Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai do që të jeni «shëndoshë e mirë»

Jehovai do që të jeni «shëndoshë e mirë»

Jehovai do që të jeni «shëndoshë e mirë»

KUR të fillojë ngjarja më e rrezikshme në histori, Perëndia i Plotfuqishëm do të kujdeset që ‘t’i mbrojë’ të gjithë ata që kanë miratimin e tij. (Psal. 31:23) Faktikisht, Jehovai gjithmonë ka dashur ta mbrojë popullin e tij që të mos pësonte dëme. Ngaqë është «burimi i jetës», ai i konsideron të gjithë njerëzit të çmuar, të denjë për t’i mbrojtur.—Psal. 36:9.

Edhe shërbëtorët besnikë të Perëndisë në lashtësi kishin pikëpamjen e tij për jetën. Sipas Zanafillës 33:18, Jakobi dhe familja e tij mbërritën «shëndoshë e mirë» pas një udhëtimi të rrezikshëm. Jakobi u mbështet te Jehovai për mbrojtje, por edhe bëri hapa praktikë për të mbrojtur tërë ata që udhëtuan me të. (Zan. 32:7, 8; 33:14, 15) Duke zbatuar parimet biblike, mund të rritni sigurinë e jetës tuaj dhe të të tjerëve. Le të shohim se si zbatohet kjo e vërtetë për ata që punojnë në Sallat e Mbretërisë e në projekte të ngjashme dhe ndihmojnë në raste katastrofash.

Siguria nën Ligjin e Moisiut

Ligji i Moisiut kërkonte që populli i Perëndisë të zbatonte rregullat e sigurisë. Për shembull, një izraelit që ndërtonte një shtëpi, duhej të bënte një mur të ulët ose një parmak rreth e rrotull tarracës. Meqë shpesh njerëzit qëndronin në tarracat e shtëpive, parmakët i mbronin që të mos binin. (1 Sam. 9:26; Mat. 24:17) Nëse ndodhte një aksident, ngaqë nuk ishte zbatuar ky ligj sigurie, Jehovai e konsideronte përgjegjës të zotin e shtëpisë.—Ligj. 22:8.

Sanksionet e Ligjit zbatoheshin edhe për dëmtimet e shkaktuara nga kafshët shtëpiake. Nëse një dem vriste një njeri duke e goditur me brirë, pronari duhej ta vriste demin që të mbronte të tjerët. Duke qenë se nuk mund ta hante mishin ose ta shiste për ushqim, vrasja e asaj kafshe ishte një humbje e madhe. Por, çfarë duhej bërë pasi një dem dëmtonte një njeri dhe pronari nuk e mbante nën kontroll? Në qoftë se më vonë ai dem vriste dikë, demi dhe pronari i tij duheshin vrarë. Ai ligj e bënte të mendohej mirë për sjelljen e vet, këdo që kishte prirjen të tregohej i shkujdesur me kafshët që ishin të tijat.—Dal. 21:28, 29.

Gjithashtu, Ligji nxiste përdorimin e duhur të veglave të punës. Shumë izraelitë përdornin sëpata për të bërë dru zjarri. Nëse koka e sëpatës dilte nga bishti dhe vriste dikë, ai që po priste dru duhej të ikte në qytetin e strehimit. Atje duhej të qëndronte deri në vdekjen e kryepriftit dhe kjo mund të nënkuptonte se dikush që kishte vrarë pa dashje dikë, qëndronte larg familjes dhe shtëpisë për vite të tëra. Kjo masë e mësonte kombin se jeta është e shenjtë për Jehovain. Një person që kishte për jetën të njëjtën pikëpamje si Perëndia, i mbante në gjendje të mirë veglat e punës dhe i përdorte në mënyrë të sigurt.—Num. 35:25; Ligj. 19:4-6.

Me këto ligje, Jehovai tregoi qartë se donte që populli i tij të zbatonte masat e sigurisë brenda dhe jashtë shtëpisë. Ata që edhe pse pa dashje shkaktonin vrasjen dhe dëmtimin e të tjerëve, ishin përgjegjës para tij. Mënyra e të menduarit e Jehovait për sigurinë e jetës nuk ka ndryshuar. (Mal. 3:6) Ai ende do që njerëzit të ruhen që të mos dëmtojnë veten dhe të tjerët. Kjo vlen sidomos kur ndërtojmë dhe mirëmbajmë ndërtesat e kushtuara për adhurimin e tij të vërtetë.

Siguria në ndërtim

E konsiderojmë një privilegj të madh të marrim pjesë në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Sallave të Mbretërisë, Sallave të Asambleve dhe të godinave të degëve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për punën që kryejmë kur ndihmojmë në raste katastrofash. Në çdo rast duam ta kryejmë siç duhet punën, sepse përndryshe, edhe kur bëjmë punë të thjeshta mund të dëmtojmë veten dhe të tjerët. (Ekl. 10:9) Po, duke e bërë zakon të punojmë në mënyrë të sigurt, mund të shmangim dëmtimet.

Bibla thotë: «Bukuria e të rinjve është fuqia e tyre, dhe shkëlqimi i të moshuarve janë flokët e bardhë.» (Prov. 20:29) Fuqia rinore nevojitet për të bërë punë të rënda. Por, punëtorët me «flokët e bardhë»—pra, ata që kanë përvojë në ndërtim—me duart dhe veglat bëjnë punë që kërkojnë mjeshtëri. Dhe, ata që tani janë më të moshuar, dikur e përdornin energjinë e tyre rinore për të kryer punë të rënda. Nëse je një vullnetar i ri, vëzhgo se si punojnë ata që kanë përvojë dhe ndiq udhëzimet e tyre. Nëse dëshiron të mësosh, vëllezërit me përvojë në ndërtim do të të mësojnë shumë gjëra. Në to përfshihen mënyra e sigurt për të vepruar me materialet e rrezikshme dhe për të ngritur pesha të rënda. Kështu do të punosh me efektshmëri, siguri dhe kënaqësi.

Punëtorët në një kantier ndërtimi duhet të jenë gjithnjë syçelë. Rrethanat ndryshojnë shpejt. Aty ku më parë ishte thjesht truall, tani mund të ketë një gropë. Pjesëtarë të tjerë të skuadrës mund të kenë lëvizur një shkallë, një dërrasë ose një kovë me bojë. Nëse shpërqendrohesh, mund të dëmtohesh me lehtësi. Zakonisht, rregullat e sigurisë kërkojnë që punëtorët në një kantier ndërtimi të përdorin pajisje mbrojtëse. Syzet mbrojtëse, një kaskë dhe këpucët e përshtatshme mund t’ju mbrojnë nga rreziqet e shumta në një kantier ndërtimi. Por, do të jesh i mbrojtur vetëm nëse i mban në gjendje të mirë këto pajisje dhe i vesh.

Ndonëse shumë vegla duken të thjeshta për t’u përdorur, që t’i përdorësh në mënyrë të sigurt dhe siç duhet, nevojitet stërvitje dhe praktikë. Nëse nuk ke përvojë me një vegël që të duhet, fol me një vëlla që mbikëqyr punën. Ai do të marrë masa që të të jepet stërvitja e duhur. Modestia ose njohja e kufizimeve të tua, është një cilësi e dëshirueshme. Në fakt, ajo është e nevojshme për të mos dëmtuar veten dhe të tjerët në kantier.—Prov. 11:2.

Rëniet nga lartësitë janë shkaku kryesor i dëmtimeve në punët e ndërtimit. Para se të ngjitesh në një shkallë ose të ecësh në një skelë, sigurohu që ato t’i kenë të gjitha veçoritë e sigurisë dhe të jenë në gjendje të mirë. Nëse duhet të punosh në një skelë ose çati, udhëzimet mund të kërkojnë që të veshësh një rrip sigurimi ose të vihen parmakë mbrojtës. Fol me mbikëqyrësin e punës nëse ke pyetje për punën në lartësi. *

Teksa numri i atyre që i shërbejnë Jehovait shtohet anembanë botës, po kështu rritet nevoja për të ndërtuar Salla të Mbretërisë dhe ndërtesa të tjera që përdoren për të çuar përpara adhurimin e vërtetë. Ata që mbikëqyrin punën në kantieret e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë dhe në projekte të ngjashme, kanë përgjegjësinë të mbrojnë delet e çmuara të Jehovait që po punojnë nën drejtimin e tyre. (Isa. 32:1, 2) Nëse ke privilegjin të mbikëqyrësh vëllezërit dhe motrat në një projekt ndërtimi, mos harro kurrë rëndësinë e sigurisë. Kujdesu që vendi ku punon të jetë i pastër dhe pa objekte të shpërndara kuturu. Me dashamirësi, por edhe me vendosmëri shpjegoju masat e sigurisë atyre që kanë nevojë për përkujtues. Mos lejo të rinjtë ose ata që s’kanë përvojë të hyjnë në zonat me rrezikshmëri të lartë. Parashiko rreziqet që do të ndeshë një skuadër pune dhe përgatiti që të punojnë në mënyrë të sigurt. Mos harro, synimi ynë është ta mbarojmë projektin pa dëmtime.

Roli i dashurisë

Ndërtimi i Sallave të Mbretërisë dhe i godinave të tjera që përdoren në adhurimin e vërtetë, përfshin punë që mbartin rreziqe. Prandaj, ata që marrin pjesë në këto projekte duhet të jenë të kujdesshëm. Duke respektuar parimet biblike, duke iu bindur udhëzimeve për punën dhe duke përdorur gjykim të mirë, do të shmangësh rreziqet e do të mbrosh edhe punëtorët e tjerë që të mos dëmtohen.

Cili është motivi ynë kryesor që i kushtojmë kaq shumë vëmendje sigurisë? Është dashuria. Po, dashuria për Jehovain na nxit ta çmojmë jetën siç e çmon ai. Po ashtu, dashuria për të tjerët na frenon që të mos bëjmë asgjë në mënyrë të shkujdesur duke i dëmtuar ata. (Mat. 22:37-39) Prandaj, le të bëjmë çmos për t’i mbrojtur ata të cilët punojnë në projektet tona të ndërtimit, që t’i përfundojnë «shëndoshë e mirë»!

[Shënimi]

^ par. 14 Shih kutinë «Si të punosh në mënyrë të sigurt mbi shkallë?», në faqen 30.

[Kutia dhe figura në faqen 30]

Si të punosh në mënyrë të sigurt mbi shkallë?

Në një nga vitet e fundit në Shtetet e Bashkuara, mbi 160.000 punëtorë u dëmtuan nga rënia prej shkallëve. Përveç kësaj, rreth 150 veta humbën jetën në këtë mënyrë. Pavarësisht se ku jeton e punon, udhëzimet që jepen më poshtë mund të të ndihmojnë të shmangësh rënien nga shkallët.

◇ Mos përdor një shkallë të paqëndrueshme ose të dëmtuar dhe mos e riparo një shkallë të tillë. Shkatërroje.

◇ Çdo shkallë ka një kufi peshe që mund të mbajë. Trego kujdes që pesha jote bashkë me atë të veglave dhe të materialeve, të mos kalojë kufirin e peshës që mund të mbajë shkalla që po përdor.

◇ Vendose shkallën në një sipërfaqe të sheshtë e të fortë. Mos e vendos mbi një bazament të paqëndrueshëm të tillë, si mbi një skelë ose sipër kovave dhe kutive.

◇ Gjithmonë qëndro me fytyrë nga shkalla kur hipën ose zbret.

◇ Mos qëndro ose mos u ul te këmbëza e fundit dhe e parafundit që ndodhen në pjesën e sipërme të shkallës.

◇ Kur për të hipur ose zbritur në një çati a sipërfaqe tjetër përdor një shkallë, ajo duhet të jetë të paktën një metër mbi çatinë ose mbi sipërfaqen ku mbështetet. Parandalo rrëshqitjen e këmbëve të shkallës duke i lidhur poshtë ose duke mbërthyer me gozhda përballë tyre një copë dërrasë. Nëse nuk mund ta sigurosh në këto mënyra shkallën, kërkoji dikujt që ta mbajë ndërsa punon. Lidhe mirë majën e shkallës që të mos rrëshqasë anash.

◇ Mos përdor këmbëzat e shkallës si bazë për një skelë me dërrasa.

◇ Kur zgjat krahët dhe këmbët ndërsa punon në lartësi, shkalla mund të bëhet e paqëndrueshme. Mos rreziko në këto mënyra duke u zgjatur tepër. Zhvendose shkallën sa herë të jetë e nevojshme për ta mbajtur pranë vendit ku punon.

◇ Nëse duhet të punosh mbi një shkallë që ndodhet përpara një dere të mbyllur, vendos një shenjë paralajmëruese te dera dhe kyçe atë. Nëse nuk mund ta kyçësh, lër dikë që t’i lajmërojë të tjerët që kanë nevojë të kalojnë aty.

◇ Mos hipni dy veta mbi shkallë, përveçse kur janë bërë posaçërisht për këtë gjë. *

[Shënimi]

^ par. 33 Një listë me përkujtues të tjerë për ata që punojnë mbi shkallë mund të gjendet në revistën Zgjohuni!, gusht 1999, faqet 22-24.

[Figura në faqen 29]

Ligji i Moisiut kërkonte që rreth e rrotull tarracës të vihej një parmak