Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të imitojmë përulësinë dhe zemërbutësinë e Jezuit

Të imitojmë përulësinë dhe zemërbutësinë e Jezuit

«Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.»1 PJET. 2:21.

1. Pse afrohemi më shumë me Jehovain kur imitojmë Jezuin?

KUR admirojmë personalitetin dhe shprehitë e dikujt, kemi prirjen ta imitojmë. Nga gjithë njerëzit që kanë jetuar në tokë, s’ka asnjë më të denjë për ta imituar se Jezu Krishti. Pse kështu? Vetë Jezui tha një herë: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.» (Gjoni 14:9) Jezui e pasqyron në mënyrë kaq të përsosur personalitetin e Atit, sa të shohësh Birin është sikur të shohësh Atin. Prandaj, ndërsa imitojmë Jezuin, afrohemi më shumë me Jehovain, Më të Madhin e universit. Çfarë shpërblimi kur imitojmë cilësitë dhe shprehitë e Birit të tij!

2, 3. (a) Pse na dha Jehovai një portret të Birit të tij, dhe çfarë pret prej nesh? (b) Ç’do të shqyrtojmë në këtë artikull dhe në tjetrin?

2 Por nga e dimë ç’lloj personi është Jezui? Jemi mirënjohës që kemi një portret të frymëzuar të tij. Ai gjendet në Shkrimet e Krishtere Greke, dhe Jehovai na e dha sepse dëshiron të njihemi me Birin e tij, e kështu ta imitojmë. (Lexo 1 Pjetrit 2:21.) Në Bibël, shembulli që na la Jezui krahasohet me «gjurmët» ose hapat. Me fjalë të tjera, Jehovai po na thotë të ndjekim Jezuin dhe t’i hedhim hapat sipas gjurmëve të tij. S’diskutohet, Jezui na la një shembull të përsosur, kurse ne s’jemi aspak të përsosur. Por Jehovai nuk pret t’i ndjekim përsosmërisht gjurmët e Jezuit. Përkundrazi, Ati pret nga ne ta imitojmë Birin e tij sa më mirë që mundemi si njerëz të papërsosur.

3 Prandaj, le të mendojmë për disa cilësi tërheqëse të Jezuit. Në këtë artikull do të ndalemi te përulësia dhe zemërbutësia e tij. Në tjetrin do të shqyrtojmë guximin dhe aftësinë e tij dalluese. Për çdo cilësi do t’u përgjigjemi tri pyetjeve: çfarë përfshin? Si ishte Jezui një shembull i gjallë i saj? Si mund ta imitojmë?

JEZUI ËSHTË I PËRULUR

4. Si do ta përkufizonit përulësinë?

4 Ç’është përulësia? Në këtë botë krenare, disa mendojnë se një njeri i përulur është i dobët ose i pasigurt te vetja. Por shpesh është krejt e kundërta. Që të tregosh përulësi, duhet forcë dhe kurajë. Përulësia është përkufizuar si «e kundërta e krenarisë dhe e fodullëkut». Në Shkrimet e Krishtere Greke, kjo fjalë është përkthyer edhe «përulësi mendjeje». (Filip. 2:3) Përulësia nis me mënyrën si mendojmë për veten. Një fjalor biblik thotë: «Përulësi do të thotë të dimë sa të papërfillshëm jemi para Perëndisë.» E nëse jemi vërtet të përulur para Tij, nuk do t’ia lejojmë vetes të mendojmë se jemi më të mirë se të tjerët. (Rom. 12:3) Si njerëz të papërsosur nuk e kemi kollaj të kultivojmë përulësi. Por mund të mësojmë ta zhvillojmë këtë cilësi nëse meditojmë si jemi në sytë e Perëndisë dhe nëse ndjekim gjurmët e Birit të tij.

5, 6. (a) Kush është kryeengjëlli Mikael? (b) Si shfaqi qëndrim të përulur Mikaeli?

5 Si shfaqi përulësi Jezui? Biri i Perëndisë ka treguar përulësi prej kohësh, qoftë si krijesë frymore e fuqishme në qiell, qoftë si njeri i përsosur në tokë. Ja të shohim disa shembuj.

6 Qëndrimi i tij. Juda, një shkrimtar i Biblës, përmendi një shembull nga jeta e Jezuit para se të vinte në tokë. (Lexo Judën 9.) Si kryeengjëlli Mikael, Jezui «pati një mosmarrëveshje me Djallin» dhe «bëri fjalë» me atë të lig për çështjen e ‘trupit të Moisiut’. E kujtojmë ç’ndodhi pasi vdiq Moisiu. Jehovai e varrosi trupin e tij në një vend që s’e di askush. (Ligj. 34:5, 6) Mbase Djalli donte të përdorte eshtrat e Moisiut për të nxitur adhurimin e rremë. Çfarëdo qëllimi të mbrapshtë të ketë pasur Djalli, Mikaeli mori qëndrim të guximshëm. Një vepër referimi thotë se termat grekë të përkthyer «pati një mosmarrëveshje» dhe «bëri fjalë» përdoren «edhe për një mosmarrëveshje ligjore». Ato mund të tregojnë «se Mikaeli ‘mohoi se Djalli kishte të drejtën’ të merrte trupin e Moisiut». Sidoqoftë, Kryeengjëlli e pranoi se nuk i takonte të jepte një gjykim. Në vend të kësaj, ia la çështjen në dorë Gjykatësit të Lartë, Jehovait. Edhe nën provokim, Mikaeli nuk ia lejoi vetes t’i kalonte caqet e autoritetit të tij. Çfarë qëndrimi i përulur!

7. Si tregoi përulësi Jezui me të folurin dhe veprimet e tij?

7 Gjatë shërbimit në tokë, Jezui tregoi përulësi të vërtetë me mënyrën si foli dhe si veproi. Të folurit e tij. Ai asnjëherë nuk e tërhiqte vëmendjen te vetja kur nuk duhej. Përkundrazi, ia jepte gjithë lavdinë të Atit. (Mar. 10:17, 18; Gjoni 7:16) Gjithmonë u fliste me respekt dishepujve dhe kurrë nuk i bënte të ndiheshin inferiorë. I vishte me dinjitet duke i lavdëruar për të mirat që dallonte tek ata dhe ua shprehte besimin që kishte tek ata. (Luka 22:31, 32; Gjoni 1:47) Veprimet e tij. Jezui zgjodhi një jetë të thjeshtë, të parënduar nga gjërat e shumta materiale. (Mat. 8:20) Ishte i gatshëm të bënte punët më të rëndomta. (Gjoni 13:3-15) Përulësia spikati edhe te bindja që tregoi. (Lexo Filipianëve 2:5-8.) Ndryshe nga fodullët që rrudhin buzët kur bëhet fjalë për bindjen, Jezui iu nënshtrua me përulësi vullnetit të Perëndisë, duke ‘u bindur deri në vdekje’. A nuk është e qartë se Jezui, Biri i njeriut, ishte «i përulur në zemër»?Mat. 11:29.

TË IMITOJMË PËRULËSINË E JEZUIT

8, 9. Si mund të shfaqim përulësi?

8 Si mund ta imitojmë Jezuin duke treguar përulësi? Qëndrimi ynë. Përulësia na frenon të mos i kalojmë caqet e autoritetit tonë. Nëse e kemi të qartë se nuk na takon të gjykojmë, s’do t’i kemi në majë të gjuhës kritikat për të metat e të tjerëve ose nuk do të nxitohemi të dyshojmë për motivet e tyre. (Luka 6:37; Jak. 4:12) Përulësia na ndihmon të mos jemi ‘të drejtë së tepërmi’ duke i parë me përbuzje ata që ndoshta nuk i kanë aftësitë a privilegjet që kemi ne. (Ekl. 7:16) Pleqtë e përulur nuk e konsiderojnë veten si më të lartë se bashkëbesimtarët. Përkundrazi, këta barinj ‘i shohin të tjerët si më të lartë se veten’ dhe sillen si më i vogli.Filip. 2:3; Luka 9:48.

9 Të mendojmë për shembullin e Uollter Thornit, i cili më 1894 nisi shërbimin si pelegrin, ose mbikëqyrës udhëtues. Pas shumë vjetësh në këtë vepër, u caktua në Fermën e Mbretërisë në veri të shtetit të Nju-Jorkut, ku punonte në pulari. Ai tregonte: «Sa herë që më duket sikur çoç jam, i shkul veshin vetes dhe i them: ‘O thërrime pluhuri! E kush je ti xhanëm që të ndihesh krenar?!’» (Lexo Isainë 40:12-15.) Sa qëndrim i përulur!

10. Si mund të shfaqim përulësi me të folurin dhe veprimet tona?

10 Të folurit tonë. Po të jemi vërtet të përulur në zemër, kjo do të pasqyrohet te fjalët që themi. (Luka 6:45) Kur bisedojmë me të tjerët, nuk do ta tërheqim vëmendjen te sukseset dhe privilegjet tona. (Prov. 27:2) Në vend të kësaj, do të kërkojmë të mirat te vëllezërit dhe motrat e do t’i lavdërojmë për cilësitë e bukura, talentet e arritjet e tyre. (Prov. 15:23) Veprimet tona. Të krishterët e përulur as që duan të bëjnë emër në këtë sistem. Preferojnë më mirë një jetë të thjeshtë, e madje edhe të bëjnë ndonjë punë që bota e quan të rëndomtë, me qëllim që t’i shërbejnë Jehovait sa më plotësisht. (1 Tim. 6:6, 8) Mbi të gjitha, përulësinë e tregojmë me bindjen tonë. Kërkohet përulësi mendjeje që të jemi «të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin» në kongregacion dhe të pranojmë e të ndjekim udhëzimet që vijnë nga organizata e Jehovait.Hebr. 13:17.

JEZUI ËSHTË ZEMËRBUTË

11. Shpjegoni kuptimin e fjalës «zemërbutësi».

11 Ç’është zemërbutësia? Fjala «zemërbutë» është përkufizuar: «Karakterizohet nga ndjenjat më të ngrohta, mënyra si reagon ndaj këtyre ndjenjave ose si i shpreh.» Zemërbutësia është një aspekt i dashurisë dhe ngjan me «ndjenjat më të ngrohta», siç janë dhembshuria dhe mëshira. Në Shkrime përmenden ‘dhembshuria e butë’, ‘mëshirat e buta’ dhe ‘përzemërsia e butë’. (Luka 1:78; 2 Kor. 1:3; Filip. 1:8) Ja ç’thotë një vepër referimi rreth thirrjes që gjejmë në Bibël për të treguar dhembshuri: «Kjo thirrje nuk është thjesht një nxitje që të kuptojmë si ndihen nevojtarët e të na vijë keq për ta. Është një thirrje që të merakosemi aq sa të mos rrimë duarkryq, por t’i ndihmojmë duke bërë ndonjë gjë që ua ndryshon jetën për mirë.» Zemërbutësia na shtyn të veprojmë. Njeriut zemërbutë i vjen natyrshëm të ndikojë për mirë në jetën e të tjerëve.

12. Nga se kuptohet që Jezuit i dhimbseshin të tjerët, dhe çfarë e nxiti të bënte zemërbutësia?

12 Si tregoi zemërbutësi Jezui? Ndjenjat dhe veprimet e tij të buta. Jezuit i dhimbseshin të tjerët. Kur pa se mikja e tij, Maria, dhe njerëzit që e shoqëronin po qanin për vdekjen e vëllait të saj, Lazarit, Jezui «nuk i mbajti dot lotët» e qau në sy të të gjithëve. (Lexo Gjonin 11:32-35.) Pastaj, i shtyrë nga keqardhja e thellë—si në rastin kur ngriti nga vdekja birin e një vejushe—e ringjalli Lazarin. (Luka 7:11-15; Gjoni 11:38-44) Falë këtij veprimi të butë, Jezui mund t’i ketë hapur rrugën Lazarit për jetën në qiell. Ca kohë më parë, Jezui kishte ndier përzemërsi të butë edhe për një turmë që kish vajtur tek ai. I shtyrë nga dhembshuria, ‘u kishte mësuar shumë gjëra’. (Mar. 6:34) Sa ua ndryshoi jetën kjo përvojë atyre që i përqafuan mësimet e tij! Vër re se zemërbutësia e Jezuit nuk ishte thjesht një ndjenjë dhe aq; ajo e nxiti të merrte iniciativën për të ndihmuar të tjerët.Mat. 15:32-38; 20:29-34; Mar. 1:40-42.

13. Si u foli butësisht Jezui të tjerëve? (Shih figurën hapëse.)

13 Fjalët e tij të buta. Zemra e dhembshur e shtyu Jezuin t’u fliste me butësi të tjerëve, sidomos atyre që merreshin nëpër këmbë. Apostulli Mate tregoi se Jezui përmbushi këto fjalë të Isaisë: «Nuk do ta copëtojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin e lirit me dritë të mekur.» (Isa. 42:3; Mat. 12:20) Jezui fliste në një mënyrë që ua çonte zemrat peshë atyre që, në kuptimin e figurshëm, ishin si një kallam i thyer ose si një fitil kandili që gati po shuhej. Predikoi një mesazh shpresëdhënës ‘që t’u lidhte plagën zemërvrarëve’. (Isa. 61:1) Ata që ‘po robtoheshin dhe ishin të ngarkuar’ i ftoi të shkonin tek ai, duke i siguruar se ‘do të gjenin freskim’. (Mat. 11:28-30) I siguroi dishepujt se Perëndia ndiente merak të butë për çdo adhurues të Tij, përfshirë «të vegjlit»—ata që botës i duken të papërfillshëm.Mat. 18:12-14; Luka 12:6, 7.

TË IMITOJMË ZEMËRBUTËSINË E JEZUIT

14. Si mund të zhvillojmë ndjenja të buta për të tjerët?

14 Si mund ta imitojmë Jezuin duke treguar zemërbutësi? Ndjenjat tona të buta. Ndoshta ndjenja të tilla nuk janë pjesë e natyrës sonë, por Bibla na nxit të punojmë që t’i zhvillojmë. ‘Dhembshuria e butë’ është pjesë e personalitetit të ri që pritet të veshin gjithë të krishterët. (Lexo Kolosianëve 3:9, 10, 12.) Si mund të zhvillosh ndjenja të buta për të tjerët? Hapi portat e zemrës. (2 Kor. 6:11-13) Dëgjo me vëmendje kur dikush të zbraz ndjenjat dhe shqetësimet e tij. (Jak. 1:19) Vër në punë imagjinatën dhe pyet veten: «Po të isha unë në këtë situatë, si do të ndihesha? Për çfarë do të kisha nevojë?»1 Pjet. 3:8.

15. Si mund t’i ndihmojmë ata që janë si një kallam i thyer ose si një fitil me dritë të mekur?

15 Veprimet tona të buta. Zemërbutësia na ngjall dëshirën të ndikojmë për mirë në jetën e të tjerëve, sidomos të atyre që janë si një kallam i thyer ose si një fitil me dritë të mekur. Si t’i ndihmojmë? «Qani me ata që qajnë»,—thuhet te Romakëve 12:15. Dikush që e ka lëshuar zemra mund të ketë më tepër nevojë për dhembshuri sesa për ndonjë zgjidhje. Një motër që u ngushëllua nga bashkëbesimtarët pasi i vdiq e bija, thotë: «E vlerësoja kur miqtë vinin të më takonin dhe vetëm derdhnin lot bashkë me mua.» Përzemërsinë e butë mund ta tregojmë edhe me anë të veprave të dashura. A njeh ndonjë vejushë që i duhet ndihmë për disa riparime në shtëpi? A ka ndonjë motër a vëlla të moshuar i cili ka nevojë për ndihmë që të shkojë në mbledhje, të dalë në shërbim ose të vejë te mjeku? Edhe një gjest i vogël dashamirës mund të ndikojë goxha në jetën e një bashkëbesimtari në nevojë. (1 Gjon. 3:17, 18) Mbi të gjitha, tregojmë merak të butë për të tjerët kur nuk kursehemi në shërbim. S’ka mënyrë më të shkëlqyer që të ndikojmë për mirë në jetën e njerëzve të sinqertë!

A merakosesh nga zemra për bashkëbesimtarët? (Shih paragrafin 15.)

16. Ç’mund të themi që t’u japim zemër të dëshpëruarve?

16 Fjalët tona të buta. Përzemërsia e butë na nxit ‘t’u flasim në mënyrë ngushëlluese shpirtrave të dëshpëruar’. (1 Sel. 5:14) Ç’mund të themi që t’i inkurajojmë? Mund t’ua ngrohim zemrën duke u shprehur merakun që ndiejmë në shpirt për ta. Me lavdërimet tona të sinqerta mund t’i ndihmojmë të dallojnë cilësitë e bukura dhe aftësitë që kanë. Mund t’u kujtojmë se, përderisa Jehovai i tërhoqi drejt Birit të tij, janë të shtrenjtë për Të. (Gjoni 6:44) Mund t’i sigurojmë se Jehovait i dhimbsen pa masë shërbëtorët e tij që janë ‘zemërthyer’ ose «që e kanë frymën të dërrmuar». (Psal. 34:18) Fjalët tona të buta mund të jenë balsam shërues për ata që kanë nevojë për ngushëllim.Prov. 16:24.

17, 18. (a) Si pret Jehovai të sillen pleqtë me delet e tij? (b) Ç’do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

17 Pleq, Jehovai pret t’i trajtoni delet e tij me zemërbutësi. (Vep. 20:28, 29) Mos harroni, keni përgjegjësinë t’i ushqeni, t’i inkurajoni dhe t’i freskoni delet e tij. (Isa. 32:1, 2; 1 Pjet. 5:2-4) Prandaj, një plak që ka dhembshuri të butë nuk u rri çekan mbi kokë deleve. Me fjalë të tjera, nuk vë rregulla ose nuk përdor ndjenjën e fajit si presion që të bëjnë më tepër, ndërkohë që rrethanat nuk ua lejojnë. Përkundrazi, mundohet t’ua gëzojë zemrën, me besim të plotë se dashuria për Jehovain do t’i nxitë t’i shërbejnë sa më plotësisht Atij.Mat. 22:37.

18 Tek meditojmë për përulësinë dhe zemërbutësinë e Jezuit, patjetër që na vjen natyrshëm të vazhdojmë të ecim në hapat e tij. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë dy aspekte të tjera të personalitetit tërheqës të Jezuit: guximin dhe aftësinë e tij dalluese.