Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Gjej forcë në dobësi

Gjej forcë në dobësi

Askush nuk mendon se jam e fortë kur më sheh ulur në një karrige invalidësh me shtatin tim të brishtë, vetëm 29 kilogramë. Gjithsesi, ndërsa trupi im humbet fuqinë, forca e brendshme më shtyn të vazhdoj para. Më lini t’ju shpjegoj se si forca dhe dobësia i kanë dhënë formë jetës sime.

Kur isha katër vjeçe

Kur mendoj për fëmijërinë, më kujtohen ditët e lumtura që kam kaluar në shtëpizën në një fshat në jug të Francës, ku jetonin prindërit e mi. Babai më bëri një kolovajzë dhe më pëlqente shumë të vrapoja nëpër kopsht. Në vitin 1966, në shtëpinë tonë erdhën Dëshmitarët e Jehovait. Bisedonin gjatë me babanë dhe pas vetëm shtatë muajsh, ai vendosi të bëhej Dëshmitar. Pas pak edhe mamaja ndoqi hapat e tij dhe më rritën me shumë dashuri.

Problemet më filluan pak pasi u kthyem në Spanjë, origjina e prindërve. Nisa të ndieja dhembje therëse në duar dhe në kyçet e këmbëve. Pas dy vjet vizitash nëpër shumë mjekë, gjetëm një reumatolog të njohur i cili tha me keqardhje: «Tani është shumë vonë.» Mamaja nisi të qante me ngashëri. Shprehje të panjohura për mua, të tilla si «sëmundje kronike autoimune» dhe «poliartriti juvenil», * kumbonin në atë dhomë të ftohtë e të zymtë. Ndonëse isha vetëm dhjetë vjeçe e nuk kuptoja shumë, e dija se nuk ishte lajm i mirë.

Mjeku sugjeroi që të kurohesha në një sanatorium fëmijësh. Kur arrita atje, ndërtesa hijerëndë më frikësoi. Kishte disiplinë të rreptë, murgeshat më prenë flokët dhe më veshën një uniformë të shëmtuar. Me lot në sy, mendova: «Si mund të rezistoj këtu?»

JEHOVAI BËHET REAL PËR MUA

Prindërit më kishin mësuar t’i shërbeja Jehovait, prandaj nuk pranova të merrja pjesë në ritet katolike që mbaheshin në sanatorium. Murgeshat nuk e kuptonin pse nuk pranoja. Iu përgjërova Jehovait të mos më braktiste dhe menjëherë ndjeva krahët e tij mbrojtës që më rrethuan si përqafimi i ngrohtë e i fortë i një ati të dashur.

Prindërve u lejohej të më vizitonin nga pak të shtunave. Më sillnin botime biblike që të lexoja, kështu mund të mbaja të fortë besimin. Normalisht, fëmijët s’mund të mbanin libra personalë, por murgeshat më lejuan t’i mbaja bashkë me Biblën të cilën e lexoja çdo ditë. U flisja edhe vajzave të tjera për shpresën për të jetuar përgjithmonë në një parajsë tokësore ku askush nuk do të sëmuret. (Zbulesa 21:3, 4) Ndonëse ndonjëherë ndihesha vetëm dhe e trishtuar, isha e kënaqur që besimi im te Jehovai po forcohej dita ditës.

Pas gjashtë muajsh të gjatë, mjekët më çuan në shtëpi. Sëmundja nuk ishte përmirësuar, por isha e lumtur që u ktheva në shtëpi te prindërit. Kyçet m’u deformuan më shumë dhe dhembjet m’u shtuan. Kur hyra në adoleshencë, isha shumë e këputur. Gjithsesi, në moshën 14-vjeçare u pagëzova sepse isha e vendosur t’i shërbeja me gjithë zemër Atit tim qiellor. Ndonjëherë ama isha e mërzitur me të. I lutesha: «Pse unë? Të lutem më shëro. A nuk e sheh sa shumë po vuaj?»

Adoleshenca ishte një periudhë shumë e vështirë për mua. M’u desh të pranoja se nuk do të shërohesha. S’rrija dot pa u krahasuar me shokët e mi, aq të shëndetshëm e plot gjallëri. Ndihesha shumë inferiore dhe u mbylla në vetvete. Sidoqoftë, familja dhe miqtë më mbështetën. Kujtoj me mall Alisën—20 vjet më e madhe se unë—e cila u tregua një mike e vërtetë. Më ndihmoi të shoh përtej sëmundjes e të interesohem për të tjerët në vend se të zhytem në problemet e mia.

GJEJ MËNYRA PËR T’I DHËNË KUPTIM JETËS

Kur isha 18 vjeçe, shëndeti m’u rëndua shumë, ndaj edhe ndjekja e mbledhjeve të krishtere më sfiliste. Prapëseprapë përfitova nga gjithë «koha e lirë» që kisha për të studiuar Biblën me kujdes. Librat e Jobit dhe të Psalmeve më ndihmuan të kuptoja se tani për tani Perëndia Jehova kujdeset sidomos për marrëdhënien që kemi me të, jo për gjendjen tonë fizike. Lutjet e mia të vazhdueshme më dhanë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ dhe ‘paqen e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’.—2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:6, 7.

Në moshën 22-vjeçare, m’u desh të pranoja realitetin e hidhur se do ta kaloja jetën ulur në një karrige me rrota. Druaja se njerëzit nuk do të më vinin re mua, por vetëm karrigen me rrota me një grua shëndetligë ulur në të. Gjithsesi, karrigia më riktheu njëfarë lirie dhe «mallkimi» u kthye në bekim. Një shoqja ime, Izabela, më sugjeroi të vija si synim të kaloja 60 orë në veprën e predikimit me të, për një muaj.

Në fillim, m’u duk absurde. Por, iu luta Jehovait për ndihmë dhe me mbështetjen e familjes dhe miqve, ia dola mbanë. Ai muaj plot emocione kaloi sa hap e mbyll sytë dhe kuptova se i kisha kapërcyer pasiguritë e sikletin. U kënaqa aq shumë, sa në vitin 1996 vendosa të bëhesha pioniere e rregullt, pra të kaloja një numër të caktuar orësh në shërbim, çdo muaj. Ishte një nga vendimet më të mençura që kam marrë dhe më ka afruar më shumë me Perëndinë, madje më ka forcuar fizikisht. Pjesëmarrja në shërbim më ka dhënë mundësi të flas për besimin tim me shumë njerëz e të ndihmoj disa të bëhen miq të Perëndisë.

JEHOVAI MË MBAN TË FORTË

Në verën e vitit 2001, bëra një aksident të rëndë me makinë dhe theva të dyja këmbët. Ndërsa rrija shtrirë në një shtrat në spital me dhembje të tmerrshme, iu luta me zjarr në heshtje Jehovait: «Të lutem Jehova, mos më lër.» Tamam në këtë çast, një grua në një shtrat aty pranë më pyeti: «Mos je gjë Dëshmitare e Jehovait?» Nuk kisha fuqi t’i përgjigjesha, prandaj vetëm tunda kokën. «Ju njoh. Zakonisht i lexoj revistat tuaja»,—tha ajo. Ato fjalë më dhanë shumë zemër. Edhe në atë gjendje të mjerë, arrita të dëshmoja për Jehovain. Çfarë nderi!

Kur e mora disi veten, vendosa t’u dëshmoja edhe disa të tjerëve. Mamaja shtynte karrocën e më lëvizte nëpër pavijonin e spitalit ndërsa këmbët i kisha në allçi. Çdo ditë, shkonim te disa pacientë, i pyesnim si ishin dhe u linim literaturë biblike. Sfilitesha, por Jehovai më jepte forcën që më duhej.

Me prindërit, 2003

Vitet e fundit, më janë shtuar dhembjet dhe humbja e babait më ka trishtuar edhe më shumë. Prapëseprapë, përpiqem të ruaj një pikëpamje pozitive. Si? Sa herë është e mundur përpiqem të rri me miqtë dhe të afërmit. Kjo më ndihmon ta largoj mendjen nga problemet. Kur jam vetëm, lexoj, studioj Biblën ose u predikoj të tjerëve me telefon.

Shpesh mbyll sytë dhe hap «dritaren» e zemrës nga ku shoh botën e re që ka premtuar Perëndia

Gjithashtu përpiqem të kënaqem me gjëra të thjeshta, si flladi që më përkëdhel fytyrën ose aroma e luleve. Këto gjëra më japin arsye të jem mirënjohëse. Edhe ndjenja e humorit bën mrekulli. Një ditë, isha në predikim dhe shoqja po më shtynte karrocën me rrota. Pastaj ndaloi për të mbajtur ca shënime. Papritmas, karroca mori tatëpjetën dhe u përplasa me një makinë të parkuar. Në fillim na ngriu gjaku të dyjave, por kur e pamë që s’kishte ndodhur asgjë, vdiqëm së qeshuri.

Ka shumë gjëra në jetë që nuk i bëj dot. I quaj ëndrra në sirtar. Shpesh mbyll sytë dhe hap «dritaren» e zemrës nga ku shoh botën e re që ka premtuar Perëndia. (2 Pjetrit 3:13) E imagjinoj veten kur do të jem e shëndetshme, duke ecur e duke shijuar në maksimum jetën. I kam për zemër fjalët e mbretit David: «Shpreso te Jehovai! Qofsh guximtar e me zemër të fortë.» (Psalmi 27:14) Edhe pse shëndeti po përkeqësohet, Jehovai më jep fuqi. Vazhdoj të gjej forcë në dobësitë e mia.

^ par. 6 Poliartriti juvenil është një lloj artriti kronik që prek fëmijët. Sistemi imunitar i vetë trupit sulmon dhe shkatërron indet e shëndetshme duke shkaktuar dhembje e ënjtje të kyçeve.