Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

SI PËRDOREN DHURIMET E TUA

Duke ndjekur kongresin

Duke ndjekur kongresin

1 GUSHT 2021

 Kongresi rajonal 2020 ishte historik: kongresi ynë i parë mbarëbotëror i regjistruar dhe i vënë në dispozicion në internet! Megjithatë, në Malavi dhe Mozambik, shumica e vëllezërve e ndoqën kongresin pa përdorur internet. Si ka mundësi?

 Komiteti i Koordinatorëve dhe Komiteti i Mësimit të Trupit Udhëheqës bënë një përjashtim dhe dhanë miratimin që kongresi për Malavinë dhe Mozambikun të transmetoj nëpërmjet televizorit dhe radios. Pse ishte e nevojshme kjo? Malavia ka ndër tarifat më të larta të internetit në botë, prandaj fare pak Dëshmitarë mund t’i përballojnë. Uilliam Çumbi, anëtar i Komitetit të Degës në Malavi, shpjegoi: «Radioja dhe televizori ishin të vetmet mënyra përmes të cilave vëllezërit e motrat mund të ndiqnin kongresin.» Luka Sibeko, që po ashtu shërben në Komitetin e Degës atje, shton: «Nëse kongresi nuk do të transmetohej nëpërmjet televizorit dhe radios, vetëm pak vëllezër në territorin e degës sonë do të nxirrnin dobi prej tij.» Edhe në Mozambik, vetëm një numër i vogël vëllezërish kishin mundësi të blinin një pajisje elektronike, që të shihnin kongresin, për të mos folur për internetin.

Organizimi

 Ndërkohë, për shkak të pandemisë COVID-19, mbledhjet e kongregacionit a po transmetoheshin në disa televizione dhe radio. Vëllezërit kontaktuan drejtuesit e këtyre stacioneve dhe u kërkuan kohë transmetimi shtesë për kongreset.

 Në Malavi, vëllezërit u gjendën në një situatë të vështirë. Zakonisht këto stacione ofrojnë vetëm një orë transmetim për klientët. Meraku i tyre është se audienca mund ta humbë interesin kur ka programe të gjata. Por, vëllezërit u shpjeguan se vepra jonë ndihmon komunitetin. Edhe gjatë pandemisë, po i ngushëllojmë njerëzit me lajmin e mirë nga Bibla, që mund t’i ndihmojë të jenë shtetas më të mirë dhe të kenë një jetë të lumtur familjare. Kur e dëgjuan këtë, drejtuesit e këtyre stacioneve e pranuan kërkesën e vëllezërve për kohë transmetimi shtesë.

 Në Malavi, kongresin e transmetoi një stacion televiziv dhe një stacion radiofonik, të cilët mbulojnë gjithë vendin me sinjalin e tyre dhe janë në dispozicion për miliona veta. Në Mozambik, kongresi u transmetua nga një stacion televiziv dhe nga 85 stacione radiofonike.

 Në të dy vendet u shpenzuan gjithsej 28.227 dollarë b që kongresi të transmetohej nëpërmjet televizorit dhe gati 20.000 dollarë që të transmetohej me anë të radios. Çmimi për radion varionte nga 15 dollarë për një stacion të vogël deri në 2.777 dollarë për një stacion me transmetim në mbarë vendin.

 Vëllezërit punuan fort në mënyrë që fondet e dhuruara të përdoreshin sa më mirë të ishte e mundur. Për shembull, në Malavi arritën të bënin marrëveshje për çmime më të ulëta, madje në një rast deri në 30 për qind. Kështu u kursyen 1.711 dollarë. Në Mozambik, disa stacione u treguan të gatshme të ulnin çmimin falë emrit tonë të mirë si të ndershëm e të përpiktë me pagesat.

Shprehje mirënjohjeje

 Vëllezërit ishin tejet mirënjohës që patën mundësi ta shihnin ose ta dëgjonin kongresin në stacionet lokale televizive a radiofonike. Patriku nga Malavia, që shërben si plak, tha: «Falënderojmë vëllezërit e Trupit Udhëheqës për gjithë sa kanë bërë për ne gjatë pandemisë!» Ndërsa Isaku, që po ashtu është nga Malavia, komentoi: «Nuk kemi pajisje të tjera, ndaj ishim thellësisht mirënjohës për këtë dhuratë speciale nga organizata e Jehovait, që mund ta dëgjonim kongresin me anë të radios. Falë kësaj mase, e gjithë familja ime nxori dobi nga kongresi. Për ne kjo ishte provë e dashurisë së Jehovait për popullin e tij.»

 Një lajmëtar në Mozambik, për të cilin kongresi 2020 ishte i pari, tha: «Ky organizim për ta parë kongresin në televizor më kujtoi se Jehovai është Perëndia i plotfuqishëm. Pandemia nuk e pengoi të më siguronte atë që më duhej për të ruajtur të fortë besimin, pikërisht këtu në dhomën time të ndenjjes. Shoh dëshmi të dashurisë mes popullit të Jehovait dhe jam i bindur se kjo është feja e vërtetë.»

 Një plak me emrin Uajsën, u shpreh: «Dua të falënderoj skllavin besnik për mënyrën si është kujdesur për ne gjatë pandemisë. Ky organizim që kongresi të transmetohej nëpërmjet radios ose televizorit, ka ndihmuar shumë prej nesh që jetojmë në këtë pjesë kaq të varfër të botës e që kemi fare pak të ardhura, ta ndjekim kongresin dhe të nxjerrim dobi prej tij.»

 Edhe për kongresin rajonal 2021, Komiteti i Koordinatorëve dhe Komiteti i Mësimit kanë bërë sërish një përjashtim, në mënyrë që kongresi të transmetohet nëpërmjet televizorit dhe radios në disa komunitete. Si i mbulojmë shpenzimet që kongresi të transmetohet në këtë mënyrë? Me anë të dhurimeve për veprën mbarëbotërore, shumë prej të cilave bëhen nëpërmjet metodave të ndryshme në donate.ps8318.com. Shumë faleminderit për kontributet tuaja bujare!

a Në fillim të vitit 2020, Komiteti i Koordinatorëve miratoi që gjatë pandemisë COVID-19, në zona të caktuara, mbledhjet e kongregacionit të transmetoheshin nëpërmjet televizionit dhe radios. Kështu u ndihmuan ata që nuk i ndiqnin dot mbledhjet e kongregacionit ose JW Stream, ngaqë jetojnë në komunitete ku lidhja e internetit dhe shërbimi i telefonisë celulare ose nuk gjenden kollaj, ose janë të papërballueshme. Gjithsesi, kjo masë nuk është për komunitetet që mund t’i ndjekin mbledhjet duke u lidhur me kongregacionet vendëse.

b Të gjitha shumat në dollarë, që janë përmendur në artikull, i referohen dollarit amerikan.