Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

JETËSHKRIM

Pasuri e trashëguar nga shtatë breza

Pasuri e trashëguar nga shtatë breza

Njerëzit thonë se jam kopja e tim eti. Qëndrimin e trupit, sytë dhe ndjenjën e humorit i kam marrë nga ai. Por kam marrë edhe diçka tjetër nga ai: një pasuri të trashëguar nga shtatë breza. Cila është kjo?

Me babanë, duke mësuar për trashëgiminë e familjes

Më 20 janar 1815 lindi në Hornkasëll të Anglisë një nga paraardhësit e mi, Tomas (1) * Uilliamsi. E ëma i vdiq pas dy vjetësh, kështu që atë, të motrën e dy vëllezërit i rriti i ati, Xhon Uilliamsi. I ati i dha zanatin e zdrukthëtarit, mirëpo atij i pëlqente diçka tjetër.

Në ato kohë në Angli ishte rigjallëruar ndjeshëm interesi për fenë. Predikuesi Xhon Uesli ishte shkëputur nga Kisha e Anglisë që të themelonte Shoqatën e Metodistëve, një grup që i mëshonte studimit personal të Biblës dhe ungjillëzimit. Mësimet e tij u përhapën sa hap e mbyll sytë dhe familja Uilliams i përqafoi fort ato. Tomasi u bë predikues ueslejan dhe menjëherë doli vullnetar si misionar në Paqësorin Jugor. Në korrik të vitit 1840 ai dhe Meri, (2) të sapomartuar, zbritën në Lakebë * të Fixhit, një ishull vullkanik ku banonin kanibalë.

JETESA MES KANIBALËVE

Tomasi dhe Meri hasën vështirësi të tmerrshme vitet e para në Fixhi. Punonin me orë të zgjatura në kushte primitive e në zhegun tropikal. Panë llahtar me sy​—luftë fisesh, mbytje vejushash, vrasje foshnjash e kanibalizëm—​dhe në përgjithësi mesazhi i tyre nuk mirëpritej. Meri dhe djali i saj i madh, Xhoni, u sëmurën keq dhe shkuan në buzë të varrit. Më 1843 Tomasi shkruante: «Ndihesha i dërrmuar. . . . Gati-gati humba çdo shpresë.» Prapëseprapë, ai dhe Meri nuk u dorëzuan; besimi te Perëndia Jehova u dha forcë.

Ndërkohë Tomasi e përdori aftësinë si zdrukthëtar për të ndërtuar në Fixhi shtëpinë e parë sipas stilit evropian. Ishte e ngritur nga toka, kishte sistem ajrosjeje dhe risi të tjera që u ngjallën goxha kureshtje vendësve. Pikërisht para se të mbaronte shtëpia, Meri lindi djalin e dytë, Tomas Uitën (3) Uilliamsin, një tjetër paraardhës imi.

Më 1843 i ati ndihmoi në përkthimin e Ungjillit të Gjonit në gjuhën fixhiane, punë goxha sfiduese për të. * Sidoqoftë ishte antropolog dhe vëzhgues i zoti. Kërkimet i dokumentoi me kujdes në librin Fixhi dhe fixhianët (1858), tregim klasik i jetesës fixhiane në shekullin e 19-të.

Pas një pune rraskapitëse 13-vjeçare në Fixhi, shëndeti i tij u keqësua jashtë mase dhe bashkë me familjen u transferuan në Australi. Pas një karriere të gjatë e të spikatshme si klerik, Tomasi vdiq në Balarat të Viktorias më 1891.

«AR» NË PERËNDIM

Në 1883-shin, pak pasi formuan familje, Tomas Uitën Uilliamsi dhe e shoqja, Fibi, (4) vendosën të transferoheshin në Përth të Australisë Perëndimore. Në atë kohë djali i dytë, Artur Bejkuell (5) Uilliamsi, katragjyshi im, ishte nëntë vjeç.

Kur ishte 22 vjeç, Arturi vajti të punonte në Kalgurli, qytet 600 km në lindje të Përthit që mori zhvillim nga minierat e arit. Atje i ra në dorë literaturë e botuar nga Studentët Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait, dhe u abonua në revistën Kulla e Rojës e Sionit. I mahnitur nga gjërat që po mësonte, Arturi nisi t’u fliste të tjerëve për to dhe të organizonte mbledhje për studimin e Biblës. Me këto përpjekje të vogla filloi aktiviteti i Dëshmitarëve të Jehovait në Australinë Perëndimore.

Arturi i foli edhe familjes për ato që po mësonte. I ati, Tomas Uitëni, e mbështeti të birin teksa shoqërohej me Studentët e Biblës, por vdiq pas pak kohe. Edhe e ëma, Fibi, edhe motrat, Violeta e Meri, u bënë Studente të Biblës. Violeta u bë ungjillëzuese në kohë të plotë, ose pioniere. Arturi thoshte se ajo ishte «pionierja më e shkëlqyer, më e zellshme e më e zjarrtë që kishte nxjerrë Australia Perëndimore». Me siguri e lavdëronte ngaqë e kishte motër, gjithsesi zelli i Violetës ndikoi jashtë mase te brezi tjetër i familjes Uilliams.

Me kohë Arturi u martua dhe shkoi të jetonte në qytetin e Donibrukut, në jugperëndim të Australisë Perëndimore, që shquhej për rritjen e pemëve frutore. I vunë nofkën «I çmenduri i 1914-s», ngaqë shpallte me zell profecitë biblike që lidheshin me atë vit. * Por nuk e tallën më kur shpërtheu Lufta I Botërore. U predikonte rregullisht klientëve që vinin në dyqanin e tij, në vitrinën e të cilit kishte vënë literaturë biblike që binte në sy. Në vitrinë kishte vënë edhe një tabelë ku thuhej se do të fitonte 100 paunde australiane ai që do të vërtetonte Trinitetin, doktrinë jobiblike që ai nuk e besonte. Askush nuk i mori ato para.

Shtëpia e Uilliamsit u bë qendër ku mblidhej grupi për studimin e Biblës dhe ku mbaheshin mbledhjet e kongregacionit në Donibruk. Më vonë Arturi ndërtoi një Sallë Mbretërie, ose një vend për mbledhjet, një ndër të parat në Australinë Perëndimore. Edhe në fund të të 70-ave vishej me kostum e kollare, i vinte samarin kalit të plakur me emrin Doll dhe predikonte rreth e qark krahinës së Donibrukut.

Fëmijët e Arturit u ndikuan jashtë mase nga i ati, që ishte i qetë dhe dinjitoz, e megjithatë i zellshëm. E bija, Florenca, (6) shkoi si misionare në Indi. Djemtë e tij, Artur Lindzi (7) dhe Tomasi, shërbyen si pleq kongregacioni për një kohë të gjatë, ashtu si ai.

TË ËMBLAT LADY WILLIAMS

Artur Lindzi Uilliamsin, stërgjyshin, e njihnin dhe e donin të gjithë ngaqë ishte i dashur. Gjente gjithnjë kohë për të tjerët dhe i trajtonte me respekt. Ishte druvar kampion, që fitoi 18 kampionate gjatë 12 viteve.

Megjithatë, Arturit nuk i bëri edhe aq përshtypje kur i biri 2-vjeçar, Ronaldi (8) (gjyshi), mori sëpatën dhe iu fut një peme molle pranë shtëpisë. E ëma e fashoi me kujdes pemën, e cila me kohë bëri mollë shumë të ëmbla. Nga kjo mollë që u quajt Lady Williams, erdhi varieteti Cripps Pink, ndër varietetet më të famshme në botë.

Ronaldi, ose gjyshi, siç i thërras, më vonë ndoqi synime më të dobishme. Për vite me radhë ai dhe gjyshja ishin vullnetarë në projekte ndërtimi të Dëshmitarëve në Australi dhe në Ishujt Solomon. Tani thuajse në të 80-at, gjyshi është ende plak kongregacioni dhe ndihmon në ndërtimin dhe restaurimin e Sallave të Mbretërisë në Australinë Perëndimore.

ÇMOJ TRASHËGIMINË TIME

Prindërit e mi, Xhefri (9) e Xhanisë (10) Uilliamsi, ecën në gjurmët e familjes e u përpoqën me mish e me shpirt që unë (12) dhe motra, Katerina, (11) t’i çmonim parimet e krishtere. Kur isha 13 vjeç, vendosa t’i shërbej Jehovait. Ndërsa ndiqja një asamble të krishterë, Xhon Barri, pjesëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, nxiti të rinjtë: «Mos e çoni dëm gjënë më të çmuar që keni​—mundësinë për të njohur e për të dashur Jehovain.» Atë natë ia kushtova jetën Jehovait. Pas dy vjetësh fillova të shërbeja si pionier.

Sot unë dhe Kloe, gruaja ime, predikojmë në kohë të plotë në Tom-Prajs, qytet-minierë i largët në jugperëndim të Australisë Perëndimore. Për të siguruar jetesën, punojmë me orar të shkurtuar. Prindërit dhe motra, Katerina, me të shoqin Andrean, janë pionierë në Port-Hedlënd, rreth 420 km në veri të Tom-Prajsit. Babai dhe unë jemi pleq kongregacioni.

Shtatë breza më parë paraardhësi im Tomas Uilliams vendosi t’i shërbente Perëndisë Jehova. Kjo trashëgimi besimi e shërbimi më ka kaluar edhe mua. Ndihem vërtet i bekuar me një trashëgimi kaq të pasur frymore.

^ Numrat korrespondojnë me njerëzit në fotografitë që gjenden në faqet 12, 13.

^ Më parë quhej ishulli i Lakembës, që bën pjesë në grupin e ishujve Lau në perëndim të Fixhit.

^ Pjesën më të madhe të Dhiatës së Re në gjuhën fixhiane, që u botua më 1847, e përktheu misionari Xhon Hant. Vlen të përmendet se ky përkthim përdorte emrin hyjnor «Jiova».

^ Shih shtojcën «Viti 1914—Një vit domethënës në profecitë biblike» në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, i cili disponohet online në www.ps8318.com/​sq.