Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

A kishte Jezui lidhje gjaku me ndonjë nga 12 apostujt?

Shkrimet nuk japin një përgjigje të prerë për këtë pyetje. Megjithatë, sipas disa dëshmive dhe informacioneve të tjera, disa nga 12 apostujt duket se kishin lidhje gjaku me Jezuin.

Shkrimtarët e ungjijve na tregojnë emrat e grave që po vëzhgonin teksa Jezui po vdiste në shtyllën e torturës. Gjoni 19:25 identifikon katër prej tyre: ‘Të ëmën [Marinë], motrën e së ëmës bashkë me Marinë, gruan e Klopës, dhe Maria-Magdalenën.’ Krahasimi i këtij vargu me përshkrimet që i bëjnë Mateu dhe Marku së njëjtës ngjarje, mund të çojë në përfundimin se motra e nënës së Jezuit ishte Saloma. Nga ana tjetër, Saloma me sa duket ka qenë nëna e bijve të Zebedeut. (Mateu 27:55, 56; Marku 15:40) Bijtë e saj, që në vargje të tjera identifikohen si Jakovi dhe Gjoni, i bie të kenë qenë kushërinj të parë me Jezuin. Këta dy vëllezër, të cilët ishin peshkatarë, Jezui i thirri të bëheshin dishepuj të tij.—Mateu 4:21, 22.

Burime jobiblike pohojnë se Klopa ose Alfeu, burri i njërës prej grave të përmendura te Gjoni 19:25, ishte vëllai i Jozefit, babait birësues të Jezuit. Nëse ky pohim bazohet në një fakt, atëherë i bie që edhe Jakovi, biri i Alfeut, një tjetër nga 12 apostujt, të ketë qenë kushëri i Jezuit.—Mateu 10:3.

Ç’lidhje gjaku kishte Jezui me Gjon Pagëzorin?

Disa besojnë se ata ishin kushërinj të dytë. Ky besim bazohet në një përkthim jo të saktë të Lukës 1:36. Për shembull, përkthimi Simon Filipaj në këtë varg thotë se Elizabeta, nëna e Gjonit, dhe Maria, nëna e Jezuit, ishin kushërira.

Por, ç’është e vërteta, fjala origjinale greke e përdorur në këtë varg nuk është kaq specifike. Ajo nënkupton thjesht që këto dy gra kishin lidhje gjaku, por jo se ishin medoemos kushërira të afërta. Siç e tregon edhe një fjalor biblik, «termi është mjaft i gjerë dhe nuk na ndihmon të përcaktojmë ç’lloj lidhjeje kishin». (The Interpreter’s Dictionary of the Bible) Atëherë nga erdhi ideja se Jezui dhe Gjoni ishin kushërinj? Një enciklopedi përgjigjet: «I gjithë informacioni për . . . prindërit e Marisë . . . e ka origjinën nga literatura apokrife.» (The Catholic Encyclopedia)

Kështu, Jezui dhe Gjoni kishin të paktën një lidhje farefisnore të largët, por jo patjetër si kushërinj të dytë.