Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet t’i lutemi Jezuit?

A duhet t’i lutemi Jezuit?

KOHËT e fundit një studiues anketoi mbi 800 të rinj nga fe të ndryshme, të cilët i pyeti nëse besonin se Jezui u përgjigjej lutjeve. Më se 60 për qind thanë se e besonin shumë këtë. Megjithatë gjatë anketës një e re i vuri kryq emrit të Jezuit dhe në vend të tij shkroi «Zoti».

Si mendon? Duhet t’i lutemi Jezuit apo Zotit? * Për të gjetur përgjigjen, së pari le të shohim si i mësoi Jezui dishepujt të luteshin.

KUJT NA MËSOI JEZUI T’I LUTEMI?

Jezui na mësoi dhe na e tregoi se kujt t’i lutemi.

Jezui na la shembullin kur iu lut Atit të tij qiellor

ÇFARË MËSOI: Kur njëri nga dishepujt i tha Jezuit «Zotëri, na mëso si të lutemi», ai iu përgjigj: «Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë.’» (Luka 11:1, 2) Veç kësaj, në të famshmin Predikim në Mal, Jezui i nxiti dëgjuesit të luteshin kështu: «Lutju Atit tënd.» Gjithashtu i siguroi me fjalët: «Ati juaj e di se për ç’gjëra keni nevojë, madje përpara se t’ia kërkoni.» (Mateu 6:6, 8) Natën e fundit si njeri, Jezui u tha dishepujve: «Po t’i kërkoni Atit ndonjë gjë, ai do t’jua japë në emrin tim.» (Gjoni 16:23) Kështu Jezui na mësoi t’i lutemi atij që është edhe Ati i tij edhe Ati ynë, Perëndisë Jehova.​—Gjoni 20:17.

SHEMBULLI I TIJ: Jezui u lut ashtu siç u mësonte të tjerëve të luteshin: «Unë të lëvdoj publikisht, o Atë, Zotëri i qiellit dhe i tokës.» (Luka 10:21) Në një rast tjetër «Jezui ngriti sytë nga qielli dhe tha: ‘Të falënderoj, o Atë, që më ke dëgjuar!’» (Gjoni 11:41) Dhe, teksa vdiste, u lut: «O Atë, në dorën tënde po e lë frymën time.» (Luka 23:46) Jezui na la një shembull të qartë kur iu lut Atit të tij qiellor, ‘Zotërisë së qiellit dhe të tokës’. (Mateu 11:25; 26:41, 42; 1 Gjonit 2:6) A i kuptuan kështu udhëzimet e Jezuit dishepujt e tij të hershëm?

KUJT IU LUTËN TË KRISHTERËT E HERSHËM?

S’kaluan shumë javë që Jezui u kthye në qiell dhe kundërshtarët po përndiqnin e po kërcënonin dishepujt e tij. (Veprat 4:18) Patjetër që ata u lutën, por kujt? «Ata iu lutën së bashku Perëndisë», duke i kërkuar të vazhdonte t’i ndihmonte «në emër të shërbëtorit [të tij] të shenjtë Jezu». (Veprat 4:24, 30) Pra, dishepujt ndoqën udhëzimet e Jezuit për lutjen. Ata iu lutën Zotit, jo Jezuit.

Vite më vonë apostulli Pavël përshkroi mënyrën si lutej ai dhe bashkëpunëtorët e tij. U shkroi të bashkëkrishterëve: «E falënderojmë Perëndinë, Atin e Zotërisë tonë Jezu Krisht, sa herë që lutemi për ju.» (Kolosianëve 1:3) Gjithashtu, Pavli u shkroi bashkëbesimtarëve ‘të falënderonin gjithmonë për gjithçka Perëndinë dhe Atin tonë, në emër të Zotërisë tonë Jezu Krisht’. (Efesianëve 5:20) Nga këto fjalë shohim se Pavli i nxiste të tjerët t’i luteshin ‘Perëndisë dhe Atit të tij për gjithçka’, natyrisht në emër të Jezuit.​—Kolosianëve 3:17.

Ashtu si të krishterët e hershëm, edhe ne mund ta tregojmë dashurinë për Jezuin duke ua vënë veshin këshillave të tij për lutjen. (Gjoni 14:15) Ndërsa i lutemi Atit tonë qiellor, dhe askujt tjetër, fjalët e Psalmit 116:1, 2 do të marrin gjithnjë e më shumë kuptim për ne: «Mbushem me dashuri kur Jehovai dëgjon zërin [tim] . . . do ta thërras gjithë ditët e jetës sime.» *

^ par. 3 Sipas Shkrimeve, Zoti dhe Jezui nuk janë të barabartë. Për më shumë informacion, shih kapitullin 4 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 11 Nëse duam që Perëndia t’i pranojë lutjet tona, duhet të përpiqemi sinqerisht të jetojmë sipas kërkesave të tij. Për më tepër informacion, shih kapitullin 17 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?