Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Respektoni martesën, dhuratën e Perëndisë

Respektoni martesën, dhuratën e Perëndisë

Respektoni martesën, dhuratën e Perëndisë

«Ja përse burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.»​—ZAN. 2:24.

1. Pse Jehovai e meriton respektin tonë?

PERËNDIA JEHOVA, Nismëtari i martesës, patjetër që e meriton respektin tonë. Si Krijuesi, Sovrani dhe Ati ynë qiellor, me të drejtë përshkruhet si Ai që jep ‘çdo dhuratë të mirë dhe çdo gjë të përsosur’. (Jak. 1:17; Zbul. 4:11) Kjo tregon se sa shumë na do. (1 Gjon. 4:8) Çdo gjë që na ka mësuar, çdo gjë që na ka kërkuar, çdo gjë që na ka dhënë, e ka bërë vetëm për të mirën dhe dobinë tonë.​—Isa. 48:17.

2. Çfarë udhëzimesh i dha Jehovai çiftit të parë?

2 Bibla tregon se martesa është një nga këto dhurata ‘të mira’ të Perëndisë. (Rutha 1:9; 2:12) Kur lidhi martesën e parë, Jehovai i dha çiftit, pra Adamit dhe Evës, udhëzime specifike që t’ia dilnin mbanë. (Lexo Mateun 19:4-6.) Nëse do t’i zbatonin ato, do të ishin përherë të lumtur. Mirëpo, në mënyrë të pamend, ata e shpërfillën drejtimin e Perëndisë dhe korrën pasoja tejet të hidhura.​—Zan. 3:6-13, 16-19, 23.

3, 4. (a) Në ç’mënyrë shumë veta sot nuk respektojnë martesën dhe Perëndinë Jehova? (b) Cilët shembuj do të shqyrtojmë në këtë artikull?

3 Ashtu si çifti i parë, shumë veta sot ia vënë veshin pak ose aspak drejtimit të Jehovait kur marrin vendime për martesën. Disa e hedhin poshtë haptas martesën, kurse të tjerë përpiqen ta ndryshojnë konceptin për të, që t’ua përshtatin dëshirave të tyre. (Rom. 1:24-32; 2 Tim. 3:1-5) Ata shpërfillin faktin se martesa është një dhuratë nga Perëndia dhe, meqë nuk respektojnë këtë dhuratë, nuk respektojnë as Atë që e ka dhënë, Perëndinë Jehova.

4 Nganjëherë, edhe disa nga populli i Perëndisë nuk e kanë më të qartë pikëpamjen e Jehovait për martesën. Disa çifte të krishtere vendosin të ndahen ose të divorcohen pa ndonjë bazë biblike. Si mund të shmanget kjo? Si mund t’i ndihmojë çiftet e krishtere drejtimi i Perëndisë te Zanafilla 2:24 që të forcojnë martesën? Po ata që po mendojnë për martesën, si mund të përgatiten për të? Le të shqyrtojmë tri martesa të suksesshme të kohëve biblike që tregojnë se respekti për Jehovain është faktor kyç për një martesë të qëndrueshme.

Kultivoni besnikërinë

5, 6. Cila situatë mund të ketë qenë një sprovë për Zakarinë dhe Elizabetën, dhe si u shpërblye besnikëria e tyre?

5 Zakaria dhe Elizabeta bënë gjithçka drejt. Zgjodhën një bashkëshort me mendje frymore. Zakaria i kreu me besnikëri detyrat e tij priftërore dhe të dy bënë çmos të zbatonin ligjin e Perëndisë. Sigurisht që gëzonin mjaft gjëra për të qenë mirënjohës. Megjithatë, po të shkoje në shtëpinë e tyre në Judë, shumë shpejt do të kuptoje se diçka u mungonte. Nuk kishin fëmijë. Elizabeta ishte shterpë dhe të dy ishin mjaft të shkuar në moshë.—Luka 1:5-7.

6 Në Izraelin e lashtë, të lindje fëmijë ishte tejet e rëndësishme, dhe familjet shpesh ishin shumë të mëdha. (1 Sam. 1:2, 6, 10; Psal. 128:3, 4) Një burrë izraelit në atë kohë mund të vepronte pabesisht duke e divorcuar gruan nëse ajo nuk i lindte fëmijë. Por Zakaria u tregua besnik dhe qëndroi me Elizabetën. Ata nuk u përpoqën të gjenin ndonjë sebep për t’i dhënë fund martesës. Ndonëse ndienin trishtim ngaqë nuk kishin fëmijë, vazhduan t’i shërbenin Jehovait së bashku me besnikëri. Me kalimin e kohës, përmes një mrekullie, Jehovai u dha një shpërblim të madh: një djalë në pleqëri.​—Luka 1:8-14.

7. Në ç’mënyrë tjetër tregoi besnikëri ndaj burrit Elizabeta?

7 Elizabeta tregoi besnikëri të lavdërueshme edhe në një mënyrë tjetër. Kur lindi i biri, Gjoni, Zakaria nuk mund të fliste. Engjëlli i Perëndisë i kishte thënë se do të mbetej i pagojë meqë dyshoi në fjalët e tij. Mirëpo, Zakaria në ndonjë mënyrë duhet t’i ketë treguar së shoqes që engjëlli i Jehovait i kishte thënë se fëmija do të quhej Gjon. Fqinjët dhe të afërmit donin t’i vinin djalit emrin e të atit. Por Elizabeta me besnikëri mbështeti drejtimin e të shoqit dhe tha: «Në asnjë mënyrë! Ai do të quhet Gjon.»​—Luka 1:59-63.

8, 9. (a) Si e forcon besnikëria martesën? (b) Në ç’mënyra specifike mund të tregojnë besnikëri burri dhe gruaja?

8 Ashtu si Zakaria dhe Elizabeta, edhe sot çiftet e martuara përballen me zhgënjime e sfida të ndryshme. Një martesë pa besnikëri nuk do të lulëzojë. Flirtimi, pornografia, kurorëshkelja dhe kërcënime të tjera mund ta shkatërrojnë fare besimin në një martesë të shëndoshë. Dhe, kur në një martesë thyhet besimi, dashuria fillon të venitet. Mund të themi se besnikëria është si një gardh rreth një shtëpie që e mbron nga vizitorë të padëshirueshëm e rreziqe, dhe u jep njëfarë sigurie atyre që janë brenda shtëpisë. Kështu, kur burri dhe gruaja i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit, mund të banojnë të sigurt së bashku dhe mund t’i hapin zemrën njëri-tjetrit, ndërsa dashuria e tyre rritet. Po, besnikëria është jetësore.

9 Jehovai i tha Adamit: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet.» (Zan. 2:24) Ç’do të thotë kjo? Pas martesës, çifti nuk mund të mbajë të njëjtat lidhje si më parë me shokët dhe të afërmit. Bashkëshortët së pari duhet t’i kushtojnë kohë dhe vëmendje njëri-tjetrit. Shokët dhe të afërmit nuk mund të kenë më përparësi në kurriz të familjes së re dhe çifti s’duhet t’i lejojë as prindërit të ndërhyjnë në vendimet ose mosmarrëveshjet familjare. Tani çifti duhet të lidhet ngushtë me njëri-tjetrin. Ky është drejtimi i Perëndisë.

10. Çfarë do t’i ndihmojë bashkëshortët të kultivojnë besnikërinë?

10 Besnikëria shpërblen edhe familjet e ndara nga ana fetare. Një motër me burrë jobesimtar thotë: «I jam shumë mirënjohëse Jehovait që më mëson t’i nënshtrohem burrit dhe ta respektoj thellë. Falë besnikërisë, kemi kaluar 47 vjet me dashuri dhe respekt.» (1 Kor. 7:10, 11; 1 Pjet. 3:1, 2) Prandaj, bëj çmos që bashkëshorti të ndihet i sigurt në martesë. Gjej mënyra qoftë me fjalë, qoftë me veprime, që ta sigurosh se për ty, ai ose ajo është personi më i rëndësishëm në tokë. Për aq sa varet nga ti, mos lejo askënd ose asgjë të futet mes jush. (Lexo Proverbat 5:15-20.) Roni dhe Zhaneta, që kanë gëzuar 35 vjet martesë, thonë: «Ngaqë me besnikëri bëjmë atë që kërkon Perëndia prej nesh, kemi një martesë të lumtur e të suksesshme.»

Uniteti forcon martesën

11, 12. Si bashkëpunuan Akuila dhe Prishila (a) në shtëpi, (b) në punë, (c) në shërbimin e krishterë?

11 Kur apostulli Pavël fliste për miqtë e tij, Akuilën dhe Prishilën, i përmendte gjithmonë bashkë. Ky çift i bashkuar pasqyroi më së miri modelin që Perëndia kishte ndër mend kur tha se burri e gruaja do të bëheshin «një mish». (Zan. 2:24) Ata punuan vazhdimisht bashkë në shtëpi, në punë dhe në shërbimin e krishterë. Për shembull, kur Pavli mbërriti në fillim në Korint, Akuila dhe Prishila e ftuan me dashamirësi të rrinte në shtëpinë e tyre, të cilën ai duket se e përdori për njëfarë kohe si bazë për aktivitetet e veta. Më vonë, kur shkuan në Efes, e hapën shtëpinë për mbledhjet e kongregacionit dhe punuan së bashku që të ndihmonin të rinjtë në të vërtetën, si Apoli, që të rriteshin frymësisht. (Vep. 18:2, 18-26) Më pas, ky çift i zellshëm shkoi në Romë, ku sërish e vuri në dispozicion shtëpinë për mbledhjet e kongregacionit. Më vonë u kthyen në Efes dhe forcuan vëllezërit.​—Rom. 16:3-5.

12 Për njëfarë kohe, Akuila dhe Prishila punuan me Pavlin si bërës tendash, zanati i tyre i përbashkët. I shohim përsëri të dy, duke bashkëpunuar në paqe e pa konkurrencë. (Vep. 18:3) Sigurisht, ngaqë kalonin kohë së bashku në aktivitetet e krishtere, martesa e tyre qëndronte mbi themele të forta frymore. Si në Korint, Efes dhe Romë, njiheshin gjerësisht si ‘bashkëpunëtorë në Krishtin Jezu’. (Rom. 16:3) Kudo që shërbyen, ata punuan krah për krah për të mbështetur veprën e predikimit për Mbretërinë.

13, 14. (a) Cilat situata mund të cenojnë unitetin në martesë? (b) Ç’gjëra mund të bëjnë bashkëshortët që të forcojnë lidhjen si «një mish»?

13 Në fakt, synimet dhe aktivitetet e përbashkëta e forcojnë martesën. (Ekl. 4:9, 10) Mjerisht, shumë çifte sot kalojnë fare pak kohë së bashku. Ata punojnë me orë të tëra secili në punën e vet. Të tjerë udhëtojnë shpesh për punë ose shkojnë jashtë pa familjen, që të punojnë e t’u dërgojnë para. Mirëpo, edhe në shtëpi, disa bashkëshortë ndihen të vetmuar ngaqë kalojnë kohë para televizorit, me ndonjë hob, me sporte, videolojëra ose Internet. A ndodh kështu edhe me familjen tënde? Nëse po, a mund t’i rregulloni gjërat që të kaloni më tepër kohë me njëri-tjetrin? Po sikur të përgatitni bashkë ndonjë vakt, të lani enët ose të bëni punët e shtëpisë? A mund të kujdeseni të dy për fëmijët ose për prindërit e moshuar?

14 Megjithatë, mbi të gjitha kushtojini kohë së bashku rregullisht aktiviteteve që lidhen me adhurimin e Jehovait. Shqyrtimi tok i shkrimit të ditës dhe adhurimi familjar janë mundësi të shkëlqyera që familja të mbajë unitetin në mendime e synime. Gjithashtu, dilni në shërbim me njëri-tjetrin. Nëse keni mundësi, përpiquni të jeni pionierë të dy, edhe sikur rrethanat t’jua lejojnë këtë vetëm për një muaj ose një vit. (Lexo 1 Korintasve 15:58.) Një motër që shërbeu si pioniere me të shoqin, thotë: «Shërbimi ishte një nga rastet që mund të kalonim kohë së bashku dhe të flitnim hapur. Meqë të dy kishim synim të ndihmonim të tjerët frymësisht, ndjeva se ishim tamam një skuadër. E ndjeva më të afërt, jo vetëm si burrë, por edhe si shok të mirë.» Do të shihni se, ndërsa përfshiheni së bashku në aktivitete që ia vlejnë, interesat, përparësitë dhe zakonet tuaja, gradualisht do të harmonizohen me ato të bashkëshortit gjersa, ashtu si Akuila dhe Prishila, do të arrini gjithnjë e më shumë të mendoni, të ndieni dhe të veproni si «një mish».

Ndiqni drejtimin e Perëndisë

15. Cili është çelësi për një martesë të suksesshme? Shpjegoni.

15 Jezui e dinte sa e rëndësishme është që Perëndia të zërë vendin e parë në martesë. Ai pa Jehovain të lidhte martesën e parë. Vërejti sa të lumtur ishin Adami dhe Eva për aq kohë sa ndoqën drejtimin e Perëndisë, si edhe pa vetë telashet që rrodhën nga shpërfillja e atij drejtimi. Kështu, kur i mësoi të tjerët, Jezui i bëri jehonë drejtimit të të Atit te Zanafilla 2:24. Gjithashtu, shtoi: «Atë që Perëndia e ka bashkuar, asnjeri të mos e ndajë.» (Mat. 19:6) Pra, respekti i thellë për Jehovain është ende çelësi për një martesë të lumtur e të suksesshme. Në këtë aspekt, prindërit tokësorë të Jezuit, Jozefi dhe Maria, lanë një shembull të jashtëzakonshëm.

16. Si shfaqën karakter frymor Jozefi dhe Maria në jetën familjare?

16 Jozefi sillej me respekt e mirëdashje me Marinë. Në fillim, kur mori vesh se ajo ishte shtatzënë, donte të ishte i mëshirshëm me të, ndonëse engjëlli i Perëndisë ende nuk i kishte shpjeguar se ç’kishte ndodhur me Marinë. (Mat. 1:18-20) Si çift, iu bindën dekretit të Cezarit dhe zbatuan me përpikëri Ligjin e Moisiut. (Luka 2:1-5, 21, 22) Edhe pse në festat fetare kryesore në Jerusalem kërkohej të shkonin vetëm meshkujt, Jozefi dhe Maria, bashkë me familjen, merrnin pjesë çdo vit. (Ligj. 16:16; Luka 2:41) Si në këto raste, por edhe në mënyra të tjera, ky çift i përkushtuar u përpoq t’i pëlqente Jehovait dhe tregoi respekt të thellë për gjërat frymore. S’është për t’u habitur që Jehovai i zgjodhi që të kujdeseshin për Birin e tij gjatë pjesës së parë të jetës së tij në tokë.

17, 18. (a) Në ç’mënyra një çift mund të vërë në vend të parë gjërat frymore? (b) Ç’dobi do t’u sjellë kjo?

17 A po ndjek edhe familja juaj drejtimin e Perëndisë? Për shembull, kur merrni vendime të rëndësishme, a bëni kërkime për të gjetur parimet biblike, a luteni për çështjen dhe më pas a kërkoni këshillë nga ndonjë i krishterë i pjekur? Ose keni prirjen t’i zgjidhni problemet duke dëgjuar ndjenjat, familjarët dhe miqtë? A përpiqeni t’i zbatoni sugjerimet e shumta praktike që skllavi i besueshëm boton për martesën dhe jetën familjare? Apo thjesht ndiqni zakonet e vendit ose këshillat e përhapura që ofron bota? A luteni dhe studioni rregullisht së bashku? A vendosni synime frymore dhe a diskutoni për përparësitë e familjes?

18 Për 50 vitet e lumtura të jetës martesore, Rei thotë: «Nuk na ka ndodhur kurrë që të kemi pasur ndonjë problem dhe të mos e kemi përballuar, sepse për ne Jehovai ka qenë gjithnjë pjesë e ‘litarit tresh’.» (Lexo Eklisiastiun 4:12.) Edhe Dani e Trina janë dakord: «Pasi i kemi shërbyer së bashku Perëndisë, martesa jonë është forcuar më shumë.» Ata kanë gëzuar një martesë të lumtur prej më se 34 vjetësh. Nëse vini gjithnjë Jehovain të parin në martesë, ai do t’ju ndihmojë të keni sukses dhe do t’ju bekojë me bollëk.​—Psal. 127:1.

Vazhdoni të respektoni dhuratën e Perëndisë

19. Pse Perëndia e dha dhuratën e martesës?

19 Për shumë njerëz sot, gjëja e vetme e rëndësishme është lumturia personale. Mirëpo, një shërbëtor i Jehovait i sheh ndryshe gjërat. Ai e di se Perëndia e dha martesën si një dhuratë për të mbështetur qëllimin e tij. (Zan. 1:26-28) Nëse Adami dhe Eva do ta kishin respektuar këtë dhuratë, mbarë toka do të ishte një parajsë, plot me shërbëtorë të lumtur e të drejtë të Perëndisë.

20, 21. (a) Pse duhet ta konsiderojmë të shenjtë martesën? (b) Për cilën dhuratë flet studimi javën tjetër?

20 Mbi të gjitha, shërbëtorët e Perëndisë e shohin martesën si një mundësi që t’i japin lavdi Jehovait. (Lexo 1 Korintasve 10:31.) Siç e kemi parë, cilësitë hyjnore si besnikëria e uniteti, si edhe karakteri frymor e forcojnë martesën. Kështu, qoftë nëse po përgatitemi për martesë, qoftë nëse po e forcojmë ose po përpiqemi ta shpëtojmë atë, së pari duhet ta shohim martesën për atë që është: një institucion hyjnor dhe i shenjtë. Me këtë të vërtetë në mendje, do të nxitemi të bëjmë më të mirën që vendimet lidhur me martesën t’i bazojmë në Fjalën e Perëndisë. Prandaj, tregojmë respekt jo vetëm për dhuratën e martesës, por edhe për Atë që e dha këtë dhuratë, Perëndinë Jehova.

21 Sigurisht, martesa nuk është dhurata e vetme që na ka bërë Jehovai, as e vetmja mënyrë që të sjell lumturi në jetë. Në artikullin vijues, do të flasim për një tjetër dhuratë të çmuar nga Perëndia​—beqarinë.

Si do të përgjigjeshe?

• Si duhet të ndikojë besnikëria te të krishterët e martuar?

• Pse forcohet martesa duke punuar në unitet?

• Në ç’mënyra të martuarit mund të ndjekin drejtimin e Perëndisë?

• Si mund të tregojmë respekt për Jehovain, Nismëtarin e martesës?

[Pyetjet]

[Figurat në faqen 15]

Kur çiftet punojnë së bashku, ruajnë unitetin