Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 BIBLA TË NDRYSHON JETËN

Isha epiqendra e jetës sime

Isha epiqendra e jetës sime
  • LINDUR: 1951

  • VENDI I LINDJES: GJERMANI

  • MË PARË: KRENAR, ME QËNDRIM TË PAVARUR

E KALUARA IME:

Gjatë viteve të para të jetës jetova me familjen pranë Lajpcigut, në Gjermaninë Lindore, jo shumë larg kufirit me Çekinë dhe Poloninë. Kur isha gjashtë vjeç, u transferuam jashtë shtetit për shkak të punës së babait—si fillim në Brazil, pastaj në Ekuador.

Në moshën 14-vjeçare, më çuan në një shkollë me konvikt në Gjermani. Meqë prindërit i kisha larg, në Amerikën Jugore, më duhej të kujdesesha për veten. Fillova të mbështetesha shumë te vetja. Nuk e vrisja shumë mendjen se si ndikonin veprimet e mia te të tjerët.

Kur isha 17 vjeç, prindërit u kthyen në Gjermani. Në fillim jetova me ta. Por qëndrimi im i pavarur ma bënte të pamundur të përshtatesha sërish me jetën familjare. Në moshën 18-vjeçare u largova nga shtëpia.

Ndihesha gjithnjë e më pak i qetë; kërkoja një qëllim në jetë. Pasi shqyrtova disa mënyra jetese dhe organizata të ndryshme, u binda se gjëja më e mirë që mund të bëja me jetën time ishte të eksploroja planetin tonë të bukur para se njerëzimi ta shkatërrojë.

Ika nga Gjermania, bleva një motor dhe u nisa për në Afrikë. Megjithatë, s’kaloi shumë dhe m’u desh të kthehesha në Evropë për ta riparuar. Fill pas kësaj, u gjenda në një plazh të Portugalisë. Vendosa të mos udhëtoja më me motor, por të gjeja një mjet lundrimi.

U bashkova me një grup të rinjsh që po përgatiteshin të lundronin përmes Oqeanit Atlantik. Ndër ta ishte edhe gruaja ime e ardhshme, Lori. Si fillim, lundruam në ishujt e Karaibeve. Pastaj, pasi qëndruam për pak kohë në Porto-Riko, u kthyem në Evropë. Shpresonim të gjenim një varkë dhe ta përshtatnim për të jetuar në të. Por, pasi kërkuam vetëm për tre muaj, projekti u ndërpre papritur. Më rekrutuan në ushtrinë gjermane.

Kalova 15 muaj në marinën gjermane. Gjatë asaj kohe, unë dhe Lori u martuam dhe u përgatitëm të vazhdonim jetën tonë prej udhëtari. Pak para shërbimit ushtarak,  kishim blerë strukturën bazë të një anijeje. Gjatë kohës që isha në ushtri, dalëngadalë e kthyem në një mjet të vogël lundrimi. Donim të jetonim në të dhe të vazhdonim të eksploronim planetin tonë të bukur. Pikërisht në këtë kohë—pas shërbimit ushtarak, por para se të përfundonim varkën—u takuam me Dëshmitarët e Jehovait dhe filluam të studionim Biblën.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Si fillim nuk e shihja të nevojshme të bëja shumë ndryshime. Isha i martuar ligjërisht me gruan me të cilën jetoja dhe tashmë e kisha lënë duhanin. (Efesianëve 5:5) Për sa u përket planeve për të shëtitur botën, mendoja se ia vlente ta përdornim jetën për të kundruar krijimin e mrekullueshëm të Perëndisë.

Por në të vërtetë, kisha nevojë të bëja ndryshime—sidomos në personalitet. Ngaqë isha shumë krenar dhe mbështetesha te vetja, isha përqendruar i tëri tek aftësitë dhe arritjet e mia. Isha epiqendra e jetës sime.

Një ditë, lexova Predikimin e famshëm në Mal të Jezuit. (Mateu, kapitujt 5-7) Në fillim, nuk e kuptoja për çfarë lumturie e kishte fjalën Jezui. Për shembull, ai tha se të lumtur janë ata që kanë uri dhe etje. (Mateu 5:6) Pyesja veten si mund të jetë i lumtur dikush që s’ka gjërat e nevojshme. Teksa vazhdoja studimin, fillova të kuptoja që të gjithë kemi nevojë të mësojmë për Perëndinë, por para se ta plotësojmë, duhet ta pranojmë me përulësi që e kemi këtë nevojë. Është siç tha Jezui: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»Mateu 5:3.

Pasi filluam të studionim Biblën në Gjermani, unë dhe Lori shkuam të jetonim në Francë dhe më vonë në Itali. Kudo që shkonim, takonim Dëshmitarë të Jehovait. Më bënte shumë përshtypje dashuria e sinqertë që kishin për njëri-tjetrin dhe uniteti i tyre. Kuptova që Dëshmitarët janë vërtet një vëllazëri mbarëbotërore. (Gjoni 13:34, 35) Me kalimin e kohës, unë dhe Lori u pagëzuam si Dëshmitarë të Jehovait.

Edhe pas pagëzimit vazhdova ta ndryshoja personalitetin tim. Bashkë me Lorin kishim vendosur të lundronim përgjatë brigjeve të Afrikës dhe pastaj përmes Oqeanit Atlantik për në Shtetet e Bashkuara. Pikërisht aty, në mes të oqeanit—dy veta në një varkë të vogël dhe të rrethuar nga mijëra kilometra ujë—kuptova sa i parëndësishëm jam në krahasim me Krijuesin tonë madhështor. Kisha goxha kohë të lirë (s’ka shumë për të bërë në mes të oqeanit), prandaj iu përkushtova leximit të Biblës. Më prekën veçanërisht tregimet për jetën e Jezuit në tokë. Ishte njeri i përsosur, me aftësi që nuk arrija as t’i imagjinoja, e megjithatë nuk mbahej kurrë me të madh. Epiqendra e jetës së tij nuk ishte ai vetë, por Ati i tij qiellor.

Kuptova që Mbretërinë e Perëndisë duhej ta vija të parën

Ndërsa mendoja thellë për shembullin e Jezuit, kuptova që Mbretërinë e Perëndisë duhej ta vija të parën dhe jo pas gjërave të ndryshme që unë doja të bëja. (Mateu 6:33) Kur unë dhe Lori më në fund zbritëm në brigjet e Shteteve të Bashkuara, vendosëm të jetonim atje dhe të përqendroheshim tek adhurimi ynë.

DOBITË:

Mënyra e mëparshme e jetesës sime egocentrike karakterizohej nga ndjenja të forta pasigurie. Kurse tani kam gjetur një burim mençurie të pagabueshme që më udhëheq. (Isaia 48:17, 18) Kam gjetur edhe një qëllim në jetë që nuk e kam pasur kurrë: të adhuroj Perëndinë dhe të ndihmoj të tjerët të mësojnë për të.

Duke zbatuar parimet biblike, unë dhe Lori tani kemi një martesë shumë më të fortë. Jemi bekuar edhe me një vajzë të bukur, që e njeh dhe e do Jehovain.

Jeta nuk na ka shkuar gjithmonë vaj. Por me ndihmën e Jehovait, jemi të vendosur të mos heqim dorë ose të mos reshtim kurrë së besuari tek ai.Proverbat 3:5, 6.