A je i zhgënjyer nga Zoti?
«PSE mua? Pse lejoi Zoti që të më ndodhte mua?» Këto pyetje e trazonin Sidnin 24-vjeçar nga Brazili. Pas një aksidenti në një rrëshqitëse uji, ai u ngujua përgjithmonë në një karrocë invalidi.
Njerëzit mund të ndihen fare kollaj të zhgënjyer nga Perëndia kur vuajnë për shkak të aksidenteve, të sëmundjeve, të vdekjes së një njeriu të dashur, të katastrofave natyrore ose të luftës. Kjo nuk është diçka e re. Edhe patriarkut Job në kohët biblike i ranë hallet njëri pas tjetrit. Ai fajësoi gabimisht Perëndinë kur tha: «Të thërras për ndihmë, por ti s’më përgjigjesh; unë rri në këmbë, që të më vësh re. Tani je bërë mizor ndaj meje; me tërë fuqinë e dorës sate shfren mllef kundër meje.»
Jobi nuk dinte as nga i vinin hallet, as përse i ranë pikërisht atij dhe as pse Zoti i lejoi. Sa mirë që Bibla na shpjegon arsyen pse ndodhin këto gjëra dhe si duhet të reagojmë në situata të tilla!
A DONTE ZOTI QË NJERËZIT TË VUANIN?
Bibla na thotë për Zotin: «E përsosur është vepra e tij, sepse të gjitha udhët e tij janë drejtësi. Një Perëndi i besueshëm, tek i cili nuk ka padrejtësi. I drejtë dhe i ndershëm është ai.» (Ligji i përtërirë 32:4) Prandaj, a është e logjikshme ose a ka kuptim që Perëndia, i cili është «i drejtë dhe i ndershëm», të kishte si qëllim që njerëzit të vuanin ose të përdorte fatkeqësitë për t’i ndëshkuar a rafinuar?
Përkundrazi, Bibla na thotë: «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Bibla mëson se, kur Perëndia e krijoi njeriun, gjithçka ishte e përsosur. Njerëzve të parë, Adamit dhe Evës, u dha një shtëpi të bukur, gjithçka të nevojshme për të jetuar dhe punë domethënëse. Ai u tha: «Jini të frytshëm, shumohuni dhe mbusheni tokën e sundojeni.» Pa dyshim, Adami dhe Eva s’kishin arsye për t’u ndier të zhgënjyer nga Zoti.
Por sot kushtet e jetës as që i afrohen përsosmërisë. Të themi të drejtën, gjatë gjithë historisë, njerëzimi ka përjetuar peripeci të mëdha. Ka dalë i vërtetë ky përshkrim: «E gjithë krijesa vazhdon të rënkojë së bashku dhe të përjetojë dhembje së bashku.» (Romakëve 8:22) Çfarë ndodhi?
PSE VUAJMË?
Që të kuptojmë pse vuajmë, duhet të kthehemi pas në kohën kur filloi vuajtja. Adami dhe Eva u mashtruan nga një engjëll rebel, që më vonë u quajt Satana Djalli, dhe hodhën poshtë normat e Perëndisë për të drejtën e të gabuarën që paraqiteshin nga urdhri për të mos ngrënë nga «pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes». Djalli i tha Evës se nuk do të vdisnin nëse s’i bindeshin Zotit, duke e akuzuar kështu Perëndinë si gënjeshtar. Njëkohësisht e akuzoi Perëndinë se nuk po u jepte krijesave të tij të drejtën për të vendosur ç’ishte e mirë dhe e keqe. (Zanafilla 2:17; 3:1–6) Satanai la të nënkuptohej se njerëzimi do të ishte më mirë i pavarur nga Perëndia. E gjithë kjo ngriti një çështje me rëndësi jetësore: A ishte Perëndia në lartësinë e duhur për të qeverisur?
Djalli ngriti edhe një çështje tjetër. I akuzoi njerëzit se i shërbejnë Zotit të shtyrë nga motive egoiste. Ai i tha Perëndisë për Jobin besnik: «A nuk ke ngritur një gardh rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe rreth gjithçkaje që ka përqark? . . . Por, a mund ta zgjatësh dorën e të prekësh çdo gjë që ka? Pastaj shih po nuk të mallkoi sy më sy!» (Jobi 1:10, 11) Ndonëse fjalët e Satanait ishin për Jobin, ato nënkuptonin se të gjithë njerëzit i shërbejnë Perëndisë me interes.
SI PO I ZGJIDH ZOTI KËTO ÇËSHTJE?
Cila do të ishte mënyra e duhur për t’i zgjidhur një herë e mirë këto çështje themelore? Zoti, më i mençuri nga të gjithë, gjeti zgjidhjen më të mirë, zgjidhje që nuk na zhgënjen. (Romakëve 11:33) Ai vendosi t’i linte njerëzit të vetëqeveriseshin për njëfarë kohe, kështu pasojat do të tregonin se cila qeverisje do të ishte më e mira.
Kushtet e mjera sot në tokë janë provë e qartë se qeverisja njerëzore ka qenë një dështim total. Qeveritë botërore jo vetëm që nuk kanë sjellë paqe, siguri e lumturi, por e kanë çuar tokën në prag të shkatërrimit. Kjo thekson të vërtetën jetësore që thotë Bibla: «Nuk i përket njeriut udha e tij. Njeriut që ecën, nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.» (Jeremia 10:23) Vetëm mënyra si qeveris Perëndia na garanton paqe, lumturi dhe begati të përhershme, meqenëse ky është qëllimi i tij.
Atëherë, si do ta përmbushë Zoti qëllimin që ka për njerëzimin? Sill ndër mend se Jezui i mësoi dishepujt të luten: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Po, në kohën e duhur Perëndia do të zhdukë gjithë shkaqet e vuajtjeve me anë të Mbretërisë së tij. (Danieli 2:44) Varfëria, sëmundjet dhe vdekja do t’i përkasin së kaluarës. Për të vobektët Bibla tregon se Perëndia «do ta çlirojë të varfrin që thërret për ndihmë». (Psalmi 72:12–14) Për të sëmurët premton: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» (Isaia 33:24) Kurse për të vdekurit që janë në kujtesën e Perëndisë, Jezui tha: «Po vjen ora, kur të gjithë ata që janë në varre . . . do të dalin.» (Gjoni 5:28, 29) Sa na e ngrohin zemrën këto premtime!
TË KAPËRCEJMË ZHGËNJIMIN
Rreth 17 vjet pas aksidentit, Sidni që përmendëm në fillim, tha: «Kurrë nuk ia hodha fajin Jehovait për aksidentin, por duhet ta pranoj se në fillim ndihesha i zhgënjyer prej tij. Ka ditë që ndihem vërtet përtokë dhe qaj kur mendoj për kufizimet e mia. Megjithatë nga Bibla kam kuptuar se aksidenti nuk ishte ndëshkim nga Perëndia. Ajo thotë se ‘të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara’. Lutjet që i bëj Jehovait dhe disa shkrime specifike më kanë forcuar besimin dhe më kanë ngritur shpirtërisht.»
Kur mbajmë në mendje arsyet pse Zoti i ka lejuar vuajtjet dhe se si do të zhduken së shpejti pasojat e tyre, kjo na ndihmon të mposhtim çdo ndjenjë zhgënjimi prej tij. Perëndia na siguron se është «shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm». Askush nga ata që besojnë te Zoti dhe te Biri i tij nuk do të zhgënjehet kurrë.