Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbaj mendjen tek ajo që Jehovai ka bërë për ty

Mbaj mendjen tek ajo që Jehovai ka bërë për ty

Mbaj mendjen tek ajo që Jehovai ka bërë për ty

PAK pasi Jezui u ringjall, dy nga dishepujt e tij po shkonin nga Jerusalemi në Emaus. Ungjilli i Lukës tregon: «Ndërsa po bisedonin dhe diskutonin, u afrua Jezui dhe filloi të ecte me ta, por atyre u ishin zënë sytë që të mos e njihnin.» Atëherë, Jezui i pyeti: «‘Për çfarë po diskutoni me njëri-tjetrin udhës?’ Ata u ndalën fytyrëngrysur.» Pse ishin ashtu? Dishepujt mendonin se Jezui do ta çlironte në atë kohë Izraelin nga sundimi i jojudenjve, por nuk ndodhi. Përkundrazi, Jezuin e vranë. Ja pse ishin të ngrysur.​—Luka 24:15-21; Vep. 1:6.

Jezui filloi të arsyetonte me dishepujt. «Duke nisur që nga Moisiu deri te gjithë profetët, u shpjegoi në të gjitha Shkrimet gjërat që kishin të bënin me të.» Në fakt, gjatë shërbimit të Jezuit kishin ndodhur shumë ngjarje domethënëse dhe besimforcuese. Kur dëgjuan shpjegimin e tij, dishepujt ndryshuan kryekëput. Nuk ishin më të ngrysur, por të gëzuar. Më vonë, në mbrëmje, thanë: «A nuk na digjej zemra kur ai na fliste rrugës dhe na i zbërthente plotësisht Shkrimet?!» (Luka 24:27, 32) Çfarë mund të mësojmë nga reagimi i dishepujve të Jezuit?

Si ndihemi kur na zhgënjehen shpresat?

Dy dishepujt që po shkonin në Emaus ishin të trishtuar sepse ngjarjet që pritnin, nuk ndodhën. Përjetuan atë që përshkruhet te Proverbat 13:12: «Pritja e zgjatur e sëmur zemrën.» Po ashtu, disa nga ne që po i shërbejnë besnikërisht Jehovait për dekada, mendonin se ‘shtrëngimi i madh’ duhet të kishte ndodhur tashmë. (Mat. 24:21; Zbul. 7:14) Kuptohet se për momentin, zhgënjimi i shpresës mund të sjellë trishtim.

Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se ata dy dishepuj e rifituan gëzimin pasi Jezui i ndihmoi të përqendroheshin në profecitë e përmbushura tanimë, madje edhe në kohën e tyre. Edhe ne mund të ruajmë gëzimin dhe të përballojmë zhgënjimin po njësoj. Majkëlli, një plak i krishterë me përvojë, tha: «Mos u përqendro tek ato që Jehovai nuk ka bërë ende, por mbaje mendjen tek ato që tashmë ka bërë.» Ç’këshillë e shkëlqyer!

Çfarë ka bërë tashmë Jehovai?

Le të shohim disa gjëra të mrekullueshme që Jehovai ka kryer deri tani. Jezui tha: «Ai që tregon besim tek unë, do të bëjë veprat që bëj unë. Madje do të bëjë vepra më të mëdha se këto.» (Gjoni 14:12) Sot, shërbëtorët e Perëndisë po kryejnë veprën më madhështore që të krishterët kanë bërë ndonjëherë. Mbi shtatë milionë veta po presin t’i mbijetojnë shtrëngimit të madh. Mendo pak. Kurrë më parë s’ka pasur kaq shumë shërbëtorë besnikë të Jehovait që predikojnë në kaq shumë vende anekënd tokës! Jehovai i ka bërë realitet fjalët profetike të Jezuit për «vepra më të mëdha se këto».

Ç’gjë tjetër ka bërë Jehovai për ne? Ai u ka hapur rrugën njerëzve me zemër të sinqertë që, në kuptim të figurshëm, të dalin nga kjo botë e ligë dhe të hyjnë në parajsën frymore që ka krijuar. (2 Kor. 12:1-4) Mendo pak për disa aspekte të kësaj parajse që po i gëzojmë ndërkohë. Për shembull, hidhi një sy bibliotekës sate personale ose asaj në Sallën e Mbretërisë. Shfleto Treguesin e Botimeve Watch Tower, ose bëj kërkime në Bibliotekën Watchtower. Dëgjo dramat biblike të incizuara. Sill në mendje çfarë ke dëgjuar e parë në kongresin e fundit. Mendo edhe për shoqërinë e bukur që gëzojmë me vëllezërit e motrat tona të krishterë. Sa bujar është treguar Jehovai me ne, duke na dhënë ushqim të bollshëm frymor dhe një vëllazëri të dashur! Vërtet një parajsë frymore!

Psalmisti David pohoi: «Ti ke bërë shumë gjëra. O Jehova, Perëndia im, ti ke bërë gjithë ato vepra të mrekullueshme dhe ke menduar shumë për ne.» (Psal. 40:5) Le të mbajmë mendjen te gjërat e mrekullueshme që Jehovai ka bërë tashmë dhe të përsiatemi rreth mendimeve të dashura që ka për ne. Atëherë do të na ripërtërihen forcat që të qëndrojmë besnikë në shërbimin që i bëjmë me gjithë zemër Atit tonë qiellor, Jehovait.​—Mat. 24:13.

[Figura në faqen 31]

Jezui i ndihmoi dishepujt të mbanin mendjen tek ajo që Jehovai kishte bërë tashmë për ta

[Figurat në faqen 32]

Sill ndër mend çfarë ke dëgjuar e parë në kongresin e fundit