Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U paraqitën për të shërbyer vullnetarisht—Në Mikronezi

U paraqitën për të shërbyer vullnetarisht—Në Mikronezi

KATERINA u rrit në Shtetet e Bashkuara dhe, kur ishte 16 vjeçe, u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait. Jepej me gjithë shpirt pas shërbimit, mirëpo në zonën ku predikonte, pak veta e pranonin mesazhin për Mbretërinë. Ajo thotë: «Lexoja përvoja për njerëz që i luteshin Perëndisë t’u dërgonte dikë që t’i ndihmonte ta njihnin. Ëndërroja të gjeja edhe unë një, por kurrë nuk bënte vaki.»

Pasi kishte predikuar vite me radhë në të njëjtin territor, Katerina po peshonte mundësinë të transferohej në ndonjë zonë ku njerëzit reagonin më mirë ndaj mesazhit për Mbretërinë. Por vriste mendjen në do t’ia dilte. Ishte larguar nga familja veç një herë—madje dhe atëherë vetëm për dy javë—e çdo ditë e kishte këputur malli. Megjithatë dëshironte me zjarr të provonte gëzimin që vjen kur ndihmon ata që kërkojnë Jehovain. Në fund fitoi kjo dëshirë. Pasi shqyrtoi disa vende ku mund të transferohej, i shkroi zyrës së degës në Guam dhe mori informacionin që i duhej. Në korrik 2007, kur ishte 26 vjeçe, Katerina u transferua në Sajpan, një ishull në Oqeanin Paqësor, rreth 10.000 kilometra larg shtëpisë. Si vajtën gjërat më pas?

DY LUTJE MARRIN PËRGJIGJE

Pak pasi mbërriti në kongregacionin e ri, ajo takoi Dorisin, një grua në mes të të 40-ave, që pranoi të studionte Biblën. Pasi kishin studiuar tre kapitujt e parë të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, Katerinën nisi ta brente meraku. Ajo shpjegon: «Dorisi ishte studente e shkëlqyer, dhe nuk doja të prishja punë. Nuk kisha drejtuar kurrë një studim biblik të rregullt dhe mendoja se Dorisi kishte nevojë të studionte me ndonjë motër më me përvojë, mbase me një të moshës së saj.» Katerina iu lut Jehovait ta ndihmonte të gjente motrën e duhur për t’i besuar studenten e saj të Biblës. Pastaj vendosi t’i tregonte Dorisit se do të studionte me dikë tjetër.

Katerina thotë: «S’e kisha hapur akoma muhabetin kur Dorisi më tha se donte të flitnim për një problem. E dëgjova me vëmendje dhe i tregova si e kisha përballuar një situatë të ngjashme falë Jehovait. Më falënderoi për këtë.» Pastaj, Dorisi i tha Katerinës: «Jehovai po të përdor që të më ndihmosh. Atë ditë që erdhe për herë të parë në shtëpinë time, kisha orë të tëra që po lexoja Biblën. Po qaja dhe po i kërkoja Perëndisë të dërgonte dikë që të më ndihmonte ta kuptoja Biblën. Kur ja, trokite ti në derë. Jehovai i ishte përgjigjur lutjes sime!» Teksa kujton atë moment prekës, Katerinës i mbushen sytë me lot. Ajo shprehet: «Fjalët e Dorisit ishin përgjigjja e lutjes sime. Jehovai ma bëri të qartë se isha në gjendje ta vazhdoja studimin.»

Dorisi u pagëzua në vitin 2010, dhe sot ajo vetë drejton disa studime biblike. Katerina vëren: «Sa mirënjohëse jam që m’u plotësua dëshira që mbaja në zemër prej kohësh—të ndihmoja një njeri të sinqertë të bëhej shërbëtor i Jehovait!» Tani Katerina shërben e lumtur si pioniere speciale në ishullin Kosrae në Paqësor.

TRI VËSHTIRËSI—SI PËRBALLOHEN

Mbi njëqind vëllezër e motra nga shtete të tjera (nga 19 deri në 79 vjeç) kanë shërbyer atje ku ka më shumë nevojë në Mikronezi. Ndjenjat e këtyre punëtorëve të zellshëm i shpreh bukur Erika, që u transferua në Guam më 2006 kur ishte 19 vjeçe. Ajo komenton: «Është shumë qejf të shërbesh si pioniere në një territor ku njerëzit janë të etur për të vërtetën. I jam tepër mirënjohëse Jehovait që më ndihmoi të nisja këtë lloj shërbimi. S’ka mënyrë më fantastike për ta gëzuar jetën!» Sot Erika shijon shërbimin si pioniere speciale në Ibeje, në ishujt Marshall. S’diskutohet, shërbimi në vend të huaj sjell edhe vështirësi. Le të ndalemi te tri prej tyre e të shohim si i përballojnë ata që janë transferuar në Mikronezi.

Erika

Stili i jetës. Më 2007 Sajmoni 22-vjeçar vajti në ishullin e Palaut. Shpejt pa se rroga atje ishte e papërfillshme krahasuar me atë që fitonte në vendin e tij, në Angli. Ai thotë: «M’u desh të mësoja të mos blija ç’të më shkrepej. Tani i zgjedh me kujdes ushqimet që blej dhe gjej çmimet më të lira në pazar. Kur prishet diçka, kërkoj pjesë këmbimi të përdorura dhe gjej ndonjë që të më ndihmojë ta rregulloj.» Si ndikoi tek ai fakti që duhej të bënte një jetë të thjeshtë? Sajmoni tregon: «Falë kësaj mësova çfarë është e nevojshme në jetë dhe si t’ia dal me më pak. E kam parë fare qartë dorën e dashur të Jehovait në disa raste. Gjatë shtatë viteve që kam shërbyer këtu, gjithmonë kam pasur ç’të ha dhe një vend ku të fut kokën.» Vërtet, Jehovai i mbështet ata që bëjnë një jetë të thjeshtë ngaqë duan të kërkojnë në radhë të parë Mbretërinë.Mat. 6:32, 33.

Malli për shtëpinë. Erika thotë: «Jam shumë e lidhur me familjen dhe kisha merak se mos malli do të ndikonte për keq te shërbimi.» Si u përgatit për këtë? Ajo vazhdon: «Para se të transferohesha, lexova artikuj të Kullës së Rojës për mallin ose nostalgjinë. Kjo më ndihmoi të përgatitja zemrën që ta përballoja këtë vështirësi. Në një artikull, një mama e qetësonte të bijën, duke i thënë: ‘Jehovai mund të kujdeset për ty më mirë se unë.’ Këto fjalë siguruese më dhanë forcë.» Hana dhe i shoqi, Patriku, shërbejnë në Majuro në ishujt Marshall. Hana e përballon mallin duke u përqendruar te vëllezërit e motrat në kongregacion. Ajo tregon: «E falënderoj pa pushim Jehovain për vëllazërinë mbarëbotërore, se edhe ata janë familja ime. Pa mbështetjen e tyre të dashur, nuk do t’ia kisha dalë kurrë të shërbeja atje ku ka më shumë nevojë.»

Sajmoni

Përshtatja në shoqëri. Sajmoni vëren: «Kur shkon në një vend tjetër, thuajse çdo gjë është ndryshe. Hera-herës më merr malli që të tjerët të ma kapin plotësisht shakanë.» Erika rrëfen: «Në fillim ndihesha e lënë mënjanë, por kjo më ndihmoi të mbaja parasysh motivin pse isha transferuar: të bëja më tepër për Jehovain, jo të nxirrja dobi për vete.» Pastaj shton: «Me kohë, lidha miqësi fantastike që janë një thesar për mua.» Sajmoni iu përvesh mësimit të gjuhës palauane, dhe falë kësaj ‘ka zgjeruar’ zemrën, duke përfshirë motrat e vëllezërit vendës. (2 Kor. 6:13) U hyri në zemër vëllezërve, ngaqë përpiqej të mësonte gjuhën. Kur vëllezërit e sapoardhur punojnë krah për krah me vëllezërit vendës, të dy palët shijojnë frytin e miqësive të përzemërta në kongregacion. Ç’bekime të tjera korrin ata që paraqiten vullnetarisht për të shërbyer ku ka më shumë nevojë?

‘KORRIN DORËHAPUR’

Apostulli Pavël shkroi: «Ai që mbjell dorëhapur, edhe do të korrë dorëhapur.» (2 Kor. 9:6) Patjetër që ky parim vlen për ata që e zgjerojnë shërbimin. Çfarë frytesh ‘korrin dorëhapur’ ata në Mikronezi?

Patriku dhe Hana

Atje ende janë të shumta mundësitë që të fillosh studime biblike e të shohësh me sytë e tu si përparojnë frymësisht ata që mësojnë e zbatojnë të vërtetën nga Fjala e Perëndisë. Patriku dhe Hana predikuan edhe në Angaur, një ishull i vockël me 320 banorë. Pasi predikuan dy muaj atje, takuan një nënë që po rriste e vetme djalin. Ajo pranoi menjëherë të studionte Biblën, e përpiu me etje të vërtetën dhe bëri ndryshime kolosale. Hana thotë: «Pas çdo studimi, kur iknim me biçikleta nga shtëpia e saj, shihnim njëri-tjetrin e thoshim me gjithë shpirt: ‘Faleminderit, o Jehova!’» Më pas shton: «E di se në një mënyrë a në një tjetër, Jehovai do ta kishte tërhequr drejt vetes atë grua. Por, ngaqë shërbejmë atje ku ka më shumë nevojë, patëm mundësi ne ta gjenim këtë dele e ta ndihmonim të njihte Jehovain. Kjo është ndër përvojat më shpërblyese të jetës sonë!» Siç thotë Erika «kur ndihmon dikë të njohë Jehovain, korr gëzim të papërshkrueshëm».

A MUND TË MARRËSH PJESË EDHE TI?

Në mjaft vende, ka nevojë për më shumë lajmëtarë të Mbretërisë. A mund të jesh edhe ti mes atyre që transferohen në zona ku ka nevojë për ndihmë? Lutju Jehovait të ta shtojë dëshirën që të zgjerosh shërbimin. Bisedo për këtë me pleqtë në kongregacion, me mbikëqyrësin qarkor ose me ata që kanë pasur privilegjin të shërbejnë në një vend ku ka nevojë. Kur fillon të bësh plane, shkruaji zyrës së degës që mbikëqyr territorin ku dëshiron të shërbesh dhe kërkoji më shumë informacion. * Ndoshta edhe ti mund t’u bashkohesh mijëra vëllezërve e motrave—të rinj a të moshuar, beqarë a të martuar—që paraqiten për të shërbyer vullnetarisht dhe gëzojnë ndërsa ‘korrin dorëhapur’.

^ par. 17 Shih pjesën «A ‘mund të kaloni në Maqedoni’?» te Shërbimi ynë i Mbretërisë, gusht 2011.