Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lufta për të pasur një Bibël në greqishten moderne

Lufta për të pasur një Bibël në greqishten moderne

Lufta për të pasur një Bibël në greqishten moderne

Mund të mbeteni të habitur nëse mësoni se në Greqi, vendi që ndonjëherë quhet djepi i mendimit të lirë, përkthimi i Biblës në gjuhën e njerëzve të thjeshtë ka qenë në qendër të një lufte të gjatë e të hidhur. Por kush do të kundërshtonte bërjen e një Bible në një greqishte që kuptohej lehtë? Përse do të donte ndonjë ta ndalonte atë?

DIKUSH mund të mendojë se njerëzit që flasin greqisht janë të privilegjuar pasi një pjesë e konsiderueshme e Shkrimeve të Shenjta u shkrua në fillim në këtë gjuhë. Megjithatë, greqishtja moderne është shumë ndryshe nga greqishtja e përkthimit të Septuagintës të Shkrimeve Hebraike dhe nga ajo e Shkrimeve të Krishtere Greke. Në fakt, për gjashtë shekujt e kaluar, greqishtja biblike për shumicën e njerëzve që flitnin greqisht u është dukur po aq e pakuptueshme sa edhe një gjuhë e huaj. Termat e vjetër janë zëvendësuar nga fjalë të reja dhe gjithashtu ka ndryshuar fjalori, gramatika dhe sintaksa.

Një koleksion i dorëshkrimeve greke që datojnë nga shekulli i tretë deri tek i gjashtëmbëdhjeti, dëshmon për përpjekjet që janë bërë për të përkthyer Septuagintën në një formë të mëvonshme të greqishtes. Në shekullin e tretë, Gregori, peshkop i Neocezaresë (rreth 213 e.s.-270 e.s.), përktheu librin e Predikuesit nga Septuaginta në një greqishte më të thjeshtë. Në shekullin e 11-të një jude me emrin Tobias ben Eliezer, që jetonte në Maqedoni përktheu pjesë nga Pentateuku i Septuagintës në greqishten e përditshme. Ai madje përdori shkronja hebraike për dobi të judenjve maqedonas të cilët flitnin vetëm greqisht, por lexonin germa hebraike. Pentateuku i plotë i këtij lloji u botua në Kostandinopojë në vitin 1547.

Pak dritë në mes të errësirës

Pasi vendet e Perandorisë Bizantine që flitnin greqisht ranë në duart e osmanëve në shekullin e 15-të, shumica e njerëzve atje u lanë pa arsimim. Kisha Ortodokse edhe pse ishte shumë e privilegjuar nën Perandorinë Osmane duke e lënë pas dore kopenë e vet lejoi që kjo të kthehej në një shtresë të ulët të shoqërisë të varfër dhe të paditur. Shkrimtari grek Tomas Spelios komentoi: «Synimi kryesor i Kishës Ortodokse dhe i sistemit të saj të arsimit ishte të mbronte anëtarët e vet nga çdo cenim prej islamizmit si dhe nga propaganda Katolike e Romës. Si rrjedhim, arsimimi grek ishte pothuajse i vdekur.» Në një atmosferë të tillë të zymtë, ata që e donin Biblën ndien nevojën që t’u jepnin lehtësim dhe ngushëllim njerëzve të dëshpëruar duke përdorur librin biblik të Psalmeve. Nga viti 1543 deri më 1835 kishte 18 përkthime të Psalmeve në gjuhën e folur greke.

Përkthimi i parë i plotë në greqisht i Shkrimeve të Krishtere Greke u përgatit në vitin 1630 nga Maksimus Kalipolites, një murg grek nga Kalipolisi. Kjo u bë e mundur nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e Ciril Lukarisit, patrikut të Kostandinopojës dhe një reformatori pretendues të Kishës Ortodokse. Mirëpo, brenda kishës Lukarisi kishte kundërshtarë, të cilët nuk do të pranonin asnjë përpjekje për reformë ose të binin dakord për ndonjë përkthim të Biblës në gjuhën e folur. * Lukarisin e mbytën si një tradhtar. Sidoqoftë, rreth 1.500 kopje të përkthimit nga Maksimusi u shtypën në vitin 1638. Në përgjigje të këtij përkthimi, 34 vjet më vonë një sinodë ortodokse në Jerusalem deklaroi se Shkrimet «duhet të lexohen jo nga kushdo, por vetëm nga ata që shqyrtojnë gjërat e thella frymore pasi kanë bërë kërkimin e duhur». Kjo do të thoshte se Shkrimet duhet të lexoheshin vetëm nga klerikët e arsimuar.

Në vitin 1703, Serafimi, një murg grek nga ishulli i Lesbos, u përpoq të botonte një version të ripunuar të përkthimit të Maksimusit në Londër. Kur ndihma financiare e premtuar nga oborri mbretëror i Anglisë dështoi ai e shtypi këtë me paratë e veta. Në një parathënie të zjarrtë Serafimi theksoi nevojën që «çdo i krishterë i devotshëm» të lexonte Biblën, dhe ndaj klerikëve të rangut të lartë të kishës hodhi akuzën se ata «donin të mbulonin sjelljen e tyre të keqe duke i mbajtur njerëzit në padije». Siç mund të pritej, kundërshtarët e tij ortodoksë e arrestuan në Rusi dhe e internuan në Siberi ku dhe vdiq në vitin 1735.

Duke komentuar për etjen e madhe për gjërat frymore që njerëzit që flitnin greqisht kishin gjatë asaj periudhe kohe, një klerik grek bëri këtë koment në lidhje me një version të mëvonshëm të përkthimit të Maksimusit: «Grekët e morën këtë Bibël të Shenjtë, së bashku me të tjerat, me dashuri dhe me një dëshirë të zjarrtë. E lexuan. Ndien dhembjen që kishin brenda të lehtësohej dhe besimin te Zoti . . . të rindizej.» Por, udhëheqësit e tyre frymorë kishin frikë se nëse njerëzit do arrinin të kuptonin Biblën, atëherë do të dilnin në pah veprat dhe bindjet e klasës së klerit të cilat nuk bazoheshin në Shkrime. Për këtë arsye, në vitin 1823 dhe përsëri në vitin 1836 patrikana e Kostandinopojës nxori një urdhër për të djegur të gjitha kopjet e këtyre përkthimeve të Biblës.

Një përkthyes i guximshëm

Nga një sfond me një kundërshtim të egër dhe me një dëshirë të zjarrtë për njohurinë e Biblës, doli një figurë e shquar që do të luante një rol kyç në përkthimin e Biblës në gjuhën moderne greke. Ky njeri i guximshëm ishte Neofitos Vamvas një gjuhëtar i shquar dhe studiues i njohur i Biblës i konsideruar në përgjithësi si një nga «Mësuesit e Kombit».

Vamvasi ishte i bindur se Kisha Ortodokse kishte faj për analfabetizmin frymor të njerëzve. Ai besonte fuqimisht se për të zgjuar njerëzit frymësisht, Bibla kishte nevojë të përkthehej në gjuhën e folur greke të asaj kohe. Në vitin 1831, me ndihmën e disa studiuesve të tjerë, ai filloi të përkthente Biblën në gjuhën letrare greke. Përkthimi i tij i plotë u botua më 1850. Meqë Kisha Ortodokse Greke nuk do ta përkrahte ai bashkëpunoi me një shoqëri biblike, British and Foreign Bible Society (BFBS) për botimin dhe qarkullimin e përkthimit të tij. Kisha e quajti «protestant» dhe shpejt u konsiderua i dëbuar.

Përkthimi i Vamvasit iu përmbajt ngushtësisht përkthimit King James Version dhe trashëgoi mangësitë e atij versioni për shkak të dijes së kufizuar të Biblës dhe njohurisë gjuhësore të asaj kohe. Megjithatë për shumë vjet ishte Bibla greke më moderne që ishte në dispozicion për njerëzit. Është interesante se këtu gjendet katër herë emri personal i Perëndisë, në formën «Ieová».​—Zanafilla 22:14; Eksodi 6:3; 17:15; Gjyqtarët 6:24.

Cili ishte reagimi i përgjithshëm i njerëzve ndaj kësaj Bible dhe versioneve të tjera që kuptoheshin me lehtësi? Mbresëlënës! Në një anije që rrinte afër bregut të një ishulli grek, një shitës Biblash të BFBS-së ishte «i rrethuar nga kaq shumë varka plot me fëmijë të cilët vinin për të marrë [Bibla] saqë detyrohej . . . të urdhëronte kapitenin të niste anijen» nga frika se mos i linte të gjitha Biblat që kishte në një vend të vetëm. Megjithatë, kundërshtarët nuk po rrinin duarkryq.

Priftërinjtë ortodoksë i paralajmëruan njerëzit të mos i merrnin këto përkthime. Në Athinë, për shembull, Biblat u konfiskuan. Në vitin 1833, peshkopi ortodoks i Kretës, u vuri flakën Biblave «Besëlidhja e re» që gjeti në një manastir. Një prift fshehu një kopje të Biblës, kurse njerëzit në fshatrat përreth i fshehën kopjet e tyre derisa prelati u largua nga ishulli.

Disa vite më vonë, në ishullin e Korfuzit, përkthimi i Vamvasit u ndalua nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Greke. U ndalua shitja e saj dhe u shkatërruan kopjet ekzistuese. Në ishujt e Kiosit, Sirosit, Mikonosit, inati i klerit vendas çoi në djegien e Biblës. Por ndalimi i përkthimit të Biblës nuk përfundoi me kaq.

Një mbretëreshë interesohet për Biblën

Gjatë viteve 1870, mbretëresha Olga e Greqisë, kuptoi se në përgjithësi grekët ende kishin pak njohuri për Biblën. Duke besuar se njohuria për Shkrimet do t’i jepte lehtësim dhe gjallëri kombit, ajo u përpoq të siguronte një përkthim të Biblës në një gjuhë më të thjeshtë se ajo e Vamvasit.

Jo zyrtarisht kryepeshkopi i Athinës dhe kreu i Sinodit të Shenjtë, Prokopiosi e inkurajoi mbretëreshën për këtë gjë që kishte ndërmarrë. Megjithatë, kur kërkoi zyrtarisht miratimin e Sinodit të Shenjtë kërkesa e saj u hodh poshtë. Pavarësisht nga kjo, ajo këmbënguli duke bërë dhe një kërkesë tjetër në vitin 1899, por përsëri kjo u hodh poshtë. Duke shpërfillur mosmiratimin vendosi të botonte një numër të kufizuar kopjesh me shpenzimet e veta. Kjo u realizua më 1900.

Kundërshtarë të vendosur

Në vitin 1901, një gazetë e njohur athinase, The Acropolis, botoi ungjillin e Mateut të përkthyer në gjuhën greke popullore nga Aleksandër Pallisi, një përkthyes që punonte në Liverpul të Anglisë. Me sa duket motivi i Pallisit dhe i kolegëve të tij ishte ‘të arsimonte grekët’ dhe të ‘ndihmonte kombin të rimëkëmbej’ nga rënia.

Studentët e teologjisë ortodokse dhe profesorët e tyre e quajtën përkthimin «një tallje me gjërat më të çmuara të kombit», një përdhosje të Shkrimit të Shenjtë. Patriku Joakimi III i Kostandinopojës nxori një dokument që hodhi poshtë përkthimin. Kundërshtimi mori përmasa politike dhe u përdor në mënyrë dinake nga fraksione politike që ishin në luftë me njëra-tjetrën.

Njëra anë e shtypit athinas që ushtronte shumë ndikim, filloi të sulmonte përkthimin e Pallisit, duke i quajtur përkrahësit e tij «ateistë», «tradhtarë», dhe «agjentë të fuqive të huaja» të cilët kërkonin me çdo kusht prishjen e qetësisë së shoqërisë greke. Nga 5 deri 8 nëntori 1901, në Athinë u bë një trazirë nga studentët, e nxitur nga elementët konservatorë ekstremistë të Kishës Ortodokse Greke. Ata sulmuan zyrat e The Acropolis, marshuan në drejtim të pallatit mbretëror, morën në kontroll Universitetin e Athinës dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë. Në kulmin e trazirës, mbetën të vrarë në përleshjet me ushtrinë tetë veta. Ditën tjetër, mbreti kërkoi dorëheqjen e Kryepeshkopit Prokopios dhe dy ditë më pas i gjithë kabineti dha dorëheqjen.

Një muaj më vonë studentët dolën përsëri në demonstratë dhe dogjën publikisht një kopje të përkthimit të Pallisit. Ata nxorën një rezolutë kundër qarkullimit të këtij përkthimi dhe kërkuan dënim të rreptë për ndonjë nismë të ngjashme në të ardhmen. Kjo shërbeu si justifikim për të ndaluar përdorimin e çfarëdo versioni modern të Biblës në gjuhën greke. Një moment vërtet i zymtë.

«Fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë»

Ndalimi për të mos përdorur Biblën në gjuhën moderne greke u hoq në vitin 1924. Që nga ajo kohë, Kisha Ortodokse Greke ka pësuar një dështim total në përpjekjet e saj për ta mbajtur larg Biblën nga njerëzit. Ndërkohë Dëshmitarët e Jehovait, kanë marrë drejtimin në arsimimin biblik në Greqi, siç kanë bërë edhe në vende të tjera. Që prej vitit 1905 ata kanë përdorur përkthimin e Vamvasit për të ndihmuar mijëra njerëz që flasin greqisht të marrin njohuri për të vërtetën e Biblës.

Gjatë viteve shumë studiues dhe profesorë kanë bërë përpjekje të lavdërueshme për të nxjerrë një Bibël në gjuhën moderne greke. Sot janë afërsisht 30 përkthime të Biblës, pjesërisht ose të plota, të cilat mund të lexohen nga njerëzit e thjeshtë greqishtfolës. Një xhevahir i vërtetë mes tyre është versioni Përkthimi Bota e Re i Shkrimeve të Shenjta në greqisht, botuar më 1997 për dobinë e 16 milionë njerëzve në mbarë botën të cilët flasin gjuhën greke. Ky përkthim i botuar nga Dëshmitarët e Jehovait e përcjell Fjalën e Perëndisë në mënyrë të kuptueshme e të lehtë për t’u lexuar, duke iu përmbajtur me besnikëri tekstit origjinal.

Lufta për të pasur një Bibël në greqishten moderne ilustron një fakt të rëndësishëm. Ajo tregon qartë se pavarësisht nga përpjekjet keqdashëse njerëzore, «fjala e Jehovait qëndron përgjithmonë».​—1 Pjetrit 1:25.

[Shënimi]

^ par. 7 Për më shumë informacion për Ciril Lukarisin, shiko Kullën e Rojës, të 15 shkurtit, 2000, faqet 26-29.

[Figura në faqen 27]

Ciril Lukarisi mori drejtimin në përkthimin e parë greqisht për Shkrimet Greke të Krishtere të plota, në vitin 1630

[Burimi]

Bib. Publ. Univ. de Genève

[Figurat në faqen 28]

Disa përkthime në gjuhën e folur greke: Psalmet, shtypur në: (1) 1828 nga Ilarioni, (2) 1832 nga Vamvasi, (3) 1643 nga Julianusi. «Besëlidhja e Vjetër», shtypur në: (4) 1840, nga Vamvasi

Mbretëresha Olga

[Burimet]

Biblat: Biblioteka Kombëtare e Greqisë; Mbretëresha Olga: Culver Pictures

[Burimi i figurës në faqen 26]

Papirus: Riprodhuar me mirësjellje nga biblioteka The Trustees of the Chester Beatty, Dublin

[Burimi i figurës në faqen 29]

Papirus: Riprodhuar me mirësjellje nga biblioteka The Trustees of the Chester Beatty, Dublin