Bisedë me një të interesuar—A shkojnë të gjithë njerëzit e mirë në qiell?
Bisedë me një të interesuar—A shkojnë të gjithë njerëzit e mirë në qiell?
DËSHMITARËT E JEHOVAIT kënaqen kur flasin për Biblën me të tjerët. A keni pyetje për ndonjë temë biblike? A jeni kureshtar për ndonjë bindje ose praktikë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait? Nëse po, mos ngurroni të flitni për këto herën tjetër që do të takoni një Dëshmitar. Ai ose ajo do të bisedojë me kënaqësi për këto çështje.
Më poshtë tregohet një bisedë tipike që një Dëshmitar bën me dikë. Le të përfytyrojmë sikur një Dëshmitar që quhet Mark ka shkuar në shtëpinë e një burri me emrin Robert.
Çfarë do të bëjnë në qiell ata që shkojnë atje?
Marku: Si mendoni, në të ardhmen a do të përmirësohen gjërat, do të përkeqësohen apo do të jenë njësoj?
Roberti: Mendoj se gjërat do të përmirësohen. Mezi pres të shkoj në qiell që të jem me Zotin.
Marku: Kjo është një shpresë e mrekullueshme. Bibla flet shumë për qiellin dhe për privilegjin për të shkuar atje. A ke menduar ndonjëherë se çfarë do të bëjnë në qiell ata që shkojnë atje?
Roberti: Do të jemi me Perëndinë dhe do ta lëvdojmë përgjithmonë.
Marku: Pa dyshim që kjo është një e ardhme e bukur. Është interesante se Bibla tregon jo vetëm privilegjet që do të kenë ata që shkojnë në qiell, por edhe një përgjegjësi të rëndësishme.
Roberti: Çfarë përgjegjësie?
Marku: Është përgjegjësia që përmendet këtu te Zbulesa 5:10. Ja ç’thotë: ‘Ti [Jezui] i bëre një mbretëri dhe priftërinj për Perëndinë tonë, dhe ata do të mbretërojnë mbi tokën.’ Siç e sheh, Robert, çfarë përgjegjësie do të kenë ata që shkojnë në qiell?
Roberti: Vargu thotë se do të sundojnë si mbretër mbi tokën.
Marku: A s’është mendim interesant ky?
Mbi cilët do të sundojnë?
Marku: Nëse ata që shkojnë në qiell do të sundojnë si mbretër, a s’je dakord se duhet të ketë edhe njerëz mbi të cilët sundojnë? Në fund të fundit, a ka kuptim një qeveri pa nënshtetas?
Roberti: Mirë e ke.
Marku: Pra, natyrshëm lind pyetja: mbi cilët do të sundojnë ata?
Roberti: Ma merr mendja se do të sundojmë mbi ata njerëz në tokë të cilët ende s’kanë vdekur që të shkojnë në qiell.
Marku: Kjo do të dukej e arsyeshme po të shkonin të gjithë njerëzit e mirë në qiell. Por le të shohim një mundësi tjetër. A mund të ndodhë që disa njerëz—disa njerëz të mirë—të mos shkojnë në qiell?
Roberti: Nuk kam dëgjuar që ndonjë i krishterë ta besojë këtë.
Marku: E bëra këtë pyetje për shkak të asaj që thuhet te Psalmi 37:29. A mund ta lexosh këtë varg, të lutem?
Roberti: Po. «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»
Marku: Faleminderit! A e pe se ku do të jetojnë shumë njerëz të mirë?
Roberti: Vargu thotë se do të jetojnë në tokë.
Marku: Pikërisht, dhe jo vetëm për pak kohë. Vargu thotë: «Do të banojnë përgjithmonë në të.»
Roberti: Mbase e ka fjalën thjesht që do të ketë gjithnjë njerëz të mirë në tokë. Kur vdesim dhe shkojmë në qiell, lindin njerëz të tjerë të mirë që na zëvendësojnë.
Marku: Mjaft veta ndoshta do ta interpretonin kështu këtë varg. Por, a ka mundësi që vargu të nënkuptojë edhe diçka tjetër? A mund ta ketë fjalën se vetë njerëzit e mirë do të jetojnë përgjithmonë në tokë?
Roberti: S’e kuptoj ku do të dalësh.
Një parajsë e ardhshme tokësore
Marku: Po ja, le të shohim si e përshkruan një varg tjetër biblik jetën në tokë në të ardhmen. Le të lexojmë Zbulesën 21:4. Për njerëzit që do të jetojnë në atë kohë, vargu thotë: «Ai [Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» A do të të pëlqente kjo e ardhme?
Roberti: Po. Por mendoj se aty tregohet si do të jetë jeta në qiell.
Marku: Është e vërtetë se ata që shkojnë në qiell do të përjetojnë bekime të ngjashme. Por shiko sërish çfarë thotë vargu. Ç’do të ndodhë me vdekjen?
Roberti: Këtu thuhet se «nuk do të ketë më vdekje».
Marku: Tamam. Besoj edhe ti je dakord se, që diçka të mos jetë më, së pari duhet të ekzistojë.
Roberti: Patjetër.
Marku: Por në qiell nuk ka pasur ndonjëherë vdekje, apo jo? Vetëm këtu në tokë vdesin njerëzit.
Roberti: Hmm, duhet të mendohem për këtë.
Marku: Shiko, Robert, Bibla na mëson se disa njerëz të mirë do të shkojnë në qiell, por shumë të tjerë do të jetojnë përgjithmonë në tokë. Jam i sigurt se i ke dëgjuar fjalët e famshme: «Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën.»—Mateu 5:5, Diodati i Ri.
Roberti: Po, e kam dëgjuar shumë herë në kishë këtë varg.
Marku: Nëse zemërbutët do të trashëgojnë tokën, a nuk nënkupton kjo se toka do të banohet nga njerëz? Ata që do të jetojnë në tokë, do të gëzojnë bekimet e parathëna këtu te Zbulesa. Do të shohin si do të ndryshojë rrënjësisht bota jonë, sepse Perëndia do të zhdukë çdo gjë të keqe—edhe vdekjen.
Roberti: E shoh ku do të dalësh, por s’jam i sigurt nëse mjaftojnë vetëm një ose dy vargje biblike për të provuar atë që the.
Marku: Pa dyshim që jo. Ç’është e vërteta, ka një sërë shkrimesh që flasin për jetën në tokë në të ardhmen. Ndoshta të tregoj një nga vargjet e mia të preferuara, nëse ke pak kohë?
Roberti: Po, kam kohë.
«I ligu nuk do të jetë më»
Marku: Më parë lexuam Psalmin 37:29. Le ta shohim sërish këtë psalm. Këtë herë do të lexojmë vargjet 10 e 11. Të lutem, a mund t’i lexosh?
Roberti: Patjetër. «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»
Marku: Faleminderit! Sipas vargut 11, ku do të jetojnë «zemërbutët» ose njerëzit e mirë?
Roberti: Këtu thuhet se «do të trashëgojnë tokën». Megjithatë, mendoj se ky varg zbatohet tani; në fund të fundit, sot ka njerëz të mirë në tokë.
Marku: Ashtu është. Sidoqoftë, shih se vargu thotë edhe se njerëzit e mirë do të kenë ‘paqe pa fund’. Sot nuk ka shumë paqe në botë, apo jo?
Roberti: Jo, nuk ka.
Marku: Atëherë, si do të përmbushet ky premtim? Ndoshta të ndihmon ky krahasim: përfytyro sikur je pronari i një pallati. Disa nga qiraxhinjtë janë njerëz të mirë, kujdesen për apartamentin e tyre dhe mundohen të jenë fqinjë të mirë. Ti ua jep me kënaqësi apartamentin me qira. Kurse të tjerë janë qiraxhinj të këqij. Ata e dëmtojnë pronën dhe ua nxijnë jetën komshinjve. Tani, nëse këta banorë të këqij nuk do të pranonin të ndryshonin qëndrim, çfarë do të bëje?
Roberti: Do t’i dëboja.
Marku: Pikërisht këtë do të bëjë edhe Perëndia me njerëzit e këqij në kohën tonë. Shikoje edhe një herë vargun 10. Ai thotë: «I ligu nuk do të jetë më.» Me fjalë të tjera, Perëndia ‘do t’i dëbojë’ njerëzit që i shqetësojnë të tjerët. Atëherë njerëzit e mirë do të gëzojnë një jetë paqësore në tokë. E kuptoj se mendimi që njerëzit e mirë të jetojnë përgjithmonë në tokë, mund të të duket disi ndryshe nga ajo që të kanë mësuar në të kaluarën.
Roberti: Po. S’e kam dëgjuar kurrë këtë në kishën time.
Marku: Dhe, siç e përmende më parë, nuk mjafton të shqyrtojmë vetëm një ose dy vargje për këtë argument. Është e vërtetë se duhet të shqyrtojmë çfarë thotë e gjithë Bibla për të ardhmen e njerëzve të mirë. Por, duke u bazuar në shkrimet që lexuam sot, a mendon se edhe në qiell do të shkojnë disa njerëz të mirë, ndërkohë që shumë njerëz të mirë do të jetojnë përgjithmonë këtu në tokë?
Roberti: S’jam i sigurt. Por më duhet ta pranoj se nga shkrimet që lexove, duket se po. Duhet të mendohem më tepër për këtë.
Marku: Ndërsa mendon më tej për këtë temë, mbase të lindin pyetje të tjera. Për shembull, ç’ka ndodhur me njerëzit e mirë që kanë jetuar para nesh? A kanë shkuar të gjithë në qiell? Nëse jo, ku janë tani?
Roberti: Pyetje interesante.
Marku: Ndoshta mund të bëj dy gjëra për ty. Së pari, më lejo të shkruaj disa shkrime që kanë lidhje me këtë argument. * Së dyti, do të doja të kthehesha e të flitnim për këto shkrime, pasi t’i kesh lexuar e të kesh menduar për to. Si thua?
Roberti: Po, dakord. Faleminderit!
[Shënimi]