Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Trego empati

Trego empati

Problemi

Nëse e mbajmë mendjen vetëm te fakti që të tjerët janë shumë të ndryshëm nga ne, mund të arrijmë në përfundimin se ndryshimet janë të meta a defekte. Faktikisht do t’i konsideronim inferiorë ata që ndryshojnë nga ne. Në momentin që krijojmë përshtypje negative për të tjerët, është e vështirë të tregojmë empati. Mungesa e empatisë mund të jetë simptomë e një problemi më të rëndë: paragjykimit.

Parim nga Bibla

«Gëzoni me ata që gëzojnë dhe qani me ata që qajnë.»—ROMAKËVE 12:15.

Çfarë do të thotë? Ky parim mund të përmblidhet me dy fjalë: trego empati. Ajo është aftësia për ta vënë veten në vendin e tjetrit dhe për të përjetuar të njëjtat ndjenja.

Si ndihmon empatia

Kur tregojmë empati për dikë, kuptojmë sa të ngjashëm jemi dhe se ai ose ajo mund të ndihet e të reagojë njësoj si ne. Empatia na ndihmon të dallojmë se të gjithë njerëzit, pavarësisht prejardhjes, janë pjesë e familjes njerëzore. Sa më shumë të përqendrohemi te ngjashmëritë, aq më pak do të priremi t’i gjykojmë negativisht.

Empatia ndikon edhe te respekti që u tregojmë të tjerëve. Ana-Maria nga Senegali, dikur i përçmonte njerëzit që u përkitnin të ashtuquajturave «kasta të ulëta». Ajo shpjegon si e ndihmoi empatia: «Kur shikoja vështirësitë që kalonin njerëzit e kastave të ulëta, mendoja si do të ndihesha po të isha në vend të tyre. Prandaj fillova të vija në pikëpyetje ‘statusin tim të lartë’, të cilin as e kisha zgjedhur, as e kisha merituar.» Nëse përpiqemi të kuptojmë vështirësitë e të tjerëve, me shumë mundësi do t’u tregojmë empati e nuk do t’i kritikojmë.

Çfarë mund të bësh

Përpiqu të shohësh përtej ndryshimeve dhe të gjesh të përbashkëtat që ke me njerëzit që sheh negativisht. Për shembull, imagjino si ndihen ata:

Empatia na ndihmon të dallojmë se të gjithë njerëzit janë pjesë e familjes njerëzore

  • Kur hanë me familjen.

  • Pas një dite të lodhshme pune.

  • Kur kalojnë kohë me miqtë.

  • Kur dëgjojnë muzikën e tyre të preferuar.

Tani përpiqu të imagjinosh sikur je në vend të tyre. Pyet veten:

  • «Si do të reagoja nëse dikush më bën të ndihem i pavlerë?»

  • «Si do të ndihesha nëse të tjerët do të më gjykonin pa më njohur fare?»

  • «Nëse do t’i përkitja atij grupi, si do të doja të më trajtonin të tjerët?»