Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Unë, Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë»

«Unë, Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë»

Afrojuni Perëndisë

«Unë, Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë»

Levitiku kapitulli 19

«I SHENJTË, i shenjtë, i shenjtë është Perëndia Jehova.» (Zbulesa 4:8) Me këto fjalë, Bibla shpall shenjtërinë absolute të Jehovait, ku përfshihet pastërtia dhe dëlirësia. Perëndia është tërësisht i veçuar nga mëkati; ai nuk mund të ndotet ose njolloset nga mëkati në asnjë mënyrë. A do të thotë kjo se për njerëzit e papërsosur nuk ka shpresë të kenë një marrëdhënie me Perëndinë që është tejet i shenjtë? Në asnjë mënyrë! Le të shqyrtojmë fjalët plot shpresë që gjenden te kapitulli 19 i Levitikut.

Jehovai i tha Moisiut: «Thuaji tërë asamblesë së bijve të Izraelit.» Fjalët vijuese vlenin për çdo pjesëtar të kombit. Çfarë duhej t’u thoshte Moisiu? Perëndia vazhdoi: «Duhet të jeni të shenjtë, sepse unë, Jehovai, Perëndia juaj, jam i shenjtë.» (Vargu 2) Çdo izraelit duhej të pasqyronte shenjtëri në veprimet e tij. Fjala «duhet» tregon se kjo nuk ishte një këshillë, por një urdhër. A po pretendonte Perëndia diçka të pamundur?

Vini re se Jehovai e përmendi shenjtërinë e tij jo si normë për t’u ndjekur, por si arsye për atë urdhërim. Me fjalë të tjera, Jehovai nuk po u thoshte adhuruesve të papërsosur në Izrael që të ishin po aq të shenjtë sa ai. Kjo do të ishte e pamundur. Jehovai, ‘Më i Shenjti’, qëndron më lart se gjithë të tjerët. (Proverbat 30:3) Megjithatë, ngaqë Jehovai është i shenjtë, ai pret që adhuruesit e tij të jenë të shenjtë, por kuptohet deri në atë masë që mund të jenë njerëzit e papërsosur. Si mund të jenë të shenjtë?

Pasi dha urdhrin për të qenë të shenjtë, Jehovai dha nëpërmjet Moisiut kërkesa ku përfshihej çdo aspekt i jetës. Pritej që çdo izraelit t’u bindej normave të tilla të sjelljes, si: të shfaqnin respektin e duhur për prindërit dhe të moshuarit (vargjet 3, 32); të tregonin konsideratë për ata që nuk dëgjonin ose nuk shikonin dhe për të tjerë me probleme të ngjashme (vargjet 9, 10, 14); të ishin të ndershëm dhe të paanshëm (vargjet 11-13, 15, 35, 36) dhe t’i donin bashkadhuruesit e tjerë si veten (vargu 18). Duke iu përmbajtur këtyre dhe standardeve të tjera të përmendura, çdo izraelit do të tregonte se ‘ishte vërtet i shenjtë për Perëndinë e tij’.​—Numrat 15:40.

Urdhri në lidhje me shenjtërinë na ndihmon të dallojmë si mendon Perëndia Jehova dhe mënyrën si vepron. Për shembull, mësojmë se, që të kemi një marrëdhënie të ngushtë me të, duhet të bëjmë çmos të jetojmë në përputhje me normat e sjelljes së shenjtë. (1 Pjetrit 1:15, 16) Duke iu përmbajtur këtyre normave, mund të jetojmë në mënyrën më të mirë që është e mundur.​—Isaia 48:17.

Urdhri për të qenë të shenjtë pasqyron gjithashtu besimin që ka Jehovai tek adhuruesit e tij. Jehovai nuk pret kurrë nga ne më shumë seç mund të bëjmë. (Psalmi 103:13, 14) Ai e di se, të paktën në kuptimin relativ, jemi në gjendje të zhvillojmë shenjtërinë, pasi jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së tij. (Zanafilla 1:26) A doni të mësoni më tepër se si mund të afroheni më shumë me Perëndinë e shenjtë, Jehovain?

[Figura në faqen 9]

Ne jemi në gjendje të zhvillojmë shenjtërinë