij.

Shpesh flamujt mbahen në dritare, dyer, makina, tavolina shkrimi ose në objekte të tjera. Gjithashtu, mund të blihen rroba që kanë të stampuar si motiv një flamur. Në disa vende veshja e këtyre gjërave është e paligjshme. Por, edhe nëse kjo nuk do të ishte shkelje e ligjit, çfarë do të tregonte për pozitën e dikujt kundrejt botës? Në lidhje me ithtarët e tij, Jezu Krishti tha: «Ata nuk janë pjesë e botës, ashtu si unë nuk jam pjesë e botës.» (Gjoni 17:16) Nuk duhet t’i mbyllim sytë para pasojave që ky veprim mund të ketë te bashkëbesimtarët. A mund të lëndojë ndërgjegjen e disave? A mund të dobësohen ata që janë të vendosur për të qenë të patundur në besim? Pavli i këshilloi të krishterët ‘që të siguroheshin për gjërat më të rëndësishme, në mënyrë që të ishin të patëmetë e të mos pengonin të tjerë deri në ditën e Krishtit’​—Filipianëve 1:10.

«Zemërbutë me të gjithë»

Ndërsa kushtet e botës keqësohen në këto «kohë kritike» ka të ngjarë që ndjenjat patriotike të bëhen më të fuqishme. (2 Timoteut 3:1) Mos harrofshin kurrë ata që e duan Perëndinë se shpëtimi i përket vetëm Jehovait! Ai meriton përkushtim të veçantë. Apostujt e Jezuit, kur iu kërkua të bënin diçka që nuk ishte në përputhje me vullnetin e Jehovait, thanë: «Ne duhet t’i bindemi Perëndisë si sundimtar në vend të njerëzve.»​—Veprat 5:29.

Apostulli Pavël shkroi: «Skllavi i Zotërisë nuk duhet të luftojë, por duhet të jetë zemërbutë me të gjithë.» (2 Timoteut 2:24) Kështu, të krishterët përpiqen të jenë paqësorë, të respektueshëm dhe zemërbutë, ndërkohë që mbështeten në ndërgjegjen e tyre të stërvitur nga Bibla, për të marrë vendime personale në lidhje me përshëndetjen e flamurit dhe këndimin e himnit kombëtar.

[Figura në faqen 23]

Të patundur, por me respekt, tre hebrenjtë vendosën t’i pëlqenin Perëndisë

[Figura në faqen 24]

Si duhet të veprojë një i krishterë gjatë një ceremonie patriotike?