Si të ndihmojmë që të kujdesemi për nevojat e të tjerëve?
«DHUNA që shpërtheu pas humbjes së zgjedhjeve shumë të diskutuara, i detyroi mijëra Dëshmitarë të Jehovait të largoheshin nga shtëpitë»,
Vëllezërit nga zyra e degës reaguan shpejt, duke dërguar fonde dhe gjëra të nevojshme për Dëshmitarët e shpërngulur që ishin grumbulluar në Sallat e Mbretërisë anekënd vendit. Grupet rivale ngritën postblloqe, por, ngaqë të dyja palët e dinin se Dëshmitarët ishin krejtësisht asnjanës, në përgjithësi kamionët e degës i lejuan të kalonin.
Fransua tregon: «Ndërsa shkonim në një Sallë Mbretërie, snajperët hapën zjarr drejt furgonit tonë, por plumbat kaluan pa na prekur. Kur pamë një ushtar që po vraponte drejt nesh me armë në dorë, frenuam menjëherë, kthyem furgonin dhe ikëm me shpejtësi për në zyrën e degës. Sa mirënjohës i ishim Jehovait që shpëtuam! Ditën tjetër të 130 vëllezërit në atë Sallë Mbretërie ia dolën të shkonin në një vend të sigurt. Disa erdhën në zyrën e degës ku u kujdesëm për nevojat e tyre frymore dhe materiale derisa trazira u ndal.»
Fransua thotë: «Vëllezër nga i gjithë vendi i shprehën mirënjohje të thellë zyrës së degës me anë të letrave. Siguria e tyre te Jehovai u rrit kur përjetuan përkrahjen e vëllezërve nga vendet e tjera.»
Kur ndodhin katastrofa natyrore ose të shkaktuara nga njeriu, nuk u themi vëllezërve dhe motrave «rrini ngrohtë dhe ngopuni». (Jak. 2:15, 16) Përkundrazi, përpiqemi t’u sigurojmë gjërat materiale. Edhe në shekullin e parë, kur morën një paralajmërim për zi buke, «dishepujt vendosën që gjithsecili, sipas mundësisë, të jepte ndihmë për vëllezërit që banonin në Jude».
Si shërbëtorë të Jehovait, jemi gati për të ndihmuar nevojtarët nga ana materiale. Megjithatë, njerëzit kanë nevojë edhe të mësojnë për Perëndinë. (Mat. 5:3) Që t’i ndihmonte ta kuptonin këtë nevojë dhe të bënin hapa për ta plotësuar, Jezui i urdhëroi ithtarët e tij të bënin dishepuj. (Mat. 28:19, 20) Secili prej nesh i kushton kësaj detyre mjaft kohë, energji dhe të ardhura. Si organizatë, disa nga fondet e dhuruara i përdorim që të sigurojmë ndihmë materiale, por kryesisht i përdorim për të çuar përpara interesat e Mbretërisë dhe për të përhapur lajmin e mirë. Kështu tregojmë se e duam Perëndinë dhe të afërmin.
Ata që mbështetin veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait mund të jenë të sigurt se kontributet e tyre përdoren në mënyrën më të mirë dhe të drejtë. A ke mundësi t’u japësh një dorë vëllezërve të tu në nevojë? A ke dëshirë të mbështetësh veprën e bërjes së dishepujve? Nëse po, «mos ua mbaj të mirën atyre që u takon, kur e ke në dorë ta bësh».