Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vështirësitë e edukimit të fëmijëve sot

Vështirësitë e edukimit të fëmijëve sot

Vështirësitë e edukimit të fëmijëve sot

NJË MBRËMJE vonë, pronari i një restoranti bëhet gati ta mbyllë restorantin dhe të shkojë në shtëpi. Por, vijnë dy gra me një fëmijë dhe porositin të hanë darkë. Duke qenë se është shumë i lodhur, pronari është gati t’u thotë se restoranti është i mbyllur, megjithatë vendos t’u shërbejë. Ndërsa gratë flasin e hanë, fëmija vrapon nëpër restorant, duke hedhur biskota në dysheme dhe duke i shkelur ato. Në vend që ta ndalojë fëmijën, e ëma vetëm i buzëqesh. Kur klientët më në fund largohen, pronari i rraskapitur duhet të pastrojë sërish dyshemenë.

Siç ndoshta e di, kjo situatë që ndodh në realitet tregon qartë se në shumë familje edukimi i fëmijëve nuk po kryhet siç duhet. Arsyet janë të ndryshme. Disa prindër i lënë fëmijët të bëjnë si të duan, duke menduar se fëmijët duhen rritur me një frymë lirie. Ose, ngaqë janë shumë të zënë, prindërit mund të mos lënë kohë për t’u kushtuar vëmendje fëmijëve dhe për t’i edukuar siç duhet. Disa prindër mendojnë se shkollimi i fëmijës është gjëja më e rëndësishme, prandaj i japin fëmijës liri pothuajse të pakufizuar, me kusht që të marrë nota të mira dhe të shkojë në një universitet me emër.

Mirëpo, disa thonë se vlerat që kanë prindërit dhe shoqëria në përgjithësi duhen ndrequr. Ata arsyetojnë se fëmijët po përfshihen në krime të çdo lloji dhe dhuna në shkollë po rritet dita-ditës. Për këtë arsye drejtori i një shkolle tetëvjeçare në Seul, në Republikën e Koresë theksoi se edukimi i fëmijëve për të përmirësuar personalitetin e tyre duhet të ketë përparësi. Ai tha: «Pasi të formohet një karakter i mirë, atëherë duhet dhënë njohuria.»

Shumë prindër të cilët duan që fëmija e tyre të shkojë në universitet dhe të ketë sukses në jetë, nuk u vënë veshin paralajmërimeve. Nëse je prind, ç’lloj personi dëshiron që të jetë fëmija yt? Një i rritur i moralshëm dhe i përgjegjshëm? Dikush që tregon kujdes për të tjerët, që përshtatet dhe që ka një frymë pozitive? Nëse po, të lutemi të shqyrtosh artikullin vijues.