KAMILA ROSAM | JETËSHKRIM
Synimi im ishte t’i bindesha Jehovait
Gjyshërit mësuan për premtimet e Mbretërisë së Jehovait në vitin 1906, pak pasi një prej djemve u vdiq nga difteria. Mjeku i tyre ishte Student i Biblës, siç quheshin Dëshmitarët e Jehovait në atë kohë. Ai i ngushëlloi me anë të shpresës së Biblës. U foli edhe për shpresën e ringjalljes. Si rezultat, gjyshërit, mamaja dhe tezja u bënë Studentë të Biblës.
Për shumë vjet, të gjithë kishin zell për të vërtetën. Madje, gjyshja, mamaja dhe tezja shërbyen si mikpritëse kur u shfaq «Fotodrama e Krijimit» në Çikago, Ilinois, Shtetet e Bashkuara. Mjerisht, mamaja ishte e vetmja që vazhdoi t’i shërbente Jehovait. Ajo s’e pati fare të lehtë, se ishin shumë të lidhur si familje dhe i kishin shërbyer Jehovait së bashku deri në vitet 1930. Besnikëria e mamasë dhe bindja që tregoi ndaj Jehovait patën goxha ndikim tek unë. Edhe shembulli i babait, që po njësoj ishte Student i Biblës, më ndihmoi shumë.
Linda më 1927. Isha më e madhja nga gjashtë fëmijët. Të gjithë vazhduam në të vërtetën. Babai ishte marangoz dhe jetonim në një shtëpi të rehatshme në periferi të Çikagos. Kishim një kopsht të madh me perime. Mbanim edhe pula e rosa.
Më pëlqente të punoja. Një nga detyrat e mia ishte të arnoja çorapet e familjes. Sot nuk është e zakonshme të arnosh, por në atë kohë çorapet nuk hidheshin kur bëheshin me vrima. Për t’i arnuar ose për t’i qepur, përdornim pe e gjilpërë. Kjo më hyri goxha në punë, se më vonë u mora me qepje.
Prindërit lanë një shembull të shkëlqyer
Babai sigurohej që familja të ishte e përqendruar tek adhurimi i Jehovait. Ndaj ndiqnim çdo mbledhje kongregacioni, merrnim pjesë rregullisht në shërbim dhe përditë shqyrtonim një shkrim nga Bibla. Të shtunave në mbrëmje, studionim Biblën si familje me anë të Kullës së Rojës.
Që t’u jepnim dëshmi fqinjëve, babai vuri një tabelë me drita te dritarja e dhomës së ndenjjes. E kishin bërë vëllezërit tanë dhe reklamonte një fjalim publik ose një nga botimet tona. Drita brenda kutisë ndizej e fikej, e kjo tërhiqte vëmendjen e personave që kalonin afër. Dy tabela të tilla babai i vuri edhe te makina.
Me fjalët dhe me shembullin e tij, babai na mësoi ne fëmijëve sa e rëndësishme është t’i bindemi Jehovait. Mamaja e mbështeste në çdo gjë. Gjithashtu, filloi t’i shërbente Jehovait si pioniere kur motra e vogël ishte pesë vjeçe. Ajo vazhdoi si pioniere tërë jetën. Kisha prindër fantastikë.
Jeta atëherë ishte shumë më ndryshe nga sot. Televizor nuk kishim, ndaj ne fëmijët uleshim në dysheme e dëgjonim radion, ku transmetoheshin disa programe të bukura. Më shumë se të gjitha na pëlqenin programet besimforcuese që organizata e Jehovait transmetonte me anë të radios.
Kongrese, gramafona dhe tabela-sanduiç
Na pëlqente shumë të shkonim në kongreset e Dëshmitarëve të Jehovait. Në kongresin që u mbajt në vitin 1935, mësuam se ‘shumica e madhe’, e cila i mbijeton ‘shtrëngimit të madh’ që përmendet te Zbulesa 7:9, 14, do të kishte shpresën të jetonte përgjithmonë në parajsën në tokë. Para vitit 1935, të dy prindërit i merrnin simbolet e Përkujtimit. Por pas atij kongresi, vetëm babai vazhdoi t’i merrte. Mamaja kuptoi se shpresa e saj nuk ishte të qeveriste me Krishtin në qiell, por të jetonte përgjithmonë në tokë.
Në vitin 1941, në një kongres në Sent-Luis, Misuri, Xhozef Radhërfordi që merrte drejtimin e veprës në atë kohë, prezantoi librin Fëmijët. Duartrokitjet ishin të jashtëzakonshme. Atëherë isha 14 vjeçe dhe kisha një vit e pagëzuar. Kujtoj shumë mirë se si u futa në radhë me fëmijët e tjerë dhe shkova drejt podiumit për të marrë kopjen time të librit.
Në ato vite të hershme, shërbimi ishte ndryshe nga ditët e sotme. Në vitet 30, përdornim gramafona portativë për të luajtur fjalime biblike të incizuara. Përpara se të trokitnim në derë, bënim gati gramafonin dhe siguroheshim që disku e gjilpëra të ishin në vendin e duhur. Kur dilte i zoti i shtëpisë, bënim një prezantim të shkurtër, vendosnim fjalimin që ishte katër minuta e gjysmë dhe pastaj ofronim literaturë. Banorët e zonës sonë na dëgjonin me respekt. Nuk kujtoj ndonjë që të jetë sjellë ashpër. Kur fillova si pioniere në moshën 16-vjeçare, babai më dhuroi një gramafon, të cilin e përdora me shumë kënaqësi në shërbim. Shoqja ime e shërbimit ishte një motër e mrekullueshme me emrin Lorena.
Marshimet informuese ishin një tjetër formë dëshmie. Në atë kohë i quanim marshime me tabela-sanduiç, sepse vishnim dy pankarta, një përpara dhe një mbrapa. Në to shkruhej «Feja është një lak dhe një mashtrim» dhe «Shërbejini Perëndisë dhe Krishtit Mbret».
Mbledhjet tona na përgatitën për kundërshtimin dhe na stërvitën se çfarë të thoshim për të mbrojtur të vërtetën. Dhe kundërshtimi erdhi. Për shembull, herën e parë që ofruam revistat tona në një zonë tregtare, policët na morën me furgon dhe na çuan në komisariat. Na liruan disa orë më vonë, por ishim të lumtur që ishim përndjekur ngaqë iu bindëm Jehovait.
Martesa, Galadi dhe thirrja për në ushtri
Një ditë, Lorena më prezantoi me një vëlla që quhej Juxhin Rosam, të cilin e kishte takuar në një asamble në Mineapolis, Minesota. Juxhini u rrit në Kei-Uest, Florida. Kur ai ishte në klasë të dhjetë, e përjashtuan nga shkolla, sepse refuzoi të merrte pjesë në një ceremoni patriotike. Ai filloi të shërbente menjëherë si pionier. Një ditë, takoi një vajzë që e kishte pasur në klasë. Meqë Juxhini kishte qenë një student i shkëlqyer, ajo donte të dinte pse e kishin përjashtuar. Përgjigjet e tij të bazuara në Bibël e nxitën të fillonte një studim. Ajo e pranoi të vërtetën dhe u bë një motër besnike.
Unë dhe Juxhini u martuam në vitin 1948. Filluam menjëherë shërbimin si pionierë në Kei-Uest. Më vonë na ftuan të ndiqnim klasën e 18-të të Shkollës së Galadit dhe u diplomuam në fillim të vitit 1952. Njëra nga lëndët që mësonim, ishte gjuha spanjolle, ndaj prisnim të caktoheshim si misionarë në një vend ku flitej spanjisht. Por nuk ndodhi ashtu. Ndërkohë që ishim ende në Galad, po zhvillohej Lufta e Koresë dhe Juxhinit i erdhi thirrja për në ushtri. Kjo ishte e papritur sepse ai ishte përjashtuar nga detyrimi për të shkuar ushtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe tani, për shkak të kësaj thirrjeje, na thanë të qëndronim në Shtetet e Bashkuara. Isha aq e zhgënjyer, sa shpërtheva në lot. Dy vjet më vonë, më në fund Juxhinit i dhanë të drejtën për të mos shkuar ushtar. Nga kjo vështirësi nxorëm një mësim me vlerë. Kur mbyllet një derë, Jehovai hap një tjetër, dhe kështu bëri. Thjesht duhej të kishim durim.
Vepra udhëtuese dhe transferimi në Kanada
Më 1953, pasi shërbyem si pionierë në një kongregacion të gjuhës spanjolle në Tukson, Arizonë, na caktuan në veprën qarkore. Për disa vjet, shërbyem në Ohajo, në Kaliforni dhe në qytetin e Nju-Jorkut. Më 1958, u caktuam në veprën krahinore a në Kaliforni dhe në Oregon. Qëndronim në shtëpitë e vëllezërve. Më vonë, më 1960 shkuam në Kanada, ku Juxhini shërbeu si instruktor në Shkollën e Shërbimit të Mbretërisë për mbikëqyrësit e kongregacionit. Qëndruam në Kanada deri në vitin 1988.
Pjesë e kujtimeve të çmuara, janë një familje që takova bashkë me një motër gjatë shërbimit shtëpi më shtëpi në Kanada. Në fillim takuam mamanë, Gailën, e cila na tha se djemtë e saj ishin mërzitur ngaqë u kishte vdekur gjyshi. Ata e kishin pyetur: «Pse vdiq gjyshi? Ku ka shkuar?» Gaila nuk i dinte përgjigjet. Kështu i dhamë përgjigje nga Bibla duke i lexuar disa shkrime ngushëlluese.
Në atë kohë, Juxhini po vizitonte kongregacionin si mbikëqyrës qarkor, pra në fund të asaj jave do të iknim. Megjithatë, motra që ishte me mua e vizitoi sërish Gailën. Rezultati? Gaila pranoi të vërtetën bashkë me burrin e saj Billin dhe tre djemtë, Kristoferin, Stivin dhe Patrikun. Tani Krisi shërben si plak kongregacioni në Kanada. Stivi është instruktor në shkollat teokratike në Palm Koust, Florida. Ndërsa Patriku shërben në Komitetin e Degës në Tajlandë. Përgjatë viteve, bashkë me Juxhinin kemi mbajtur lidhje të ngushta me këtë familje. Jam shumë e lumtur që pata mundësi të bëja diçka sado të vogël që kjo familje të njihte Jehovain.
Nga vizitat në spitale te Komitetet e Lidhjes me Spitalet
Kur ishim në Kanada, Jehovai hapi për Juxhinin një tjetër derë emocionuese dhe frytdhënëse. Më lini t’ju tregoj më gjatë.
Vite më parë, qëndrimi ynë për transfuzionin e gjakut u keqkuptua dhe kjo shkaktoi që shumë veta të mendonin keq për ne. Anembanë Kanadasë, gazetat nxirrnin lajme se fëmijë Dëshmitarë po vdisnin ngaqë prindërit e tyre nuk i linin të merrnin gjak. Im shoq pati privilegjin t’i përgënjeshtronte këto lajme mashtruese.
Pak para kongresit ndërkombëtar të 1969-s, në Bufalo, Nju-Jork, Juxhini shkoi me disa vëllezër te spitalet kryesore në atë zonë për t’u treguar që rreth 50.000 Dëshmitarë nga Kanadaja dhe nga Shtetet e Bashkuara do të ishin në kongres. Nëse në kongres do të lindnin probleme serioze shëndetësore, do të ishte mirë që mjekët ta dinin pikëpamjen tonë për gjakun dhe ta kuptonin sa e arsyeshme ishte. Vëllezërit u treguan mjekëve artikuj për trajtime mjekësore pa gjak nga revista mjekësore me emër. Reagimi pozitiv i tyre nxiti Juxhinin dhe disa vëllezër të tjerë që të fillonin të vizitonin edhe spitalet në Kanada. Gjithashtu ndihmuan pleqtë vendas të vepronin më me efektshmëri gjatë urgjencave mjekësore.
Pak nga pak, ato përpjekje patën rezultate. Në fakt, ato çuan drejt diçkaje që askush s’e kishte imagjinuar. Çfarë ishte?
Në mes të viteve 1980, Juxhini mori një telefonatë nga Milton Hensheli, nga selia botërore në Bruklin, Nju-Jork. Trupi Udhëheqës donte që programi që kishin tashmë në Shtetet e Bashkuara, të zgjerohej e t’u jepej informacion më shumë mjekëve. Ndaj, unë dhe Juxhini u transferuam në Bruklin, dhe në janar të 1988-s Trupi Udhëheqës hapi një departament të ri në selinë botërore që u quajt Shërbimi i Informacioneve Spitalore. Më pas, bashkëshorti im dhe dy vëllezër të tjerë u caktuan të mbanin seminare, si fillim në Shtetet e Bashkuara e pastaj edhe në vende të tjera. Shpejt, Departamenti i Informacioneve Spitalore u hap në zyrat e degëve, ndërsa në shumë qytete u formua Komiteti i Lidhjes me Spitalet. Mahnitem kur mendoj që shumë Dëshmitarë dhe fëmijët e tyre kanë nxjerrë dobi prej këtyre masave të dashura nga Jehovai. Ndërsa Juxhini mbante seminare dhe vizitonte spitale, unë punoja në Bethel, shpesh në rrobaqepësi ose në kuzhinë.
Sprova ime më e madhe
Në 2006-n kalova sprovën time më të madhe, Juxhini im i dashur vdiq. Sa më mungon dashuria dhe shoqëria e tij! Çfarë më ka ndihmuar ta përballoj këtë sprovë? Disa gjëra. Për shembull, qëndroj afër Jehovait nëpërmjet lutjes dhe leximit të rregullt të Biblës. Ndjek adhurimin e mëngjesit me familjen Bethel. Lexoj kapitullin e Biblës nga është marrë shkrimi i ditës. Zhytem plotësisht në caktimin që kam në Bethel te Departamenti i Rrobaqepësisë, privilegj të cilin e çmoj shumë. Para disa vjetësh, pata mundësinë të ndihmoja në qepjen e perdeve për Sallat e Asambleve në Nju-Xhersi dhe në Nju-Jork. Tani shërbej në Bethel, në Fishkill, ku bëj arnime e rregullime si dhe punë të tjera të vogla. b
Për mua, gjërat më të rëndësishme në jetë janë të dua Jehovain dhe t’i bindem atij e organizatës së tij. (Hebrenjve 13:17; 1 Gjonit 5:3) Jam e lumtur që për mua dhe Juxhinin këto ishin parësore në jetë. Prandaj jam plotësisht e bindur se Jehovai do të na shpërblejë me jetën e pafund në tokë. Mezi pres ta shohim sërish njëri-tjetrin!—Gjoni 5:28, 29.