Kush është Perëndia?
Mëso nga Fjala e Perëndisë
Kush është Perëndia?
Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. Kush është Perëndia?
Perëndia i vërtetë është Krijuesi i të gjitha gjërave. Bibla e quan «Mbret i përjetësisë», që do të thotë se nuk ka pasur fillim dhe nuk do të ketë fund. (Zbulesa 15:3) Meqë Perëndia është Burimi i jetës, është i vetmi që duhet ta adhurojmë.—Lexo Zbulesën 4:11.
2. Çfarë personi është Perëndia?
Askush nuk e ka parë Perëndinë, sepse ai është Frymë, që do të thotë një formë më e lartë jete se krijesat fizike në tokë. (Gjoni 1:18; 4:24) Personaliteti i Perëndisë kuptohet nga gjërat që ka bërë. Për shembull, kur soditim projektin dhe shumëllojshmërinë e frutave dhe të luleve, dallojmë dashurinë dhe mençurinë e Perëndisë. Përmasat e universit flasin për fuqinë e tij.—Lexo Romakëve 1:20.
Mund të mësojmë edhe më tepër për personalitetin e Perëndisë me anë të Biblës. Për shembull, ajo na tregon se çfarë pëlqen dhe nuk pëlqen Perëndia, si i trajton njerëzit dhe si reagon në situata të ndryshme.—Lexo Psalmin 103:7-10.
3. A ka emër Perëndia?
Jezui tha: «Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.» (Mateu 6:9) Ndonëse ka shumë tituj, Perëndia ka vetëm një emër. Në çdo gjuhë ky emër shqiptohet ndryshe. Në shqip zakonisht themi «Jehova» ose ndonjëherë «Jahve».—Lexo Psalmin 83:18.
Emri i Perëndisë është hequr nga mjaft Bibla dhe është zëvendësuar me titujt Zot ose Perëndi. Por, kur Bibla u shkrua, emrin e Perëndisë e përmbante rreth 7.000 herë. Jezui e bëri të njohur emrin e Perëndisë duke e përdorur atë kur u shpjegoi njerëzve Fjalën e Tij. Ai i ndihmoi ta njihnin Perëndinë.—Lexo Gjonin 17:26.
4. A interesohet Perëndia për ne?
Jehovai tregon interes për ne duke na dëgjuar personalisht kur i lutemi. (Psalmi 65:2) A tregojnë vuajtjet e shumta se Perëndia nuk interesohet për ne? Disa mendojnë se Perëndia na i shkakton vuajtjet për të na vënë në provë, por kjo s’është e vërtetë. Bibla thotë: «Larg qoftë që Perëndia i vërtetë të veprojë me ligësi.»—Jobi 34:10; lexo Jakovin 1:13.
Perëndia na ka nderuar duke na dhënë vullnet të lirë. A nuk e çmojmë lirinë që të zgjedhim t’i shërbejmë Perëndisë? (Josiu 24:15) Vuajtjet janë të shumta sepse mjaft veta zgjedhin t’u bëjnë të këqija të tjerëve. Jehovai lëndohet kur sheh padrejtësi të tilla.—Lexo Zanafillën 6:5, 6.
Së shpejti, me anë të Jezuit, Jehovai do të eliminojë vuajtjet dhe ata që i shkaktojnë. Ndërkohë, ai ka arsye të forta pse i lejon përkohësisht vuajtjet. Një mësim tjetër që do të dalë më vonë në këtë rubrikë do të shpjegojë pse Perëndia i lejon vuajtjet.—Lexo Isainë 11:4.
5. Çfarë do Perëndia që të bëjmë?
Jehovai na krijoi me aftësinë që ta njohim dhe ta duam. Ai do që të mësojmë të vërtetën për të. (1 Timoteut 2:4) Nëse studiojmë Biblën, mund ta njohim e të bëhemi miq me Perëndinë.—Lexo Proverbat 2:4, 5.
Meqë Jehovai na ka dhënë jetën, duhet ta duam më tepër se këdo tjetër. Mund t’ia tregojmë dashurinë duke folur me të në lutje dhe duke bërë çfarë kërkon ai. (Proverbat 15:8) Jehovai kërkon që t’i trajtojmë të tjerët me dashuri.—Lexo Markun 12:29-31; 1 Gjonit 5:3.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 1, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 17]
A ka arsye të forta pse lejohen përkohësisht vuajtjet?