Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të gëzojmë së bashku!

Le të gëzojmë së bashku!

Le të gëzojmë së bashku!

LUMTURIA dhe gëzimi po bëhen gjithnjë e më të paarritshme. Për shumë veta, duket pothuajse e pamundur të gëzojnë me të tjerët. Jeta moderne, sidomos në qytetet e mëdha, i ka bërë njerëzit të mbyllen në vetvete e të veçohen.

«Vetmia është një gjendje shumë e zakonshme,—thotë Alberto Oliverio, profesor i psikobiologjisë,—[dhe] nuk ka dyshim që jeta në qytetet e mëdha e bën më të lehtë veçimin. Në shumë raste, kjo na bën të shpërfillim jetën private të një kolegu të zyrës, të një fqinji apo të shitëses në supermarketin e lagjes.» Shpesh, ky veçim sjell depresion.

Megjithatë, gjendja e të krishterëve është ndryshe, e po kështu edhe fryma e tyre. Apostulli Pavël shkroi: «Gëzoni gjithmonë.» (1 Sel. 5:16) Kemi shumë arsye për të qenë të lumtur dhe për të gëzuar së bashku. Adhurojmë Perëndinë Më të Lartë, Jehovain; kuptojmë mesazhin e së vërtetës biblike; kemi shpresën e shpëtimit e të jetës së përhershme, si dhe mund të ndihmojmë të tjerët të marrin të njëjtat bekime.​—Psal. 106:4, 5; Jer. 15:16; Rom. 12:12.

Të jesh i gëzuar dhe të gëzosh me të tjerët janë karakteristika të të krishterëve të vërtetë. Prandaj, nuk habitemi që Pavli u shkroi filipianëve: «Jam i lumtur dhe gëzoj me të gjithë ju. Tani, edhe ju jini po ashtu të lumtur dhe gëzoni me mua.» (Filip. 2:17, 18) Këtu, vetëm me pak fjalë, Pavli thotë dy herë të jemi të lumtur e të gëzojmë me të tjerët.

Natyrisht, të krishterët duhet të kenë kujdes që të shmangin çdo prirje për t’u veçuar. Askush që veçohet nuk mund të gëzojë me bashkëbesimtarët. Prandaj, si ta ndjekim nxitjen e Pavlit që ‘të vazhdojmë të gëzojmë’ me vëllezërit tanë ‘në unitet me Zotërinë’?​—Filip. 3:1.

Të gëzojmë me bashkëbesimtarët

Kur u shkroi letrën e tij filipianëve, ka të ngjarë që Pavli të ketë qenë i burgosur në Romë, për shkak të aktivitetit të predikimit. (Filip. 1:7; 4:22) Megjithatë, burgu nuk ia shoi entuziazmin për shërbimin. Përkundrazi, gjente gëzim që t’i shërbente Jehovait sa më shumë që mundej dhe ‘të derdhej si një blatim në pije’. (Filip. 2:17) Qëndrimi i Pavlit tregon se gëzimi nuk varet nga rrethanat që kemi. Ndonëse ishte i izoluar, ai tha: «Do të gëzoj gjithmonë.»​—Filip. 1:18.

Pavli e kishte themeluar kongregacionin në Filipi dhe ndiente një përzemërsi të veçantë për vëllezërit e atjeshëm. Ai e dinte se edhe ata do të inkurajoheshin, nëse do të ndante me ta gëzimin që provonte në shërbim të Jehovait. Prandaj, shkroi: «Tani, vëllezër, dua të dini se ato që më ndodhën mua, dolën për përparimin e lajmit të mirë, dhe jo për gjë tjetër, aq sa, në mbarë Gardën Pretoriane e mes gjithë të tjerëve, u bë e ditur gjerësisht se jam në vargonj për besimin te Krishti.» (Filip. 1:12, 13) Tregimi i kësaj përvoje inkurajuese ishte një mënyrë se si Pavli provonte lumturi dhe gëzonte me vëllezërit e tij. Nga ana e tyre, edhe filipianët duhet të kenë gëzuar me Pavlin. Megjithatë, kjo kërkonte që të mos shkurajoheshin nga ato që po hiqte Pavli. Përkundrazi, duhej të imitonin shembullin e tij. (Filip. 1:14; 3:17) Për më tepër, filipianët mund të vazhdonin ta përmendnin Pavlin në lutjet e tyre dhe t’i jepnin çdo ndihmë e mbështetje që mundeshin.​—Filip. 1:19; 4:14-16.

A shfaqim edhe ne të njëjtën frymë të gëzuar si Pavli? A përpiqemi të shohim anët pozitive të rrethanave tona në jetë dhe në shërbimin e krishterë? Kur shoqërohemi me vëllezërit, është mirë të gëzohemi për veprën e predikimit. S’ka nevojë të presim përvoja të bujshme për t’u gëzuar. Ndoshta kemi arritur të ngjallim interes për mesazhin e Mbretërisë me ndonjë prezantim veçanërisht të efektshëm ose me ndonjë mënyrë të arsyetuari. Mbase kemi bërë një bisedë të kënaqshme në ndonjë shtëpi për një varg biblik. Ose, thjesht në territor mund të na kenë njohur si Dëshmitarë të Jehovait dhe vetëm kjo mjaftoi që të jepnim një dëshmi të shkëlqyer. Të flasim me të tjerët për këto përvoja, është një mënyrë për të gëzuar me ta.

Shumë shërbëtorë të Jehovait kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë sakrifica për të kryer veprën e predikimit. Pionierët, mbikëqyrësit udhëtues, bethelitët, misionarët dhe shërbëtorët ndërkombëtarë i janë kushtuar shërbimit të plotkohor, dhe kjo u sjell gëzim. A jemi të lumtur dhe a gëzojmë bashkë me ta? Nëse po, atëherë le t’u tregojmë mirënjohje këtyre ‘bashkëpunëtorëve të dashur për mbretërinë e Perëndisë’. (Kolos. 4:11) Kur jemi bashkë në mbledhjet e kongregacionit ose në asamble më të mëdha të krishtere, mund t’i inkurajojmë me ngrohtësi. Gjithashtu, mund të imitojmë shembullin e tyre të zellshëm. Po ashtu, mund të krijojmë ‘raste’ për të dëgjuar përvojat dhe fjalët e tyre ndërtuese, duke u treguar mikpritje, mbase duke i ftuar për një vakt në shtëpi.​—Filip. 4:10.

Të gëzojmë me ata që hasin sprova

Qëndrueshmëria gjatë përndjekjeve dhe kapërcimi i sprovave, ia forcuan Pavlit vendosmërinë që t’i mbetej besnik Jehovait. (Kolos. 1:24; Jak. 1:2, 3) Dijenia se edhe vëllezërit në Filipi mund të hasnin sprova të ngjashme dhe do të inkurajoheshin nga ngulmimi i tij, i dha Pavlit arsye që të ishte i lumtur e të gëzohej me ta. Prandaj, ai shkroi: «Juve ju dha privilegji që jo vetëm të tregoni besim te Krishti, por edhe të vuani për të, pasi keni të njëjtën betejë që po bëj edhe unë, e për të cilën dëgjoni tani për mua.»​—Filip. 1:29, 30.

Në mënyrë të ngjashme sot, të krishterët hasin kundërshtime për shkak të veprës së dëshmisë. Disa herë, këto kundërshtime janë të dhunshme, por shpesh janë në forma më tinëzare. Mund të jenë akuza të rreme nga apostatët, armiqësi nga pjesëtarët e familjes, tallje nga kolegët e punës ose shokët e klasës. Jezui paralajmëroi se këto sprova nuk duhet të na habitin dhe as të na shkurajojnë. Përkundrazi, janë arsye për t’u gëzuar. Ai tha: «Lum ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju përndjekin dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim! Gëzoni dhe hovni nga gëzimi, sepse i madh është shpërblimi juaj në qiej.»​—Mat. 5:11, 12.

Nuk duhet të trembemi ose të tmerrohemi kur dëgjojmë se vëllezërit tanë hasin përndjekje të rënda në disa vende. Përkundrazi, duhet të gëzojmë për ngulmimin e tyre. Mund të lutemi për ta e t’i kërkojmë Jehovait që të vazhdojë t’u japë besim dhe qëndrueshmëri. (Filip. 1:3, 4) Edhe sikur të mos jemi në gjendje të bëjmë shumë për këta vëllezër të dashur, mund të ndihmojmë ata që po kalojnë sprova në kongregacionin tonë. Mund të interesohemi për ta e t’i mbështetim. Mund të krijojmë raste për të gëzuar me ta, duke i ftuar herë pas here që të jenë bashkë me ne në mbrëmjen e Adhurimit Familjar, duke dalë me ta në shërbim dhe duke u zbavitur së bashku.

Kemi shumë arsye për të gëzuar së bashku! Le t’i rezistojmë frymës së veçimit të botës dhe të vazhdojmë të gëzojmë me vëllezërit tanë. Në këtë mënyrë, do të japim ndihmesën tonë që kongregacioni të ketë dashuri dhe unitet, si dhe do të gëzojmë plotësisht me vëllazërinë e krishterë. (Filip. 2:1, 2) Po, ‘le të gëzojmë përherë në Zotërinë’, sepse Pavli na nxit: «Edhe një herë ua them: gëzoni!»​—Filip. 4:4.

[Burimi i figurës në faqen 6]

Globi: Me mirësjellje nga Replogle Globes