Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ngushëllim për zemërthyerit

Ngushëllim për zemërthyerit

Afrojuni Perëndisë

Ngushëllim për zemërthyerit

«JEHOVAI nuk do të më dojë kurrë.» Kështu u shpreh një e grua e krishterë që ka luftuar me depresionin për një pjesë të mirë të jetës. Ajo e bindi veten se Jehovai është larg saj. A është vërtet Jehovai larg adhuruesve që mund të jenë të dëshpëruar? Përgjigjja ngushëlluese gjendet në fjalët e frymëzuara të psalmistit David, siç dokumentohet te Psalmi 34:18.

Davidi e dinte ç’pasoja sjell dëshpërimi i thellë te një adhurues besnik i Jehovait. Kur ishte i ri, ai jetoi si i arratisur dhe ndiqej këmba-këmbës nga Sauli, një mbret xheloz i betuar që ta vriste. Davidi kërkoi strehim atje ku mund të ishte vendi i fundit që Sauli do ta kërkonte​—në qytetin armik të Gathit, në territorin filistin. Por, pasi e pikasën, Davidi shpëtoi për një fije duke u shtirur si i çmendur. Ai ia dha meritën Perëndisë për shpëtimin dhe, bazuar te kjo përvojë, shkroi Psalmin 34.

A mendonte Davidi se Perëndia është shumë larg atyre që brengosen ose ndihen të padenjë për vëmendjen e Tij, kur përballen me dëshpërimin? Davidi shkruan: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.» (Vargu 18) Le të shohim si gjejmë ngushëllim dhe shpresë nga këto fjalë.

«Jehovai u rri pranë.» Një vepër referimi thotë se kjo frazë është «një mënyrë shprehëse për të thënë se Zotëria tregohet i vëmendshëm dhe syçelë, gjithmonë gati që të ndihmojë dhe të shpëtojë popullin e tij». Është qetësuese të dimë se Jehovai e ruan popullin e tij. Ai sheh çfarë po heqin ata në këto «kohë kritike» dhe ua njeh ndjenjat më të thella.​—2 Timoteut 3:1; Veprat 17:27.

«Zemërthyerve.» Në disa kultura, «një zemër e thyer» nënkupton dashuri të njëanshme. Por një studiues thotë se fjalët e psalmistit i referohen «hidhërimit dhe brengave më të zakonshme». Po, nganjëherë, edhe adhuruesit besnikë të Perëndisë mund të përjetojnë vështirësi ekstreme që ua thyejnë zemrën.

«Ata që e kanë frymën të dërrmuar.» Ata që janë të shkurajuar, mund të bëhen kaq të pavlerë në sytë e tyre, sa në ndonjë moment i humbin të gjitha shpresat. Një manual për përkthyesit e Biblës thotë se kjo shprehje mund të përkthehet edhe «ata që s’kanë asgjë të mirë për ta pritur me padurim».

Si reagon Jehovai ndaj atyre që janë ‘zemërthyer’ dhe e kanë «frymën të dërrmuar»? A u qëndron larg, duke menduar se nuk janë të denjë për dashurinë dhe vëmendjen e tij? Përkundrazi! Ashtu si një prind i dashur e mban afër dhe e ngushëllon fëmijën kur është i dëshpëruar, edhe Jehovai u rri pranë adhuruesve që e thërrasin për ndihmë. Ai ka dëshirë të zjarrtë t’ua ngushëllojë e t’ua qetësojë zemrën e thyer dhe frymën e dërrmuar. Mund t’u japë mençurinë dhe forcën e nevojshme për të përballuar çdo sprovë që mund të hasin.​—2 Korintasve 4:7; Jakovi 1:5.

Pse të mos mësosh si t’i afrohesh Jehovait? Ky Perëndi i dhembshur premton: «Unë banoj . . . me të dërrmuarin dhe të përvuajturin në frymë, që të rigjallëroj frymën e të përvuajturve dhe zemrën e të dërrmuarve.»​—Isaia 57:15.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë qershorit:

Psalmet 26-59