Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kulla e Rojës: Botimi në anglishten e thjeshtuar

Kulla e Rojës: Botimi në anglishten e thjeshtuar

Kulla e Rojës: Botimi në anglishten e thjeshtuar

JEMI të lumtur të njoftojmë se për një periudhë prove prej një viti, duke filluar me këtë numër të botimit për studim të Kullës së Rojës, do të kemi njëkohësisht çdo muaj një botim në anglishten e thjeshtuar. Ky botim do të përmbajë artikujt e studimit dhe, nëse hapësira e lejon, artikuj dytësorë të përzgjedhur. Besojmë se kjo do të plotësojë një nevojë frymore jetësore për shumë Dëshmitarë të Jehovait. Përse?

Anglishtja flitet gjerësisht nga vëllezërit tanë në vende të tilla, si: Fixhi, Ganë, Ishujt Solomon, Kenia, Liberi, Nigeri dhe Papua Guineja e Re. Megjithëse vëllezërit në këto vende mund të flasin gjuhë të tjera vendëse, shpesh përdorin anglishten gjatë komunikimit të përditshëm në mbledhjet e kongregacionit dhe në shërbim. Por, anglishtja që përdorin është më e thjeshtë se ajo e botimeve tona. Po ashtu, mes popullit të Jehovait ka të tjerë që janë transferuar në vende ku u duhet të përdorin anglishten për të komunikuar, ndonëse njohuria që kanë për këtë gjuhë është mjaft e kufizuar. Për më tepër, ata nuk mund të ndjekin mbledhjet e kongregacionit në gjuhën amtare.

Artikujt që shqyrtojmë çdo javë në Studimin e Kullës së Rojës, janë mjeti kryesor për të na mbajtur të ushqyer mirë me ushqim frymor në kohën e duhur. Prandaj, për të ndihmuar të gjithë të pranishmit që të nxjerrin plotësisht dobi nga ky material, te botimi në anglishten e thjeshtuar përdoret një fjalor më i reduktuar, me gramatikë dhe sintaksë të thjeshtuar. Ky botim i ri do të ketë një kapak të veçantë. Nëntitujt, paragrafët, pyetjet e paragrafëve dhe figurat në artikujt e studimit, do të përkojnë me ata në botimin standard. Kështu, në Studimin e Kullës së Rojës, të gjithë mund të ndjekin me njërin botim ose me tjetrin, dhe të marrin pjesë me komente. Për të kuptuar ndryshimin midis gjuhës së përdorur në secilin botim në anglisht, shihni shembullin më poshtë që është marrë nga paragrafi i 2-të i artikullit të parë të studimit të këtij numri.

Shpresojmë që kjo masë e re t’u përgjigjet lutjeve të shumë vetave që i kanë thënë Jehovait: «Më ndihmo të kuptoj, që të mësoj urdhërimet e tua.» (Psal. 119:73) Jemi të sigurt se ata që kanë njohuri të kufizuar të anglishtes, si edhe disa fëmijë anglishtfolës, do të arrijnë të përgatiten më mirë për Studimin e Kullës së Rojës çdo javë. Të gjitha falënderimet ia japim Jehovait që nga ‘dashuria për gjithë vëllazërinë’ po përdor ‘skllavin e besueshëm dhe të matur’ për të dhënë ushqim frymor me bollëk.​—1 Pjet. 2:17; Mat. 24:45.

Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait