Të rinj: Lejoni Fjalën e Perëndisë t’ju drejtojë
Të rinj: Lejoni Fjalën e Perëndisë t’ju drejtojë
«Fito mençuri, fito kuptueshmëri.»—PROV. 4:5.
1, 2. (a) Çfarë e ndihmoi apostullin Pavël të përballonte konfliktet që kishte brenda vetes ? (b) Si mund të fitoni mençuri dhe kuptueshmëri?
«KUR dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.» A e dini kush i tha këto fjalë? Ishte apostulli Pavël. Edhe pse e donte Jehovain, kishte raste kur për të ishte një luftë të bënte atë që ishte e drejtë. Si ndihej për këtë konflikt brenda vetes? «Ç’njeri i mjerë që jam!»—shkroi ai. (Rom. 7:21-24) A mund t’i kuptoni ndjenjat e Pavlit? A ju duket ndonjëherë e vështirë të bëni atë që është e drejtë? A ju bën kjo të mërziteni ashtu si Pavli? Nëse po, mos u shkurajoni. Pavli i përballoi me sukses sfidat që hasi e po kështu mund të bëni edhe ju.
2 Pavli ia doli mbanë sepse lejoi të drejtohej nga ‘fjalët e shëndosha’. (2 Tim. 1:13, 14) Si rrjedhim, fitoi mençurinë dhe kuptueshmërinë e nevojshme që të përballonte sfidat dhe të merrte vendime të mira. Perëndia Jehova mund t’ju ndihmojë të fitoni mençuri dhe kuptueshmëri. (Prov. 4:5) Ai ka siguruar këshillat më të mira në Fjalën e tij, Biblën. (Lexo 2 Timoteut 3:16, 17.) Shqyrtoni se si mund të nxirrni dobi nga parimet që gjenden në Shkrime për marrëdhëniet me prindërit, administrimin e parave dhe kur jeni vetëm.
Në familje
3, 4. Përse mund t’ju duket e vështirë t’u bindeni rregullave të prindërve, por pse vendosin rregulla ata?
3 A ju duket e vështirë të jetoni sipas rregullave të prindërve? Pse mund të ndiheni kështu? Një arsye mund të jetë se dëshironi të jeni më të pavarur. Kjo prirje është normale. Është pjesë e rritjes. Megjithatë, për aq sa të jetoni në shtëpi me ta, keni detyrimin t’u bindeni prindërve.—Efes. 6:1-3.
4 Nëse e kuptoni mirë pse prindërit vendosin rregulla dhe kanë kërkesa, mund ta keni më të lehtë t’u bindeni. Vërtet, ndonjëherë mund të ndiheni si 18-vjeçarja Briela, * e cila tha për prindërit: «Ata kanë harruar fare se ç’do të thotë të jesh në moshën time. Nuk duan të shpreh mendimin tim, të marr vendime ose të më konsiderojnë të rritur.» Ashtu si Briela, mund të ndiheni sikur prindërit jua kufizojnë lirinë më shumë se sa duhet. Megjithatë, prindërit vendosin rregulla kryesisht sepse interesohen për ju. Përveç kësaj, prindërit e krishterë e dinë se kanë përgjegjësi para Jehovait për mënyrën si kujdesen për ju.—1 Tim. 5:8.
5. Si mund t’ju sjellë dobi bindja ndaj prindërve?
5 Në fakt, t’u bindeni rregullave të prindërve është si të shlyeni një borxh ndaj një banke—sa më korrekt të jeni në bërjen e pagesave, aq më e gatshme do të jetë banka t’ju japë kredi tjetër. Po kështu, u keni borxh prindërve respektin dhe bindjen. (Lexo Proverbat 1:8.) Sa më të bindur të jeni, aq më shumë mundësi do të ketë që prindërit t’ju japin më tepër liri. (Luka 16:10) Natyrisht, në rast se i thyeni vazhdimisht rregullat, mos u habitni nëse prindërit jua pakësojnë ose madje jua presin fare «kredinë».
6. Si mund t’i ndihmojnë prindërit të rinjtë që të jenë të bindur?
1 Gjon. 5:3) Për më tepër, Bibla përmend raste kur Jehovai madje u dha shërbëtorëve një mundësi që të shpreheshin për disa çështje. (Zan. 18:22-32; 1 Mbret. 22:19-22) A ka raste kur prindërit mund t’u japin fëmijëve mundësinë që të shprehen për çështje të ndryshme?
6 Një mënyrë se si prindërit mund t’i ndihmojnë të rinjtë t’u binden rregullave që vendosin, është me anë të shembullit të tyre. Kur prindërit binden me gatishmëri ndaj asaj që kërkon Jehovai, tregojnë se rregullat e tij janë të arsyeshme. Kjo do t’ua bëjë më të lehtë të rinjve t’i shohin rregullat e prindërve nën të njëjtën dritë. (7, 8. (a) Cilën sfidë hasin disa të rinj? (b) Çfarë duhet të kuptoni që të nxirrni dobi nga disiplina?
7 Për të rinjtë mund të jetë një sfidë edhe kur, sipas tyre, prindërit i kritikojnë padrejtësisht. Ndonjëherë mund të jeni ndier si një i ri, Kregu, që tha: «Mami më rrinte si xhandar nga prapa dhe gjithmonë kërkonte diçka për të më qortuar.»
8 Kur na korrigjojnë ose disiplinojnë, shpesh ndihemi sikur po na kritikojnë. Bibla thotë se disiplina, edhe kur është tërësisht e justifikueshme, është e vështirë të pranohet. (Hebr. 12:11) Çfarë mund t’ju ndihmojë të nxirrni dobi nga disiplina që merrni? Një pikë e rëndësishme për të kujtuar është se këshillat e prindërve ka shumë të ngjarë që motivohen nga dashuria për ju. (Prov. 3:12) Ata duan që të shmangni zakonet e këqija dhe t’ju ndihmojnë të kultivoni zakone të mira. Ka shumë mundësi që prindërit mendojnë se po të mos ju korrigjojnë, është njësoj sikur t’ju urrejnë. (Lexo Proverbat 13:24.) Gjithashtu, kuptoni se të bësh gabime është pjesë e procesit të të mësuarit. Prandaj, kur ju korrigjojnë, kërkoni margaritarë mençurie në fjalët që ju thonë. «Të fitosh mençuri është më mirë se të fitosh argjend dhe fryti i saj është më i mirë se ari.»—Prov. 3:13, 14.
9. Çfarë mund të bëjnë të rinjtë në vend që ta mbajnë mendjen te padrejtësia që mendojnë se u është bërë?
9 Sidoqoftë, prindërit bëjnë gabime. (Jak. 3:2) Kur ju disiplinojnë, ndonjëherë mund të flasin pa u menduar. (Prov. 12:18) Pse prindërit mund të veprojnë kështu? Ndoshta janë nën stres ose i shohin gabimet tuaja si një dështim nga ana e tyre. Në vend që ta mbani mendjen te padrejtësia që mendoni se ju është bërë, pse të mos tregoni mirënjohje për dëshirën e zjarrtë që kanë për t’ju ndihmuar? Aftësia për të pranuar disiplinën do t’ju shërbejë kur të rriteni.
10. Si mund ta keni më të lehtë të pranoni rregullat dhe korrigjimin e prindërve?
10 A doni ta keni më të lehtë të pranoni rregullat dhe korrigjimin e prindërve? Nëse po, keni nevojë të përmirësoni aftësitë e komunikimit. Si mund ta bëni këtë? Hapi i parë është të dëgjoni. Bibla thotë: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur e të mos zemërohet shpejt.» (Jak. 1:19) Në vend që të jeni të shpejtë për të justifikuar veten, përpiquni të kontrolloni ndjenjat dhe të dëgjoni me vëmendje atë që kanë për t’ju thënë prindërit. Përqendrohuni tek ajo që thuhet e jo te mënyra si thuhet. Më pas, tregojuni se e kuptuat çfarë thanë, duke pranuar me respekt gabimin. Po nëse doni të jepni një shpjegim për fjalët ose veprimet tuaja? Në shumicën e rasteve, është e mençur ‘t’u vini fre buzëve’ derisa t’i jeni bindur asaj që dëshirojnë prindërit. (Prov. 10:19) Kur prindërit të shohin se i keni zbatuar këshillat e tyre, edhe ata do të jenë shumë më të gatshëm t’ju dëgjojnë. Kjo mënyrë të vepruari me pjekuri, tregon se po lejoni Fjalën e Perëndisë t’ju drejtojë.
Në administrimin e parave
11, 12. (a) Në lidhje me paranë, çfarë na nxit Fjala e Perëndisë dhe pse? (b) Si mund t’ju ndihmojnë prindërit të administroni paratë?
11 ‘Paraja është mbrojtje’—thotë Bibla. Por, i njëjti varg tregon se mençuria është edhe më e vlefshme se paraja. (Ekl. 7:12) Fjala e Perëndisë na nxit të kemi pikëpamjen e duhur për paranë e jo ta duam. Pse nuk duhet të zhvillojmë dashuri për paranë? Shqyrtoni këtë ilustrim: në duart e një kuzhinieri të aftë, një thikë e mprehtë është një mjet i dobishëm. Por, e njëjta thikë, në duart e një njeriu të pavëmendshëm ose të pakujdesshëm, mund të dëmtojë seriozisht. Edhe paraja, po të përdoret me mençuri, mund të jetë e dobishme. Megjithatë, ata që janë «të vendosur të pasurohen», shpesh sakrifikojnë miqësitë, marrëdhëniet familjare e madje marrëdhënien me Perëndinë. Si rrjedhim, shpohen «tejpërtej me shumë dhembje».—Lexo 1 Timoteut 6:9, 10.
12 Si mund të mësoni t’i administroni paratë me mençuri? Kërkojuni këshilla prindërve. Solomoni shkroi: «Njeriu i mençur do të dëgjojë e do të marrë më shumë mësim, dhe njeriu me kuptueshmëri përfiton nga drejtimi i aftë që i japin të tjerët.» (Prov. 1:5) Ana, një e re, kërkoi drejtim të aftë nga prindërit. Ajo thotë: «Babi më mësoi si t’i planifikoj shpenzimet dhe më tregoi sa e rëndësishme është të jem e organizuar për t’i administruar paratë e mia.» Edhe mamaja i mësoi Anës gjëra praktike. «Ajo më tregoi sa rëndësi ka që të krahasoj çmimet para se të blej»,—thotë Ana. Si ka nxjerrë dobi ajo? Ana përgjigjet: «Tani edhe unë di si t’i përdor paratë. I kontrolloj me kujdes shpenzimet dhe kështu jam e qetë e nuk kam borxhe të panevojshme.»
13. Si mund ta disiplinoni veten në lidhje me shpenzimin e parave?
13 Mund të zhyteni shpejt në borxhe nëse blini gjëra pa u matur ose i harxhoni paratë vetëm për t’u bërë përshtypje shokëve. Çfarë mund t’ju ndihmojë t’i shmangni këto gracka? Në lidhje me shpenzimin e parave, duhet të mësoni të disiplinoni veten. Kështu bën Elena, që është në fillim të të njëzetave. «Kur dal me shoqërinë,—thotë ajo,—planifikoj që më përpara dhe vendos sa lekë do të prish. . . . Gjithashtu, kam parë se është më mirë të dal nëpër dyqane vetëm me ata që nuk i shpërdorojnë paratë dhe më nxitin të shoh në dyqane të ndryshme, që të mos blej gjënë e parë që më del përpara.»
14. Pse duhet të ruheni nga «fuqia mashtruese e pasurisë»?
14 Të fitosh para dhe t’i administrosh siç duhet, është pjesë e rëndësishme e jetës. Megjithatë, Jezui tha se janë vërtet të lumtur ata që «janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë». (Mat. 5:3) Ai paralajmëroi se interesat për gjërat frymore mund të mbyten nga gjëra të tilla, si «fuqia mashtruese e pasurisë». (Mar. 4:19) Prandaj, sa e rëndësishme është që të lejoni Fjalën e Perëndisë t’ju drejtojë dhe të ruani një pikëpamje të ekuilibruar për paranë!
Kur jeni vetëm
15. Kur ka të ngjarë t’ju sprovohet më shumë besnikëria ndaj Perëndisë?
15 Kur mendoni se do t’ju sprovohet më shumë besnikëria ndaj Perëndisë—kur jeni
me të tjerët apo kur jeni vetëm? E pra, kur jeni në shkollë ose në punë ka shumë të ngjarë që jeni më vigjilentë frymësisht. I bëni sytë katër ndaj çdo rreziku të mundshëm. Por, kur çlodheni dhe nuk jeni po kaq vigjilentë, jeni më të ekspozuar ndaj sulmeve që u bëhen normave tuaja morale.16. Pse duhet t’i bindeni Jehovait edhe kur jeni vetëm?
16 Pse duhet t’i bindeni Jehovait edhe kur jeni vetëm? Kujtoni këtë: ju mund t’ia hidhëroni zemrën Jehovait ose t’ia gëzoni. (Zan. 6:5, 6; Prov. 27:11) Jehovai ndikohet nga veprimet tuaja sepse «interesohet për ju». (1 Pjet. 5:7) Ai dëshiron ta dëgjoni, që të nxirrni dobi për vete. (Isa. 48:17, 18) Kur disa nga shërbëtorët e Jehovait në Izraelin e lashtë i shpërfillën këshillat e Tij, i shkaktuan dhembje. (Psal. 78:40, 41) Nga ana tjetër, Jehovai e kishte shumë për zemër profetin Daniel dhe në fakt një engjëll e quajti ‘njeri shumë të vyer’. (Dan. 10:11) Pse? Danieli qëndronte besnik ndaj Perëndisë jo vetëm kur ishte me të tjerët, por edhe kur ishte vetëm.—Lexo Danielin 6:10.
17. Cilat pyetje mund t’i bëni vetes kur duhet të zgjidhni llojin e zbavitjes?
17 Që t’i qëndroni besnik Perëndisë kur jeni vetëm, duhet të zhvilloni «aftësitë perceptuese . . . për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën», e më pas t’i stërvitni këto aftësi «nëpërmjet përdorimit» duke vepruar sipas asaj që e dini se është e drejtë. (Hebr. 5:14) Për shembull, kur duhet të zgjidhni muzikën që do të dëgjoni, filmat që do të shihni ose sitet e Internetit që do të vizitoni, pyetjet vijuese do t’ju ndihmojnë të zgjidhni atë që është e drejtë dhe të shmangni atë që është e gabuar. Bëjini vetes këto pyetje: «A do të më nxitin këto gjëra të tregoj dhembshuri të butë apo të gëzoj ‘për katastrofën e tjetrit’?» (Prov. 17:5) «A do të më ndihmojnë ‘të dua të mirën’ apo do të ma bëjnë të vështirë ‘të urrej të keqen’?» (Amo. 5:15) Ajo që bëni kur jeni vetëm, zbulon se cilat vlera janë të çmuara për ju.—Luka 6:45.
18. Çfarë duhet të bëni nëse jeni përfshirë fshehurazi në një sjellje të gabuar dhe pse?
18 Çfarë duhet të bëni nëse jeni përfshirë fshehurazi në një sjellje që e dini se është e gabuar? Kujtoni se «kush i mbulon shkeljet, nuk do t’ia dalë mbanë, por atij që i rrëfen dhe i lë ato, do t’i tregohet mëshirë». (Prov. 28:13) Sa e pamençur do të ishte të vazhdonit në një udhë të gabuar dhe ‘të hidhëronit frymën e shenjtë të Perëndisë’! (Efes. 4:30) Keni detyrimin ndaj Perëndisë, prindërve dhe vetes që të rrëfeni çfarëdo keqbërjeje. Në këtë drejtim, «pleqtë e kongregacionit» mund t’ju ndihmojnë shumë. Dishepulli Jakov thotë: «Le të luten për [keqbërësin], duke e lyer me vaj në emër të Jehovait. E lutja e besimit do ta shërojë të pamundurin, dhe Jehovai do ta ngrejë. Gjithashtu, nëse ka kryer mëkate, do t’i falen.» (Jak. 5:14, 15) Patjetër, kjo mund të sjellë njëfarë sikleti e mbase ndonjë pasojë të pakëndshme. Por, nëse keni guximin që të kërkoni ndihmë, do t’i kurseni vetes çfarëdo dëmi të mëtejshëm dhe do të ndieni lehtësimin që vjen kur rifiton një ndërgjegje të pastër.—Psal. 32:1-5.
Gëzojani zemrën Jehovait
19, 20. Çfarë dëshiron Jehovai nga ju? Çfarë duhet të bëni?
19 Jehovai është ‘Perëndia i lumtur’ dhe do që të jeni të lumtur. (1 Tim. 1:11) Ai interesohet me gjithë zemër për ju. Edhe nëse askush tjetër nuk i vëren përpjekjet tuaja për të bërë atë që është e drejtë, Jehovai i vëren. Asgjë nuk u shpëton syve të tij. Ai ju vështron jo që të gjejë gabime, por që t’ju ndihmojë në përpjekjet për të bërë të mirën. «Sytë e Jehovait enden nëpër gjithë tokën për të treguar forcën e tij në dobi të atyre që i janë kushtuar me gjithë zemër atij.»—2 Kron. 16:9.
20 Prandaj, lejoni Fjalën e Perëndisë t’ju drejtojë dhe zbatoni këshillat e saj. Kështu do të fitoni mençurinë dhe kuptueshmërinë e nevojshme për të kapërcyer problemet serioze dhe për të bërë zgjedhjet e duhura në situata të vështira. Në këtë mënyrë jo vetëm do t’u pëlqeni prindërve dhe Jehovait, por edhe do të keni një jetë vërtet të lumtur.
[Shënimi]
^ par. 4 Emrat janë ndryshuar.
Si do të përgjigjeshit?
• Ç’mund të bëjnë të rinjtë që ta kenë më të lehtë të pranojnë rregullat dhe korrigjimin e prindërve e të nxjerrin dobi?
• Pse është e rëndësishme të kemi një pikëpamje të ekuilibruar për paranë?
• Si mund të qëndroni besnik ndaj Jehovait edhe kur jeni vetëm?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 6]
A do t’i qëndrosh besnik Perëndisë kur je vetëm?