Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Pse u rruajt Jozefi para se të shkonte te faraoni?

Mur i lashtë egjiptian ku tregohet një berber në punë

Me ç’thotë Zanafilla, faraoni dha urdhër që t’i sillnin menjëherë Jozefin, të burgosurin hebre, për t’i interpretuar ëndrrat që e kishin trazuar. Jozefi kishte qenë në burg për disa vjet. Megjithëse nuk duhej të vonohej për te faraoni, nuk shkoi pa u rruajtur. (Zanafilla 39:20-23; 41:1, 14) Me sa duket, shkrimtari i njihte mirë zakonet e egjiptianëve përderisa përmend një hollësi të tillë të parëndësishme në dukje.

Rritja e mjekrës ishte zakon i shumë kombeve në lashtësi, edhe i hebrenjve. Kurse «egjiptianët e lashtë ishin të vetmit orientalë që nuk pranonin të mbanin mjekër»,​—thotë libri Cyclopedia of Biblical, Theological, and Ecclesiastical Literature nga Meklintoku dhe Strongu.

Por, a rruanin vetëm mjekrën? Revista Biblical Archaeology Review sugjeron se disa zakone ceremoniale egjiptiane kërkonin që burrat të përgatiteshin para se të dilnin para faraonit, njësoj si do të hynin në tempull. Në një rast të tillë, Jozefit do t’i jetë dashur të rruajë gjithë kokën dhe trupin.

Libri i Veprave tregon se babai i Timoteut ishte grek. A do të thotë kjo se kishte prejardhje greke?

Jo medoemos. Në shkrimet e frymëzuara, Pavli ndonjëherë përmendte dy grupe, judenjtë dhe grekët, ose helenët, ku grekët përfaqësonin të gjithë ata që s’ishin judenj. (Romakëve 1:​16; 10:12) Një nga arsyet ishte pa dyshim përhapja e madhe e gjuhës dhe e kulturës greke në viset ku ai kishte predikuar.

Kush konsiderohej grek në kohët e lashta? Në shekullin e 4-t p.e.s., Isokrati, orator athinas, foli me krenari për përhapjen e kulturës greke në botë. Ai thoshte se si rezultat «grekë më tepër quhen ata që kanë pasur mundësi të përvetësojnë kulturën tonë, sesa ata që kanë lindur në Greqi». Pra, ka mundësi, megjithëse nuk mund ta themi me siguri, që babai jojude i Timoteut dhe të tjerë që Pavli i quante grekë, të ishin grekë nga kultura, por jo nga prejardhja.​—Veprat 16:1.