Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përfito plotësisht nga beqaria

Përfito plotësisht nga beqaria

Përfito plotësisht nga beqaria

«Kush mund ta pranojë këtë, le ta pranojë.»​—MAT. 19:12.

1, 2. (a) Si e konsideronin beqarinë Jezui, Pavli dhe të tjerë? (b) Pse për disa beqaria mund të mos jetë një dhuratë?

PA DYSHIM, martesa është një nga dhuratat më të çmuara që Perëndia i ka bërë njerëzimit. (Prov. 19:14) Megjithatë, edhe shumë të krishterë beqarë gëzojnë një jetë të pasur e të kënaqshme. Haroldi, një vëlla 95-vjeçar që nuk u martua kurrë, thotë: «Edhe pse kënaqem në shoqëri me të tjerët dhe çdo herë që tregoj mikpritje, kur jam vetëm, nuk ndihem aspak i vetmuar. Mendoj që me të vërtetë mund të thuhet se gëzoj dhuratën e beqarisë.»

2 Në fakt, edhe Jezu Krishti, edhe apostulli Pavël e quajtën beqarinë, ashtu si martesën, dhuratë nga Perëndia. (Lexo Mateun 19:11, 12; 1 Korintasve 7:7.) Gjithsesi, duhet pranuar se jo të gjithë të pamartuarit kanë zgjedhur të jenë beqarë. Disa herë, për shkak të rrethanave nuk kanë gjetur njeriun e duhur. Ose pas vitesh martese, papritur, disa mbeten vetëm për shkak të divorcit ose vdekjes së bashkëshortit. Atëherë, në ç’kuptim beqaria mund të jetë një dhuratë? Si mund të përfitojnë plotësisht nga beqaria këta të krishterë?

Dhuratë unike

3. Çfarë avantazhesh gëzojnë shpesh të krishterët beqarë?

3 Një beqar shpesh ka më tepër kohë dhe është më i lirë se një i martuar. (1 Kor. 7:32-35) Këto janë avantazhe unike falë të cilave mund të shtojë shërbimin, të zgjerohet në dashuri dhe të afrohet më shumë me Jehovain. Prandaj, disa të krishterë, i vlerësojnë dobitë e beqarisë dhe kanë vendosur ‘ta pranojnë këtë’ dhuratë, të paktën për njëfarë kohe. Të tjerë mund të mos e kishin ndër mend të ishin beqarë por, kur iu ndryshuan rrethanat, medituan duke iu lutur Jehovait dhe kuptuan se me ndihmën e Tij edhe ata mund të ndiheshin të kënaqur. Ndaj, u përshtatën me rrethanat e reja dhe e pranuan beqarinë.​—1 Kor. 7:37, 38.

4. Pse beqarët mund të ndihen të plotë në shërbimin e Perëndisë?

4 Të krishterët beqarë e dinë se nuk ka pse të jenë medoemos të martuar që Jehovai dhe organizata e tij t’i pranojnë ose t’i vlerësojnë. Ai na do ne si individë. (Mat. 10:29-31) Askush dhe asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë. (Rom. 8:38, 39) Të martuar apo beqarë qofshim, kemi çdo arsye që të ndihemi të plotë në shërbimin e Perëndisë.

5. Çfarë nevojitet që të nxirret plotësisht dobi nga beqaria?

5 Prapëseprapë, ashtu si për dhunti të tilla si talenti për muzikë apo atletikë, edhe për dhuratën e beqarisë duhen bërë përpjekje që të nxirret plotësisht dobi prej saj. Prandaj, si mund të përfitojnë sa më shumë nga situata e tyre të krishterët beqarë, qofshin vëllezër a motra, të rinj a më të rritur, beqarë që kanë zgjedhur vetë të rrinë kështu a për shkak të rrethanave? Le të shqyrtojmë disa shembuj zemërdhënës nga të krishterët e hershëm dhe të shohim ç’mund të mësojmë.

Beqari në rini

6, 7. (a) Ç’privilegj patën bijat e Filipit në shërbimin e Perëndisë? (b) Si e përdori më së miri beqarinë Timoteu dhe si u bekua ngaqë u tregua i gatshëm të shërbente në rini?

6 Ungjillëzuesi Filip kishte katër bija virgjëresha, të cilat ishin po aq të zellshme në predikim sa i ati. (Vep. 21:8, 9) Profetizimi ishte një nga dhuratat e frymës së shenjtë dhe këto të reja e përdorën këtë dhuratë, duke përmbushur kështu Joelin 2:28, 29.

Timoteu ishte një i ri që e përdori më së miri beqarinë. Që në foshnjëri, e ëma, Eunika, dhe gjyshja, Loida, i kishin mësuar «shkrimet e shenjta». (2 Tim. 1:5; 3:14, 15) Por ka të ngjarë që ato ta kenë përqafuar krishterimin vetëm gjatë vizitës së parë të Pavlit në Listër, qyteti i tyre i lindjes, rreth vitit 47 të e.s. Dy vjet më vonë, gjatë vizitës së dytë të Pavlit atje, Timoteu mbase ishte në fund të adoleshencës ose në fillim të të 20-ave. Edhe pse ishte pak a shumë i ri në moshë dhe në të vërtetën, pleqtë në Listër dhe në Ikoninë fqinje «flitnin mirë» për të. (Vep. 16:1, 2) Kështu, Pavli e ftoi Timoteun të bëhej shoku i tij i udhëtimit. (1 Tim. 1:18; 4:14) Nuk mund të themi me siguri nëse Timoteu nuk u martua kurrë. Megjithatë, dimë se kur ishte i ri, e pranoi me gatishmëri ftesën e Pavlit, dhe për vite me radhë, shërbeu me gëzim si misionar dhe mbikëqyrës beqar.​—Filip. 2:20-22.

8. Çfarë ndikoi te Gjon Marku që të ndiqte synime frymore dhe cilat bekime mori?

8 Edhe Gjon Marku kur ishte i ri i përdori më së miri vitet e beqarisë. Bashkë me të ëmën, Marinë, si dhe me kushëririn, Barnabën, ishin pjesëtarët e parë të kongregacionit të Jerusalemit. Familja e tij mund të ketë qenë në gjendje, ngaqë kishin një shtëpi të tyren në qytet dhe një shërbëtore. (Vep. 12:12, 13) Edhe pse kishte këto avantazhe, kur ishte i ri, Marku nuk jetoi për qejfin e vet dhe nuk u përqendrua te vetja, as u mjaftua të rehatohej e të bënte një jetë familjare të qetë. Shoqërimi me apostujt që në rini ka të ngjarë t’i ketë zgjuar dëshirën për shërbimin misionar. Kështu, ai shoqëroi me gatishmëri Pavlin dhe Barnabën në udhëtimin e tyre të dytë misionar si ndihmës. (Vep. 13:5) Më vonë, udhëtoi me Barnabën, dhe akoma më vonë e shohim të shërbejë me Pjetrin në Babiloni. (Vep. 15:39; 1 Pjet. 5:13) Nuk e dimë sa gjatë ndenji beqar Marku. Por ai fitoi emër të shkëlqyer si njeri që ishte i gatshëm t’u shërbente të tjerëve dhe të bënte më shumë në shërbim të Perëndisë.

9, 10. Çfarë mundësish kanë të rinjtë e krishterë beqarë që të zgjerojnë shërbimin? Jep një shembull.

9 Po ashtu, edhe sot shumë të rinj në kongregacion i përdorin me gëzim vitet e tyre të beqarisë që të bëjnë më tepër në shërbim të Perëndisë. Ashtu si Marku dhe Timoteu, ata e vlerësojnë beqarinë si një mundësi që të bëjnë ‘shërbim të vazhdueshëm ndaj Zotërisë, pa shpërqendrim’. (1 Kor. 7:35) Ky është avantazh i shkëlqyer. Mundësitë janë të bollshme: të shërbejnë si pionierë ose aty ku ka më tepër nevojë për predikues të Mbretërisë, të mësojnë një gjuhë të huaj, të ndihmojnë në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë dhe të degëve, të ndjekin Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe të shërbejnë në Bethel. Nëse je ende i ri dhe i pamartuar, a po i shfrytëzon më së miri këto mundësi?

10 Një vëlla me emrin Mark filloi të shërbente si pionier në fund të adoleshencës, ndoqi Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe ka shërbyer në caktime të ndryshme përreth botës. Për 25 vitet që kaloi në shërbim të plotkohor, ai thotë: «Jam përpjekur t’i kushtoj vëmendje çdonjërit në kongregacion, duke dalë në shërbim me ta, duke u bërë vizita baritore, duke i ftuar për të ngrënë në shtëpinë time dhe duke organizuar festa që i ndërtonin frymësisht. Të gjitha këto më kanë sjellë gëzim të pamasë.» Siç e shohim edhe nga fjalët e Markut, gëzimi më i madh në jetë vjen kur jep, dhe një jetë e përqendruar plotësisht në shërbimin e shenjtë, të krijon një sërë mundësish që t’u japësh të tjerëve. (Vep. 20:35) Pavarësisht nga interesat, aftësitë ose përvoja që keni në jetë, ju të rinj sot mund të bëni shumë në veprën e Zotërisë.​—1 Kor. 15:58.

11. Ç’dobi ke po të mos ngutesh të martohesh?

11 Edhe pse pjesa më e madhe e të rinjve duan të martohen, kanë plot arsye të vlefshme të mos nguten. Pavli i nxit të rinjtë të presin të paktën derisa të kalojë ‘lulja e rinisë’ kur dëshirat seksuale janë më të forta. (1 Kor. 7:36) Të duhet kohë të njohësh veten dhe të fitosh përvojën e nevojshme për të zgjedhur shokun e duhur të jetës. Zotimi për t’u martuar është një vendim serioz, që duhet të zgjatë për gjithë jetën.​—Ekl. 5:2-5.

Beqari në një moshë më të madhe

12. (a) Si i përballoi rrethanat e reja vejusha Ana? (b) Çfarë privilegji pati?

12 Ana, e përmendur tek Ungjilli i Lukës, duhet të jetë trishtuar pa masë kur i shoqi vdiq papritur vetëm pas shtatë vitesh martesë. Nuk e dimë nëse kishin fëmijë apo nëse ajo kishte menduar të rimartohej. Por, në Bibël thuhet se në moshën 84-vjeçare Ana ishte ende vejushë. Nga ajo që na tregon Bibla, duket se Ana përfitoi nga rrethanat e reja që të lidhej më ngushtë me Jehovain. «Nuk mungonte kurrë në tempull dhe bënte shërbim të shenjtë natë e ditë me agjërime dhe përgjërime.» (Luka 2:36, 37) Pra, adhurimi i Jehovait ishte gjëja më e rëndësishme në jetën e saj. Iu desh vërtet vendosmëri dhe mjaft përpjekje, megjithatë u shpërblye pa masë. Pati privilegjin të shihte foshnjën Jezu, dhe u dëshmoi të tjerëve për çlirimin që ky do të sillte si Mesia.​—Luka 2:38.

13. (a) Çfarë tregon se Dorka ishte goxha aktive në kongregacion? (b) Si u shpërblye për dashamirësinë dhe mirësinë e saj?

13 Një grua me emrin Dorka, ose Tabita, jetonte në Jopë, një qytet-port i lashtë në veriperëndim të Jerusalemit. Meqë Bibla nuk e përmend burrin e saj, ka të ngjarë që në atë kohë të ketë qenë e pamartuar. Dorka «bënte plot vepra të mira dhe jepte lëmoshë me bollëk». Me sa duket, ajo bënte shumë veshje për vejushat e të tjerët në nevojë, ndaj u kishte hyrë në zemër atyre. Prandaj, kur ajo papritur u sëmur e vdiq, i tërë kongregacioni thirri Pjetrin dhe iu lut ta ringjallte motrën e tyre të shtrenjtë. Lajmi për ringjalljen e saj u përhap në mbarë Jopën dhe shumë u bënë besimtarë. (Vep. 9:36-42) Nga dashamirësia e jashtëzakonshme, Dorka mund të ketë ndihmuar disa prej tyre.

14. Çfarë i nxit të krishterët beqarë t’i afrohen më shumë Jehovait?

14 Ashtu si Ana dhe Dorka, në kongregacione ka shumë vëllezër e motra në moshë që janë beqarë. Disa mbase mund të mos kenë gjetur njeriun e duhur. Të tjerë mund të jenë divorcuar ose kanë mbetur të ve. Meqë nuk kanë një bashkëshort me të cilin të hapen, të krishterët beqarë shpesh mësojnë të mbështeten akoma më tepër te Jehovai. (Prov. 16:3) Për Silvian, një motër beqare që ka shërbyer për më se 38 vjet në Bethel, kjo është një bekim. Ajo thotë: «Disa herë lodhem duke qenë gjithnjë unë ajo që inkurajon të tjerët dhe pyes veten: ‘Kush do të më japë zemër mua?’» Pastaj shton: «Besimi se Jehovai e di më mirë se unë për çfarë kam nevojë, më ndihmon t’i afrohem edhe më shumë atij. Dhe inkurajimi vjen gjithnjë, madje disa herë nga s’e pret.» Sa herë i afrohemi edhe më tepër Jehovait, ai na përgjigjet gjithnjë me dhembshuri e na qetëson shpirtin.

15. Si mund ‘të zgjerohen’ në dashuri të krishterët e pamartuar?

15 Beqaria të jep mundësi të veçantë ‘të zgjerohesh’ në dashuri. (Lexo 2 Korintasve 6:11-13.) Zholina, një motër beqare që ka kaluar 34 vjet në shërbim të plotkohor, thotë: «Jam përpjekur me gjithë zemër të ndërtoj marrëdhënie të ngrohta, jo vetëm me ata të moshës sime, por me çdo njeri. Beqaria të krijon vërtet mundësi t’i japësh Jehovait, familjes, vëllezërve e motrave, si dhe të tjerëve. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më e lumtur ndihem si beqare.» Të moshuarit, të sëmurët, prindërit e vetëm, të rinjtë dhe të tjerët në kongregacion pa dyshim e çmojnë mbështetjen pa interes që u japin beqarët. Në fakt, sa herë që tregojmë dashuri për të tjerët, ndihemi më mirë me veten. A mund ‘të zgjerohesh’ në dashuri edhe ti?

Beqari për gjithë jetën

16. (a) Pse Jezui ndenji beqar gjithë jetën? (b) Si e përdori me mençuri beqarinë Pavli?

16 Jezui nuk u martua. Iu desh të përgatitej për shërbimin që i ishte caktuar dhe ta kryente atë. Udhëtoi gjerësisht, punoi që herët në mëngjes deri natën vonë dhe në fund, dha jetën si flijim. Beqaria e ndihmoi të përmbushte këtë caktim. Apostulli Pavël udhëtoi mijëra kilometra dhe hasi vështirësi të mëdha gjatë shërbimit. (2 Kor. 11:23-27) Edhe pse mund të ketë qenë i martuar dikur, Pavli zgjodhi të mbetej beqar pasi u emërua si apostull. (1 Kor. 7:7; 9:5) Për hir të shërbimit, si Jezui, si Pavli i nxitën të tjerët të imitonin shembullin e tyre po të ishte e mundur. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk e vendosi beqarinë si kërkesë për shërbëtorët e Perëndisë.​—1 Tim. 4:1-3.

17. Në ç’mënyrë disa sot po ndjekin gjurmët e Jezuit dhe të Pavlit? Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai i çmon ata që bëjnë sakrifica të tilla?

17 Edhe sot, disa kanë zgjedhur qëllimisht të mbeten beqarë që t’i kushtohen sa më tepër shërbimit. Haroldi, i përmendur më sipër, ka gëzuar shërbimin në Bethel për më se 56 vjet. Ai thotë: «Gjatë dhjetë viteve të para në Bethel, kam parë shumë çifte të largohen për shkak të ndonjë sëmundjeje ose sepse u duhej të kujdeseshin për prindërit e moshuar. Prindërit e mi kishin vdekur që të dy. E doja aq shumë Bethelin, sa nuk dëshiroja të rrezikoja ta humbitja duke u martuar.» Po njësoj, vite më parë, Margarita, një pioniere prej vitesh, vërejti: «Kam pasur mundësi për t’u martuar, por isha aq e zënë në shërbim sa thjesht nuk më shkonte mendja. Lirinë e madhe si beqare e përdora që të angazhohesha pa rezerva në shërbim dhe kjo më ka sjellë mjaft lumturi.» Me siguri, Jehovai nuk do të harrojë kurrë askënd që sakrifikon me altruizëm për adhurimin e vërtetë.​—Lexo Isainë 56:4, 5.

Përfito plotësisht nga rrethanat

18. Si mund t’i inkurajojmë dhe t’i mbështetim të krishterët beqarë?

18 Të gjithë të krishterët e pamartuar që po bëjnë çmos t’i shërbejnë Jehovait, meritojnë t’i lavdërojmë sinqerisht dhe t’u japim zemër. E duam shumë secilin dhe u jemi mirënjohës për ndihmesën e rëndësishme në kongregacion. Ata nuk kanë pse të ndihen kurrë të vetmuar, nëse vërtet bëhemi për ta ‘vëllezër, motra, nëna dhe fëmijë’.​—Lexo Markun 10:28-30.

19. Çfarë mund të bësh që të përfitosh plotësisht nga beqaria?

19 Nëse je beqar për shkak të rrethanave ose ngaqë ke zgjedhur vetë, shembujt nga Shkrimet dhe nga ditët e sotme qofshin për ty një siguri se mund të kesh një jetë të lumtur e frytdhënëse. Disa dhurata i presim me padurim, ndërsa të tjera na vijnë krejt papritur. Disa i vlerësojmë menjëherë, ndërsa të tjera i çmojmë vetëm me kalimin e kohës. Shumë varet nga qëndrimi ynë. Çfarë mund të bësh që të përfitosh plotësisht nga beqaria? Afroju më tepër Jehovait, ki shumë për të bërë në shërbim të tij dhe zgjerohu në dashuri. Ashtu si martesa, dhurata e beqarisë mund të jetë shpërblyese kur e sheh nga këndvështrimi i Perëndisë dhe e përdor me mençuri.

A të kujtohet?

• Në ç’mënyra beqaria mund të jetë një dhuratë?

• Si mund të jetë beqaria bekim në rini?

• Ç’mundësi kanë të krishterët beqarë që t’i afrohen më shumë Jehovait dhe të zgjerohen në dashuri?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 18]

A po i shfrytëzon më së miri mundësitë që të janë dhënë në shërbim të Perëndisë?