Emri i Perëndisë bëhet i njohur në suahili
«Suahili». Kur përmendet kjo gjuhë, shumë vetave u del para syve Afrika dhe kafshët e egra që enden savanës së Serengetit. Por, pas gjuhës suahili dhe njerëzve që e flasin, fshihet shumë më tepër se kaq.
SUAHILI është një gjuhë që e flasin jo pak, por 100 milionë njerëz në të paktën 12 vende tejembanë Afrikës Qendrore dhe Lindore. * Është gjuhë kombëtare ose zyrtare në disa shtete, si në Kenia, në Tanzani dhe në Ugandë. Gjithashtu, në vendet përqark shërben si gjuhë e përbashkët, duke u dhënë mundësi njerëzve nga rajone të ndryshme të bëjnë tregti dhe të merren vesh kollaj me njëri-tjetrin.
Suahili ka luajtur rol tepër të rëndësishëm në bashkimin e popullsisë së Afrikës Lindore. Për shembull, vetëm në Tanzani fliten të paktën 114 gjuhë fisesh. Merre me mend të udhëtosh vetëm 40 deri në 80 kilometra larg shtëpisë dhe të takosh njerëz që flasin një gjuhë krejt ndryshe nga jotja. E ka raste kur të gjithë ata që flasin një gjuhë të caktuar jetojnë vetëm në ca fshatra të vogla. Si do të komunikoje me ta? S’është e vështirë ta kuptosh pse është kaq e dobishme një gjuhë e përbashkët.
Historia e suahilit
Mendohet se suahili flitet të paktën që nga shekulli i 10-të. Në shekullin e 16-të u bë gjuhë e shkruar. Ata që mësojnë suahili, shpejt e kuptojnë se një sërë fjalësh tingëllojnë si arabisht. Në fakt, të paktën 20 për qind e fjalëve në suahili kanë origjinë arabe, ndërsa shumica e fjalëve të tjera kanë origjinë afrikane. Prandaj, s’është çudi që për disa shekuj suahili shkruhej me alfabet arab.
Sot suahili shkruhet me alfabet latin. Çfarë ndodhi? Pse ky ndryshim? Për të zbuluar përgjigjen, duhet të kthehemi në mesin e shekullit të 19-të, kur arritën në Afrikën Lindore misionarët e parë evropianë, me synimin që t’u jepnin mesazhin e Biblës banorëve vendës.
Fjala e Perëndisë mbërrin në Afrikën Lindore
Më 1499, gjatë udhëtimit legjendar të Vasko de Gamës përqark skajit jugor të Afrikës, disa misionarë portugezë futën katolicizmin në Afrikën Lindore duke ngritur një mision në Zanzibar. Mirëpo, brenda 200 vjetësh, si pasojë e kundërshtimit, portugezët me gjithë «krishterimin» u dëbuan nga rajoni.
Do të duheshin edhe 150 vjet të tjerë që Fjala e Perëndisë të depërtonte sërish në Afrikën Lindore. Kësaj here, e çoi atje një misionar gjerman, Johan Ludvig Krapfi. Kur ai mbërriti në Mombasë, Kenia, më 1844, në bregun e Afrikës Lindore praktikohej kryesisht myslimanizmi, kurse shumë popuj që jetonin në brendësi të kontinentit ndiqnin bindjet fetare tradicionale, animiste. Krapfi mendonte se ishte jetësore që Bibla të vihej në dispozicion të të gjithëve.
Pa humbur asnjë minutë, ai iu përvesh studimit të gjuhës suahili. Në qershor 1844, pak pasi shkoi atje, Krapfi mori përsipër punën e vështirë të përkthimit të Biblës. Mjerisht, tamam muajin vijues pësoi një humbje tragjike—i vdiq e shoqja me të cilën kishte 2 vjet martuar, e vetëm pak ditë më vonë edhe vajza e tyre e vogël. Edhe pse i pikëlluar, nuk e ndërpreu punën jetësore të përkthimit të Biblës. Më 1847, u botuan tre kapitujt e parë të librit të Zanafillës. Kjo ishte vepra e parë e shtypur në gjuhën suahili.
Krapfi ishte i pari që e shkroi gjuhën suahili me alfabet latin në vend të alfabetit të zakonshëm arab. Ndër arsyet pse hoqi dorë nga alfabeti arab, siç u shpreh ai vetë, ishin se «alfabeti arab do të ishte veç një pengesë për evropianët» që do të mësonin më pas këtë gjuhë dhe se «alfabeti latin do t’ua bënte më të lehtë ‘vendësve të studionin gjuhët evropiane’». Disa vazhduan ta përdornin alfabetin arab edhe për shumë vjet; mjaft pjesë të Biblës u botuan me këtë alfabet. Gjithsesi, përdorimi i alfabetit latin ua ka bërë vërtet më të lehtë shumë vetave të mësojnë suahili. S’diskutohet se plot misionarë dhe të tjerë që mësojnë suahilin janë goxha të kënaqur që u bë ky ndryshim.
Përveçse ishte nismëtari i përkthimit të Fjalës së Perëndisë në suahili, Krapfi u shtroi rrugën përkthyesve që do të vinin pas tij. Ai nxori librin e parë të gramatikës në suahili, si edhe një fjalor në atë gjuhë.
Emri i Perëndisë në suahili
Në botimin origjinal të tre kapitujve të parë të Zanafillës, emri i Perëndisë u përkthye thjesht «Perëndi i Plotfuqishëm». Megjithatë, nga fundi i shekullit të 19-të, në Afrikën Lindore mbërritën burra të tjerë që çuan përpara punën e përkthimit të krejt Biblës në suahili. Ndër ta ishin Johan Rebmani, Uilliam Tejlori, Heri Binsi, Eduard Stiri, Fransis Hoxhsoni dhe Artur Madani.
Ia vlen të përmendet se në disa nga ato përkthime të hershme u fut emri i Perëndisë, e jo vetëm tek-tuk, por kudo në Shkrimet Hebraike. Ata që përkthenin në Zanzibar e përkthyen emrin hyjnor «Jahuva», ndërsa përkthyesit me qendër në Mombasë e përkthyen «Jehova».
Në vitin 1895, kishte dalë e gjithë Bibla në suahili. Gjatë dekadave pasuese, dolën një sërë përkthimesh të tjera të Biblës, ndonëse disa prej tyre nuk u përhapën në masë. Në vitet e para të shekullit të 20-të, u bënë përpjekje të mëdha për njësimin e gjuhës suahili në Afrikën Lindore. Falë kësaj, më 1952 doli Versioni i Bashkuar Suahili, që sot është përkthimi më i përhapur. Gjithashtu, si rrjedhojë, emri «Jehova» u bë përkthimi i pranuar më gjerësisht i emrit të Perëndisë në suahili.
Mjerisht, dora-dorës që ato përkthime të hershme nuk shtypeshin më, bashkë me to nisi të humbte edhe emri hyjnor. Disa përkthime më të vonshme e kanë hequr fare emrin, kurse të tjera e kanë mbajtur vetëm në pak vende. Për shembull, në Versionin e Bashkuar, emri i Perëndisë dilte vetëm 15 herë, dhe në rishikimin e vitit 2006 veç 11 herë. *
Edhe pse e heq emrin e Perëndisë thuajse në çdo rast, ky përkthim ka një veçanti që vlen të përmendet. Në një nga faqet e para, spikat një pohim i qartë se emri i Perëndisë është Jehova. Kjo ka qenë shumë e dobishme, se ata që kërkojnë të vërtetën kanë pasur mundësi ta mësojnë emrin e Atit qiellor nga Bibla e tyre.
Megjithatë, historia nuk mbaron me kaq. Më 1996, dolën në suahili Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re. Ky është përkthimi i parë në suahili që e rivendos emrin e Jehovait në 237 vende, nga Mateu deri te Zbulesa. Pas tij, më 2003 dolën Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, Bibla e plotë, në suahili. Gjer më sot, janë shtypur gjithsej rreth 900.000 kopje të këtij përkthimi.
Emri i Perëndisë nuk është më i fshehur nën disa tituj, as i kufizuar thjesht në një shënim sqarues në parathënie. Sot, kur njerëzit me zemër të sinqertë shfletojnë Përkthimin Bota e Re në suahili, e lexojnë emrin e Perëndisë më shumë se 7.000 herë, e kjo i afron më shumë me Jehovain.
Gjithashtu, janë bërë përpjekje që në këtë përkthim të përdoret një gjuhë e lehtë për t’u kuptuar, e natyrshme për kohën tonë dhe e qartë për të gjithë ata që flasin suahili në Afrikën Lindore. Veç kësaj, janë hequr disa ide të gabuara që kanë depërtuar në mjaft përkthime të tjera. Kështu, lexuesi mund të ndihet i sigurt se po lexon «fjalë të sakta të së vërtetës», tamam si i frymëzoi Krijuesi ynë, Perëndia Jehova.—Eklisiastiu 12:10.
Shumë kanë shprehur vlerësimin për Përkthimin Bota e Re në suahili. Visenti, një 21-vjeçar që shërben në kohë të plotë si Dëshmitar i Jehovait, tha: «Fluturoja nga gëzimi kur pashë se në Përkthimin Bota e Re përdorej një gjuhë e thjeshtë dhe se emri i Jehovait ishte vendosur prapë në vendet ku të tjerët e kishin hequr.» Frida, një nënë me tre fëmijë, ka vërejtur se ky përkthim ia ka bërë më të lehtë t’u shpjegojë njerëzve të vërtetat biblike.
Që nga ata hapa të parë të vegjël, puna për përkthimin e Fjalës së Perëndisë në suahili vazhdoi për më shumë se 150 vjet. Jezui tha se ‘ua kishte shfaqur njerëzve emrin e Atit të tij’. (Gjoni 17:6) Sot, ndërsa përdorin Përkthimin Bota e Re, mbi 76.000 Dëshmitarë të Jehovait që flasin gjuhën suahili në Afrikën Qendrore dhe Lindore, gëzojnë që edhe ata po ua bëjnë të njohur të gjithëve emrin e Jehovait.
^ par. 3 Në këto vende përdoren suahili të formave të ndryshme.
^ par. 18 Gjendet te Zanafilla 22:14; Dalja 6:2-8 (dy herë); 17:15 (si Jahve); Gjykatësit 6:24; Psalmi 68:20; 83:18; Isaia 12:2; 26:4; 49:14; dhe Jeremia 16:21.