Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | ÇFARË ËSHTË DJALLI?

A duhet të kemi frikë nga Djalli?

A duhet të kemi frikë nga Djalli?

Monoksidi i karbonit është i padukshëm dhe i rrezikshëm, ashtu si Satanai

Është shumë e vështirë ta dallosh. Nuk ka as ngjyrë, as erë dhe mund t’i zërë viktimat në befasi. Mbase më shumë se gjysma e të gjitha vdekjeve në mbarë botën, që shkaktohen nga helmimi, e kanë burimin te një fajtor i vetëm: monoksidi i karbonit. Gjithsesi, s’ka pse të na zërë paniku. Ka disa mënyra si mund ta dallosh dhe të mbrohesh nga ky gaz. Mjaft veta tregohen të mençur dhe instalojnë pajisje sinjalizuese dhe më pas i kushtojnë vëmendje të madhe çdo alarmi.

Ashtu si monoksidi i karbonit, Satanai është i padukshëm, shumë i vështirë për t’u dalluar nga njerëzit dhe tmerrësisht i rrezikshëm. Por, Perëndia nuk na ka lënë pa ndihmë. Nuk ke pse t’i frikësohesh Satanait nëse përfiton nga këto dhurata që të ofron Zoti.

Fuqia e zgjedhjes. Jakovi 4:7 na thotë: «Kundërvijuni Djallit, e ai do të ikë nga ju.» Megjithëse Satanai është i fuqishëm, nuk mund të të detyrojë të bësh gjëra kundër dëshirës sate. Ti mund të zgjedhësh. Te 1 Pjetrit 5:9 thuhet: «Kundërvijuni [Djallit], të fortë në besim.» Mos harro, Satanai u largua pasi Jezui i hodhi poshtë me vendosmëri të tria tundimet. (Mateu 4:11) Po ashtu, edhe ti mund të zgjedhësh t’u rezistosh orvatjeve të Satanait.

Miqësia me Perëndinë. Jakovi 4:8 na nxit ‘t’i afrohemi Perëndisë’. Vetë Jehovai të fton të zhvillosh miqësi të ngushtë me të. Si? Mënyra më e mirë për të filluar, është ta njohësh më shumë me anë të Biblës. (Gjoni 17:3) Ajo që do të mësosh për Jehovain, do të të shtyjë ta duash, dhe si rezultat, kjo dashuri do të të motivojë të bësh vullnetin e tij. (1 Gjonit 5:3) Si do të reagojë Ati yt qiellor teksa i afrohesh? Jakovi thotë më tej se ‘Perëndia do të të afrohet’.

Jehovai ka marrë masa që ti të jesh i mbrojtur

Premtimi për mbrojtje. Te Proverbat 18:10 lexojmë: «Emri i Jehovait është një kullë e fortë. Tek ai vrapon i drejti dhe gjen mbrojtje.» (Proverbat 18:10) Sigurisht, kjo nuk do të thotë se emri i Zotit është ndonjë lloj hajmalie fatsjellëse. Përkundrazi, do të thotë se ata që e përnderojnë vërtet emrin e tij, mund t’i drejtohen kurdoherë për mbrojtje.

Një shembull praktik. Veprat 19:19 na zbulon diçka të dobishme për disa në Efes që sapo ishin bërë të krishterë: «Mjaft nga ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve. Kur llogaritën çmimin e tërë librave, doli se vlenin pesëdhjetë mijë monedha argjendi.» * Ata të krishterë i shkatërruan të gjitha objektet që kishin lidhje me spiritizmin, pavarësisht nga vlera e tyre monetare. Ky shembull mund të na sjellë goxha dobi sot. Bota është e zhytur në okultizëm dhe spiritizëm. Madje, edhe objektet dhe praktikat spiritiste që duken të padëmshme, mund t’i ftojnë demonët të veprojnë. Është jetësore t’u rrish larg gjërave të tilla, sado të të kushtojë.​—Ligji i përtërirë 18:10-12.

Rohelio, që e përmendëm në artikullin e parë të serisë, nuk besonte se Djalli ekzistonte derisa u bë 50 vjeç. Por, më pas i shqyrtoi edhe një herë pikëpamjet e tij. Pse? Ai kujton: «Për herë të parë në jetën time mora një Bibël. Njohuria nga Shkrimet më bindi se Djalli ekziston. Po kjo njohuri më mbron sot të mos bie viktimë e ndikimit të tij.»

«Njohuria nga Shkrimet më bindi se Djalli ekziston. Po kjo njohuri më mbron sot të mos bie viktimë e ndikimit të tij»

A dëshiron ta shohësh me sytë e tu ditën kur Satanai të mos ekzistojë më? Mund ta shohësh. Shkrimet parathonë se do të vijë një kohë kur Djalli, i cili mashtron kaq shumë veta, ‘do të hidhet në liqenin e zjarrit e të squfurit’. (Zbulesa 20:10) Sigurisht, zjarri dhe squfuri fizik nuk mund ta dëmtojnë një krijesë të padukshme. Prandaj, liqeni i zjarrit duhet të përfaqësojë shkatërrimin e përjetshëm. Satanai do të zhduket një herë e mirë. Sa kohë e gëzueshme do të jetë kjo për ata që e duan Perëndinë!

Ndërkohë, vazhdo të mësosh sa më shumë për Jehovain dhe për udhët e tij. * Përfytyro pak të jesh aty kur, më në fund, të bëhen realitet fjalët: «Djalli nuk ekziston!»

^ par. 8 Nëse monedha e argjendit për të cilën bëhet fjalë ishte denari romak, shuma do të ishte e barasvlershme me pagën ditore të rreth 50.000 punëtorëve me rrogë mesatare, një sasi parash tejet e madhe.

^ par. 11 Për më shumë informacion rreth Satana Djallit dhe pikëpamjes së Perëndisë për spiritizmin, shih kapitullin 10 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla? Kërkoja këtë libër një Dëshmitari të Jehovait ose lexoje online në www.ps8318.com/​sq.