Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

CILA ishte tema e predikimit të Jezuit? Siç tha vetë Jezui, ishte Mbretëria e Perëndisë. (Luka 4:43) Njerëzit e dëgjonin shpesh Jezuin të përmendte këtë Mbretëri. A u dukej e pakuptueshme kjo temë? A pyetën se çfarë ishte kjo Mbretëri? Jo. Ungjijtë nuk përmendin pyetje të tilla. A ishte pra Mbretëria e Perëndisë një koncept i njohur për këta njerëz?

E vërteta është se Shkrimet e lashta, që judenjtë i respektonin si të shenjta, e përshkruanin këtë Mbretëri duke shpjeguar me terma të gjallë e të qartë se çfarë është ajo dhe ç’do të bëjë. Sot mund të mësojmë edhe më shumë për Mbretërinë pak a shumë në të njëjtën mënyrë—duke lexuar Biblën. Le të shqyrtojmë shtatë të vërteta që mëson Bibla për Mbretërinë. Tri të parat judenjtë e kohës së Jezuit ose edhe të kohëve të mëparshme mund t’i gjenin lehtë. Tri të tjerat i treguan Krishti dhe apostujt e tij gjatë shekullit të parë. Kurse e vërteta e fundit është bërë e qartë në kohën tonë.

1. Mbretëria e Perëndisë është një qeveri e vërtetë e cila do të mbetet përgjithmonë. Profecia e parë e Biblës zbuloi se Perëndia do të dërgonte një shpëtimtar për njerëzit besnikë. Ai, i cili u quajt ‘fara’, do të zhbënte të këqijat e tmerrshme që vërshuan si pasojë e rebelimit të Adamit, Evës dhe Satanait. (Zanafilla 3:15) Shumë kohë më vonë, mbretit besnik, Davidit, iu tha diçka entuziazmuese për këtë ‘farë’ ose Mesinë. Fara do të bëhej Mbret i një Mbretërie. Ajo mbretëri do të ishte ndryshe nga gjithë të tjerat. Do të mbetej përgjithmonë.​—2 Samuelit 7:12-14.

2. Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund tërë qeverive njerëzore. Profetit Daniel iu dha një vegim në të cilin pa një sërë fuqish botërore që do të shpaloseshin gjatë historisë deri në kohën tonë. Vini re kulmin emocionues të këtij vegimi: «Në ditët e atyre mbretërve [të fundit njerëzorë], Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» Pra, të gjitha mbretëritë ose qeveritë e kësaj bote—bashkë me luftërat, shtypjen dhe korrupsionin—do të zhduken përgjithmonë. Siç tregon profecia e Danielit, së shpejti Mbretëria e Perëndisë do të sundojë në mbarë tokën. (Danieli 2:44, 45) Kjo qeveri e vërtetë do të jetë e vetmja që do të ekzistojë. *

3. Mbretëria e Perëndisë do t’u japë fund luftërave, sëmundjeve, urisë, e madje edhe vdekjes. Profeci biblike entuziazmuese tregojnë se çfarë do të bëjë në tokë Mbretëria e Perëndisë. Kjo qeveri do të realizojë atë që asnjë institucion njerëzor nuk ka bërë ose nuk mund të bëjë kurrë. Imagjinoni pak—të gjitha armët do të shkatërrohen përgjithmonë! «Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut.» (Psalmi 46:9) S’do të ketë më mjekë, spitale ose sëmundje. «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Nuk do të ketë më zi buke, mungesa ushqimesh ose të ushqyerit e keq. «Në tokë do të ketë drithë me bollëk.» (Psalmi 72:16) S’do të ketë më varrime, varreza, morgë ose vuajtjet që i shoqërojnë. Vdekja, armikja jonë e pamëshirshme, do të mposhtet më në fund. Perëndia «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë».​—Isaia 25:8.

4. Mbretin e Mbretërisë së Perëndisë e ka zgjedhur Perëndia. Mesia nuk emërohet vetë mbret dhe as e zgjedhin njerëzit e papërsosur. Atë e zgjedh vetë Perëndia Jehova. Vetë titujt Mesi dhe Krisht e tregojnë këtë. Që të dy kanë kuptimin «I Mirosuri». Pra, ky Mbret miroset ose emërohet në postin e tij të veçantë nga Jehovai. Perëndia thotë për të: «Ja, shërbëtori im, të cilin e përkrah. I zgjedhuri im, të cilin shpirti im e ka miratuar. Unë kam vënë tek ai frymën time. Ai do t’u tregojë kombeve se ç’është drejtësia.» (Isaia 42:1; Mateu 12:17, 18) E kush e di më mirë se Krijuesi se për ç’lloj udhëheqësi kemi nevojë?

5. Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë e ka treguar para gjithë njerëzve se është i denjë për këtë privilegj. Jezui nga Nazareti doli se ishte Mesia i parathënë. Ai lindi në linjën familjare që kishte përcaktuar Perëndia. (Zanafilla 22:18; 1 Kronikave 17:11; Mateu 1:1) Kur ishte në tokë, përmbushi shumë e shumë profeci në lidhje me Mesinë të cilat ishin shkruar shekuj më parë. Gjithashtu për të u tregua nga qielli se ishte Mesia. Në ç’mënyrë? Po ja, Perëndia foli nga qielli duke thënë se Jezui ishte Biri i Tij dhe engjëjt treguan se Jezui ishte Mesia i parathënë. Po ashtu Jezui kreu mrekulli—shpesh para qindra, madje mijëra dëshmitarëve—të cilat pa dyshim u bënë me fuqinë e Perëndisë. * Jezui tregoi vazhdimisht se ç’lloj udhëheqësi do të ishte. Jo vetëm që kishte fuqinë për t’i ndihmuar njerëzit, por edhe dëshironte ta bënte këtë. (Mateu 8:1-3) Ai ishte altruist, i dhembshur, guximtar dhe i përulur. Tregimi i jetës së tij është shkruar në Bibël që të mund ta lexojnë të gjithë.

6. Në Mbretërinë e Perëndisë, me Krishtin janë edhe 144.000 bashkësundimtarë. Jezui tha se me të do të sundonin në qiell edhe apostujt dhe dishepuj të tjerë. Ai e quajti këtë grup «kope e vogël». (Luka 12:32) Më vonë, apostullit Gjon iu tha se kjo kope e vogël do të përbëhej nga 144.000 veta. Ata do të kishin një caktim emocionues në qiell: do të sundonin si mbretër dhe priftërinj me Krishtin.—Zbulesa 5:9, 10; 14:1, 3.

7. Mbretëria e Perëndisë, që tani sundon në qiell, është gati të shtrijë sundimin mbi mbarë tokën. Kjo e vërtetë e fundit është një nga të vërtetat më të bukura që mund të mësojmë. Bibla jep dëshmi të bollshme se Jezuit i është dhënë autoriteti si Mbret në qiell. Ai po sundon tashmë atje dhe shumë shpejt do ta shtrijë sundimin në mbarë tokën dhe do të përmbushë profecitë e mrekullueshme që kemi përmendur. Por, si mund të jemi të sigurt se Mbretëria e Perëndisë po sundon tani? Dhe, kur do të fillojë të sundojë në tokë?

[Shënimet]

^ par. 5 Profeci të tilla si kjo tregojnë se Mbretëria e Perëndisë nuk është diçka në zemrën e njeriut, siç u është mësuar shumë njerëzve. Shih artikullin «Lexuesit pyesin», në faqen 13.