Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jehovai ‘përditë mban barrën time’

Jehovai ‘përditë mban barrën time’

Me gjithë gjendjen shëndetësore të paqëndrueshme, gati-gati të padurueshme, tërë jetën kam provuar mbështetjen e ngrohtë të Atit tonë të dashur qiellor. Gjithashtu, për më shumë se 20 vjet kam ndier gëzim të veçantë duke i shërbyer Jehovait si pioniere.

Linda më 1956 me sëmundjen e shpinës së ndarë. Për shkak të dëmtimit të nervave nga mosmbyllja e plotë e kanalit të shtyllës kurrizore, mezi eci dhe kam probleme të tjera të rënda shëndetësore.

Para se të lindja, dy misionarë Dëshmitarë të Jehovait filluan të studionin Biblën me prindërit e mi. Gjatë fëmijërisë, në Usakos të Namibisë, qyteti ku linda, kishte vetëm pak lajmëtarë tek-tuk. Prandaj, materialin për mbledhjet e shqyrtonim si familje. Kur isha shtatë vjeçe, bëra urostomi, një operacion për të krijuar një rrugë artificiale për kalimin e urinës. Kur isha 14 vjeçe, u sëmura me epiIepsi. Për të vajtur në gjimnazin më të afërt, duhej të bëja goxha rrugë dhe kisha nevojë për kujdes të veçantë nga prindërit, prandaj nuk e mbarova dot shkollën.

Gjithsesi, vendosa të forcoja marrëdhënien me Jehovain. Në atë kohë shumë nga botimet tona nuk ishin në gjuhën afrikanse, gjuhën time amtare. Kështu mësova të lexoja anglisht që të studioja disa nga librat tanë. U bëra lajmëtare e Mbretërisë dhe u pagëzova kur isha 19 vjeçe. Gjatë katër viteve të tjera pata shumë probleme shëndetësore dhe emocionale. Veç kësaj, në qytetin tim, ku njerëzit janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, frika nga njeriu më pengonte të merrja pjesë me zell në shërbim.

Në fillim të të 20-ave, u transferuam nga Namibia në Afrikën e Jugut dhe, për herë të parë, kisha mundësinë të shoqërohesha me një kongregacion. Çfarë mrekullie! Megjithatë, duhej të bëja një operacion tjetër—kësaj here një kolostomi.

Pas njëfarë kohe, dëgjova një mbikëqyrës qarkor që foli për shërbimin si pionier. Komentet e tij më prekën thellë. E dija se shëndeti im nuk ishte i përsosur, por shihja se me Jehovain përballoja shumë vështirësi. Kështu bëra kërkesën për pioniere të rregullt. Mirëpo, për shkak të problemeve shëndetësore, pleqtë ngurruan ta miratonin kërkesën time.

Prapëseprapë, vendosa të bëja më të mirën në veprën e predikimit për Mbretërinë. Me ndihmën e mamasë dhe të të tjerëve, ia dola t’i bëja orët e pionierit për gjashtë muaj rresht. Kjo tregoi se isha e vendosur të shërbeja si pioniere dhe se mund t’ia dilja me gjithë sëmundjet. E plotësova prapë kërkesën, dhe këtë herë m’u miratua. Më 1 shtator 1988, u bëra pioniere e rregullt.

Si pioniere, kam provuar vazhdimisht mbështetjen e Jehovait. U mësoj të tjerëve të vërtetën në vend që të përqendrohem te situata ime dhe kjo më ka mbrojtur, më ka ushqyer shpirtërisht dhe më ka ndihmuar të rritem frymësisht. Nuk e përshkruaj dot me fjalë gëzimin që kam provuar duke ndihmuar mjaft veta deri në kushtim dhe pagëzim.

Shëndetin e kam akoma të paqëndrueshëm. Por, Jehovai ‘përditë mban barrën time’. (Psal. 68:19) Ai nuk më ndihmon thjesht të shtyj ditët e mia; falë tij e shijoj jetën.