Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A ka shpresë për ringjallje një fëmijë që vdes në bark të nënës?

Ata që nuk kanë humbur ndonjëherë një fëmijë në këtë mënyrë, mund ta kenë të vështirë të kuptojnë se si ndihen ata që kanë pësuar një humbje të tillë. Disa prindër vuajnë jashtë mase në këto raste. Një nënë humbi pesë fëmijë para se të lindnin. Më vonë, ishte e lumtur që pati mundësinë të rriste dy djem të shëndetshëm. E megjithatë, i kujtohej secili nga rastet kur kishte humbur fëmijët. Gjatë gjithë jetës, e dinte se sa vjeç do të ishte secili prej fëmijëve që kishte dështuar ose që i kishin lindur të vdekur. A kanë këta të krishterë një bazë për të shpresuar në ringjalljen e fëmijëve që kanë humbur?

Përgjigjja e thjeshtë e kësaj pyetje është se nuk e dimë. Bibla nuk flet asnjëherë drejtpërdrejt për ringjalljen e fëmijëve që kanë lindur të vdekur ose që kanë vdekur në rast dështimi. Megjithatë, në Fjalën e Perëndisë gjejmë parime që lidhen me këtë çështje dhe që mund të jenë disi ngushëlluese.

Le të shohim dy pyetje që lidhen me këtë. Së pari, nga pikëpamja e Jehovait, kur fillon jeta e një qenieje njerëzore—kur ngjizet apo kur lind? Së dyti, si i konsideron Jehovai foshnjat e palindura—si individë më vete apo thjesht si grumbull qelizash dhe indesh në barkun e një gruaje? Parimet biblike japin përgjigje të qarta për këto dy pyetje.

Ligji i Moisiut tregonte qartë se jeta nuk fillon me lindjen, por shumë më parë. Si? Aty tregohej se ai që vriste një fëmijë të palindur mund të dënohej me vdekje. Vini re çfarë thoshte ky ligj: «Do ta paguajë shpirt për shpirt.» * (Dal. 21:22, 23) Pra, foshnja e palindur në bark të nënës jeton dhe është shpirt i gjallë. Kuptueshmëria e kësaj të vërtete të pandryshueshme ka ndihmuar miliona të krishterë që ta shohin si diçka të përbuzshme abortin, duke e konsideruar si mëkat serioz kundër Perëndisë.

Kuptohet, foshnja në bark të nënës jeton, por sa e vlerëson Jehovai këtë jetë? Ligji i përmendur më sipër kërkonte që një i rritur të dënohej me vdekje, nëse shkaktonte vdekjen e një foshnje të palindur. Pra, është e qartë se jeta e një foshnjeje të palindur ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë. Për më tepër, shumë shkrime në Bibël zbulojnë se Jehovai i konsideron si individë më vete foshnjat e palindura. Për shembull, mbreti David nën frymëzim i tha Jehovait: «Ti më mbështolle në barkun e nënës. . . . Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij, ditët kur ato u formuan.»—Psal. 139:13-16; Jobi 31:14, 15.

Gjithashtu, Jehovai sheh që foshnjat e palindura kanë karakteristika të veçanta dhe mund të kenë mjaft potencial për të ardhmen. Kur gruaja e Isakut, Rebeka, ishte shtatzënë me binjakë, Jehovai tha një profeci për dy djemtë që ziheshin me njëri-tjetrin në barkun e saj. Kjo tregon se ai tashmë dallonte tek ata veçori që do të ndikonin te shumë njerëz në të ardhmen.—Zan. 25:22, 23; Rom. 9:10-13.

Edhe rasti i Gjon Pagëzorit është interesant. Tregimi i Ungjillit thotë: «Sapo dëgjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja në barkun e Elizabetës hovi dhe Elizabeta u mbush me frymë të shenjtë.» (Luka 1:41) Kur përshkroi këtë ndodhi, mjeku Luka përdori një fjalë në greqisht që mund t’i referohej ose një fetusi, ose një fëmije të lindur. Ai përdori të njëjtën fjalë kur foli për Jezuin foshnjë të shtrirë në grazhd.—Luka 2:12, 16; 18:15.

Duke marrë parasysh gjithë këta faktorë e shkrime, a na jep Bibla një bazë për ta konsideruar një foshnjë në bark të nënës shumë ndryshe nga një foshnjë që ka parë dritën e diellit? Me sa duket, jo. Dhe kjo përputhet edhe me zbulimet e shkencës së ditëve të sotme. Për shembull, studiuesit kanë zbuluar se një foshnjë në bark të nënës mund të ndiejë dhe të reagojë ndaj ngacmimeve nga jashtë. Pra, nuk është çudi që një nënë shtatzënë zhvillon një lidhje të fortë me fëmijën që rritet brenda saj.

Zakonisht është mjaft e vështirë të përcaktohet koha e lindjes. Mendoni pak për këtë shembull: një nënë lind para kohe, por foshnja vdes pas disa ditësh. Një nënë tjetër e mban foshnjën nëntë muaj në bark, por pikërisht para se të lindë, foshnja vdes. Mos vallë nëna e parë ka shpresë se fëmija do t’i ringjallet vetëm sepse qëlloi të lindte para kohe, kurse nëna e dytë jo?

Si përfundim mund të themi që Bibla mëson qartë se jeta fillon me ngjizjen dhe se Jehovai e sheh fëmijën e palindur si një individ unik dhe me vlera. Duke pasur parasysh këto të vërteta nga Shkrimet, disa mund ta konsiderojnë kontradiktore idenë se nuk ka shpresë ringjalljeje për një fëmijë që vdes pa lindur. Madje, ata mund të mendojnë se një argumentim i tillë ngjall dyshime lidhur me qëndrimin tonë biblik kundër abortit, i cili kryesisht bazohet pikërisht mbi këto të vërteta.

Në të kaluarën, kjo revistë ka ngritur disa pyetje praktike që duket se hedhin dyshime mbi mundësinë e ringjalljes për fëmijët e vdekur para lindjes. Për shembull, a do të vendoste Perëndia një embrion pjesërisht të zhvilluar në barkun e një gruaje në Parajsë? Megjithatë, pasi e studioi, meditoi dhe u lut më tej për këtë çështje, Trupi Udhëheqës ka arritur në përfundimin se arsyetime të tilla në të vërtetë nuk kanë shumë rëndësi në lidhje me shpresën e ringjalljes. Jezui tha: «Për Perëndinë gjithçka është e mundur.» (Mar. 10:27) Rasti i vetë Jezuit tregoi sa e vërtetë është kjo; jeta e tij u transferua nga qielli në barkun e një virgjëreshe—sigurisht diçka fare e pamundur nga pikëpamja njerëzore.

Po a do të thotë e gjithë kjo që Bibla mëson se fëmijët që vdesin para lindjes do të ringjallen? Duhet të theksojmë se Bibla nuk i përgjigjet drejtpërdrejtë kësaj pyetjeje, prandaj nuk ka arsye që njerëzit të jenë dogmatikë për këtë çështje. Nga kjo mund të lindin një sërë pyetjesh të panumërta. Për këtë arsye, duket se gjëja më e mirë është t’i shmangim spekulimet. Ajo që dimë është se kjo çështje i përket Perëndisë Jehova, i cili është plot dashamirësi dhe mëshirë. (Psal. 86:15) Pa diskutim, ai dëshiron me gjithë zemër të zhdukë pasojat e vdekjes me anë të ringjalljes. (Jobi 14:14, 15) Mund të kemi besim se ai bën gjithmonë atë që është e drejtë. Ai do të shërojë plagët e shumta që na ka shkaktuar jeta në këtë sistem të lig, ndërsa me dashuri drejton Birin e tij «për të zhbërë veprat e Djallit».—1 Gjon. 3:8.

[Shënimi]

^ par. 6 Ky shkrim ndonjëherë përkthehet në një mënyrë që nënkupton se vetëm vrasja e nënës do të dënohej me vdekje. Megjithatë, teksti origjinal në hebraisht tregon se ligji bënte fjalë për një dëmtim me pasojë vdekjen e nënës ose të foshnjës së palindur.

[Figura në faqen 13]

Jehovai do të shërojë gjithë dhembjet e së kaluarës