Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | GËNJESHTRA QË NA PENGOJNË TA DUAM PERËNDINË

Gënjeshtra se Perëndia është mister

Gënjeshtra se Perëndia është mister

ÇFARË BESOJNË SHUMË VETA?

Feja e krishterë «në tri format e saj kryesore të katolicizmit romak, të ortodoksisë lindore dhe të protestantizmit, beson se Perëndia përbëhet nga tre persona: Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë. Sipas teologjisë së krishterë, kjo dogmë nuk thotë se ka tre perëndi, por se këta tre persona në fakt janë një.»—The New Encyclopædia Britannica.

E VËRTETA SIPAS BIBLËS:

Jezui, biri i Perëndisë, nuk pretendoi kurrë se ishte i barabartë me Atin ose se ai dhe Ati ishin i njëjti person. Por, ai tha: «Po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë.» (Gjoni 14:28) Gjithashtu, i tha njërit prej dishepujve: «Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.»—Gjoni 20:17.

Shpirti ose fryma e shenjtë nuk është person. Të krishterët e hershëm «u mbushën me frymë të shenjtë» dhe Jehovai tha: «Do të derdh ca nga fryma ime mbi çdo lloj njeriu.» (Veprat 2:1-4, 17) Fryma e shenjtë nuk është pjesë e një triniteti. Është forca vepruese e Perëndisë.

PSE KA RËNDËSI?

Siç shpjegojnë studiuesit katolikë Karl Rahner dhe Herbert Vorgrimler, Triniteti «nuk mund të njihet pa një zbulim, madje edhe pas këtij zbulimi nuk mund të bëhet plotësisht i kuptueshëm». A mund ta duash vërtet dikë që është e pamundur ta njohësh ose ta kuptosh? Pra, doktrina e Trinitetit të pengon ta njohësh dhe ta duash Perëndinë.

Marko, i cituar në artikullin e parë të kësaj reviste, e konsideronte Trinitetin një pengesë. «Mendoja se Perëndia ma fshihte identitetin e tij,—thotë ai,—dhe kjo e bënte edhe më të largët, të mistershëm dhe të paafrueshëm.» Por, ai nuk na e ka fshehur identitetin e tij. Ai dëshiron që ta njohim. Jezui tha: «Ne adhurojmë atë që e njohim.»—Gjoni 4:22.

«Kur mësova se Perëndia nuk është pjesë e një Triniteti,—vazhdon Marko—më në fund arrita të kisha një marrëdhënie personale me të.» Nëse e sheh Jehovain si një Person më vete dhe jo si një të huaj të mistershëm, është shumë më e lehtë ta duash. Bibla thotë: «Kush nuk ka dashuri, nuk ka arritur ta njohë Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.»—1 Gjonit 4:8.