Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A shkojnë në qiell gjithë të krishterët besnikë?

A shkojnë në qiell gjithë të krishterët besnikë?

Lexuesit pyesin . . .

A shkojnë në qiell gjithë të krishterët besnikë?

▪ Mjaft veta kanë lexuar këto fjalë të Jezuit që të japin zemër: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) A donte të thoshte Jezui se të gjithë adhuruesit besnikë të Atit të tij, Perëndisë Jehova, do të shkonin në qiell që të gëzonin jetën e përhershme e të ishin vërtet të lumtur?

Vër re këtë thënie të Jezuit që të vë në mendime: «Askush nuk është ngjitur në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, Birit të njeriut.» (Gjoni 3:13) Kjo nënkupton se adhuruesit besnikë të së kaluarës, si: Noeja, Abrahami, Moisiu dhe Davidi nuk kishin shkuar në qiell. (Veprat 2:34) Atëherë, ku shkuan të gjithë ata? E thënë shkurt, besnikët e kohëve të lashta janë në varr, në gjumin e vdekjes, të pavetëdijshëm, duke pritur ringjalljen.​—Eklisiastiu 9:5, 6; Veprat 24:15.

Jezui është i pari që tha se disa do të jetonin në qiell pas vdekjes. Ai u tha apostujve se do t’u përgatiste një vend në qiell. (Gjoni 14: 2, 3) Kjo ishte diçka e re për popullin e Perëndisë. Më vonë, apostulli Pavël shpjegoi se, pas vdekjes dhe ringjalljes në qiell, Jezui ‘përuroi për dishepujt një udhë të re e të gjallë’​—udhë ku nuk kishte kaluar asnjë njeri më parë.​—Hebrenjve 10:19, 20.

A do të thotë kjo se që nga ajo kohë të gjithë besnikët do të shkonin në qiell? Jo, pasi ringjallja në qiell lidhet ngushtë me një caktim që u jepet vetëm disa njerëzve. Gjatë mbrëmjes së fundit që kaluan së bashku, Jezui u tha apostujve se do ‘të uleshin në frone që të gjykonin’ në Mbretërinë e tij qiellore. Kështu që sundimi bashkë me Jezuin në qiell do të ishte caktimi i tyre.​—Luka 22:28-30.

Përveç apostujve, edhe njerëz të tjerë do të merrnin këtë caktim të mrekullueshëm. Në një vegim, apostulli Gjon pa Jezuin me një grup të ringjallurish në qiell që përshkruhen si ‘një mbretëri dhe priftërinj që mbretërojnë mbi tokën’. (Zbulesa 3:21; 5:10) Sa veta ishin? Ashtu si në çdo qeveri, vetëm një numër i kufizuar njerëzish qeverisin. Po njësoj është edhe me këtë Mbretëri qiellore. Jezui, Qengji i Perëndisë, sundon me 144.000 bashkësundimtarë të «blerë nga gjiri i njerëzimit».​—Zbulesa 14:1, 4, 5.

Është e vërtetë se 144.000 janë pak, krahasuar me numrin e të gjithë besnikëve në të kaluarën dhe tani. Por kjo kuptohet, pasi këta 144.000 veta ringjallen në qiell që t’u caktohet një punë specifike e shenjtë. Nëse do të ndërtoje një shtëpi, a do të merrje në punë të gjithë ndërtuesit e aftë në zonën tënde? Jo. Do të të duheshin vetëm aq sa e kërkon puna. Njësoj, Perëndia nuk i zgjedh të gjithë besnikët për privilegjin unik që të sundojnë me Krishtin në qiell.

Kjo qeveri qiellore do të përmbushë qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzimin. Jezui dhe 144.000 bashkësundimtarët e tij do të mbikëqyrin shndërrimin e tokës në një parajsë globale, ku një numër tejet i madh besnikësh do të jetojnë të lumtur përgjithmonë. (Isaia 45:18; Zbulesa 21:3, 4) Këtu do të përfshihen ata që janë në kujtesën e Perëndisë, të cilët do të ringjallen.​—Gjoni 5:28, 29.

Çdo adhurues besnik i Jehovait, në të kaluarën a tani, mund të marrë dhuratën e mrekullueshme të jetës së përhershme. (Romakëve 6:23) Pak veta do të marrin jetën në qiell për një caktim të veçantë, kurse shumica dërrmuese do të jetojë në tokë në një parajsë mbarëbotërore.