Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A vijnë nga Perëndia të gjitha shërimet e mrekullueshme?

A vijnë nga Perëndia të gjitha shërimet e mrekullueshme?

Lexuesit pyesin

A vijnë nga Perëndia të gjitha shërimet e mrekullueshme?

S’ka dyshim se Perëndia Jehova ka fuqinë të shërojë. Gjithashtu, s’ka dyshim se ai mund t’ua japë këtë fuqi adhuruesve të tij. Për shembull, gjatë kohës së apostujve, shërimet e mrekullueshme ishin një nga dhuratat e veçanta të frymës së tij të shenjtë. Apostulli Pavël shkruan: «Fryma është shfaqur përmes secilit, për një qëllim të dobishëm. Për shembull, dikujt i janë dhënë me anë të frymës fjalë mençurie, . . . një tjetri dhurata e shërimit, nga po ajo frymë, . . . një tjetri profetizim, . . . një tjetri gjuhë të ndryshme.»—1 Korintasve 12:4-11.

Megjithatë, në të njëjtën letër drejtuar korintasve, Pavli shkroi edhe se dhuratat e mrekullueshme të frymës së shenjtë të Perëndisë, do të merrnin fund. Ai tha: «Nëse ka dhurata profetizimi, do të hiqen, nëse ka gjuhë, do të pushojnë, nëse ka njohuri, do të hiqet.»—1 Korintasve 13:8.

Gjatë shekullit të parë, shërimet e mrekullueshme i kryen Jezu Krishti dhe apostujt. Gjatë asaj periudhe të historisë së krishterë, dhuratat e frymës, përfshirë edhe aftësia për të kryer shërime, ishin për t’i dhënë lavdi Perëndisë. Gjithashtu, ishin shenjë e miratimit të Jehovait dhe e bekimit të tij ndaj kongregacionit të krishterë të sapoformuar. Por, pasi kongregacioni i krishterë të ishte bërë i pjekur ose të ishte formuar plotësisht, provat se Perëndia e miratonte atë nuk do të ishin dhuratat e veçanta, por besimi i palëkundur, shpresa dhe dashuria. (Gjoni 13:35; 1 Korintasve 13:13) Kështu, rreth vitit 100 të e.s., Perëndia nuk u jepte më njerëzve fuqinë për të kryer shërime të mrekullueshme si provë e miratimit të tij. *

Megjithatë, mund të pyesësh: «Po pse sot dëgjoj që disa njerëz janë shëruar në mënyrë të mrekullueshme?» Për shembull, një gazetë fliste për një njeri që thuhej se ishte me kancer. Ai kishte tumore në kokë, në veshka, e madje thellë brenda kockave. E ardhmja e tij dukej e zymtë, deri ditën kur Perëndia «foli» me të. Gazeta thoshte se disa ditë më pas, kanceri ishte zhdukur.

Kur dëgjon një histori të tillë, pyet veten: «A është e vërtetë kjo që thuhet? A ka prova klinike të dokumentuara që e mbështetin pohimin e personit? Gjithashtu, edhe nëse duket se ka ndodhur një shërim, a thotë Bibla se qëndron Perëndia pas të gjitha rasteve që duken si shërime të mrekullueshme?»

Përgjigjja për pyetjen e fundit është veçanërisht e rëndësishme. Jezui i paralajmëroi dishepujt: «Kini kujdes nga profetët e rremë . . . Shumë do të më thonë atë ditë: ‘Zotëri, Zotëri, a nuk profetizuam në emrin tënd, a nuk dëbuam demonë në emrin tënd dhe a nuk kryem shumë vepra të fuqishme [mrekulli] në emrin tënd?’ E megjithatë do t’u them atyre: ‘Kurrë nuk ju kam njohur. Largohuni nga unë, ju që bëni paligjshmëri!’»—Mateu 7:15, 21-23.

Është e qartë se të ashtuquajturat shërime të mrekullueshme mund të vijnë nga një burim tjetër përveç Perëndisë. Që të mos mashtrohemi nga ata që pretendojnë se kryejnë mrekulli në emër të Perëndisë, duhet të marrim njohuri të saktë për Të, të përdorim aftësinë që na ka dhënë Ai për të arsyetuar dhe të mësojmë si të identifikojmë ata që po bëjnë vullnetin e Tij.—Mateu 7:16-19; Gjoni 17:3; Romakëve 12:1, 2.

[Shënimi]

^ par. 5 Me sa duket, me vdekjen e apostujve, kalimi i dhuratave të frymës mori fund, dhe dhuratat e mrekullueshme të frymës pushuan pasi vdiqën ata që i kishin marrë këto dhurata.