TEMA KRYESORE | NJË QEVERI PA KORRUPSION
Helmi i korrupsionit qeveritar
Korrupsioni qeveritar përkufizohet si abuzimi me pushtetin publik për përfitim vetjak. Ky abuzim nuk është fenomen i ri. Për shembull, Bibla përmban një ligj që ndalon ryshfetet në çështje gjyqësore, e kjo tregon se njihej goxha mirë më se 3.500 vjet më parë. (Dalja 23:8) Pa dyshim, korrupsioni nuk përfshin vetëm mitmarrjen. Ndonjëherë zyrtarët publikë marrin mallra, përfitojnë nga shërbime që nuk u takojnë ose vjedhin pará sheshit. Herë të tjera përdorin pozitën për të mbajtur me hatër miqtë e të afërmit.
Ndonëse korrupsioni mund të ekzistojë në çdo organizatë njerëzore, duket se korrupsioni në qeveri është më i keqi. Sipas Global Corruption Barometer të vitit 2013, botuar nga Transparency International, njerëzit anembanë botës mendojnë se pesë institucionet më të korruptuara janë partitë politike, policia, vendet ku punojnë zyrtarët publikë, sistemi legjislativ dhe ai gjyqësor. Shqyrto vetëm disa raporte që e nxjerrin në pah këtë problem.
-
AFRIKË: Më 2013 rreth 22.000 zyrtarë publikë në Afrikën e Jugut u akuzuan për shpërdorim detyre ngaqë ishin përfshirë në aktivitete të korruptuara.
-
AMERIKA E JUGUT: Në vitin 2012, në Brazil 25 veta u shpallën fajtorë sepse kishin përdorur fonde publike për të blerë vota. Mes të dënuarve ishte ish-shefi i kabinetit të presidentit, personi i dytë më me pushtet në vend.
-
AZI: Më 1995, në Seul të Koresë së Jugut vdiqën 502 veta kur u shemb një qendër tregtare. Hetuesit zbuluan se zyrtarët e qytetit kishin marrë ryshfet që t’i lejonin sipërmarrësit të përdornin beton jashtë standardeve dhe të shkelnin rregullat e sigurisë.
-
EVROPË: Sipas komisioneres Evropiane të Punëve të Brendshme Sesilia Malstrom, «përhapja e problemit [korrupsionit në Evropë] është marramendëse». Ajo shtoi se «për të çrrënjosur vërtet korrupsionin duket se mungon përkushtimi politik».
Korrupsioni në qeveri ka rrënjë të thella. Profesoresha Suzana Rozë-Akërmën, eksperte për antikorrupsionin, shkroi se reformat kërkojnë «ndryshime rrënjësore në mënyrën si i drejton aktivitetet e veta qeveria». Ndonëse situata mund të duket e pashpresë, Bibla tregon se ndryshime edhe më të mëdha janë jo vetëm të mundshme, por edhe të sigurta.