Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fundi i vuajtjeve është shumë afër!

Fundi i vuajtjeve është shumë afër!

Imagjino të jetosh në një botë pa vuajtje; një botë pa krime, pa luftëra, pa sëmundje dhe pa katastrofa natyrore. Imagjino të zgjohesh çdo mëngjes pa u shqetësuar për diskriminimin, shtypjen ose pasigurinë ekonomike. A të duket tepër e bukur për të qenë e vërtetë? Kuptohet, asnjë njeri ose organizatë njerëzore nuk mund ta sjellë një botë të tillë. Por Perëndia ka premtuar të zhdukë të gjitha shkaqet e vuajtjeve, edhe ato që përmendëm në artikullin e mëparshëm. Ja çfarë premton Fjala e Perëndisë, Bibla:

DO TË SUNDOJË NJË QEVERI E MIRË

«Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive, dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.»—Danieli 2:44.

Mbretëria e Perëndisë është një qeveri qiellore. Sundimtari i zgjedhur, Jezu Krishti, do të zërë vendin e gjithë sundimtarëve njerëzorë dhe do të sigurohet që vullneti i Perëndisë të bëhet jo vetëm në qiell, por edhe këtu në tokë. (Mateu 6:9, 10) Kjo qeveri nuk do të zëvendësohet nga një qeveri njerëzore sepse është ‘mbretëria e përjetshme e Zotërisë dhe e Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht’. Paqja e përhershme do të jetë e sigurt.—2 Pjetrit 1:11.

S’DO TË KETË MË FE TË RREME

«Vetë Satanai vazhdon të shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, ndonjë gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij vazhdojnë të shndërrohen në shërbëtorë drejtësie. Por fundi i tyre do të jetë sipas veprave të tyre.»—2 Korintasve 11:14, 15.

Feja e rreme do të demaskohet si vepër e Djallit dhe do të zhduket nga toka. S’do të ketë më as fanatizëm fetar, as gjakderdhje. Kjo do t’u japë mundësi të gjithë atyre që e duan ‘Perëndinë e gjallë e të vërtetë’ që ta adhurojnë në «një besim të vetëm» dhe «me frymë dhe të vërtetë». Ç’paqe e unitet!—1 Selanikasve 1:9; Efesianëve 4:5; Gjoni 4:23.

NJERËZIT NUK DO TË JENË MË TË PAPËRSOSUR

«Vetë Perëndia do të jetë me ta. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»—Zbulesa 21:3, 4.

Perëndia Jehova do ta bëjë të mundur këtë nëpërmjet Birit të tij, Jezuit, i cili dha jetën për gjithë njerëzimin. (Gjoni 3:16) Nën drejtimin e Jezuit,  njerëzimi do të bëhet sërish i përsosur. Nuk do të ketë më vuajtje, sepse «vetë Perëndia do të jetë me ta» dhe «do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre». Së shpejti, papërsosmëria dhe vuajtjet e njerëzve do t’i përkasin së kaluarës; «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të».—Psalmi 37:29.

FRYMËRAT E LIGA NUK DO TË JENË MË

«Ai [Jezu Krishti] e kapi dragoin, gjarprin e hershëm, i cili është Djalli dhe Satanai, dhe e lidhi për një mijë vjet. Pastaj e hodhi në humnerë, e mbylli dhe e vulosi humnerën mbi të, që të mos i mashtronte më kombet.»—Zbulesa 20:2, 3.

I gjithë ndikimi satanik do të zhduket kur Satanai dhe demonët të lidhen e të hidhen në «humnerë», në një gjendje krejtësisht joaktive. Nuk do të kenë më ndikim të keq në çështjet njerëzore. Ç’lehtësim i madh të jetosh në një botë pa ndikimin e Satanait dhe të frymërave të liga!

«DITËT E FUNDIT» DO TË MARRIN FUND

«Ditët e fundit» do të mbarojnë me atë që Jezui e quajti ‘shtrëngimi i madh’. Ai tha: «Atëherë do të ketë një shtrëngim aq të madh, sa nuk ka pasur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as që do të ketë përsëri.»—Mateu 24:21.

Shtrëngimi do të jetë i madh në kuptimin që do të ketë gjëma që nuk kanë ndodhur ndonjëherë. Ato do të arrijnë kulmin në «luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm» ose, siç njihet më shumë, në «Harmagedon».—Zbulesa 16:14, 16.

Të gjithë njerëzit që e duan atë që është e drejtë, mezi e presin fundin e këtij sistemi të lig. Shqyrto vetëm disa nga bekimet që i presin nën Mbretërinë e Perëndisë.

PERËNDIA DO TË BËJË EDHE MË TEPËR!

‘Një shumicë e madhe’ do të mbijetojë dhe do të jetojë në një botë të re paqësore: Fjala e Perëndisë thotë se ‘një shumicë e madhe’ dhe e panumërt njerëzish ‘do të dalin nga shtrëngimi i madh’ dhe do të ruhen gjallë në një botë të re e të drejtë. (Zbulesa 7:9, 10, 14; 2 Pjetrit 3:13) Ata ia detyrojnë shpëtimin e tyre Jezu Krishtit, ‘Qengjit të Perëndisë që heq mëkatin e botës’.—Gjoni 1:29.

Nga arsimimi hyjnor do të vijnë dobi të mëdha: Në botën e re, «toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait». (Isaia 11:9) Ky arsimim hyjnor do të na mësojë si të jetojmë në paqe me të gjithë njerëzit dhe në harmoni me mjedisin. Perëndia premton: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete, Ai që të vë të ecësh nëpër udhën nga duhet të shkosh.»—Isaia 48:17.

Njerëzit e dashur që na kanë vdekur, do të ngrihen nga varri: Kur ishte në tokë, Jezui ringjalli Lazarin, mikun e tij. (Gjoni 11:1, 5, 38-44) Kështu tregoi çfarë do të bëjë në shkallë shumë më të madhe nën Mbretërinë e Perëndisë.—Gjoni 5:28, 29.

Paqja dhe drejtësia do të mbizotërojnë përgjithmonë: Nën sundimin e Krishtit, paligjshmëria do t’i përkasë së kaluarës. Pse e themi këtë? Sepse Jezui mund të lexojë zemrat dhe do ta përdorë këtë aftësi për të gjykuar cilët janë të drejtët dhe cilët janë të ligjtë. Ata që nuk duan të heqin dorë nga udha e tyre e ligë, nuk do të lejohen të jetojnë në botën e re të Perëndisë.—Psalmi 37:9, 10; Isaia 11:3, 4; 65:20; Mateu 9:4.

Kemi shqyrtuar vetëm disa nga profecitë e shumta të Biblës që e drejtojnë vëmendjen te kohët e mrekullueshme që do të vijnë. Kur Mbretëria e Perëndisë të vendosë sundimin e saj mbi tokë, ‘paqja e pafund’ do të mbizotërojë përgjithmonë. (Psalmi 37:11, 29) Të gjitha shkaqet e dhembjeve e të vuajtjeve që kanë pllakosur njerëzimin, do të zhduken. Vetë Perëndia na ka dhënë fjalën: «Ja, po bëj çdo gjë të re. . . . Këto fjalë janë të besueshme dhe të vërteta.»—Zbulesa 21:5.