BIBLA TË NDRYSHON JETËN
Jeta ime po shkonte keq e më keq
-
LINDUR: 1952
-
VENDI I LINDJES: SHTETET E BASHKUARA
-
TË DHËNA: DIKUR I DHUNSHËM
E KALUARA IME:
U rrita në Los Anxhelos, Kaliforni, SHBA, në një lagje famëkeqe me banda e drogaxhinj. Ishim gjashtë kalamaj; unë isha i dyti.
Që të vegjël, shkonim me mamanë në kishën evangjeliste. Megjithatë, kur isha adoleshent, bëja jetë të dyfishtë. Të dielave këndoja në korin e kishës. Ditët e tjera shkoja në festa, merrja drogë dhe kryeja imoralitet.
Isha i rrëmbyer dhe i dhunshëm. Kur bëja sherre, përdorja si armë çdo gjë si e si të fitoja. Ajo që mësoja në kishë nuk më ndihmonte fare. Motoja ime ishte: «Hakmarrja i përket Zotërisë, dhe unë jam mjeti në dorën e tij!» Kur isha në shkollë të mesme në fund të viteve 60, u futa në radhët e Panterave të Zeza, një grup politik i njohur për metodat militante në çështjet e të drejtave civile. U bashkova me një union studentor për të drejtat civile. Ndonjëherë organizonim protesta, dhe në këto raste shkolla mbyllej përkohësisht.
Me sa duket, protestat nuk ma shuanin etjen për dhunë. Kështu që iu futa rrugës së krimit të nxitur nga urrejtja. Për shembull, herë-herë me shokët shihnim filma që pasqyronin vuajtjet e skllevërve afrikanë në Shtetet e Bashkuara. Të indinjuar nga këto padrejtësi, sulmonim të rinj të bardhë mu aty në kinema. Pastaj shkonim në lagjet e të bardhëve që të rrihnim edhe të tjerë.
Aty nga fundi i adoleshencës, unë dhe vëllezërit e mi ishim gangsterë me nam. Kishim probleme me autoritetet. Një nga vëllezërit e mi të vegjël u bë pjesëtar i një bande famëkeqe. Edhe unë shoqërohesha me ta. Jeta ime po shkonte keq e më keq.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Një shok imi i kishte prindërit Dëshmitarë të Jehovait. Ata më ftuan në mbledhjet e tyre të kongregacionit dhe unë vajta. Që në fillim fare, e dallova sa të ndryshëm ishin Dëshmitarët. Secili kishte Biblën e vet dhe e hapte gjatë mbledhjes. Edhe të rinjtë mbanin fjalime. U çudita kur mësova se Zoti ka emër, Jehova, dhe kur pashë se e përdornin këtë emër. (Psalmi 83:18) Pjesëtarët e kongregacionit vinin nga kombe të ndryshme, mirëpo dukej sheshit se nuk kishin paragjykime raciale.
Në fillim nuk doja të studioja Biblën me Dëshmitarët, ama mbledhjet e tyre më pëlqenin. Një natë, kur isha në një nga këto mbledhje, disa nga shokët e mi shkuan në një koncert. Atje rrahën për vdekje një adoleshent ngaqë nuk e lëshonte nga dora xhaketën e tij të lëkurës. Të nesërmen mburreshin për këtë. Edhe para gjyqit s’u bëhej vonë për krimin. Shumica u dënuan me burgim të përjetshëm. Kuptohet që ndihesha tejet i kënaqur që nuk isha me ta atë natë. Vendosa të ndryshoja dheNgaqë kisha parë kaq shumë paragjykime raciale, më mahniste ajo që shihja mes Dëshmitarëve. Për shembull, kur një Dëshmitar i bardhë vajti jashtë shtetit, i la fëmijët nën kujdesin e një familjeje zezakësh. Po ashtu, një familje të bardhësh mbajti në shtëpi një të ri zezak, që s’kishte ku të fuste kokën. U binda se Dëshmitarëve të Jehovait u shkonin vërtet për shtat fjalët e Jezuit te Gjoni 13:35: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» E dija se kisha gjetur vëllazërinë e vërtetë.
Dora-dorës që studioja Biblën, fillova të kuptoja se duhej të ndryshoja mënyrën e të menduarit. Jo vetëm që duhej të sillesha paqësisht, por edhe të besoja se kjo ishte mënyra më e mirë e jetesës. (Romakëve 12:2) Pak nga pak bëra ndryshime. Në janar 1974 u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait.
Jo vetëm që duhej të sillesha paqësisht, por edhe të besoja se kjo ishte mënyra më e mirë e jetesës
Megjithatë, edhe pasi u pagëzova, duhej të punoja me temperamentin. Për shembull, një herë kur po predikonim nga shtëpia në shtëpi, një hajdut më vodhi kasetofonin e makinës. E ndoqa këmba-këmbës, e ndërsa po i afrohesha, e hodhi përtokë dhe ia mbathi. Kur u tregova të tjerëve si e mora kasetofonin, një plak kongregacioni më pyeti: «Stefan, ç’do të bëje po ta kishe kapur hajdutin?» Ajo pyetje më vuri në mendime dhe më nxiti të punoja akoma që të bëhesha më paqësor.
Në tetor të 1974-s fillova të predikoja në kohë të plotë, dhe kaloja 100 orë çdo muaj duke i mësuar të tjerët për Biblën. Më vonë pata privilegjin të punoja si vullnetar në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Më 1978 u ktheva në Los Anxhelos që të kujdesesha për mamanë e sëmurë. Pas dy vjetësh u martova me Arondën, gruan time të shtrenjtë. Ajo ka qenë një mbështetje e madhe për mua ndërsa kujdesesha për mamanë që më vonë vdiq. Me kalimin e kohës të dy ndoqëm Shkollën Biblike Watchtower të Galaadit dhe na caktuan në Panama, ku shërbejmë ende si misionarë.
Që kur u pagëzova, jam gjendur në rrethana ku rrezikoja të shpërtheja. Kam mësuar t’i shmang ata që më provokojnë ose të qetësoj situatën në mënyra të tjera. Mjaft veta, përfshirë ime shoqe, më kanë lavdëruar për sjelljen time në këto raste. Madje edhe unë vetë jam habitur me ndryshimin tim. Por nuk është merita ime. Besoj se e gjithë kjo dëshmon për fuqinë transformuese të Biblës.
DOBITË:
Bibla më ka dhënë një qëllim në jetë dhe më ka mësuar të jem vërtet paqësor. Nuk i rrah më të tjerët; përkundrazi, i ndihmoj të njohin Zotin. Kam studiuar Biblën me dikë që e kisha armik në shkollë të mesme. Pasi u pagëzua, u bëmë shokë dhome. Sot e kësaj dite jemi miq të ngushtë. Deri tani bashkë me gruan kemi ndihmuar 80 veta të bëhen Dëshmitarë të Jehovait, duke studiuar Biblën me ta.
I jam thellësisht mirënjohës Jehovait që më dha një jetë domethënëse dhe të lumtur mes miqve të vërtetë.