Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetje nga lexuesit

Pyetje nga lexuesit

A është e përshtatshme për të krishterët djegia e kufomës në kremator?

Në Shkrime nuk thuhet gjë kundër kësaj praktike.

Ka raste kur Bibla flet për djegien e kufomës ose të eshtrave. (Jos. 7:25; 2 Kron. 34:4, 5) Kjo mund të nënkuptonte se ata njerëz nuk meritonin t’u bëhej një varrim dinjitoz. Por, djegia e kufomës nuk kishte gjithmonë këtë ngjyrim negativ.

Mund ta kuptojmë këtë nga tregimi për vdekjen e mbretit Saul dhe tre bijve të tij. Që të katër vdiqën në betejë me filistinët. Një nga bijtë ishte Jonatani, mik i ngushtë dhe përkrahës besnik i Davidit. Kur izraelitët sypatrembur të Jabesh-Galaadit dëgjuan ç’kishte ndodhur, i morën katër kufomat, i dogjën dhe pastaj varrosën eshtrat. Më pas Davidi i lavdëroi për atë që bënë.1 Sam. 31:2, 8-13; 2 Sam. 2:4-6.

Shpresa që jep Bibla për të vdekurit është ringjallja nga Perëndia, kthimi në jetë i personit. Pavarësisht nëse kufoma është djegur apo jo, kjo nuk e pengon Jehovain ta kthejë në jetë atë person me një trup të ri. Tre hebrenjtë besnikë që rrezikonin të vdisnin në një furrë të zjarrtë sipas urdhrit të mbretit Nabukodonosor, s’kishin pse të merakoseshin se mos Perëndia nuk i ringjallte dot po të asgjësoheshin në atë mënyrë. (Dan. 3:16-18) Kjo ishte e vërtetë edhe për shërbëtorët besnikë të Jehovait që u përballën me vdekjen dhe djegien në kremator në kampet naziste të përqendrimit. Kufomat e disa shërbëtorëve besnikë të Perëndisë që kanë vdekur në ndonjë shpërthim a në ndonjë mënyrë tjetër, janë zhdukur pa lënë gjurmë. Prapëseprapë, është e sigurt se ata do të ringjallen.Zbul. 20:13.

Për të ringjallur dikë, Jehovai nuk ka nevojë të ribëjë po atë trup që kishte më parë. Kjo kuptohet nga ringjallja e të krishterëve të mirosur për të jetuar në qiell. Ashtu si Jezui që ‘u ngjall në frymë’, kur Perëndia i ringjall të krishterët e mirosur, ata janë të njëjtët persona, por me trupa frymorë. Në qiell nuk kanë më asnjë gjurmë të trupit fizik të mëparshëm.1 Pjet. 3:18; 1 Kor. 15:42-53; 1 Gjon. 3:2.

Shpresa e ringjalljes nuk bazohet tek ajo që mund t’i ndodhë kufomës, por te besimi se Perëndia ka aftësinë dhe dëshirën t’i plotësojë premtimet e tij. (Vep. 24:15) Natyrisht, ne nuk e kuptojmë gjer më një si e ka kryer Perëndia mrekullinë e ringjalljes në të kaluarën ose si do ta bëjë këtë në të ardhmen. Sidoqoftë, s’kemi fije dyshimi te Jehovai. Ai na ka dhënë «garanci» për këtë, duke ringjallur Jezuin.Vep. 17:31; Luka 24:2, 3.

Të krishterët bëjnë mirë të mbajnë parasysh normat e shoqërisë, ndjenjat e njerëzve në zonën e tyre dhe ligjet për atë që duhet bërë me kufomën. (2 Kor. 6:3, 4) Pastaj, nëse trupi i të ndjerit do të digjet në kremator, është vendim personal a familjar.