Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të bekuar janë ata që i japin lavdi Perëndisë

Të bekuar janë ata që i japin lavdi Perëndisë

Të bekuar janë ata që i japin lavdi Perëndisë

«Do të vijnë të bien përmbys para teje, o Zot dhe do të përlëvdojnë emrin tënd.»​—PSALMI 86:9.

1. Pse ne jemi në gjendje t’i japim lavdi Perëndisë në mënyra që ia tejkalojnë krijimit të pajetë?

JEHOVAI është i denjë të lëvdohet nga i gjithë krijimi. Ndërsa krijimi i pajetë i jep lavdi Atij në heshtje, ne njerëzit kemi aftësinë të arsyetojmë, të kuptojmë, të tregohemi mirënjohës dhe të adhurojmë. Për këtë arsye psalmisti na i drejton neve këto fjalë: «Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës; i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin [lartësoni lavdinë, BR] e tij.»​—Psalmi 66:1, 2.

2. Cilët i janë përgjigjur urdhrit për t’i dhënë lavdi emrit të Perëndisë? Pse?

2 Pjesa më e madhe e njerëzimit nuk e pranon ekzistencën e Perëndisë e nuk pranon t’i japë lavdi atij. Megjithatë, në 235 vende, më tepër se gjashtë milionë Dëshmitarë të Jehovait tregojnë se i shohin ‘cilësitë e padukshme’ të Perëndisë nga gjërat që ka bërë dhe se e kanë ‘dëgjuar’ dëshminë e heshtur të krijimit. (Romakëve 1:20; Psalmi 19:2, 3) Duke studiuar Biblën, ata kanë arritur gjithashtu ta njohin dhe ta duan Jehovain. Psalmi 86:9, 10 paratha: «Tërë kombet që ti ke krijuar do të vijnë të bien përmbys para teje, o Zot dhe do të përlëvdojnë emrin tënd. Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia.»

3. Në ç’mënyrë ‘shumica e madhe’ bën «shërbim të shenjtë ditë e natë»?

3 Po ashtu, te Zbulesa 7:9, 15 përshkruhet «një shumicë e madhe» adhuruesish, që «i bëjnë [Perëndisë] shërbim të shenjtë ditë e natë në tempullin e tij». Këto fjalë nuk do të thonë se Perëndia kërkon në kuptimin e mirëfilltë që shërbëtorët e tij t’i japin lavdi pa ndërprerje, por adhuruesit e tij përbëjnë një organizatë botërore. Prandaj kur është natë në disa vende, shërbëtorët e Perëndisë në anën tjetër të globit janë duke dëshmuar me zell. Kështu mund të thuhet se dielli nuk perëndon kurrë mbi ata që i japin lavdi Jehovait. Së shpejti «çdo gjë që merr frymë» do të ngrerë zërin për t’i dhënë lavdi Jehovait. (Psalmi 150:6) Por, ndërkohë, çfarë mund të bëjë secili prej nesh për t’i dhënë lavdi Perëndisë? Çfarë vështirësish mund të hasim? Çfarë bekimesh i presin ata që i japin lavdi Perëndisë? Për të marrë përgjigje për këto pyetje, le të shqyrtojmë një tregim biblik më lidhje me fisin izraelit të Gadit.

Vështirësi në kohët e lashta

4. Çfarë vështirësish hasi fisi i Gadit?

4 Para se të hynin në Tokën e Premtuar, pjesëtarët e fisit izraelit të Gadit kërkuan që të vendoseshin me banim në zonën që ishte në lindje të lumit Jordan, e cila ishte e përshtatshme si kullotë. (Numrat 32:1-5) Të jetonin atje do të thoshte të përballonin vështirësi të mëdha. Fiset në perëndim të lumit do të kishin mbrojtjen e luginës së Jordanit, një pengesë natyrore ndaj mësymjeve ushtarake. (Jozueu 3:13-17) Por, për sa i përket vendeve në lindje të Jordanit, në botimin Gjeografia historike e Tokës së Shenjtë (anglisht), të autorit Xhorxh Adam Smith, thuhet: «[Ato] janë të sheshta dhe shtrihen të gjitha, pothuajse pa asnjë pengesë, në rrafshnaltën e madhe arabe. Për pasojë, në të gjitha epokat kanë qenë nën rrezikun e pushtimit nga nomadët e babëzitur, disa prej të cilëve dyndeshin atje çdo vit për të zaptuar kullota.»

5. Si i nxiti Jakobi pasardhësit e Gadit që të reagonin kur t’i sulmonin armiqtë?

5 Si do ta përballonte fisi i Gadit këtë presion të pareshtur? Disa shekuj më parë, paraardhësi i tyre Jakob, në profecinë e tij kur ishte në shtratin e vdekjes, paratha: «Gadin do ta mësyjë një bandë kusarësh, por ai do të mësyjë prapavijën.» (Zanafilla 49:19, BR) Në pamje të parë këto fjalë mund të duken të zymta. Por për gaditët, në të vërtetë ato nënkuptonin urdhrin që të kundërsulmonin. Jakobi i siguroi që nëse do të vepronin kështu, grabitësit do të tërhiqeshin në mënyrë poshtëruese, ndërsa gaditët do të mësynin prapavijën e tyre.

Vështirësi për adhurimin tonë sot

6, 7. Si është e ngjashme gjendja e të krishterëve sot me atë të fisit të Gadit?

6 Ashtu si fisi i Gadit, edhe të krishterët sot janë nën barrën e presioneve dhe të shqetësimeve të shkaktuara nga sistemi i Satanait. Duhet t’u bëjmë ballë, sepse nuk mund të na mbrojë prej tyre ndonjë mrekulli. (Jobi 1:10-12) Shumë prej nesh duhet të përballojnë presione në shkollë, presione për të siguruar jetesën dhe për të rritur fëmijët. Nuk duhen të lëmë pa përmendur edhe presionet tona personale ose të brendshme. Disa duhet të durojnë «një gjemb në mish» në formën e një gjymtimi ose sëmundjeje të rëndë. (2 Korintasve 12:7-10) Të tjerë i mundojnë ndjenjat e pavlefshmërisë për vetveten. «Ditët e këqija» të moshës së thyer mund t’i pengojnë të krishterët e moshuar që t’i shërbejnë Jehovait po me të njëjtën forcë që kishin dikur.​—Predikuesi (Eklisiastiu) 12:1.

7 Apostulli Pavël na kujton gjithashtu se «ne kemi një përleshje . . . kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore». (Efesianëve 6:12) Jemi vazhdimisht nën sulmin e ‘frymës së botës’, pra të frymës së rebelimit dhe të korruptimit moral që nxitin Satanai dhe demonët e tij. (1 Korintasve 2:12; Efesianëve 2:2, 3) Ashtu si Loti me frikë Perëndie, edhe ne sot mund të brengosemi nga gjërat imorale që thonë dhe bëjnë njerëzit përreth nesh. (2 Pjetrit 2:7) Jemi gjithashtu nën sulmin e drejtpërdrejtë të Satanait. Satanai po bën luftë me mbetjen e të mirosurve, «të cilët zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe kanë veprën e dhënies së dëshmisë për Jezuin». (Zbulesa 12:17) Edhe ‘delet e tjera’ të Jezuit përjetojnë sulmin e Satanait në formën e ndalimeve ose të përndjekjeve.​—Gjoni 10:16.

Të dorëzohemi apo të kundërsulmojmë?

8. Si duhet të reagojmë ndaj sulmeve të Satanait? Pse?

8 Si duhet të reagojmë ndaj sulmeve të Satanait? Ashtu si fisi i lashtë i Gadit, duhet të jemi të fortë frymësisht dhe të kundërsulmojmë në përputhje me udhëzimet e Perëndisë. Mjerisht disa kanë filluar të dorëzohen përballë presioneve të jetës, duke lënë pas dore përgjegjësitë frymore. (Mateu 13:20-22) Një Dëshmitar e shpjegoi kështu arsyen që pjesëmarrja në mbledhje në kongregacionin e tij ishte e ulët: «Vëllezërit po fillojnë të lodhen. Janë që të gjithë shumë të stresuar.» Sigurisht që njerëzit sot kanë shumë arsye për t’u ndier të lodhur. Prandaj është e lehtë që ta shohin adhurimin e Perëndisë si një barrë tjetër, si një detyrim të lodhshëm. Por, a është kjo një pikëpamje e shëndoshë ose e drejtë?

9. Si do të gjejmë freskim duke marrë mbi vete zgjedhën e Krishtit?

9 Të shqyrtojmë se çfarë u tha Jezui në ditët e tij turmave që ishin po ashtu të dërrmuara nga presionet e jetës: «Ejani tek unë, të gjithë ju që po robtoheni dhe që jeni të ngarkuar e unë do t’ju freskoj.» A la Jezui të kuptohet se ky freskim do të vinte duke pakësuar shërbimin ndaj Perëndisë? Jo. Përkundrazi, Jezui tha: «Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni prej meje, sepse unë jam me natyrë të butë e i përulur në zemër dhe ju do të gjeni freskim për shpirtrat tuaj.» Zgjedha është një pjesë prej druri ose metali që e ndihmon njeriun ose kafshën të mbajë një barrë të rëndë. Por, pse të gjithë duhet të dëshirojmë ta marrim mbi vete këtë zgjedhë? A nuk jemi tashmë «të ngarkuar»? Po, por teksti grek mund të lexohet edhe kështu: «Futuni në zgjedhën time bashkë me mua.» Mendoni pak: Jezui është i gatshëm të na ndihmojë që të mbajmë barrën tonë. S’kemi pse ta mbajmë këtë barrë vetëm me forcat tona.​—Mateu 9:36; 11:28, 29, shënimi, BR; 2 Korintasve 4:7.

10. Çfarë rezultatesh vijnë kur bëjmë përpjekje për t’i dhënë lavdi Perëndisë?

10 Kur marrim zgjedhën që na ofron Jezui si dishepuj të tij, po luftojmë kundër Satanait. «Kundërvijuni Djallit dhe ai do të ikë nga ju»,​—premtohet te Jakovi 4:7. Kjo nuk do të thotë se është e lehtë t’i kundërvihemi Djallit. Për t’i shërbyer Perëndisë kërkohen shumë përpjekje. (Luka 13:24) Por Bibla te Psalmi 126:5 bën këtë premtim: «Ata që mbjellin me lot, do të korrin me këngë gëzimi.» Po, ne nuk adhurojmë një Perëndi mosmirënjohës. Përkundrazi, ai është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm» dhe i bekon ata që i japin lavdi.​—Hebrenjve 11:6.

T’i japim lavdi Perëndisë si predikues të Mbretërisë

11. Në ç’mënyrë shërbimi është një mbrojtje nga sulmet e Satanait?

11 Jezui urdhëroi: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve.» Vepra e predikimit është mënyra kryesore për t’i ofruar Perëndisë «një sakrificë lëvdimi». (Mateu 28:19; Hebrenjve 13:15) Të kemi «këmbët të mbathura me pajimet e lajmit të mirë të paqes» është një pjesë e domosdoshme e ‘armaturës sonë të plotë’, pra e mbrojtjes nga sulmet e Satanait. (Efesianëve 6:11-15) T’i japim lavdi Perëndisë në shërbim është një mënyrë e shkëlqyer për të forcuar besimin tonë. (2 Korintasve 4:13) Kjo na ndihmon ta mbajmë mendjen larg mendimeve negative. (Filipianëve 4:8) Kur dalim në shërbim kemi mundësi të gëzojmë shoqëri ndërtuese me bashkadhuruesit.

12, 13. Si mund t’u sjellë dobi familjeve pjesëmarrja e rregullt në shërbim? Ilustrojeni.

12 Vepra e predikimit mund të jetë edhe një veprimtari e shëndetshme familjare. Sigurisht, të rinjtë kanë nevojë për zbavitje në një masë të ekuilibruar. Megjithatë, koha që kalojmë në shërbim si familje nuk duhet të jetë një angari. Prindërit mund ta bëjnë më të këndshme këtë kohë duke i stërvitur fëmijët që të jenë të efektshëm në shërbim. A nuk kanë të rinjtë prirjen që të gjejnë kënaqësi me gjërat që arrijnë t’i bëjnë mirë? Duke qenë të ekuilibruar, pa u kërkuar fëmijëve gjëra përtej asaj që mund të bëjnë, prindërit mund t’i ndihmojnë që të gjejnë gëzim në shërbim.​—Zanafilla 33:13, 14.

13 Për më tepër, në një familje që i jep lavdi Perëndisë krijohen lidhje të ngushta. Të shqyrtojmë rastin e një motre të cilën e braktisi burri jobesimtar, duke e lënë me pesë fëmijë. Si pasojë ajo u gjend në vështirësi, sepse duhej të punonte dhe t’u siguronte fëmijëve jetesën. A e rënduan kaq shumë këto probleme, saqë la pas dore interesat frymore të fëmijëve? Ajo kujton: «Studioja me zell Biblën dhe botimet biblike dhe përpiqesha të zbatoja atë që mësoja. I merrja rregullisht fëmijët në mbledhje dhe në shërbimin nga shtëpia në shtëpi. Cilat ishin rezultatet e përpjekjeve të mia? Të pesë fëmijët janë të pagëzuar.» Në të njëjtën mënyrë, nëse merrni pjesë plotësisht në shërbim kjo do t’ju ndihmojë t’i rritni fëmijët «në disiplinën dhe normën mendore të Jehovait».​—Efesianëve 6:4.

14. (a) Si mund t’i japin lavdi Perëndisë në shkollë të rinjtë? (b) Çfarë mund t’i ndihmojë të rinjtë që të mos u vijë «turp për lajmin e mirë»?

14 Të rinj, a i jepni lavdi Perëndisë duke dëshmuar në shkollë, në qoftë se jetoni në një vend ku e lejon ligji, apo lejoni që frika e njeriut t’ju frenojë? (Fjalët e urta [Proverbat] 29:25) Një Dëshmitare 13-vjeçare në Porto-Riko shkruan: «Kurrë nuk jam ndier në siklet që të predikoj në shkollë, sepse e di që kjo është e vërteta. Në klasë e ngre gjithnjë dorën dhe them se çfarë kam mësuar në Bibël. Kur nuk kam mësim shkoj në bibliotekën e shkollës dhe lexoj librin Të rinjtë pyesin.» * A i ka bekuar Jehovai përpjekjet e saj? Ajo thotë: «Herë pas here shokët ose shoqet e klasës më bëjnë pyetje e madje më kërkojnë kopje të librit.» Në rast se ngurroni të dëshmoni në shkollë, ndoshta duhet të provoni vetë «vullnetin e mirë, të pranueshëm e të përsosur të Perëndisë» nëpërmjet studimit të zellshëm personal. (Romakëve 12:2) Kur jeni të bindur se ajo që keni mësuar është e vërteta, nuk do t’ju vijë kurrë «turp për lajmin e mirë».​—Romakëve 1:16.

‘Një derë e hapur’ shërbimi

15, 16. Në cilën ‘derë të gjerë që çon në aktivitet’ kanë hyrë disa të krishterë? Çfarë bekimesh kanë pasur?

15 Apostulli Pavël shkroi se atij i ishte hapur ‘një derë e gjerë që çonte në aktivitet’. (1 Korintasve 16:9) A ju lejojnë rrethanat që të hyni në një derë që çon në më shumë aktivitet? Për shembull, të shërbeni si pionierë të rregullt ose ndihmës përfshin që të bëni 70 ose 50 orë në muaj në veprën e predikimit. Natyrisht, të bashkëkrishterët i çmojnë shumë pionierët për shërbimin e tyre besnik. Por fakti që kalojnë më shumë kohë në shërbim nuk i bën të ndihen më të lartë se vëllezërit dhe motrat e tyre. Përkundrazi, ata kultivojnë qëndrimin që nxiti Jezui: «Jemi skllevër që s’vlejnë për asgjë. Ajo që kemi bërë, është ajo që duhej të kishim bërë.»​—Luka 17:10.

16 Shërbimi si pionier kërkon vetëdisiplinë, organizim personal dhe gatishmëri për të bërë sakrifica. Por, bekimet që vijnë si rrjedhim ia vlejnë. «Të përdorësh drejt Fjalën e së vërtetës së Perëndisë është një bekim i madh»,​—thotë Tamika, një pioniere e re në moshë. Ajo thotë më tej: «Kur shërben si pionier, e përdor shumë Biblën. Tani kur shkoj nga dera në derë kam në mendje shkrime të përshtatshme për çdo individ.» (2 Timoteut 2:15) Majka, një pioniere tjetër, thotë: «Të shohësh se si ndikon e vërteta në jetën e njerëzve është një bekim tjetër i jashtëzakonshëm.» Një i ri i quajtur Methju thotë gjithashtu se provon gëzim kur «sheh dikë që pranon të vërtetën. Një gëzim i tillë është i pashoq».

17. Si i kapërceu një e krishterë ndjenjat negative për shërbimin e pionierit?

17 A mund të mendosh me kujdes nëse mund të fillosh shërbimin si pionier? Ndoshta dëshiron, por të duket sikur s’i ke kualifikimet. Një motër e re me emrin Keniata pranon: «Kisha ndjenja negative për shërbimin e pionierit. Nuk ndihesha e aftë. Nuk dija si të përgatitja prezantimet ose si të arsyetoja me anë të Shkrimeve.» Gjithsesi, pleqtë caktuan një pioniere të pjekur që të dilte me të në shërbim. «Kënaqesha kur predikoja me të,​—kujton Keniata.​—Kjo gjë më shtoi dëshirën për të shërbyer si pioniere.» Po të marrësh inkurajim dhe të stërvitesh, ndoshta edhe ti do të kesh dëshirë të shërbesh si pionier.

18. Çfarë bekimesh mund të kenë ata që shërbejnë si misionarë?

18 Shërbimi i pionierit mund t’u hapë derën privilegjeve të tjera të shërbimit. Për shembull, disa çifte mund të kualifikohen që të stërviten si misionarë e të dërgohen për të predikuar në një vend të huaj. Misionarët duhet të përshtaten me një vend të ri, ndoshta me një gjuhë të re, me një kulturë të re dhe me ushqime që janë të reja për ta. Por këto gjëra duken të papërfillshme përpara bekimeve që vijnë. Mildredi, një misionare me përvojë në Meksikë, thotë: «Kurrë nuk më ka ardhur keq që vendosa të bëhesha misionare. Kjo ka qenë dëshira ime që kur isha vajzë e vogël.» Çfarë bekimesh ka përjetuar ajo? Mildredi thotë: «Në vendin tim ishte e vështirë të gjeja një studim biblik. Këtu kam pasur deri në katër studentë biblikë që janë bërë njëkohësisht lajmëtarë!»

19, 20. Si u ka sjellë bekime shumë vetave shërbimi në Bethel, shërbimi ndërkombëtar dhe Shkolla e Stërvitjes për Shërbim?

19 Bekime të bollshme kanë edhe ata që shërbejnë në Bethel, në zyrat e degëve të Dëshmitarëve të Jehovait. Sveni, një i ri që shërben në Gjermani, thotë për punën e tij në Bethel: «Mendoj se po bëj diçka që ka vlerë afatgjatë. Mund t’i kisha përdorur aftësitë e mia në botë. Por do të kishte qenë njësoj sikur të depozitoja para në një bankë që është pranë falimentimit.» Vërtet, që të shërbesh si një vullnetar pa rrogë përfshin sakrifica. Por Sveni thotë: «Kur kthehesh në shtëpi e di se gjithçka që ke bërë atë ditë ishte për Jehovain. Kjo të jep një kënaqësi të veçantë.»

20 Disa vëllezër kanë përjetuar bekimin e shërbimit ndërkombëtar, duke punuar në ndërtimin e degëve në vende të huaja. Një çift që kishte shërbyer në tetë caktime në vende të huaja shkroi: «Vëllezërit këtu janë të mrekullueshëm. Do të na copëtohet zemra kur të largohemi. Do të jetë hera e tetë që na ‘copëtohet’ zemra. Ç’përvojë fantastike që ka qenë!» Një bekim tjetër është edhe Shkolla e Stërvitjes për Shërbim. Në të stërviten frymësisht vëllezër të kualifikuar që janë beqarë. Një i diplomuar shkroi: «Nuk di si t’ju falënderoj për këtë shkollë të mrekullueshme. Cila organizatë tjetër do të përpiqej kaq shumë për t’i stërvitur pjesëtarët e saj?»

21. Çfarë sfide hasin të gjithë të krishterët në shërbimin ndaj Perëndisë?

21 Po, janë të hapura shumë dyer që çojnë në aktivitet. Sigurisht shumica prej nesh nuk mund të shërbejnë në Bethel ose në një vend të huaj. Edhe Jezui e pranoi se të krishterët do të prodhonin «fryt» në sasi të ndryshme, për shkak të rrethanave të ndryshme. (Mateu 13:23) Prandaj, sfida që kemi si të krishterë është ta shfrytëzojmë sa më mirë gjendjen tonë, domethënë, të marrim pjesë plotësisht në shërbimin e Jehovait për aq sa na e lejojnë rrethanat. Kur e bëjmë këtë, po i japim lavdi Jehovait dhe mund të jemi të sigurt se ai kënaqet shumë. Të marrim Ethelën, një motër e moshuar që ndodhet në një shtëpi pleqsh. Ajo u dëshmon rregullisht të moshuarve të tjerë që banojnë aty dhe dëshmon edhe me anë të telefonit. Me gjithë kufizimet, ajo e bën me gjithë shpirt shërbimin.​—Mateu 22:37.

22. (a) Në cilat mënyra të tjera mund t’i japim lavdi Perëndisë? (b) Çfarë e ardhme e mrekullueshme na pret?

22 Të mos harrojmë, megjithatë, që predikimi është vetëm një mënyrë nëpërmjet së cilës i japim lavdi Jehovait. Duke qenë shembullorë në sjellje dhe në paraqitjen e jashtme kur jemi në punë, në shkollë dhe në shtëpi, ia gëzojmë zemrën Jehovait. (Fjalët e urta 27:11) Te Fjalët e urta 28:20 jepet ky premtim: «Njeriu besnik do të mbushet me bekime.» Prandaj duhet ‘të mbjellim dorëhapur’ në shërbimin ndaj Perëndisë, duke e ditur se do të korrim bekime të bollshme. (2 Korintasve 9:6) Duke vepruar kështu, do të kemi privilegjin të jetojmë në atë kohë të mrekullueshme kur «çdo gjë që merr frymë» do t’i japë Jehovait lavdinë që e meriton kaq shumë.​—Psalmi 150:6.

[Shënimi]

^ par. 14 Libri Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike është botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

A ju kujtohet?

• Në ç’mënyrë populli i Jehovait i shërben atij «ditë e natë»?

• Çfarë vështirësish hasi fisi i Gadit? Çfarë mësojnë nga kjo të krishterët sot?

• Në ç’mënyrë shërbimi është një mbrojtje nga sulmet e Satanait?

• Në cilën ‘derë të hapur’ kanë hyrë disa? Çfarë bekimesh kanë përjetuar?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Njësoj si gaditët që luftonin kundër bandave të kusarëve, të krishterët duhet të luftojnë kundër sulmeve të Satanait

[Figura në faqen 17]

Në shërbim gëzojmë shoqëri inkurajuese

[Figurat në faqen 18]

Shërbimi i pionierit mund t’u hapë derën privilegjeve të tjera të shërbimit, ku përfshihen:

1. Shërbimi ndërkombëtar

2. Shërbimi në Bethel

3. Shërbimi si misionar