Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NGA ARKIVAT TANË

«Asgjë nën diell nuk ka pse t’ju ndalë!»

«Asgjë nën diell nuk ka pse t’ju ndalë!»

ËSHTË pranvera e vitit 1931. Në hyrjen e sallës së famshme të koncerteve Pleyel në Paris po dynden delegatë nga 23 shtete. Nga taksitë e mëdha zbresin pasagjerë të veshur me shije, dhe shpejt mbushet plot auditori kryesor. Gati 3.000 veta nuk kanë ardhur për një koncert, por për të dëgjuar Xhozef F. Radhërfordin, që në atë kohë merrte drejtimin në veprën e predikimit. Fjalimet e tij mbresëlënëse përkthehen në frëngjisht, gjermanisht dhe polonisht. Zëri gjëmues i vëlla Radhërfordit jehon në gjithë sallën.

Ai kongres në Paris shënoi një pikë kthese në veprën e predikimit të Mbretërisë në Francë. Vëlla Radhërfordi i bëri thirrje auditorit ndërkombëtar, sidomos motrave dhe vëllezërve të rinj në moshë, që të shërbenin si përhapës në Francë. Xhon Kuk, një delegat adoleshent nga Anglia, nuk e harroi kurrë atë thirrje frymëzuese: «Asgjë nën diell nuk ka pse t’ju ndalë ju të rinj që të bëni veprën e përhapësit!» *

Përveç Xhon Kukut, i cili më vonë u bë misionar, edhe shumë të tjerë iu përgjigjën asaj thirrjeje të ngjashme me ftesën që mori Pavli për të kaluar në Maqedoni. (Vep. 16:9, 10) Në fakt, nga viti 1930 deri më 1931 numri i përhapësve në Francë shkoi nga 27 në 104—një rritje e jashtëzakonshme për vetëm një vit. Shumica e atyre pionierëve të hershëm nuk flisnin frëngjisht. Atëherë, si do t’i bënin ballë sfidës së gjuhës, të ardhurave të pakta dhe vetmisë?

PËRBALLOJNË SFIDËN E GJUHËS

Përhapësit e huaj përdornin kartat e dëshmisë, të cilat flisnin në vend të tyre për shpresën e Mbretërisë. Një vëlla që fliste gjermanisht, i cili predikoi me guxim në Paris, kujton: «E dinim mirë se Perëndia ynë është i fuqishëm. Nëse zemra na rrihte fort sa gati na dilte vendit kur ishim në shërbim, nuk ishte nga frika e njerëzve, por nga meraku se mos harronim këto pak fjalë: ‘Voulez-vous lire cette carte, s’il vous plaît? [A mund ta lexoni këtë kartë, ju lutem?]’ S’kishim pikë dyshimi se vepra jonë ishte vërtet e rëndësishme.»

Përhapësit e hershëm përdornin biçikleta dhe motorë që të përhapnin lajmin e mirë në Francë

Kur përhapësit predikonin në pallate, shpesh rojat i përzinin. Një ditë dy motra angleze që dinin fare pak frëngjisht, u gjendën para një portieri shumë të egër i cili u kërkoi emrin e personit që donin të takonin. Teksa mendonte si ta qetësonte portierin e xhindosur, njërës prej tyre i kapi syri një pllakë të vogël metalike te një derë. Aty shkruhej: «Tournez le bouton [Bjeri ziles].» Ngaqë mendoi se ky ishte mbiemri i të zotit të shtëpisë, iu përgjigj shend e verë: «Kemi ardhur të takojmë madamën ‘Tournez le bouton.’» Ndjenja e humorit i ndihmoi goxha këta përhapës të zellshëm.

TË ARDHURAT E PAKTA DHE VETMIA NUK I NDALËN

Gjatë viteve 30 shumica e francezëve jetonin në kushte të këqija, dhe përhapësit e huaj nuk bënin përjashtim. Mona Brzoska, një pioniere që fliste anglisht, tregoi çfarë përjetuan ajo dhe shoqja e saj e shërbimit: «Zakonisht shtëpitë ku banonim qenë shumë të thjeshta, dhe një nga problemet më të mëdha ishte ngrohja në dimër. Shpesh nga halli flinim në një dhomë akull të ftohtë aq sa na duhej që, para se të lanim sytë në mëngjes, të thyenim akullin e formuar te broka e ujit.» A u shkurajuan pionierët e hershëm nga kushtet e parehatshme? Aspak. Njëri prej tyre u shpreh bukur si ndiheshin: «Nuk kishim asgjë, por nuk na mungonte kurrgjë.»Mat. 6:33.

Pioniere nga Anglia që ndoqën kongresin në Paris më 1931

Këta përhapës të guximshëm duhej të përballonin edhe vetminë. Në fillim të viteve 30, numri i lajmëtarëve të Mbretërisë s’i kalonte 700 dhe shumica ishin shpërndarë në gjithë vendin. Çfarë i ndihmoi përhapësit që jetonin larg të tjerëve të ruanin gëzimin? Mona, e cila hasi këtë sfidë tok me shoqen e saj të shërbimit, shpjegoi: «E luftuam vetminë duke studiuar rregullisht së bashku botimet e Shoqatës. Në ato kohë nuk bënim rivizita dhe nuk drejtonim studime biblike në shtëpi. Prandaj mbrëmjeve kishim kohë t’u shkruanim letra familjarëve dhe sidomos pionierëve të tjerë që t’u tregonim përvoja e të inkurajonim njëri-tjetrin.»1 Sel. 5:11.

Pavarësisht vështirësive, ata përhapës vetëmohues mbajtën një qëndrim pozitiv. Kjo duket nga letrat që i dërgonin zyrës së degës, nganjëherë dekada pasi kishin shërbyer si pionierë në Francë. Tek sjell ndër mend ato vite, Ani Krëjini, një motër e mirosur që i ra cep më cep Francës me të shoqin nga viti 1931 deri 1935, shkroi: «Bënim një jetë mjaft të lumtur dhe plot aktivitete. Ishim një grup pionierësh goxha të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte tamam siç tha apostulli Pavël: ‘Unë mbolla, Apoli ujiti, por Perëndia vazhdon ta rritë.’ Kjo na e çon zemrën peshë neve që dhamë një dorë shumë vjet përpara.»1 Kor. 3:6.

Ata pionierë të hershëm lanë si trashëgimi qëndrueshmërinë dhe zellin e tyre, për të ndihmuar këdo që dëshiron të zgjerojë shërbimin. Sot në Francë ka rreth 14.000 pionierë të rregullt. Shumë shërbejnë në grupe ose kongregacione të gjuhëve të huaja. * Si përhapësit e hershëm, edhe këta nuk lënë t’i ndalë asgjë nën diell.—Nga arkivat tanë në Francë.

^ par. 4 Për dëshminë që iu dha emigrantëve polakë në Francë, shih artikullin «Jehovai ju solli në Francë që të mësoni të vërtetën» në Kullën e Rojës të 15 gushtit 2015.

^ par. 13 Më 2014, mbi 900 kongregacione dhe grupe të gjuhëve të huaja nën mbikëqyrjen e degës së Francës, ndihmuan njerëz që flitnin 70 gjuhë të ndryshme dhe që kërkonin me zemër të vërtetën.