Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kur të moshuarit të jenë përsëri të rinj

Kur të moshuarit të jenë përsëri të rinj

Afrojuni Perëndisë

Kur të moshuarit të jenë përsëri të rinj

KUSH nga ne i pret me qejf pasojat e moshës së shkuar​—rrudha në lëkurë, shikim të dobët, humbje dëgjimi dhe këmbë që s’mbajnë më? Ndoshta pyetni veten: «Pse na krijoi Perëndia me mundësinë për ta gëzuar gjallërinë e rinisë, por në të njëjtën kohë lejon të na hyjë tmerri nga pasojat e moshës së shkuar?» Lajmi i mirë është se Perëndia nuk na ka krijuar që t’i vuajmë këto pasoja. Në vend të kësaj, ai ka një qëllim të dashur që të na çlirojë nga procesi i plakjes. Vini re fjalët që i tha patriarkut Job, te Jobi 33:24, 25.

Shqyrtoni situatën ku ndodhej Jobi, një burrë besnik të cilin Jehovai e donte. Jobi nuk e dinte që Satanai kishte vënë në dyshim integritetin e tij duke thënë se ai i shërbente Perëndisë vetëm për arsye egoiste. Jehovai e dinte se kishte fuqi t’i zhbënte dëmet dhe kishte besim te Jobi, prandaj e lejoi Satanain ta sprovonte. Pastaj Satanai «e goditi Jobin me çibanë të këqij nga maja e kokës deri në fund të këmbëve». (Jobi 2:7) Mishi i Jobit u mbulua me vemje, lëkura i zuri dregëza, iu nxi dhe i ra. (Jobi 7:5; 30:17, 30) A e përfytyroni dot agoninë e tij? Prapëseprapë, Jobi mbeti besnik dhe tha: «Nga integriteti im nuk do të heq dorë gjersa të vdes.»​—Jobi 27:5.

Megjithatë, Jobi bëri një gabim të madh. Kur mendoi se ishte në prag të vdekjes, u merakos së tepërmi që të shfajësohej dhe «e shpalli veten më të drejtë se Perëndia». (Jobi 32:2) Zëdhënësi i Perëndisë, Elihu, e qortoi Jobin. Por i përçoi edhe një mesazh pozitiv nga Perëndia: «[Jobi] le të mos shkojë në gropë [varri i përbashkët i njerëzimit]! Për të gjeta shpërblesë! Mishi iu bëftë më i freskët se në rini! Iu ktheftë gjallëria si në ditët e rinisë!» (Jobi 33:24, 25) Këto fjalë duhet t’i kenë dhënë shpresë Jobit. Nuk do të vazhdonte të vuante deri në vdekje. Nëse Jobi do të pendohej, Perëndia do ta pranonte me kënaqësi një shpërblesë për të dhe do ta çlironte nga gjëmat që e kishin zënë. *

Jobi e pranoi me përulësi ndreqjen dhe u pendua. (Jobi 42:6) Me sa duket, Jehovai pranoi një shpërblesë për Jobin, duke lejuar që ajo t’ia mbulonte gabimin dhe të hapte rrugën që Perëndia ta rikthente në gjendjen e mëparshme e ta shpërblente. «Jehovai i bekoi vitet e mëvonshme të jetës së Jobit më shumë se të mëparshmet.» (Jobi 42:12-17) Përfytyroni lehtësimin e Jobit kur, bashkë me bekimet e tjera, u shërua nga sëmundja që ngjallte krupë dhe mishi iu bë «më i freskët se në rini».

Shpërblesa që Perëndia pranoi për Jobin kishte vlerë të kufizuar, pasi ai mbeti i papërsosur dhe më vonë vdiq. Ne kemi në dispozicion një shpërblesë shumë më të mirë. Me dashuri, Jehovai e ka dhënë Birin e tij, Jezuin, si shpërblesë për ne. (Mateu 20:28; Gjoni 3:16) Të gjithë ata që besojnë te kjo shpërblesë kanë mundësi të jetojnë përgjithmonë në një tokë parajsore. Në këtë botë të re që po vjen, Perëndia do t’i çlirojë njerëzit nga procesi i plakjes. Pse të mos mësoni më tepër se si mund të jetoni e ta shihni kohën kur të moshuarit do të vërejnë ‘mishin që u bëhet më i freskët se në rini’?

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë prillit:

Jobi 16-37

[Shënimi]

^ par. 3 Fjala «shpërblesë» që përdoret këtu do të thotë «të mbulosh». (Jobi 33:24) Në rastin e Jobit, shpërblesa mund të kishte qenë një flijim në kafshë, të cilin Perëndia do ta pranonte për të mbuluar ose për të shlyer gabimin e Jobit.​—Jobi 1:5.