Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘O thellësi e mençurisë së Perëndisë!’

‘O thellësi e mençurisë së Perëndisë!’

‘O thellësi e mençurisë së Perëndisë!’

«O thellësi e pasurisë, e mençurisë dhe e njohurisë së Perëndisë! Sa të pahetueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!»​—ROM. 11:33.

1. Cili është privilegji më i madh për të krishterët e pagëzuar?

CILI është privilegji më i madh që të është dhënë ndonjëherë? Fillimisht mund të mendosh për ndonjë caktim që ke marrë në kongregacion ose për ndonjë nderim që të është bërë në punë a në shkollë. Megjithatë për të krishterët e pagëzuar, privilegji më i madh është që janë lejuar të kenë një marrëdhënie të ngushtë me të vetmin Perëndi të vërtetë, Jehovain. Si rrjedhim, ‘Perëndia i ka njohur’.​—1 Kor. 8:3; Gal. 4:9.

2. Pse është një privilegj kaq i madh të njohim Jehovain dhe ai të na njohë?

2 Pse është një privilegj kaq i madh të njohim Jehovain dhe ai të na njohë? Sepse nuk është vetëm Personi më i lartë në mbarë universin, por edhe Ai që i mbron ata që e duan. Profeti Naum u frymëzua të shkruante: «Jehovai është i mirë, një kala në ditë vuajtjeje, dhe e di se kush kërkon strehë tek ai.» (Nau. 1:7; Psal. 1:6) Në fakt, shpresa e jetës së përhershme varet nëse arrijmë të njohim Perëndinë e vërtetë dhe Birin e tij, Jezu Krishtin.​—Gjoni 17:3.

3. Çfarë përfshin të njohim Perëndinë?

3 Të njohim Perëndinë do të thotë më shumë sesa vetëm të dimë emrin e tij. Duhet të arrijmë ta njohim si Mik, të kuptojmë se çfarë i pëlqen dhe çfarë jo. Gjithashtu, një mënyrë e rëndësishme se si tregojmë se e njohim mirë Perëndinë është duke jetuar sipas kësaj njohurie. (1 Gjon. 2:4) Por, kërkohet edhe diçka tjetër nëse dëshirojmë vërtet ta njohim Jehovain. Kemi nevojë të dimë jo vetëm çfarë ka bërë, por edhe si e ka bërë dhe pse ka vepruar në këtë mënyrë. Sa më shumë i kuptojmë qëllimet e Jehovait, aq më shumë mrekullohemi nga ‘thellësia e mençurisë së Perëndisë’.​—Rom. 11:33.

Një Perëndi që vepron sipas një qëllimi

4, 5. (a) Kujt i referohet fjala «qëllim», siç përdoret në Bibël? (b) Ilustroni se si një qëllim mund të arrihet në më shumë se një mënyrë.

4 Jehovai është një Perëndi që vepron sipas një qëllimi dhe Bibla flet për «qëllimin e [tij të] përjetshëm». (Efes. 3:10, 11) Ç’do të thotë në të vërtetë kjo shprehje? Fjala «qëllim», siç përdoret në Bibël, i referohet një synimi specifik që mund të arrihet në më shumë se një mënyrë.

5 Ta ilustrojmë: dikush dëshiron të shkojë në një vend të caktuar. Arritja në atë vend bëhet synimi ose qëllimi i tij. Ai mund të ketë alternativa të ndryshme për sa i përket mjeteve të transportit dhe rrugës që do të ndjekë. Ndërsa udhëton në rrugën që ka zgjedhur, mund të hasë kushte atmosferike të papritura, trafik të rënduar dhe rrugë të bllokuara, të cilat bëjnë që ai të shkojë nga një rrugë tjetër. Pavarësisht se çfarë përshtatjesh mund të ketë nevojë të bëjë, prapëseprapë, kur të mbërrijë në vendin e caktuar, do ta ketë arritur synimin e tij.

6. Si është treguar elastik Jehovai për sa i përket përmbushjes së qëllimit të tij?

6 Po kështu, Jehovai është treguar mjaft elastik për sa i përket përmbushjes së qëllimit të tij të përjetshëm. Duke marrë parasysh vullnetin e lirë të krijesave të tij me aftësi për të arsyetuar, ai e përshtat menjëherë mënyrën për të arritur qëllimin e vet. Për shembull, le të shqyrtojmë se si e ka çuar përpara Jehovai qëllimin e tij për sa i përket Farës së premtuar. Në fillim, i tha çiftit të parë njerëzor: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» (Zan. 1:28) A u pengua ky qëllim nga rebelimi në kopshtin e Edenit? Absolutisht jo! Jehovai reagoi menjëherë ndaj asaj situate të re duke përdorur një «rrugë» tjetër për të arritur qëllimin e tij. Ai paratha shfaqjen e një ‘fare’ që do të zhbënte dëmin e shkaktuar nga rebelët.​—Zan. 3:15; Hebr. 2:14-17; 1 Gjon. 3:8.

7. Çfarë mësojmë nga mënyra si e përshkruan veten Jehovai te Dalja 3:14?

7 Aftësia e Jehovait për t’u përshtatur me rrethanat e reja, ndërsa e çon drejt përmbushjes qëllimin e tij, është në përputhje me përshkrimin që i bëri vetes. Kur Moisiu i foli Jehovait për pengesat e mundshme në caktimin që i kishte dhënë, Ai e siguroi: «‘UNË DO TË BËHEM ÇDO GJË QË DUA TË BËHEM.’ Pastaj shtoi: “Ja çfarë do t’u thuash bijve të Izraelit: ‘UNË DO TË BËHEM më ka dërguar te ju.’”» (Dal. 3:14) Po, Jehovai është në gjendje të bëhet çfarëdo të nevojitet të bëhet, që të plotësojë qëllimin e tij. Kjo ilustrohet bukur nga apostulli Pavël në kapitullin e 11-të të librit të Romakëve. Atje, ai flet për një ulli simbolik. Shqyrtimi i këtij ilustrimi do të na e rritë çmueshmërinë për thellësinë e mençurisë së Jehovait, pavarësisht nëse kemi shpresën të shkojmë në qiell ose të jetojmë përgjithmonë këtu në tokë.

Qëllimi i Jehovait në lidhje me Farën e parathënë

8, 9. (a) Cilat janë katër faktet bazë që do të na ndihmojnë të kuptojmë ilustrimin e ullirit? (b) Përgjigjja e cilës pyetje zbulon sa elastik është Jehovai për sa i përket përmbushjes së qëllimit të tij?

8 Para se të kuptojmë ilustrimin e ullirit, kemi nevojë të dimë katër fakte rreth zhvillimit të qëllimit të Jehovait në lidhje me farën e parathënë. Së pari, Jehovai i premtoi Abrahamit se me anë të farës ose pasardhësve të tij, ‘do të arrinin të merrnin bekime të gjitha kombet e tokës’. (Zan. 22:17, 18) Së dyti, kombit të Izraelit që erdhi nga Abrahami, iu ofrua mundësia që prej tyre të krijohej «një mbretëri priftërinjsh». (Dal. 19:5, 6) Së treti, kur shumica e izraelitëve natyrorë nuk e pranoi Mesinë, Jehovai ndërmori hapa të tjerë që të krijonte «një mbretëri priftërinjsh». (Mat. 21:43; Rom. 9:27-29) Së fundi, ndonëse është Jezui pjesa kryesore e farës së Abrahamit, edhe të tjerëve u jepet privilegji që të bëhen pjesë e kësaj fare.​—Gal. 3:16, 29.

9 Për më tepër, përveç këtyre katër fakteve bazë, libri i Zbulesës tregon se numri i përgjithshëm i atyre që do të sundojnë me Jezuin si mbretër dhe priftërinj në qiell, është 144.000. (Zbul. 14:1-4) Edhe për këta thuhet se janë ‘bij të Izraelit’. (Zbul. 7:4-8) Por, a janë të gjithë këta 144.000 izraelitë ose judenj natyrorë? Përgjigjja e kësaj pyetjeje zbulon sa elastik është Jehovai për sa i përket përmbushjes së qëllimit të tij. Le të shohim tani se si letra e apostullit Pavël drejtuar romakëve na ndihmon të gjejmë përgjigjen.

«Një mbretëri priftërinjsh»

10. Ç’mundësi kishte vetëm kombi i Izraelit?

10 Siç u përmend më parë, vetëm kombi i Izraelit kishte mundësinë që prej tij të siguroheshin pjesëtarë që do të formonin ‘një mbretëri priftërinjsh dhe një komb të shenjtë’. (Lexo Romakëve 9:4, 5.) Por, çfarë do të ndodhte kur të vinte Fara e premtuar? A do të siguronte kombi i Izraelit natyror numrin e plotë të 144.000 izraelitëve frymorë që do të bëheshin pjesa dytësore e farës së Abrahamit?

11, 12. (a) Kur nisi zgjedhja e atyre që do të formonin Mbretërinë qiellore dhe si reagoi shumica e judenjve të asaj kohe? (b) Si e plotësoi Jehovai ‘numrin e plotë’ të atyre që do të bëheshin fara e Abrahamit?

11 Lexo Romakëve 11:7-10. Si komb, judenjtë e shekullit të parë e hodhën poshtë Jezuin. Prandaj, e humbën mundësinë që të ishin të vetmit nga do të sigurohej fara e Abrahamit. Sidoqoftë, kur në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. nisi zgjedhja e atyre që do të formonin ‘mbretërinë qiellore me priftërinj’, disa judenj me zemër të drejtë e pranuan ftesën. Këta ishin disa mijëra dhe përbënin «një mbetje» në krahasim me tërë kombin jude.​—Rom. 11:5.

12 Por, si do ta plotësonte Jehovai ‘numrin e plotë’ të atyre që do të bëheshin fara e Abrahamit? (Rom. 11:12, 25) Vini re përgjigjen që dha apostulli Pavël: «Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ka dështuar fjala e Perëndisë. Sepse jo të gjithë që vijnë nga Izraeli [natyror], janë vërtet ‘Izrael’. Edhe pse janë farë [pasardhje] e Abrahamit, nuk janë të gjithë fëmijë [pjesë e farës abrahamike]. . . . Kjo do të thotë se fëmijët sipas mishit nuk janë vërtet fëmijë të Perëndisë, por fëmijët sipas premtimit llogariten si fara.» (Rom. 9:6-8) Pra, prejardhja fizike nga Abrahami nuk ishte një kërkesë e domosdoshme për plotësimin e qëllimit të Jehovait në lidhje me farën.

Ulliri simbolik

13. Çfarë përfaqëson (a) ulliri, (b) rrënja, (c) trungu dhe (ç) degët e tij?

13 Apostulli Pavël vazhdon më tej duke i krahasuar ata që bëhen pjesë e farës së Abrahamit me degët e një ulliri simbolik. * (Rom. 11:21) Ky ulli i butë përfaqëson plotësimin e qëllimit që Perëndia kishte ndër mend kur bëri besëlidhjen me Abrahamin. Rrënja e pemës është e shenjtë dhe përfaqëson Jehovain, atë që i jep jetë Izraelit frymor. (Isa. 10:20; Rom. 11:16) Trungu përfaqëson Jezuin si pjesa kryesore e farës së Abrahamit. Degët, të gjitha së bashku, përfaqësojnë ‘numrin e plotë’ të atyre që përfshihen në pjesën dytësore të farës së Abrahamit.

14, 15. Cilët «u prenë» nga ulliri i butë dhe cilët u shartuan në të?

14 Në ilustrimin e ullirit, judenjtë natyrorë që hodhën poshtë Jezuin krahasohen me degët e ullirit që «u prenë». (Rom. 11:17) Kështu ata humbën mundësinë që të bëheshin pjesë e farës së Abrahamit. Por, cilët do t’i zëvendësonin? Nga këndvështrimi i judenjve natyrorë, të cilët krenoheshin me prejardhjen fizike nga Abrahami, përgjigjja do të ishte e paimagjinueshme. Por Gjon Pagëzori tashmë i kishte paralajmëruar se, po të donte, Jehovai mund t’i jepte Abrahamit fëmijë nga gurët.​—Luka 3:8.

15 Atëherë, çfarë bëri Jehovai që të plotësonte qëllimin e tij? Pavli shpjegon se degët e një ulliri të egër u shartuan në një ulli të butë që të zëvendësonin të prerat. (Lexo Romakëve 11:17, 18.) Pra, të krishterët e mirosur nga fryma që vinin nga kombet, si për shembull disa nga kongregacioni i Romës, në mënyrë të figurshme u shartuan në këtë ulli simbolik. Kështu u bënë pjesë e farës së Abrahamit. Në fillim ata ishin si degët e ullirit të egër, pra nuk kishin asnjë mundësi të bëheshin pjesë e kësaj besëlidhjeje të veçantë. Por Jehovai u dha mundësinë që të bëheshin judenj frymorë.​—Rom. 2:28, 29.

16. Si e shpjegoi apostulli Pjetër formimin e kombit të ri frymor?

16 Apostulli Pjetër e shpjegon situatën në këtë mënyrë: «Për ju [izraelitët frymorë, ku përfshiheshin edhe të krishterët jojudenj] ai [Jezu Krishti] është i çmuar, sepse ju jeni besimtarë, por për ata që nuk besojnë, ‘po ai gur që ndërtuesit e hodhën poshtë, u bë guri i qoshes’, dhe ‘gur pengese e shkëmb shkeljeje’. . . . Kurse ju jeni ‘racë e zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull për zotërim të veçantë, që të shpallni kudo virtytet’ e atij që ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme. Sepse dikur nuk ishit një popull, por tani jeni populli i Perëndisë. Ju ishit ata, të cilëve nuk u ishte treguar mëshirë, por tani jeni ata, të cilëve u është treguar mëshirë.»​—1 Pjet. 2:7-10.

17. Pse ajo që bëri Jehovai ishte «kundër natyrës»?

17 Jehovai bëri diçka që shumë do ta mendonin si krejt të papritur. Pavli e përshkroi atë që ndodhi si «kundër natyrës». (Rom. 11:24) Përse? Sepse do të ishte e pazakontë, madje e panatyrshme, të shartoje një degë ulliri të egër në një ulli të butë; megjithatë, tamam këtë bënin disa bujq në shekullin e parë. * Në mënyrë të ngjashme, Jehovai bëri diçka të jashtëzakonshme. Nga këndvështrimi i judenjve, jojudenjtë nuk ishin të aftë të prodhonin fryt të pranueshëm. Por, pikërisht ata Jehovai i bëri pjesë të «një kombi» që prodhonte fryt. (Mat. 21:43) Duke filluar me mirosjen e Kornelit në vitin 36 të e.s., i cili ishte jojudeu i parë i parrethprerë që u bë i krishterë, jojudenjve të parrethprerë iu dha mundësia të shartoheshin në këtë ulli simbolik.​—Vep. 10:44-48. *

18. Ç’mundësi kishin judenjtë natyrorë pas vitit 36 të e.s.?

18 A do të thotë kjo se pas vitit 36 të e.s., judenjtë natyrorë nuk kishin më mundësi të bëheshin pjesë e farës së Abrahamit? Jo. Pavli shpjegon: «Edhe ata [judenjtë natyrorë], nëse nuk janë më njerëz që u mungon besimi, do të shartohen, sepse Perëndia është në gjendje t’i shartojë përsëri. Përderisa u preve ti nga ulliri që është i egër prej natyre dhe kundër natyrës u shartove në ulli të butë, aq më tepër këta, që janë natyrorë, do të shartohen në ullirin e vet!» *​—Rom. 11:23, 24.

«Gjithë Izraeli do të shpëtojë»

19, 20. Çfarë po bën Jehovai, siç ilustrohet nga ulliri simbolik?

19 Po, qëllimi i Jehovait në lidhje me «Izraelin e Perëndisë» po përmbushet në mënyrë të mrekullueshme. (Gal. 6:16) Siç tha Pavli, «gjithë Izraeli do të shpëtojë». (Rom. 11:26) Në kohën e duhur sipas Jehovait, «gjithë Izraeli», domethënë numri i plotë i izraelitëve frymorë, do të shërbejë si mbretër dhe priftërinj në qiell. Asgjë nuk mund të shkaktojë dështimin e qëllimit të Jehovait!

20 Siç ishte parathënë, fara e Abrahamit, pra Jezu Krishti dhe 144.000 të mirosurit, do t’u sjellin bekime ‘njerëzve të kombeve’. (Rom. 11:12; Zan. 22:18) Kështu, i gjithë populli i Perëndisë nxjerr dobi nga kjo masë. Vërtet, ndërsa shqyrtojmë plotësimin e qëllimit të përjetshëm të Jehovait, nuk mund të bëjmë gjë tjetër veçse të mrekullohemi me ‘thellësinë e pasurisë, të mençurisë dhe të njohurisë së Perëndisë’.​—Rom. 11:33.

[Shënimet]

^ par. 13 Nga sa duket, ulliri nuk ilustron Izraelin natyror. Ndonëse Izraeli natyror nxori mbretër dhe priftërinj, kombi nuk u bë një mbretëri priftërinjsh. Mbretërve në Izrael u ndalohej nga ligji të bëheshin priftërinj. Prandaj, Izraeli natyror nuk shërbeu si një ulli i figurshëm. Pavli po ilustron se në ç’mënyrë qëllimi i Perëndisë për të formuar «një mbretëri priftërinjsh» plotësohet në lidhje me Izraelin frymor. Kjo përditëson atë që u botua në Kullën e Rojës 15 gusht 1983, faqet 14-19, angl.

^ par. 17 Kjo ndodhi në fund të periudhës prej tre vjet e gjysmë, gjatë së cilës vetëm judenjve natyrorë iu dha mundësia të bëheshin pjesë e kombit të ri frymor. Profecia rreth 70 javëve vjetore parathoshte këtë zhvillim.​—Dan. 9:27.

^ par. 18 Në gjuhën origjinale, këtu u përdor një parashtesë greke për të treguar se kjo pemë ishte «e mirë, e shkëlqyer» ose «më se e përshtatshme për qëllimet e saj». Parashtesa përdoret sidomos për gjërat që përmbushin qëllimin për të cilin janë bërë.

A ju kujtohet?

• Çfarë mësojmë për Jehovain nga mënyra si e plotëson qëllimin e tij?

• Çfarë përfaqëson te kapitulli i 11-të i Romakëve . . .

ulliri?

rrënja?

trungu?

degët?

• Pse shartimi ishte «kundër natyrës»?

[Pyetjet]

[Kutia dhe figura në faqen 24]

 Pse shartoheshin me degë ulliri të egër?

▪ Lucius Junius Moderatus Kolumela ishte një ushtarak dhe fermer romak që jetoi në shekullin e parë të e.s. Ai është mjaft i njohur për 12 librat që shkroi rreth jetës së fshatit dhe bujqësisë.

Në librin e tij të pestë, ai citon këtë proverb të lashtë: «Kush e lëron ullishten, kërkon prej saj fryt; kush e plehëron, ngulmon të marrë fryt; kush e krasit, e detyron të japë fryt.»

Pasi përshkruan pemët që janë të shëndetshme, por që nuk arrijnë të japin fryt, ai rekomandon procedurën vijuese: «Është mirë t’i shposh pemët me një turjelë dhe të futësh aty me forcë një kalem të gjelbër nga një ulli i egër; si rezultat, pema që, si të thuash, është mbarsur me degë të frytshme, bëhet më frytdhënëse.»

[Figura në faqen 23]

A e kuptoni ilustrimin për ullirin simbolik?