Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

IMITONI BESIMIN E TYRE | TIMOTEU

«Biri im i dashur dhe i besueshëm në Zotërinë»

«Biri im i dashur dhe i besueshëm në Zotërinë»

TIMOTEU ecte me hapa të mëdhenj e të vendosur, me sytë të përqendruar tek ajo që kishte përpara, duke lënë pas qytetin e vet. Shokët e udhëtimit i prinin tek kalonin përmes fushave që ai i njihte në pëllëmbë të dorës. Qyteti i Listrës, që ndodhej mbi një kodër në shtratin e luginës, po humbiste gjithnjë e më shumë në largësi. Timoteu vë buzën në gaz ndërsa mendon për të ëmën dhe gjyshen, të cilave u rrëzëllenin sytë nga krenaria për të dhe nga lotët që mezi i mbanin teksa e shihnin të largohej. Po sikur ta kthente kokën dhe t’ua bënte edhe një herë me dorë?

Apostulli Pavël shihte herë pas here nga Timoteu dhe i buzëqeshte për t’i dhënë zemër. E dinte se ai kishte njëfarë ndrojtjeje që duhej ta kapërcente, por kënaqej me zellin e këtij djaloshi. Ishte mjaft i ri, ndoshta në fund të adoleshencës ose në fillim të të njëzetave dhe kishte respekt e dashuri të thellë për Pavlin. Duke ndjekur gjurmët e këtij burri energjik dhe besnik, tani po niste një udhëtim që do ta çonte qindra kilometra larg shtëpisë. Gjatë këtij udhëtimi, në këmbë e me anije, do të përballeshin me rreziqe të panumërta. Nuk ishte i sigurt nëse do ta shihte përsëri vendin e tij.

Çfarë e shtyu këtë djalosh të ndiqte një rrugë të tillë? A do t’ia vlente barra qiranë? Si na forcohet besimi nga besimi i Timoteut?

«QË NGA FOSHNJËRIA»

Të kthehemi dy a tre vjet prapa dhe ta zëmë se Listra ishte vendlindja e Timoteut, që ka shumë gjasa të ishte. Listra ishte qytet i vogël dhe i thjeshtë në një luginë të veçuar e të gjelbëruar. Banorët e saj flisnin akoma gjuhën e vendit, gjuhën likaonase, edhe pse ndoshta e kuptonin gjuhën greke. Një ditë, në këtë qytet të qetë u bë një potere e madhe. Nga Ikonia, një qytet fqinj më i madh, kishin ardhur dy misionarë të krishterë, apostulli Pavël dhe Barnaba, shoku i tij i udhëtimit. Ndërsa predikonin në vendet publike, Pavlit i zunë sytë një burrë të çalë me besim të fortë. Prandaj e shëroi me anë të një mrekullie.​—Veprat 14:5-10.

Me sa dukej shumë nga banorët e Listrës besonin te legjendat vendëse për perënditë që dikur kishin marrë formë njerëzish dhe kishin zbritur mes tyre. Ja pse Pavlin e morën për Hermesin dhe Barnabën për Zeusin. Këta dy të krishterë të përulur mezi i frenuan turmat që të mos u bënin flijime.​—Veprat 14:11-18.

Kurse për disa të tjerë në Listër ardhja e tyre nuk ishte vizitë nga perënditë pagane mitike, por ishte reale dhe një rast i bukur. Për shembull, Eunika, një judeje e martuar me një grek jobesimtar, * dhe mamaja e saj, Loida, me siguri i dëgjonin Pavlin e Barnabën gjithë kureshtje e gëzim. Më në fund po merrnin lajmin që çdo jude besnik mezi e priste: Mesia kishte ardhur dhe kishte përmbushur mjaft nga profecitë në Shkrime.

Mendo pak si ndikoi te Timoteu vizita e Pavlit. Timoteun e kishin mësuar «që nga foshnjëria» t’i donte Shkrimet e Shenjta Hebraike. (2 Timoteut 3:15) Ashtu si e ëma dhe gjyshja, ai arrinte ta kuptonte që Pavli dhe Barnaba po thoshin të vërtetën për Mesinë. Mendo edhe për burrin e çalë që shëroi Pavli. Që i vogël Timoteu mund ta kishte parë kushedi sa herë nëpër rrugët e Listrës. Tani, për herë të parë, Timoteu e shihte duke ecur. Prandaj nuk është çudi që Eunika dhe Loida u bënë të krishtere, siç u bë edhe Timoteu. Gjyshërit dhe prindërit e sotëm mund të mësojnë shumë nga Loida dhe Eunika. A mund të ndikoni për mirë te të rinjtë?

«DUKE KALUAR SHUMË SHTRËNGIME»

Ata që u bënë dishepuj të krishterë në Listër duhet të jenë rrëqethur kur kanë dëgjuar për shpresën që u ofrohej dishepujve të Krishtit. Por kuptuan edhe se të ishe dishepull kishte çmimin e vet. Nga Ikonia e Antiokia erdhën kundërshtarë fanatikë judenj dhe trazuan banorët gjaknxehtë, duke i kthyer kundër Pavlit e Barnabës. Pa kaluar shumë, turmat e dhunshme e ndoqën nga pas Pavlin dhe e qëlluan me gurë. Ngaqë e qëlluan pa mëshirë, ai ra pa ndjenja. E tërhoqën zvarrë jashtë qytetit dhe e lanë aty ngaqë e menduan të vdekur.​—Veprat 14:19.

Por, dishepujt nga Listra iu afruan Pavlit dhe e rrethuan. Sa duhet të jenë lehtësuar kur panë që Pavli filloi të lëvizte, u çua dhe me guxim hyri prapë në qytet. Të nesërmen ai dhe Barnaba u nisën për në qytetin e Derbës që të vazhdonin predikimin. Pasi edhe aty bënë dishepuj të tjerë, e morën rrezikun në sy dhe u kthyen në Listër. Çfarë ndodhi më pas? Bibla tregon: «Forcuan dishepujt, u dhanë zemër që të qëndronin në besim.» Imagjino Timoteun e ri ndërsa dëgjonte gojëhapur Pavlin dhe Barnabën teksa u mësonin atyre të krishterëve se ia vlente të kalonin ato vështirësi për hir të shpresës së lavdishme që i priste. Ata thanë: «Do të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë duke kaluar shumë shtrëngime.»​—Veprat 14:20-22.

Timoteu i pranoi me zemër të hapur mësimet e apostullit Pavël

Timoteu e kishte parë Pavlin t’i zbatonte këto fjalë, t’i përballonte me guxim shtrëngimet si e si të përhapte lajmin e mirë. Prandaj, Timoteu e dinte se, po të ndiqte shembullin e Pavlit, banorët e Listrës do t’i kundërviheshin, ndoshta edhe i ati. Por nuk do të lejonte që presioni i të tjerëve të ndikonte në mënyrën si do t’i shërbente Perëndisë. Sot ka shumë të rinj si Timoteu. Me mençuri, ata kërkojnë miq me besim të fortë, që i inkurajojnë e i forcojnë. Nuk lejojnë që kundërshtimi t’i pengojë t’i shërbejnë Perëndisë së vërtetë.

‘VËLLEZËRIT FLITNIN MIRË PËR TË’

Siç thamë edhe më lart, Pavli shkoi përsëri për vizitë ndoshta dy a tre vjet më vonë. Imagjino sa duhet të jenë kënaqur ata të shtëpisë së Timoteut kur mbërriti Pavli, këtë herë me Silën. Patjetër që edhe Pavli ishte i kënaqur. Tani mund të shihte me sytë e tij çfarë kishte ndodhur me farat e së vërtetës që kishte mbjellë në Listër. Atje ishte Loida dhe e bija, Eunika, të krishtere besnike, gra plot ‘besim pa asnjë hipokrizi’, që i admironte. (2 Timoteut 1:5) Po ç’mund të themi për djaloshin Timote?

Pavli mori vesh ç’pjekuri të admirueshme kishte arritur ai që nga vizita e fundit. ‘Vëllezërit flitnin mirë’ për Timoteun jo vetëm në Listër, por edhe në Ikoni, rreth 32 km në verilindje. (Veprat 16:2) Si kishte bërë emër të mirë?

«Shkrimet e shenjta» që gjyshja dhe e ëma i kishin mësuar «që nga foshnjëria», përmbanin këshilla të mençura e praktike për të rinjtë. (2 Timoteut 3:15) Një prej tyre ishte: «Kujtoje pra tani, Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.» (Eklisiastiu 12:1) Këto fjalë morën më shumë kuptim për Timoteun kur u bë i krishterë. Kuptoi se mënyra më e mirë për ta kujtuar Krijuesin e tij të Madh ishte duke predikuar lajmin e mirë për Birin e Perëndisë, Krishtin. Pak nga pak Timoteu mësoi të kapërcente ndrojtjen që e stepte dhe të shpallte me guxim lajmin e mirë për Jezu Krishtin.

Burrat që merrnin drejtimin në kongregacione e vunë re përparimin e Timoteut. Pa dyshim u ngrohej zemra kur shihnin si u forconte besimin atyre që e rrethonin dhe si i inkurajonte. Mbi të gjitha, Timoteun e kishte vënë re Jehovai. Perëndia kishte frymëzuar disa profeci për të, të cilat ndoshta lidheshin me llojin e shërbimit që do të bënte në të ardhmen në dobi të shumë kongregacioneve. Kur u kthye, Pavli pa që Timoteu mund të ishte një shok mjaft i dobishëm në udhëtimet misionare. Vëllezërit në Listër ishin dakord. Ata vunë duart mbi të, një gjest që tregonte se i ishte besuar një privilegj i veçantë në shërbim të Perëndisë Jehova.​—1 Timoteut 1:18; 4:14.

Siç mund ta imagjinojmë, Timoteu u ndie i padenjë dhe u mrekullua që iu dha aq shumë besim e përgjegjësi. Ai ishte gati të nisej. * Po si e priti i ati jobesimtar caktimin e tij të ri për të qenë mbikëqyrës udhëtues i krishterë? Ka shumë gjasa të kishte planifikuar komplet gjëra të tjera për të. Po e ëma dhe gjyshja? Mos vallë po rrezatonin nga krenaria ndërsa përpiqeshin të fshihnin merakun për të? Kjo do të ishte më se normale.

Ajo që dimë me siguri është se Timoteu u nis. Mëngjesin që përshkruam në fillim të artikullit, ai nisi një jetë plot udhëtime me apostullin Pavël. Ndërsa linte pas Listrën, çdo kërcitje guriçkash nën sandale a çdo fëshfërimë bari ishte një hap më shumë larg shtëpisë dhe drejt së panjohurës. Pas një dite të gjatë udhëtimi, ata të tre mbërritën në Ikoni. Nga ai moment Timoteu filloi të shihte me kujdes se si Pavli dhe Sila u përcillnin bashkëbesimtarëve drejtimin më të fundit nga trupi udhëheqës në Jerusalem dhe si përpiqeshin t’u forconin besimin vëllezërve në Ikoni. (Veprat 16:4, 5) Por ky ishte vetëm fillimi.

Pasi vizituan kongregacionet e Galatisë, misionarët i lanë pas rrugët romake të gjera e të shtruara dhe bënë qindra kilometra përmes pllajave të Frigjisë drejt veriut e pastaj drejt perëndimit. Duke ndjekur drejtimin e frymës së shenjtë, si gjithmonë, arritën në Troadë, hipën në një anije dhe lundruan drejt Maqedonisë. (Veprat 16:6-12) Në këtë moment Pavli pa sa i dobishëm ishte Timoteu. E la në Bere me Silën. (Veprat 17:14) Madje, në Selanik e çoi vetëm. Atje Timoteu ndoqi modelin që kishte parë me kujdes dhe u forcoi besimin të krishterëve besnikë.​—1 Selanikasve 3:1-3.

Më vonë Pavli shkroi për Timoteun: «Nuk kam askënd tjetër me një natyrë si e tija, që të kujdeset sinqerisht për punët tuaja.» (Filipianëve 2:20) Ky reputacion nuk u krijua vetvetiu. Timoteu e arriti me shumë përpjekje, shërbim të përulur dhe qëndrueshmëri besnike në vështirësi të mëdha. Çfarë shembulli i jashtëzakonshëm për të rinjtë sot! Mos harro kurrë se reputacioni yt varet kryesisht nga ti. Nëse je i ri, ke një mundësi të mrekullueshme të bësh emër të mirë duke vënë në vend të parë Perëndinë Jehova dhe duke i trajtuar të tjerët me mirësi e respekt.

‘BËJ ÇMOS TË VISH TEK UNË’

Që i ri, Timoteu ia kushtoi jetën pa rezerva shërbimit të krishterë

Gjatë një periudhe afro 14-vjeçare Timoteu kaloi goxha kohë duke bashkëpunuar me apostullin Pavël, mikun e tij. Bashkë me të kaloi shumë rreziqe, por përjetoi edhe shumë gëzime. (2 Korintasve 11:24-27) Madje në njëfarë pike, Timoteu u burgos për shkak të besimit. (Hebrenjve 13:23) Ashtu si Pavli, ai kishte po atë dashuri dhe merak të thellë e të sinqertë për motrat e vëllezërit e krishterë. Ja pse Pavli i shkroi: «Kujtoj lotët e tu.» (2 Timoteut 1:4) Edhe Timoteu mësoi ‘të qante me ata që qanin’, domethënë të bashkohej me ndjenjat e tyre që të mund t’i inkurajonte e t’i ngushëllonte. (Romakëve 12:15) Urojmë që të gjithë të mësojmë ta bëjmë këtë!

Nuk është çudi që me kohë Timoteu u bë mbikëqyrës i krishterë i shkëlqyer. Pavli i besoi jo vetëm përgjegjësinë që të forconte e të inkurajonte kongregacionet, por edhe të caktonte burra që kualifikoheshin si pleq dhe shërbëtorë ndihmës në kongregacion.​—1 Timoteut 5:22.

Ai e kishte shumë për zemër Timoteun dhe i dha mjaft këshilla të dobishme atërore. E nxiti t’i zhvillonte më tej cilësitë e veçanta dhe të vazhdonte të rritej në besim duke bërë përparim. (1 Timoteut 4:15, 16) E inkurajoi të mos lejonte që mosha e re, e ndoshta edhe ndrojtja, ta zmbrapsnin në momentet që duhej të mbronte me vendosmëri atë çka ishte e drejtë. (1 Timoteut 1:3; 4:6, 7, 11, 12) Madje Pavli e këshilloi edhe për sëmundjet e shpeshta që e mundonin, të cilat mund të kenë qenë probleme kronike me stomakun.​—1 Timoteut 5:23.

Erdhi një moment kur Pavli e dinte se nuk i mbetej edhe shumë për të jetuar; me sa duket e priste ekzekutimi. Prandaj i dërgoi Timoteut edhe një letër të fundit të frymëzuar nga Perëndia. Aty shkroi edhe këto fjalë prekëse: «Bëj çmos të vish sa më shpejt tek unë.» (2 Timoteut 4:9) Pavli e donte fort Timoteun; e quajti «biri im i dashur dhe i besueshëm në Zotërinë». (1 Korintasve 4:17) Ndaj donte ta kishte pranë mikun e tij në momentet e fundit të jetës. Secili prej nesh mund të pyesë veten: «A duan të tjerët të më kenë pranë në momente të vështira?»

A arriti Timoteu të shkonte tek ai në kohë? Këtë nuk e dimë. Por dimë se bënte gjithmonë të pamundurën për të ngushëlluar e për të inkurajuar Pavlin dhe të tjerët. Timoteu jetoi në lartësinë e emrit të vet, që do të thotë «një që nderon Perëndinë». Ai la një shembull besimi të shkëlqyer për të gjithë ne, të rinj a të moshuar qofshim.

^ par. 9 Shih artikullin «A e dini?» në këtë revistë.

^ par. 20 Timoteu ishte gati edhe të rrethpritej siç i kërkoi Pavli. Rrethprerja nuk ishte kërkesë për të krishterët, por Pavli nuk donte që judenjtë të cilëve do t’u predikonte, të kishin shkak për të mos e pranuar këtë djalosh me baba jojude.​—Veprat 16:3.