Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 Afrojuni Perëndisë

«Kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai»

«Kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai»

SI DO të ndiheshe po të të akuzonin për një krim që s’e ke bërë? Po sikur ai krim t’u ketë shkaktuar shumë vuajtje të tjerëve, përfshirë mjaft të pafajshëm? Patjetër që do të doje një emër të panjollosur. A e di se Jehovai ndodhet përballë një sfide të ngjashme? Sot, shumë veta e fajësojnë gabimisht Perëndinë për padrejtësitë dhe për vuajtjet në botë. A i intereson Jehovait një emër i panjollosur? Po, i intereson. Të shohim ç’thuhet në librin e Ezekielit.​—Lexo Ezekielin 39:7.

«Nuk do të lejoj më që emri im i shenjtë të përdhoset»,—thotë Jehovai. Kur njerëzit ia hedhin fajin atij për padrejtësitë, ia përdhosin emrin. Përse themi kështu? Shpesh në Bibël «emri» nënkupton reputacionin. Një vepër referimi thotë se emri i Perëndisë nënkupton «çfarë dihet për të, çfarë tregon ai për veten. Gjithashtu përfaqëson reputacionin dhe emrin e tij të mirë». Çfarë dihet për Jehovain kur bëhet fjalë për padrejtësitë? I urren ato. Gjithashtu ndien dhembshuri për viktimat e padrejtësive. * (Dalja 22:22-24) Kur njerëzit thonë se Perëndia është përgjegjës pikërisht për gjërat që urren thellësisht, po ia njollosin reputacionin. Kështu ‘e përbuzin emrin e tij’.​—Psalmi 74:10.

Këtu Jehovai e përdor dy herë shprehjen «emri im i shenjtë». (Vargu 7) Në Bibël, emri i Jehovait shoqërohet shpesh me termat «i shenjtë» dhe «shenjtëri». Fjala «i shenjtë» përcjell idenë e diçkaje të veçuar; gjithashtu jep idenë e pastërtisë e të dëlirësisë. Emri i Jehovait është i shenjtë, sepse Perëndia që e mban është i shenjtë​—krejtësisht i veçuar nga gjithçka mëkatare dhe e papastër. A e kupton pse ata që fajësojnë Jehovain për ligësinë, në të vërtetë po e shajnë ‘emrin e tij të shenjtë’ në mënyrën më të rëndë?

Qëllimi i Jehovait për ta pastruar emrin me anë të Mbretërisë së tij, është tema kryesore e Biblës. Kjo temë theksohet në librin e Ezekielit, ku thuhet vazhdimisht «kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai». (Ezekieli 36:23; 37:28; 38:23; 39:7) Vër re se kombet nuk do të zgjedhin nëse duan ta marrin vesh se ai është Jehovai. Përkundrazi, ata «kanë për ta marrë vesh». Me fjalë të tjera, Jehovai ka si qëllim të ndërmarrë veprime që t’i detyrojë kombet e tokës të pranojnë se është vërtet ai që thotë se është​—Jehovai, Zotëria Sovran, emri i të cilit përfaqëson gjithçka të shenjtë, të dëlirë dhe të pastër.

Për ata që mezi presin të shohin fundin e padrejtësive dhe të vuajtjeve, është një lajm i mirë ky premtim që përmendet shpesh: «Kombet kanë për ta marrë vesh se unë jam Jehovai.» Së shpejti Perëndia do ta përmbushë këtë premtim dhe do ta pastrojë emrin e vet nga çdo sharje. Do të zhdukë ligësinë bashkë me nxitësit e saj, por do t’i ruajë gjallë ata që e pranojnë dhe e respektojnë emrin e tij, si edhe atë që përfaqëson ky emër. (Proverbat 18:10) A nuk të nxit kjo të mësosh si t’i afrohesh më shumë Jehovait, Perëndisë së shenjtë që «e do drejtësinë»?​—Psalmi 37:9-11, 28.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë shtatorit:

Ezekieli 39Danieli 3

^ par. 4 Shih artikullin «Afrojuni Perëndisë​—Ai e do drejtësinë», në revistën Kulla e Rojës, 1 nëntor 2008.