Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Unë kam besuar»

«Unë kam besuar»

Imitoni besimin e tyre

«Unë kam besuar»

MARTËS s’i shqitej nga mendja varri i vëllait të saj, një shpellë e vulosur me gur. Hidhërimi i rëndonte po aq sa ai gur i madh e i ftohtë. Nuk arrinte ta besonte se Lazari i shtrenjtë nuk ishte më. Katër ditët që kur dha frymën e fundit dukeshin si një rrëmujë e stërzgjatur vajtimesh, vizitorësh e ngushëllimesh.

Tani para Martës ndodhej ai që për Lazarin kishte qenë njeriu më i rëndësishëm. Kur pa sërish Jezuin, e shprehu lirisht hidhërimin, pasi ai ishte i vetmi njeri në botë që mund t’ia kishte shpëtuar vëllanë. Prapëseprapë, Marta gjeti njëfarë ngushëllimi teksa takoi Jezuin jashtë qytetit të vogël kodrinor të Betanisë. Gjatë atyre pak momenteve me të, u ngushëllua nga dashamirësia e syve të tij dhe empatia e sinqertë që ishte gjithnjë aq inkurajuese. Ai i bëri pyetje që e ndihmuan të përqendrohej te besimi i saj dhe te bindjet për ringjalljen. Gjatë bisedës, Marta tha një nga pohimet më të rëndësishme që bëri ndonjëherë: «Unë kam besuar se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, Ai që duhet të vijë në botë.»​—Gjoni 11:27.

Marta kishte besim të jashtëzakonshëm. Ato pak gjëra që na tregon Bibla për të, përmbajnë mësime të thella që mund të ndihmojnë secilin prej nesh të forcojë besimin. Që ta kuptojmë se si mund të ndodhë kjo, le të shqyrtojmë tregimin e parë për Martën në Bibël.

‘Në ankth dhe e merakosur’

Ndodhi muaj më parë. Lazari ishte gjallë dhe shëndoshë e mirë. Shtëpia e tij në Betani po priste mysafirin më të rëndësishëm, Jezu Krishtin. Lazari, Marta dhe Maria ishin familje e pazakontë: vëllai dhe motrat, me sa duket, jetonin bashkë. Disa studiues sugjerojnë se Marta mund të ketë qenë më e madhja, ngaqë duket se ishte amvisa e shtëpisë dhe ndonjëherë përmendet e para. (Gjoni 11:5) Nuk kemi si ta dimë nëse ndonjëri ishte i martuar. Sidoqoftë u bënë miq të ngushtë me Jezuin. Gjatë shërbimit në Jude, ku pati shumë kundërshtim dhe përndjekje, Jezui e bëri bazë shtëpinë e tyre. Pa dyshim që e çmonte shumë atë vend paqeje dhe mbështetjeje.

Marta kishte shumë punë që ta bënte shtëpinë të rehatshme dhe mikpritëse. Meqë ishte punëtore e palodhur, duket se shpesh përpihej në punë. Edhe vizita e Jezuit nuk bënte përjashtim. Shpejt planifikoi një vakt të veçantë me menu të pasur për të ftuarin e rrallë dhe ndoshta për disa nga shokët e tij të udhëtimit. Në atë kohë, mikpritjes i jepej shumë rëndësi. Kur vinte një mysafir, mirëpritej me puthje, i hiqnin sandalet, i lanin këmbët dhe kokën ia vajosnin me vaj aromatik dhe freskues. (Luka 7:44-47) Ishte zakon të kujdeseshe shumë për mysafirin dhe t’i siguroje një vend të mirë pushimi e ushqim të shijshëm.

Marta dhe Maria e dinin çfarë donte zakoni. Pa dyshim që Maria, për të cilën ndonjëherë mendohet se ishte më e ndjeshme dhe më e dhënë pas gjërave frymore në krahasim me Martën, në fillim e ndihmoi motrën. Por, kur erdhi Jezui, gjërat ndryshuan. Për të ky ishte një rast që të mësonte, dhe pikërisht këtë bëri. Ndryshe nga udhëheqësit fetarë të asaj kohe, Jezui i respektonte gratë dhe i mësonte me gatishmëri për Mbretërinë e Perëndisë: tema e shërbimit të tij. Maria, për të cilën ky ishte një rast i pashoq, u ul në këmbët e tij dhe përpinte çdo fjalë.

Mund ta marrim me mend se si Marta bëhej gjithnjë e më në ankth. Me gjithë ushqimet që duhej të përgatiste dhe punët që duhej të bënte për mysafirët, gjithnjë e më shumë i futej ankthi dhe shpërqendrohej. A skuqej ndopak, psherëtinte dukshëm ose ngryste vetullat teksa kalonte lart e poshtë dhe shihte motrën që rrinte ulur e s’e ndihmonte? Nuk do të na vinte çudi nëse po. Nuk mund ta bënte vetëm gjithë atë punë.

Marta nuk e mbante dot më përbrenda shqetësimin, prandaj e ndërpreu Jezuin me fjalët: «Zotëri, s’do t’ia dish që motra ime më ka lënë të merrem vetëm unë me punët? Thuaji të më ndihmojë edhe ajo.» (Luka 10:40) Këto ishin fjalë të forta. Pra, i kërkoi Jezuit ta ndreqte Marinë, ta urdhëronte të punonte.

Përgjigjja e Jezuit mund ta ketë habitur Martën, ashtu si ka habitur shumë lexues të Biblës që nga ajo kohë. Me butësi ai i tha: «Martë, Martë, ti je në ankth dhe merakosesh për shumë gjëra. Por pak gjëra janë të nevojshme ose vetëm një. Maria zgjodhi pjesën e mirë dhe nuk do t’i hiqet.» (Luka 10:41, 42) Ç’donte të thoshte Jezui? Mos po e quante Martën materialiste? Mos po e nënvlerësonte punën e saj të palodhur për një vakt të shkëlqyer?

Jo. Jezui e pa qartë se motivet e Martës ishin të dashura dhe të pastra. Për më tepër, nuk mendonte se mikpritja me një bollëk gjërash ishte medoemos e gabuar. Me gatishmëri kishte marrë pjesë në ‘gostinë e madhe’ që Mateu shtroi për të ca kohë më parë. (Luka 5:29) Problemi nuk qëndronte te vakti i Martës, por te përparësitë e saj. Kaq e përqendruar ishte te vakti i veçantë që po përgatiste, sa u shpërqendrua nga gjëja më e rëndësishme. Çfarë ishte kjo?

Jezui, Biri i vetëmlindur i Perëndisë Jehova, ishte te shtëpia e Martës që t’u mësonte të vërtetën. Asgjë, përfshirë vaktin dhe përgatitjet e saj të dashura, nuk ishte më e rëndësishme. Pa dyshim, Jezuit i erdhi keq që Marta nuk po përfitonte nga një mundësi unike që të forconte besimin, por e la të zgjidhte vetë. Megjithatë, ishte krejt ndryshe që Marta t’i kërkonte Jezuit ta detyronte Marinë që të mos përfitonte edhe ajo.

Prandaj ai e ndreqi me ëmbëlsi Martën dhe ia përsëriti me butësi emrin që t’ia qetësonte nervat e acaruara, si dhe e siguroi se nuk ishte e nevojshme të ishte në ‘ankth dhe e merakosur për shumë gjëra’. Një vakt i thjeshtë me një a dy gjëra mjaftonte, sidomos kur kishte banket frymor. Patjetër që nuk do t’ia hiqte Marisë «pjesën e mirë» që zgjodhi​—të mësonte nga Jezui.

Ky tregim i shkurtër që përshkruan çfarë ndodhi në shtëpinë e Martës, ka mjaft mësime për dishepujt e Krishtit sot. Nuk duhet të lejojmë kurrë që ndonjë gjë të na pengojë të plotësojmë ‘nevojën që të mësojmë për Perëndinë’. (Mateu 5:3) Duam që të imitojmë bujarinë dhe frymën e papërtuar të Martës, por, në njëjtën kohë, nuk duam të jemi asnjëherë kaq në ‘ankth dhe të merakosur’ për pjesën më pak të rëndësishme të mikpritjes, sa të mos përfitojmë nga gjëja më e rëndësishme. Arsyeja kryesore pse shoqërohemi me bashkëbesimtarët nuk është për të shërbyer e për të ngrënë ushqim të kushtueshëm, por për të inkurajuar njëri-tjetrin dhe për të dhënë dhurata frymore. (Romakëve 1:11, 12) Edhe vakti më i thjeshtë mund të jetë një rast ndërtues.

Vëllai i dashur vdes dhe kthehet në jetë

A e pranoi Marta qortimin e butë të Jezuit dhe a mësoi prej tij? S’ka pse të hamendemi për këtë. Apostulli Gjon, në hyrje të tregimit emocionues për vëllanë e Martës, na kujton: «Jezui e donte Martën, motrën e saj dhe Lazarin.» (Gjoni 11:5) Kishin kaluar disa muaj që nga vizita e Jezuit në Betani, siç u përshkrua më sipër. Duket qartë se Marta nuk kishte ushqyer mëri e as rrinte e vrenjtur ndaj Jezuit për këshillën e dhënë me dashuri. E kishte marrë për zemër këshillën. Edhe në këtë drejtim la një shembull besimi për ne, pasi cili prej nesh nuk ka nevojë për pak qortim herë pas here?

Kur iu sëmur vëllai, Marta kujdesej gjithë kohën për të. Ajo bëri gjithçka kishte në dorë që t’ia lehtësonte dhembjen dhe ta ndihmonte të ndihej më mirë. Pavarësisht nga kjo, Lazari përkeqësohej gjithnjë e më tepër. Kushedi sa herë Marta vështronte ngultas fytyrën e hequr të vëllait, duke kujtuar vitet e shumta dhe gëzimet e trishtimet që kishin kaluar së bashku.

Kur dukej se Lazarin nuk e ndihmonin dot më, Marta dhe Maria i çuan lajm Jezuit. Ai po predikonte në një vend dy ditë larg në këmbë. Mesazhi i tyre ishte i qartë: «Zotëri, ai që ti e ke për zemër, është i sëmurë.» (Gjoni 11:1, 3) Ato e dinin se Jezui e donte vëllanë e tyre dhe kishin besim se do të bënte çdo gjë për ta ndihmuar mikun e tij. A shpresonin me zjarr që Jezui të vinte para se të ishte tepër vonë? Po të ishte kështu, ato shpresuan më kot. Lazari vdiq.

Së bashku, Marta dhe Maria e vajtuan vëllanë ndërkohë që merreshin me përgatitjet e varrimit dhe pritnin njerëzit e shumtë nga Betania dhe rrethinat e saj. Jezui ende nuk po dukej. Sigurisht që Marta çuditej gjithnjë e më shumë ndërsa koha kalonte. Më në fund, katër ditë pas vdekjes së Lazarit, ajo mori vesh që Jezui po i afrohej qytetit. Si një grua energjike, edhe në këtë orë të zymtë, Marta u ngrit dhe, pa i treguar Marisë, nxitoi të takonte Jezuin.​—Gjoni 11:20.

Kur i zunë sytë Zotërinë e saj, i shprehu mendimin që e kishte torturuar atë dhe Marinë për ditë me radhë: «Zotëri, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të vdiste.» Shpresa dhe besimi ishin ende gjallë te Marta. Ajo shtoi: «Megjithatë, edhe tani, unë e di se Perëndia të jep gjithçka që ti i kërkon.» Jezui menjëherë tha diçka që t’ia forconte shpresën: «Yt vëlla do të ngrihet.»​—Gjoni 11:21-23.

Marta mendonte se Jezui po fliste për ringjalljen e ardhshme, prandaj iu përgjigj: «E di se do të ringjallet ditën e fundit.» (Gjoni 11:24) Besimi i saj në atë mësim ishte i jashtëzakonshëm. Disa udhëheqës fetarë judenj, të quajtur saducenj, mohonin se do të kishte ringjallje, edhe pse ishte një mësim i qartë i Shkrimeve të frymëzuara. (Danieli 12:13; Marku 12:18) Gjithsesi, Marta e dinte se Jezui e mësonte shpresën e ringjalljes, madje kishte ringjallur njerëz—edhe pse askënd që kishte qenë i vdekur aq gjatë sa Lazari. Ajo s’e dinte çfarë do të ndodhte pas pak.

Më pas Jezui tha diçka të paharrueshme: «Unë jam ringjallja dhe jeta.» Në fakt, Perëndia Jehova i ka dhënë Birit të tij autoritetin që të kryejë ringjallje në shkallë globale, në të ardhmen. Jezui e pyeti Martën: «A e beson këtë?» Pastaj ajo dha përgjigjen që gjendet në fillim të këtij artikulli. Ajo besonte se Jezui ishte Krishti ose Mesia, se ishte Biri i Perëndisë Jehova dhe se profetët kishin parathënë që ai do të vinte në botë.​—Gjoni 5:28, 29; 11:25-27.

A e vlerësojnë këtë lloj besimi Perëndia Jehova dhe Biri i tij, Jezu Krishti? Ngjarjet që u shpalosën para syve të Martës më vonë, e japin qartë përgjigjen. Ajo nxitoi që të merrte motrën. Më pas vuri re se Jezui u prek thellë teksa fliste me Marinë dhe me njerëzit e tjerë që vajtonin. Marta pa lotët t’i rridhnin nga sytë teksa ai e tregonte hapur hidhërimin e thellë të dhembjes që shkakton vdekja. Dëgjoi Jezuin të urdhëronte që guri të hiqej nga varri i vëllait të saj.​—Gjoni 11:28-39.

Si grua praktike që ishte, Marta kundërshtoi duke thënë se trupi duhej të vinte erë, tani që kishin kaluar katër ditë nga vdekja. Jezui i kujtoi: «A nuk të thashë se po të besoje, do të shikoje lavdinë e Perëndisë?» Ajo besoi dhe e pa lavdinë e Perëndisë Jehova. Pikërisht në atë çast dhe në atë vend, Perëndia i dha fuqi Birit të tij që ta sillte sërish në jetë Lazarin. Mendo për çastet që Martës duhet t’i jenë ngulitur në mendje për tërë jetën. Si për shembull: thirrja urdhëruese e Jezuit: «Lazar, dil jashtë!»; zhurma e dobët që vinte nga shpella teksa Lazari i varrosur ngrihej dhe i afrohej daljes ende i lidhur me pëlhura që përdoreshin kur përgatitnin trupin për varrim; urdhri i Jezuit që ‘ta zgjidhnin e ta linin të lirë’ dhe sigurisht përqafimi tejet i zjarrtë i Martës dhe Marisë me vëllanë teksa turreshin në krahët e tij. (Gjoni 11:40-44) Hidhërimi nuk rëndonte më në zemrën e Martës.

Kjo ngjarje tregon se ringjallja e të vdekurve nuk është thjesht një dëshirë në zemrën tonë. Është një mësim biblik që të ngroh zemrën dhe një realitet historik i vërtetuar. Jehovai dhe Biri i tij duan fort ta shpërblejnë besimin, siç bënë në rastin e Martës, Marisë dhe Lazarit. Ata i ruajnë shpërblime të tilla edhe për ty, nëse zhvillon besim të fortë si ai i Martës. *

«Marta po shërbente»

Tregimi biblik e përmend Martën edhe një herë tjetër. Ishte fillimi i javës së fundit që Jezui do të kalonte në tokë. Duke ditur mirë se çfarë vështirësish e prisnin, ai zgjodhi përsëri shtëpinë e Lazarit në Betani si banesën e tij. Që atje, do të ecte tre kilometra për në Jerusalem. Jezui dhe Lazari po darkonin në shtëpinë e Simonit, që ishte i lebrosur. Këtu gjejmë pohimin e fundit për personazhin tonë: «Marta po shërbente.»​—Gjoni 12:2.

Sa tipar dallues për këtë grua të palodhur! Kur lexojmë për herë të parë rreth saj në Bibël, ajo është duke punuar; edhe kur përmendet për herë të fundit, ajo është përsëri duke punuar, duke bërë më të mirën që të kujdeset për nevojat e atyre që e rrethojnë. Sot kongregacionet e dishepujve të Krishtit janë të bekuara që kanë gra si Marta—me forcë karakteri dhe bujare, të cilat gjithmonë e tregojnë besimin me vepra, duke dhënë nga vetja. Me sa duket Marta bënte pikërisht kështu. E nëse po, vepronte me mençuri, pasi përpara e prisnin pengesa të tjera.

Brenda pak ditësh Marta duhej të duronte vdekjen e tmerrshme të Zotërisë së shtrenjtë, Jezuit. Për më tepër, të njëjtët hipokritë vrasës që do të vritnin Jezuin ishin të vendosur të vritnin edhe Lazarin, ngaqë për shkak të ringjalljes së tij shumë veta po tregonin besim. (Gjoni 12:9-11) Dhe pa dyshim, me kalimin e kohës vdekja i ndau lidhjet e dashura që bashkonin Martën me vëllanë e motrën. Nuk e dimë se si dhe kur ndodhi kjo, por, për një gjë mund të jemi thuajse të sigurt: besimi i çmuar i Martës e ndihmoi të qëndronte deri në fund. Ja pse të krishterët sot bëjnë mirë të imitojnë besimin e Martës.

[Shënimi]

^ par. 27 Për të ditur më shumë rreth mësimit të Biblës për ringjalljen, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Figura në faqen 11]

Edhe pse e hidhëruar, Marta e la Jezuin t’ia drejtonte vëmendjen te gjërat besimforcuese

[Figura në faqen 12]

Ndonëse në ‘ankth dhe e merakosur’, Marta e pranoi me përulësi ndreqjen

[Figura në faqen 15]

Besimi i Martës te Jezui u shpërblye kur pa vëllanë të ringjallur