Rri gati!
Rri gati!
«Jini gati, sepse Biri i njeriut vjen në një orë që ju s’e mendoni.»—MAT. 24:44.
1, 2. (a) Cilat ngjarje të parathëna në profecinë biblike mund të krahasohen me sulmin e një tigri? (b) Ç’duhet të bëjmë që të mbijetojmë kur Krishti të vijë si Ekzekutues?
PËR vite të tëra, një artist cirku i njohur i zbaviste njerëzit në auditor duke luajtur me qetësi me tigra Bengali të stërvitur. Ai tha: «Kur një kafshë ka besim te ti, ndihesh sikur të është bërë dhurata më e bukur në botë.» Por, më 3 tetor 2003, ky besim mori fund. Pa ndonjë arsye të dukshme, njëra prej kafshëve, një tigër i bardhë 172 kilogramësh, e sulmoi artistin. Ky sulm ishte krejt i papritur dhe stërvitësi i kafshëve u gjend i papërgatitur.
2 Edhe Bibla flet për ‘një bishë’, e cila do të sulmojë papritur. (Lexo Zbulesën 17:15-18.) Kush është kjo ‘bishë’ dhe kë do të sulmojë? Bisha përfaqëson Kombet e Bashkuara dhe tërë qeveritë e botës. Ajo do të sulmojë dhe do të shkatërrojë dhunshëm Babiloninë e Madhe, pra tërë fenë e rreme. Kjo do të jetë tronditëse për shumë njerëz, sepse bisha dhe Babilonia e Madhe janë si miq mes tyre. Janë pjesë e botës së Satanait. Por, kur do të ndodhë ky sulm? Nuk e dimë ditën ose orën. (Mat. 24:36) Dimë vetëm se do të ndodhë në një orë kur nuk e presim dhe koha që ka mbetur para se të fillojë ky sulm, është shkurtuar. (Mat. 24:44; 1 Kor. 7:29) Prandaj, është jetësore të rrimë gati frymësisht që kur të ndodhë ky sulm dhe Krishti të vijë si Ekzekutues, të jetë edhe Çlirimtari ynë. (Luka 21:28) Që të jemi gati për këto ngjarje, mund të mësojmë nga shërbëtorët besnikë të Perëndisë që ishin gati të përmbushnin caktimet e si rrjedhim panë me sytë e tyre plotësimin e premtimeve të Tij. A do t’i marrim për zemër këto përvoja nga jeta reale?
Rri gati si Noeja
3. Cilat kushte ia bënë të vështirë Noesë t’i shërbente Perëndisë me besnikëri?
3 Pavarësisht nga kushtet e neveritshme që mbizotëronin në tokë gjatë kohës së tij, Noeja qëndroi gati që të shihte përmbushjen e premtimit të Perëndisë. Imagjino sa vështirësi iu desh të përballonte Noesë, ndërsa engjëjt rebelë u materializuan në trajtë njerëzore dhe bashkëjetuan me gra të bukura! Nga këto bashkime të panatyrshme lindën pasardhës mbinjerëzorë, «të fuqishmit», të cilët e përdornin fuqinë e tyre më të madhe duke u sjellë me prepotencë ndaj të tjerëve. (Zan. 6:4) Mendo për dhunën që u shkaktua ndërsa këta gjigantë krijonin trazira kudo që shkonin. Si pasojë, mbizotëroi ligësia, dhe mendimet e sjellja e njerëzve u degjeneruan fare. Atëherë Zotëria Sovran Jehova nxori një dekret hyjnor që shënoi fillimin e fundit të asaj bote të paperëndishme.—Lexo Zanafillën 6:3, 5, 11, 12. *
4, 5. Në cilat mënyra kushtet në ditët e sotme janë të ngjashme me ditët e Noesë?
4 Jezui profetizoi se kushtet në ditët e sotme do të ishin të ngjashme me ato të ditëve të Noesë. (Mat. 24:37) Për shembull, edhe ne sot shohim ndërhyrjen e frymërave të liga. (Zbul. 12:7-9, 12) Këta engjëj demonë u materializuan në ditët e Noesë. Ndonëse tani u është ndaluar të materializohen si njerëz, ata përpiqen të kenë nën kontroll të rinj e të moshuar. Në prapaskenë, këta engjëj të zvetënuar nga ana seksuale kënaqen me veprimet e liga dhe të shthurura të njerëzve që arrijnë të zvetënojnë.—Efes. 6:11, 12.
5 Fjala e Perëndisë e përshkruan Djallin si «vrasës» dhe thotë se ai ka «mjetet për të shkaktuar vdekjen». (Gjoni 8:44; Hebr. 2:14) Fuqia e tij është e kufizuar kur bëhet fjalë për të shkaktuar drejtpërdrejt vdekjen. Gjithsesi, kjo frymë e egër përpiqet t’i mashtrojë dhe t’i tundojë njerëzit. Ai mbjell qëndrime vrasëse në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Për shembull, 1 në 142 fëmijë që lindin në Shtetet e Bashkuara, do të bëhet viktimë e vrasjes. A mendon se Jehovai do t’i kushtojë më pak vëmendje botës së sotme sesa në ditët e Noesë, ndërkohë që dhuna e pakuptimtë është kaq e përhapur? A do të qëndrojë pasiv?
6, 7. Si treguan besim dhe frikë Perëndie Noeja dhe familja e tij?
6 Në kohën e duhur, Noeja u njoftua se Perëndia kishte vendosur të sillte në tokë një përmbytje që të zhdukte tërë njerëzit. (Zan. 6:13, 17) Jehovai e udhëzoi Noenë të ndërtonte një «arkë», pra një objekt që ngjante si një kuti e madhe. Noeja dhe familja e tij i hynë punës. Çfarë i ndihmoi të bindeshin e të ishin gati kur mbërriti gjykimi i Perëndisë?
7 Besimi i thellë dhe frika nga Perëndia i shtynë Noenë dhe familjen e tij të vepronin siç kishte urdhëruar Ai. (Zan. 6:22; Hebr. 11:7) Si kryefamiljar, Noeja qëndroi syçelë frymësisht dhe nuk lejoi të ndyhej nga ajo botë e lashtë. (Zan. 6:9) Ai e dinte se familja e tij duhej të ruhej që të mos përvetësonte sjelljen e dhunshme dhe qëndrimin rebel të njerëzve përreth. Ishte e rëndësishme që ata të mos përpiheshin nga gjërat e përditshme të jetës. Perëndia u kishte caktuar një punë dhe ishte e domosdoshme që e gjithë familja ta përqendronte jetën në të.—Lexo Zanafillën 6:14, 18.
Noeja dhe familja e tij qëndruan gati
8. Ç’gjë e tregon se pjesëtarët e familjes së Noesë ishin të përkushtuar ndaj Perëndisë?
8 Tregimi biblik e përqendron vëmendjen te kryefamiljari Noe, por edhe gruaja e tij bashkë me djemtë dhe gratë e tyre, ishin adhurues të Jehovait. Profeti Ezekiel e vërtetoi këtë. Ai tha që, sikur Noeja të kishte jetuar në kohën e Ezekielit, bijtë e tij nuk do të kishin shpëtuar thjesht për shkak të drejtësisë së atit të tyre. Ata ishin të rritur dhe mund të zgjidhnin që të bindeshin ose të mos bindeshin. Pra, kishin dhënë personalisht prova të dashurisë për Perëndinë dhe për udhët e tij. (Ezek. 14:19, 20) Familja e Noesë e pranoi drejtimin e tij, tregoi besim si ai dhe nuk lejoi që ndikimi i të tjerëve t’i pengonte në punën që u kishte dhënë Perëndia.
9. Cilët shembuj besimi si Noeja kemi sot?
9 Sa inkurajuese është sot të shohim brenda vëllazërisë mbarëbotërore kryefamiljarë që bëjnë çmos të imitojnë Noenë! Ata e kuptojnë se nuk mjafton t’i sigurojnë familjes ushqim, veshje, strehim dhe arsimim. Duhet të kujdesen edhe për nevojat frymore. Duke
vepruar kështu, qëndrojnë gati për atë që do të bëjë së shpejti Jehovai.10, 11. (a) Si u ndien pa dyshim Noeja dhe familja e tij ndërsa ishin në arkë? (b) Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?
10 Noesë dhe familjes së tij iu deshën rreth 50 vjet që të ndërtonin arkën. Mendo sa punë kërkohej: e lyen me zift, e mbushën me ushqime dhe çuan brenda saj kafshët. Duhet të kenë hyrë e dalë nga arka shumë herë. Pas gjithë kësaj pune, aty nga fillimi i muajit nëntor të vitit 2370 p.e.s., më në fund erdhi përmbytja. Përfytyro skenën: atë ditë ata hynë në arkë dhe qëndruan brenda. Jehovai mbylli derën e saj dhe nisi të binte shi. Kjo nuk ishte thjesht një përmbytje lokale. Kataraktet e qiellit shpërthyen dhe një rrebesh i rrëmbyer goditi pareshtur arkën. (Zan. 7:11, 16) Njerëzit jashtë arkës vdiqën, kurse ata brenda saj shpëtuan. Çfarë mund të ketë ndier familja e Noesë? Patjetër, mirënjohje të thellë ndaj Perëndisë. Pa dyshim ata kanë menduar: «Sa të lumtur jemi që ecëm me Perëndinë e vërtetë dhe qëndruam gati!» (Zan. 6:9) A mund ta përfytyrosh veten pas Harmagedonit, teksa zemra të gufon nga një mirënjohje e ngjashme?
11 Asgjë nuk mund ta ndalë të Plotfuqishmin të përmbushë premtimin e tij që t’i japë fund këtij sistemi satanik. Pyet veten: «A kam besim absolut se asnjë nga premtimet e Perëndisë nuk do të dështojë, madje edhe në hollësinë më të vogël, dhe se të gjitha do të përmbushen në kohën që ai ka caktuar?» Nëse po, rri gati duke mbajtur gjithnjë në mend ‘ditën e Jehovait’ që po afrohet me shpejtësi.—2 Pjet. 3:12.
Moisiu qëndroi vigjilent
12. Ç’gjë mund t’ia kishte mjegulluar shikimin frymor Moisiut?
12 Le të shqyrtojmë një shembull tjetër. Nga pikëpamja njerëzore, dukej se Moisiu ishte në një pozitë tejet të privilegjuar në botën egjiptiane. Si djali i birësuar i vajzës së faraonit, ka të ngjarë që respektohej shumë dhe kishte ushqimet më të shijshme, veshjet më të mira e kushtet më luksoze. Ai mori arsimim të gjithanshëm. (Lexo Veprat 7:20-22.) Mund të kishte trashëguar një pasuri madhështore.
13. Si vazhdoi të përqendrohej Moisiu në premtimet e Perëndisë?
13 Me sa duket, stërvitja e hershme që mori nga prindërit, e ndihmoi Moisiun të kuptonte se ç’marrëzi ishte adhurimi i idhujve që praktikonin egjiptianët. (Dal. 32:8) Sistemi arsimor i Egjiptit dhe shkëlqimi i oborrit mbretëror, nuk e bënë Moisiun të braktiste adhurimin e vërtetë. Ai duhet të ketë medituar thellë rreth premtimeve që Perëndia u kishte bërë paraardhësve të tij dhe kishte një dëshirë të zjarrtë të ishte gati për të bërë vullnetin e Tij. Në fakt, Moisiu u tha bijve të Izraelit: «Jehovai . . . Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit, më ka dërguar te ju.»—Lexo Daljen 3:15-17.
14. Si u vunë në provë besimi dhe guximi i Moisiut?
14 Ndryshe nga të gjithë idhujt që përfaqësonin perënditë e pajeta të Egjiptit, Jehovai, Perëndia i vërtetë, ishte real për Moisiun. Ai jetonte si të shihte «Atë që është i padukshëm». Moisiu kishte besim se populli i Perëndisë do të çlirohej, por nuk e dinte se kur. (Hebr. 11:24, 25, 27) Dëshira e tij e fortë që t’i shihte hebrenjtë të lirë, u duk qartë kur mbrojti një skllav izraelit që po e keqtrajtonin. (Dal. 2:11, 12) Megjithatë, nuk kishte ardhur koha e Jehovait, prandaj Moisiut iu desh të jetonte si i arratisur në një vend të largët. Pa dyshim, për të ishte e vështirë që, nga kushtet e rehatshme në oborrin mbretëror egjiptian, të jetonte në shkretëtirë. Sidoqoftë, Moisiu qëndroi gati, duke qenë vigjilent ndaj çdo udhëzimi që i dha Jehovai. Kështu, Perëndia mundi ta përdorte për t’i çliruar vëllezërit e tij pasi kishte kaluar 40 vjet në Midian. Sipas drejtimit të Perëndisë, i bindur Moisiu u rikthye në Egjipt. Për të kishte ardhur koha që të kryente një caktim nga Perëndia dhe ta bënte veprën e Tij sipas mënyrës së Tij. (Dal. 3:2, 7, 8, 10) Kur u kthye në Egjipt, Moisiu, ‘më zemërbuti ndër të gjithë njerëzit’, kishte nevojë për besim dhe guxim që të dilte para faraonit. (Num. 12:3) Ai e bëri këtë jo vetëm një herë, por disa herë, ndërsa goditnin plagët. Ndërkohë, nga njëra plagë te tjetra, nuk e dinte se edhe sa herë do t’i duhej të dilte para faraonit.
15. Çfarë e ndihmoi Moisiun të qëndronte syçelë ndaj mundësive për të nderuar Atin e tij qiellor, pavarësisht nga pengesat?
15 Gjatë 40 viteve vijuese, nga 1513 p.e.s deri më 1473 p.e.s., Moisiu pësoi zhgënjime. Gjithsesi, kërkoi mundësi që të nderonte Jehovain dhe me gjithë zemër i nxiti edhe bashkëkombësit e tij izraelitë të bënin po njësoj. (Ligj. 31:1-8) Pse? Sepse e donte emrin dhe sovranitetin e Jehovait më tepër se emrin e vet. (Dal. 32:10-13; Num. 14:11-16) Pavarësisht nga zhgënjimet ose pengesat, edhe ne duhet të vazhdojmë të mbështetim sundimin e Perëndisë, të sigurt se kjo mënyrë të vepruari është më e mençur, më e drejtë dhe më e mirë se çdo gjë tjetër. (Isa. 55:8-11; Jer. 10:23) A ndihesh edhe ti kështu?
Rri zgjuar!
16, 17. Pse ka domethënie të thellë për ty Marku 13:35-37?
16 «Mbani sytë hapur dhe rrini zgjuar, sepse nuk e dini se kur është koha e caktuar.» (Mar. 13:33) Jezui e dha këtë paralajmërim kur po fliste për shenjën që do të karakterizonte përfundimin e këtij sistemi të lig. Shqyrto fjalët mbyllëse të profecisë së madhe të Jezuit të dokumentuar nga Marku: «Qëndroni vigjilentë, sepse nuk e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur a në mesnatë, kur të këndojë gjeli a herët në mëngjes, që kur të mbërrijë befas, të mos ju gjejë në gjumë. Atë që po jua them juve, ua them të gjithëve: qëndroni vigjilentë.»—Mar. 13:35-37.
17 Nxitja e Jezuit na bën të mendojmë. Ai iu referua katër ndërresave ose turneve të rojës së natës. Në turnin e fundit do të ishte e
vështirë të qëndroje zgjuar, sepse zgjaste pothuajse nga ora tre e mëngjesit deri në agim. Strategë të luftës thonë se kjo është koha më e volitshme për të sulmuar armikun, pasi ke më shumë mundësi ta zësh «në gjumë». Po kështu edhe sot, kur në kuptimin frymor bota po fle thellë, mund të na duhet maksimumi i përpjekjeve për të qëndruar zgjuar. A kemi ndonjë dyshim se duhet ‘të rrimë zgjuar’ dhe ‘të mbajmë sytë hapur’ për fundin e parathënë dhe për çlirimin tonë?18. Ç’privilegj tejet të çmuar kemi si Dëshmitarë të Jehovait?
18 Stërvitësi i kafshëve që përmendëm në fillim, mbijetoi nga sulmi i tigrit të Bengalit. Por, profecia biblike tregon në mënyrë të pagabueshme se as feja e rreme, as pjesa tjetër e këtij sistemi të lig, nuk do t’i shpëtojnë fundit që po afrohet. (Zbul. 18:4-8) Urojmë që të gjithë shërbëtorët e Perëndisë, të rinj e të moshuar, të kuptojnë sa serioze është që të bëjnë çmos të qëndrojnë gati për ditën e Jehovait, siç bënë Noeja dhe familja e tij. Jetojmë në një botë që e çnderon Perëndinë ku mësuesit e fesë së rreme, agnosticistët dhe ateistët tallen me Krijuesin. Por, nuk mund të rrezikojmë të ndikohemi prej tyre. Le të marrim për zemër shembujt që kemi shqyrtuar dhe të qëndrojmë syçelë ndaj mundësive për të mbrojtur dhe nderuar Jehovain si «Perëndi i perëndive», po si «Perëndia i madh, i fuqishëm e që të ngjall frikë»!—Ligj. 10:17.
[Shënimi]
^ par. 3 Në lidhje me ‘njëqind e njëzet vjetët’ që përmenden te Zanafilla 6:3, shih Kullën e Rojës të 15 dhjetorit 2010, faqja 30.
A të kujtohet?
• Pse Noeja duhej t’u jepte përparësi nevojave frymore të familjes?
• Në ç’mënyrë kohët tona janë jashtëzakonisht të ngjashme me ditët e Noesë?
• Pse Moisiu i mbajti sytë të përqendruar te premtimet e Jehovait pavarësisht nga zhgënjimet?
• Cilat profeci biblike të nxitin të qëndrosh zgjuar frymësisht?
[Pyetjet]
[Figura në faqen 25]
Noeja dhe familja e tij vazhduan të përqendroheshin në veprën e Jehovait
[Figura në faqen 26]
Premtimet e sigurta të Perëndisë e ndihmuan Moisiun të qëndronte syçelë