Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai e dëgjon thirrjen e të përvuajturit

Jehovai e dëgjon thirrjen e të përvuajturit

Jehovai e dëgjon thirrjen e të përvuajturit

MBRETI i mençur Solomon i Izraelit të lashtë, tha se «të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara». (Ekl. 9:11) Një ngjarje tragjike ose një sprovë e dhembshme mund të na e ndryshojë plotësisht jetën. Për shembull, vdekja e papritur e një pjesëtari të ngushtë të familjes mund të na rrënojë emocionalisht. Në javët dhe muajt më pas, ndjenjat e hidhërimit dhe të dëshpërimit mund të na mbytin. Një njeri mund të çorientohet kaq shumë, sa të ndihet i padenjë që t’i lutet Jehovait.

Në një situatë të tillë, kemi nevojë për inkurajim, përkujdesje dhe dashuri. Psalmisti David na dha këtë siguri në këngën e tij: «Jehovai i mbështet të gjithë ata që po bien, dhe ngre të gjithë ata që janë kërrusur.» (Psal. 145:14) Bibla thotë: «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.» (2 Kron. 16:9) Ai është ‘bashkë me të dërrmuarin dhe të përvuajturin në frymë, që të rigjallërojë frymën e të përvuajturve dhe zemrën e të dërrmuarve’. (Isa. 57:15) Si e mbështet dhe e ngushëllon Jehovai të dërrmuarin dhe të përvuajturin në frymë?

«Një fjalë në kohën e duhur»

Një nga mënyrat si Jehovai siguron ndihmë në kohën e duhur, është nëpërmjet vëllazërisë së krishterë. Të krishterët këshillohen ‘t’u flasin në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’. (1 Sel. 5:14) Meraku dhe dashuria që shprehin bashkëbesimtarët e dhembshur mund ta forcojnë dikë që është i dëshpëruar dhe i hidhëruar. Fjalët ngushëlluese që thuhen edhe në një bisedë të shkurtër, mund të ndikojnë shumë për t’ia rigjallëruar frymën atij që është kërrusur nga dhembja. Këto fjalë të menduara mund të vijnë nga dikush që ka kaluar një angështi të ngjashme mendore dhe emocionale. Ose ato mund të shprehin gjykimin e thellë të një miku që ka shumë përvojë në jetë. Në këto mënyra mjaft praktike, Jehovai mund t’ia rigjallërojë frymën të përvuajturit.

Të shqyrtojmë rastin e Aleksit, një plak i krishterë i sapomartuar, të cilit i vdiq papritur gruaja nga një sëmundje e pashërueshme. Një mbikëqyrës udhëtues mirëkuptues vendosi t’i thoshte disa fjalë ngushëlluese Aleksit. Edhe atij i kishte vdekur gruaja, por më pas ishte rimartuar. Mbikëqyrësi udhëtues përshkroi se si ndjenjat e tij të brishta e kishin vënë përposh. Ndihej mirë kur ishte me të tjerët në shërbim dhe në mbledhjet e kongregacionit. Por kur shkonte në dhomën e tij dhe mbyllte derën, ndihej krejt i vetmuar. «Sa u lehtësova kur mora vesh se ndjenjat që provoja ishin normale dhe i kishin provuar edhe të tjerë»,—thotë Aleksi. Sigurisht, «një fjalë në kohën e duhur» mund të të mbështetë e të të ngushëllojë kur je i dëshpëruar.—Prov. 15:23.

Një plak tjetër i krishterë, që njihte edhe të tjerë që u kishte vdekur bashkëshorti, u nxit t’i thoshte disa fjalë inkurajuese Aleksit. Duke treguar ndjenja të përbashkëta, me dashuri theksoi se Jehovai e di si ndihemi dhe për çfarë kemi nevojë. «Nëse në muajt ose vitet më pas ndien nevojën për një bashkëshorte,—tha vëllai,—mundësia e dashur që të jep Jehovai është që të martohesh përsëri.» Natyrisht, jo të gjithë ata që u vdes bashkëshorti e më pas duan të martohen përsëri, janë në gjendje ta bëjnë këtë. Por, duke menduar për fjalët e vëllait, Aleksi tha: «Kur të kujtojnë se këtë mundësi ta jep Jehovai, çlirohesh nga çdo mendim negativ se nuk do të tregoheshe besnik ndaj bashkëshortes ose martesës, që Ai e ka themeluar, po të martoheshe përsëri në të ardhmen.»—1 Kor. 7:8, 9, 39.

Psalmisti David që përjetoi vetë shumë sprova e vështirësi, pranoi: «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë.» (Psal. 34:15) Vërtet, Jehovai mund t’i përgjigjet në kohën e duhur thirrjes së të përvuajturit me shprehje plot gjykim të thellë e aftësi dalluese nga të krishterë të dhembshur e të pjekur. Kjo është një masë e çmuar dhe praktike.

Ndihmë me anë të mbledhjeve të krishtere

Një njeri zemërlëshuar është më i ndjeshëm ndaj mendimeve negative, që mund ta bëjnë të veçohet. Megjithatë, Proverbat 18:1 paralajmëron: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» Aleksi pranoi: «Kur humbet bashkëshorten, në mendje të vërshojnë mendime negative.» Ai kujton se pyeste veten: «‘Mos duhej t’i kisha bërë gjërat ndryshe? A mund të kisha qenë më i kujdesshëm dhe mirëkuptues?’ Nuk doja të rrija vetëm. Doja të martohesha. Është e vështirë të frenosh këto mendime, sepse çdo ditë të kujton se je i vetmuar.»

Ai që është i dërrmuar në frymë, ka nevojë më shumë se kurrë për shoqëri të shëndetshme. Këtë mund ta gjejë lehtë në mbledhjet e kongregacionit. Në një ambient të tillë, lejojmë që në mendjen tonë të hyjnë mendimet pozitive dhe ndërtuese të Perëndisë.

Mbledhjet e krishtere na ndihmojnë të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për situatën ku ndodhemi. Teksa dëgjojmë fragmentet biblike dhe meditojmë rreth tyre, i përqendrojmë mendimet te dy çështjet më të rëndësishme—shfajësimi i sovranitetit të Jehovait dhe shenjtërimi i emrit të tij—e jo vetëm te vuajtjet tona. Për më tepër, gjatë këtyre rasteve të arsimimit frymor, forcohemi duke ditur që, edhe nëse të tjerët nuk janë të vetëdijshëm për dëshpërimin tonë ose nuk e kuptojnë si ndihemi, patjetër nuk është kështu me Jehovain. Ai e di se «për shkak të dhembjes së zemrës, fryma dërrmohet». (Prov. 15:13) Perëndia i vërtetë do që të na ndihmojë, dhe kjo na jep motivin e forcën për të vazhduar.—Psal. 27:14.

Kur ishte nën presion tejet të skajshëm nga armiqtë, mbreti David i thirri Perëndisë: «Përbrenda fryma më është mpakur e zemra më është mpirë.» (Psal. 143:4) Mundimet shpesh ta shterojnë forcën fizike dhe emocionale, madje ta mpijnë zemrën. Mundimet ndoshta vijnë nga një sëmundje ose lëngatë. Por jemi të sigurt se Jehovai do të na ndihmojë të qëndrojmë. (Psal. 41:1-3) Edhe pse Perëndia nuk shëron ndokënd sot me anë të një mrekullie, i jep atij që vuan mençurinë dhe forcën e nevojshme që ta përballojë gjendjen. Të kujtojmë se kur ishte i rënduar nga sprovat, Davidi iu drejtua Jehovait për ndihmë. Ai këndoi: «Kujtoj kohët e largëta, meditoj për gjithçka që ke bërë. Plot ëndje mbaj në mend veprën e duarve të tua.»—Psal. 143:5.

Fakti që këto ndjenja të frymëzuara janë dokumentuar në Fjalën e Perëndisë, tregon se Jehovai e kupton si ndihemi. Këto fjalë na garantojnë se ai i dëgjon përgjërimet tona. Nëse pranojmë ndihmën e Jehovait, ‘ai vetë do të na mbështetë’.—Psal. 55:22.

«Lutuni pa pushim»

Jakovi 4:8 thotë: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.» Një mënyrë për t’iu afruar Perëndisë është me anë të lutjes. Apostulli Pavël na këshillon ‘të lutemi pa pushim’. (1 Sel. 5:17) Edhe nëse e kemi shumë të vështirë t’i shprehim me fjalë ndjenjat tona, «vetë fryma përgjërohet për ne me rënkime të pathëna». (Rom. 8:26, 27) Jehovai e kupton patjetër se si ndihemi.

Monika, e cila ka një miqësi të tillë të ngushtë me Jehovain, thotë: «Falë lutjes, leximit të Biblës dhe studimit personal, kam arritur të ndiej se Jehovai është bërë Miku im më i ngushtë. Është bërë aq real për mua, sa mund ta ndiej vazhdimisht kujdesin e tij. Ngushëllohem duke e ditur se, edhe kur nuk mund ta shpjegoj si ndihem, ai më kupton. E di se dashamirësia dhe bekimet e tij janë të pafundme.»

Kështu pra, le të pranojmë me gatishmëri shprehjet e dashura dhe ngushëlluese të të bashkëkrishterëve, të zbatojmë këshillat mirëdashëse e përkujtuesit besimforcues që dëgjojmë në mbledhjet e krishtere dhe t’ia zbrazim zemrën Jehovait në lutje. Këto masa në kohën e duhur janë mënyra se si e tregon Jehovai se kujdeset për ne. Aleksi flet nga përvoja e vet kur thotë: «Nëse bëjmë pjesën tonë për të përfituar nga gjithçka që na siguron Perëndia Jehova që të qëndrojmë të fortë frymësisht, do të kemi ‘fuqi përtej asaj që është normale’ për të qëndruar përballë çdo sprove.»—2 Kor. 4:7.

[Kutia dhe figura në faqen 18]

Ngushëllim për të përvuajturin

Psalmet janë plot shprehje ndjenjash njerëzore e na sigurojnë vazhdimisht se Jehovai e dëgjon vërtet thirrjen e të përvuajturit, që e kanë vënë përposh streset emocionale. Shqyrtoni disa nga strofat vijuese:

«Në vuajtjen time i thërrisja Jehovait, Perëndinë tim thërrisja për ndihmë. Nga tempulli i tij ai e dëgjoi zërin tim, dhe thirrja ime për ndihmë arriti në veshët e tij.»—Psal. 18:6.

«Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»—Psal. 34:18.

«Ai [ Jehovai ] shëron zemërvrarët dhe lidh plagët e tyre të dhembshme.»—Psal. 147:3.

[Figura në faqen 17]

Sa ngushëlluese mund të jetë «një fjalë në kohën e duhur» kur jemi të dëshpëruar!