Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si të kemi një familje të lumtur?

Ngulit vlera morale te fëmijët e tu

Ngulit vlera morale te fëmijët e tu

Loida, * një nënë nga Meksika, thotë: «Prezervativët shpërndahen në shkollë, kështu që adoleshentët mendojnë se nuk ka asgjë të keqe të kryesh marrëdhënie seksuale​—për sa kohë është seks ‘i sigurt’.»

Nobukoja, një nënë nga Japonia, thotë: «Kur e pyeta djalin se çfarë do të bënte po të gjendej vetëm me shoqen e tij, ai u përgjigj: ‘Nuk e di.’»

KUR vajza a djali yt ishte i vogël, a siguroheshe që shtëpia të ishte e sigurt? Ndoshta mbuloje prizat elektrike, fshihje sendet e mprehta dhe bllokoje shkallët​—gjithçka për të mbrojtur fëmijën.

Sikur të ishte po aq e lehtë të mbroje adoleshentin tënd! Tani shqetësohesh për gjëra më të mëdha, si: «A shikon pornografi djali? A dërgon vajza foto të fëlliqura të vetes me anë të celularit?» Dhe pyetja që të frikëson më shumë është: «A kryen marrëdhënie seksuale fëmija im adoleshent?»

A zgjidh gjë kontrolli absolut?

Disa prindër përpiqen t’i mbajnë nën vëzhgim 24 orë adoleshentët e tyre duke mos iu ndarë dhe duke u vrojtuar çdo lëvizje. Më vonë, shumë prej tyre zbulojnë se kjo mbikëqyrje vetëm sa i bën adoleshentët t’i fshehin gjërat. Djali ose vajza bëhen mjeshtra për të fshehur pikërisht atë sjellje që prindërit duan të ndalojnë.

Qartë, kontrolli nuk zgjidh gjë. Vetë Perëndia Jehova nuk përdor këtë metodë që krijesat e tij t’i binden. As ti si prind nuk duhet ta përdorësh. (Ligji i përtërirë 30:19) Pra, si mund ta ndihmosh fëmijën adoleshent të marrë vendime të mençura morale?​—Proverbat 27:11.

Një masë jetësore janë bisedat e vazhdueshme me fëmijët dhe këto të fillojnë që në fëmijëri. * (Proverbat 22:6) Edhe kur hyjnë në adoleshencë, mos i ndërprit bisedat. Si prind duhet të jesh burimi kryesor i besueshëm i informacionit për adoleshentin. Alisa, një vajzë nga Britania, thotë: «Shumë veta mendojnë se ne do të donim të flitnim me shoqet për seksin, por kjo s’është e vërtetë. E çmojmë këtë informacion kur na vjen nga prindërit. I besojmë asaj që na thonë.»

Nevoja për vlera të mira

Teksa rriten, fëmijët kanë nevojë të dinë më tepër për seksin, sesa thjesht disa fakte si lind jeta. Gjithashtu duhet t’i kenë «aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Me pak fjalë, kanë nevojë për vlera​—një kod moral me bindje të forta për seksin​—si dhe të sillen në përputhje me këto bindje. Si mund të ngulitësh vlera të mira tek adoleshentët e tu?

Fillo me shqyrtimin e vlerave të tua. Për shembull, mbase beson fortësisht se kurvëria​—marrëdhëniet seksuale midis individëve të pamartuar​—është e gabuar. (1 Selanikasve 4:3) Ka të ngjarë që edhe fëmijët e tu ta dinë se ç’qëndrim ke për këtë temë; madje mund të arrijnë të citojnë Shkrime biblike që mbështetin bindjet e tua. Kur i pyetin, ata përgjigjen menjëherë se seksi para martese është i gabuar.

Por nevojitet më shumë se kaq. Libri Sex Smart vëren se disa të rinj nga jashtë duken se janë dakord me bindjet e prindërve për seksin. Ai thotë: «Ata ndihen tejet të pasigurt për të krijuar opinionet e veta. Kur gjenden në një situatë të papritur dhe përballen me dilemën e atypëratyshme se ‘sa larg të shkojnë’, çorientohen dhe nuk dinë nga t’ia mbajnë.» Kjo është pikërisht arsyeja pse vlerat janë thelbësore. Si ta ndihmosh adoleshentin t’i përvetësojë këto?

Bëja të qarta vlerat e tua.

A beson se seksi duhet të rezervohet vetëm në martesë? Nëse po, thuaja qartë dhe shpesh adoleshentit. Sipas librit Beyond the Big Talk, kërkimet tregojnë se «në familjet ku prindërit u kanë dhënë fëmijëve mesazhe të qarta që tregojnë se nuk duan që adoleshentët të kenë marrëdhënie seksuale, ka më tepër të ngjarë që këta adoleshentë të mos nguten për të kryer marrëdhënie seksuale».

Natyrisht, siç u përmend më sipër, thjesht të pohosh vlerat e tua nuk garanton se djali a vajza do të zgjedhë të jetojë sipas tyre. Por vlerat e forta në familje do të sigurojnë një themel ku fëmijët mund të ndërtojnë vlerat e tyre. Dhe studimet kanë zbuluar se shumë të rinj, me kalimin e kohës, i përvetësojnë vlerat e prindërve, edhe nëse gjatë viteve të adoleshencës duket sikur nuk i marrin parasysh.

SUGJERIM: Shfrytëzo një kronikë lajmesh për të nisur bisedën dhe për të shprehur vlerat e tua. Për shembull, nëse flitet për një krim në lidhje me seksin mund të thuash: «Më trondit mënyra si përpiqen disa burra të përfitojnë nga gratë. Nga mendon se i marrin ide të tilla?»

Mësoji gjithë të vërtetën për seksin.

Paralajmërimet janë të domosdoshme. (1 Korintasve 6:18; Jakovi 1:14, 15) Megjithatë Bibla e paraqit seksin kryesisht si dhuratë nga Perëndia, jo si kurth të Satanait. (Proverbat 5:18, 19; Kënga e Solomonit 1:2) Nëse i flet adoleshentit vetëm për rreziqet mund ta lësh me një pikëpamje të shtrembër, jo sipas Shkrimeve për këtë çështje. Një vajzë nga Franca me emrin Korina, thotë: «Prindërit e vinin shumë theksin tek imoraliteti seksual, dhe kjo bëri të kisha një qëndrim negativ për marrëdhëniet seksuale.»

Sigurohu që fëmijët të dinë gjithë të vërtetën për seksin. Një nënë nga Meksika që quhet Nadia, thotë: «Jam përpjekur gjithnjë që adoleshentët e mi të kuptojnë se seksi është i bukur e i natyrshëm dhe se Perëndia Jehova ua dha njerëzve që të kënaqen. Por vendin e duhur e ka brenda martesës. Mund të na japë lumturi ose dhembje: varet si e përdorim.»

SUGJERIM: Herën tjetër që do të flasësh me fëmijën për seksin, mbylle bisedën me një shprehje pozitive. Mos ki frikë ta përshkruash seksin si një dhuratë të mrekullueshme nga Perëndia që adoleshenti mund ta gëzojë në të ardhmen si i martuar. Shpreh siguri se, derisa të vijë ajo kohë, ai mund t’u përmbahet normave të Perëndisë.

Ndihmoje adoleshentin të peshojë pasojat.

Që të marrin vendime të mira në të gjitha fushat e jetës, adoleshentët duhet të dinë si të identifikojnë mundësitë që kanë e të peshojnë të mirat dhe të këqijat e çdo mundësie. Mos mendo se mjafton vetëm të dinë ç’është e drejtë dhe e gabuar. Një grua e krishterë nga Australia me emrin Ema, thotë: «Kur mendoj për gabimet që kam bërë në rini, mund të them se vetëm t’i dish normat e Perëndisë nuk do të thotë se je dakord me to. Është jetësore të kuptosh dobitë e këtyre normave, si dhe pasojat që vijnë kur i thyejmë ato.»

Bibla mund të ndihmojë, pasi shumë nga urdhërimet e saj përforcohen nga fraza që tregojnë pasojat e keqbërjes. Për shembull, Proverbat 5:8, 9 i nxit të rinjtë të shmangin kurvërinë ‘që të mos e humbasin dinjitetin e tyre para të tjerëve’. Siç tregojnë vargjet, ata që përfshihen në seksin para martese, sakrifikojnë deri diku karakterin, integritetin dhe respektin për veten. Dhe kjo i bën shumë më pak tërheqës për ndonjë partner të mundshëm që i zotëron këto cilësi. Kur adoleshenti mediton për rreziqet fizike, emocionale dhe frymore që vijnë nga shpërfillja e ligjeve të Perëndisë, mund t’i forcohet vendosmëria që të jetojë sipas tyre. *

SUGJERIM: Përdor ilustrimet për ta ndihmuar adoleshentin të kuptojë sa të mençura janë normat e Perëndisë. Për shembull, mund të thuash: «Zjarri i gatimit është i dobishëm, kurse zjarri i pyllit është i dëmshëm. Cili është ndryshimi midis të dyve dhe si zbatohet përgjigjja jote për kufijtë që ka vënë Perëndia për seksin?» Përdor tregimin te Proverbat 5:3-14 që ta ndihmosh adoleshentin të kuptojë pasojat e dëmshme të kurvërisë.

Takaoja, një 18-vjeçar nga Japonia, thotë: «E di se duhet të bëj atë që është e drejtë, por përherë luftoj kundër dëshirave të mishit.» Të rinjtë që ndihen kështu mund të ngushëllohen nga fakti se nuk janë vetëm. Edhe apostulli Pavël, një i krishterë i paepur, pranoi: «Kur dua të bëj atë që është e drejtë, ajo që është e keqe, është brenda meje.»​—Romakëve 7:21.

Do të ishte mirë që adoleshentët të kuptonin se kjo luftë nuk është gjithnjë e keqe. Ajo mund t’i shtyjë të mendojnë mirë se çfarë njerëzish duan të bëhen. Mund t’i ndihmojë të mendojnë seriozisht për pyetjen: «A dua të jem përgjegjës për jetën që bëj dhe të njihem si dikush me karakter dhe integritet, apo dua të njihem si njeri i dobët që bie menjëherë pre e dëshirave të veta?» Pasja e vlerave të mira morale do ta ndihmojë fëmijën t’i përgjigjet me mençuri kësaj pyetjeje.

^ par. 3 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 10 Për sugjerime si të nisësh një bisedë me fëmijët për seksin dhe si t’u japësh informacionin e duhur në përputhje me moshën, shih Kullën e Rojës të 1 nëntorit 2010, faqet 12-14.

^ par. 22 Për më shumë informacion, shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A do ta forcojnë lidhjen tonë marrëdhëniet seksuale?» në revistën Zgjohuni! të prillit 2010, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PYET VETEN . . .

  • Nga e kuptoj se adoleshenti im ka vlera të forta morale?

  • Kur flas me të për seksin, a e paraqit kryesisht si dhuratë nga Perëndia apo si kurth të Satanait?